Lajmet

Gjashtë shtetet e lëkundura që do të vendosin për të ardhmen e gjeopolitikës

Nga Cliff Kupchan

Published

on

Muajin e kaluar, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky qëndroi jo pak ditë larg Ukrainës. Ai kaloi thuajse një javë në Jeddah të Arabisë Saudite dhe Hiroshima të Japonisë. Synimi i tij: të fitojë mbështetjen e Brazilit, Indisë, Indonezisë dhe Arabisë Saudite, 4 vende të rëndësishme që hezitojnë në rreshtohen në luftën Rusi-Ukrainë.

Këto dhe vende të tjera udhëheqëse të Jugut Global, kanë sot më shumë fuqi se kurrë më parë. Arsyet për peshën e tyre të re gjeopolitike:Kanë më shumë ndikim, përfitojnë jo pak nga rajonalizimi, dhe mund të nxisin tensionet SHBA-Kinë. Sot fuqitë e mesme kanë më shumë ndikim se sa në çdo kohë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Këto janë vende me një ndikim gjeopolitik të konsiderueshëm, por ato janë gjithsesi më pak të fuqishme sesa dy superfuqitë e botës:Shtetet e Bashkuara dhe Kina. Në veriun global, ato përfshijnë Francën, Gjermