Kulturë

Gjashtë strategji për të përmirësuar marrëdhëniet me klientët

Rreth një vit më parë, fillova të studioja strategjitë e marrëdhënieve të klientëve që implementojnë kompanitë shqiptare.

Published

on

Gjatë viteve, kompanitë shqiptare kanë zbatuar teknologji inovative, duke zhvilluar burime të reja dhe aftësi për të tërhequr dhe mbajtur klientët me anë të strategjive CRM (Customer Relationship Management).

Ata kanë kuptuar se për arritjen e suksesit në një mjedis konkurues biznesi, duhet të përqëndrohen në mbajtjen e një marrëdhënie pozitive me klientët, duke zbatuar strategji efektive që çojnë në kënaqësinë dhe besnikërinë e klientit.

Rreth një vit më parë, fillova të studioja strategjitë e marrëdhënieve të klientëve që implementojnë kompanitë shqiptare të telekomunikacionit dhe ndikimin e tyre në kënaqësinë dhe besnikërinë e klientëve. Zgjodha industrinë e telekomunikacionit sepse karakterizohet nga një konkurencë e fortë dhe është interesante të analizohet se si ndryshimet e tyre në strategji mund të formojnë performancën e tyre të biznesit.

Disa nga zbulimet kyçe mbi mënyrën se si Vodafone dhe Telekom janë duke maksimizuar marrëdhëniet me klientët i gjeni në vijim:

– Ata i përdorin platformat si pjesë integrale e strategjisë së tyre të biznesit. Ata janë duke përdorur sistemet CRM si një strategji kryesore për të kuptuar më mirë klientët e tyre, duke analizuar sjelljet e konsumatorëve dhe duke përdorur CRM për menaxhimin efektiv të marrëdhënieve për të gjeneruar më shumë kënaqësi dhe besnikëri ndaj klientit. Ata mësojnë më shpejt rreth tyre dhe e vënë atë mësim në veprim më shpejt se konkurrentët. Një nga avantazhet kryesore konkuruese është fokusi i tyre në menaxhimin efektiv të klientëve për të gjeneruar marrëdhënie afatgjata, si një nxitës kryesor i rritjes dhe përfitimit të qëndrueshëm.

– Ata ofrojnë një eksperiencë të mrekullueshme për konsumatorët. Strategjia e tyre e biznesit është e fokusuar në dhënien e një përvoje të kënaqshme për konsumatorët. Të gjitha aktivitetet e CRM që përfshijnë departamentet e marketingut, shitjes janë pjesë përbërëse e të kuptuarit të nevojave të klientëve, si suksesi i tyre themelor i biznesit. Ata kanë hartuar një strategji efektive në detaje, një përshkrim i të gjithë eksperiencës që kompania dëshiron t’i japë klientëve të saj. Ata e kuptojnë se eksperiencat e paharrueshme dhe pozitive janë thelbësore për kënaqësinë e klientit dhe besnikërinë e tij. Ata po i kushtojnë më shumë kohë aktiviteteve të tilla si kujdesi ndaj konsumatorëve dhe menaxhimi i klientëve, gjetja e zgjidhjeve për problemet e tyre, konsultimi dhe analizimi i klientëve të tyre kryesorë, si dhe ofrimi i paketave dhe ofertave që personalizohen sipas nevojave të tyre.

– Ata arrijnë rezultate më të larta në aktivitetet kyçe. Nëpërmjet këtyre platformave, ata u mundësojnë menaxherëve të shitjeve që të tërheqin më shumë konsumatorë, të menaxhojnë dhe të zhvillojnë në mënyrë efektive klientët e tyre ekzistues, të krijojnë marrëdhënie afatgjata duke ofruar përvojë më të lartë të konsumatorëve, si dhe duke rifituar klientët e tyre të humbur duke rivendosur me sukses marrëdhënie pozitive me ta.

– Ata i kuptojnë më mirë klientët e tyre. Këto kompani vlerësojnë opinionin e klientëve dhe inkurajojnë feedback-un e tyre. Ata po përdorin mënyra efektive për vlerësimin e shërbimit të tyre dhe marrjen e feedback-ut direkt nga klientët. Ata e dinë se çfarë e udhëheq besnikërinë e klientit. Duke njohur klientët e tyre ata mund të menaxhojnë dhe përmirësojnë vazhdimisht marrëdhëniet me ta, si dhe të merren më shpejt me ankesat. Ata menaxhojnë vazhdimisht problemet dhe përqendrohen në krijimin e një ‘customer experience’ që rrit kënaqësinë.

– Implementojnë strategji efektive të marrëdhënieve me klientët. Me mjetet e platformave CRM, ato po i shtojnë më shumë vlerë departamenteve të marketingut dhe shitjeve duke lehtësuar dhe siguruar shumë aktivitete të rëndësishme. Ata sigurojnë një eksperiencë unike për klientin duke organizuar aktivitete rreth nevojave të tyre.
Ata fuqizojnë punonjësit e tyre. Ata fokusohen në zhvillimin e burimeve njerëzore, aftësive dhe motivimit të tyre për të përdorur këto platforma menaxhimi si mjete efektive për të ofruar përvojë pozitive për klientët dhe për të menaxhuar në mënyrë efektive marrëdhëniet me ta. Ata kanë një fokus të qartë në menaxhimin, udhëheqjen dhe fuqizimin e punonjësve të tyre duke pajisur me mjetet e duhura për të ndërtuar marrëdhënie afatgjata me klientët dhe për të rritur kënaqësinë dhe besnikërinë e klientit.

Si përfundim menaxhimi efektiv i marrëdhënieve me klientët ka një ndikim pozitiv në ecurinë e biznesit. Kompanitë e suksesshme si Vodafone dhe Telekom janë duke i përdorur ato për të diferencuar dhe për të arritur vazhdimisht më shumë pjesë të tregut. Ata e dinë se klientët e kënaqur paguajnë përsëri me besnikërinë e tyre dhe janë të gatshëm të rekomandojnë miqtë e tyre. Shërbimi me cilësi të lartë i ofruar nga punonjësit e tyre është përparësia kryesore konkurruese që u ka dhënë atyre kënaqësinë maksimale të klientëve, besnikërinë dhe rritjen e qëndrueshme. (Renato Civili/Businessmag.al)

Lajmet

Hapet ekspozita fotografike “Kronologjia e Lirisë” nga Ridvan Slivova në Prishtinë

Published

on

By

Sot, më 9 tetor 2026, me fillim nga ora 18:00, në hapësirat e Barabar Centre në Prishtinë, do të hapet ekspozita fotografike e titulluar “Kronologjia e Lirisë”, me autor fotografin e njohur Ridvan Slivova.

Ngjarja organizohet në kuadër të festivalit ndërkombëtar të fotografisë “Fotoist”. Ekspozita sjell një kronikë të fuqishme vizuale të periudhës së luftës në Kosovë, duke dokumentuar ngjarje tragjike – përfshirë Masakrën e Gollakut – si dhe momente të tjera kyçe të rezistencës dhe rrugëtimit të popullit të Kosovës drejt lirisë.

Të gjithë të interesuarit dhe dashamirët e artit e historisë mund të marrin pjesë në këtë ngjarje ose të informohen më shumë përmes uebfaqes zyrtare të festivalit, www.fotoist.org.

Continue Reading

Lajmet

“Neighbours – From Motherland” bashkon kulturën shqiptare dhe kurde në Prishtinë

Published

on

Balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës dhe të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit të Shqipërisë janë bashkuar në skenën e Amfiteatrit të Teatrit Kombëtar në Prishtinë, përmes shfaqjes koreografike “Neighbours – From Motherland”, e cila trajton rrënjët, identitetin dhe të përbashkëtat mes kulturave shqiptare e kurde.

Shfaqja, e realizuar nga koreografët Brigel Gjoka dhe Rauf Yasit, u prezantua të mërkurën mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, pas paraqitjeve më 3 dhe 4 tetor në Tiranë, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Vallëzimit.

Koreografia ndërthur kërcimin bashkëkohor me elemente të vallëzimit tradicional, ndërsa lëvizjet, ritmi dhe muzika krijojnë një dialog mes kulturave. Në performancë janë ndërthurur tinguj të muzikës kurde, turke dhe shqiptare, përfshirë këngën tradicionale “Fustanin që ta solla mbrëmë”.

Koreografi Rauf Yasit ka treguar se vepra është zhvilluar në disa etapa. Pjesa e parë u krijua në vitin 2019, fillimisht në heshtje, ndërsa në vitin 2021 u ndërtua pjesa e dytë, me përfshirjen e muzikës.

“Ne festojmë rrënjët tona dhe prejardhjen tonë”, ka thënë Yasit, duke shpjeguar se koncepti është zhvilluar gradualisht përmes hulumtimit të lëvizjes dhe identitetit kulturor.

Për koreografin Brigel Gjoka, i cili për herë të parë ka punuar me Baletin Kombëtar të Kosovës, ky bashkëpunim ka qenë një përvojë e veçantë dhe emocionale.

“Unë nuk do të them se ka të bëjë me humbjen e rrënjëve; do të them se ka të bëjë me rikthimin te rrënjët. Mendoj se jemi më afër secilit person tjetër, pavarësisht kombësisë së tij”, ka deklaruar Gjoka.

Edhe balerina Rovena Shqevi ka theksuar se mesazhi i shfaqjes shkon përtej kulturave shqiptare dhe kurde, duke përcjellë një thirrje për mirëkuptim, respekt dhe bashkëjetesë.

“Në fund të ditës, të gjithë jemi njerëz, pavarësisht kombësive të cilave u përkasim. Marrëdhënia jonë duhet të jetë gjithmonë e mirë, e bukur, me dashuri dhe respekt për njëri-tjetrin, pa dhunë, pa luftë”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, balerina e Baletit Kombëtar të Kosovës, Jeta Musolli, e ka vlerësuar lart bashkëpunimin mes dy trupave, duke thënë se gjatë rreth pesë javëve të punës intensive në Tiranë, artistët kanë funksionuar si një trup i vetëm.

Në shfaqje kanë interpretuar edhe dy koreografët, si dhe Isa Gjocaj, Aulonë Nuhiu, Rigon Krasniqi, Sead Vuniqi, Isida Mollaymeri, Livia Lara, Armando Meci dhe Enea Qiriçi.

“Neighbours – From Motherland” sjell në skenë një rrëfim për afërsinë mes kulturave dhe rikthimin te rrënjët e përbashkëta, duke përcjellë mesazhin se arti mund të krijojë ura komunikimi përtej dallimeve kombëtare./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Gonxhja: Muzetë përjetohen bukur edhe në mbrëmje

Published

on

Ministri i Kulturës, Turizmit dhe Sportit në Shqipëri, Blendi Gonxhja, ka vënë në pah mundësinë e përjetimit të muzeve edhe gjatë orëve të mbrëmjes.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gonxhja ka ndarë mesazhin: “Muzetë përjetohen bukur edhe në mbrëmje!”, duke e shoqëruar me hashtagun #AlbaniaAllSenses.

Mesazhi vë në fokus muzetë si hapësira ku historia, arti dhe trashëgimia kulturore mund të zbulohen në mënyra të ndryshme, përtej vizitave gjatë ditës.

Nën atmosferën e mbrëmjes, objektet dhe veprat që ruajnë kujtesën historike marrin një tjetër dimension, duke ofruar një përvojë të veçantë për vizitorët./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Anne Carson fiton Çmimin Nobel për Letërsi 2026

Published

on

Poetja kanadeze Anne Carson është laureuar me Çmimin Nobel për Letërsi për vitin 2026.

Akademia Suedeze e ka nderuar 76-vjeçaren për “veprën e saj të guximshme dhe novatore, e cila, në një dialog lozonjar me traditën klasike, ka krijuar forma të reja për letërsinë bashkëkohore”.

Sekretarja e përhershme e Akademisë Suedeze, Ingrid Carlberg, tha se ia kishte komunikuar lajmin Carsonit përmes telefonit, pak para njoftimit zyrtar.

“Ajo u kap në befasi, por ishte shumë e lumtur”, tha Carlberg, duke shtuar se Carson i kishte treguar se në atë moment ndodhej në Islandë.

Anne Carson lindi në vitin 1950 në Toronto të Kanadasë. Ajo është poete, eseiste, përkthyese dhe ish-profesoreshë universitare, ndërsa gjatë karrierës së saj ka ndërthurur poezinë, prozën, përkthimin dhe studimet klasike.

Krijimtaria e saj është e njohur për kapërcimin e kufijve mes zhanreve dhe për ndërthurjen e letërsisë bashkëkohore me traditën klasike. Suksesi i saj i madh erdhi në vitin 1998 me veprën “Autobiography of Red”.

Carson ka botuar më shumë se 20 libra me poezi, ese dhe përkthime. Në vitin 2001, ajo u bë gruaja e parë që fitoi çmimin “T.S. Eliot” për veprën “The Beauty of the Husband”.

Vitin e kaluar, Çmimi Nobel për Letërsi iu dha shkrimtarit hungarez László Krasznahorkai, për veprën e tij që, sipas jurisë, mbron fuqinë e artit përballë “tmerrit apokaliptik”.

Njoftimi për Çmimin Nobel për Letërsi vjen pas shpalljes së çmimeve në mjekësi, fizikë dhe kimi, ndërsa këtë javë pritet të shpallet edhe Çmimi Nobel për Paqen./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara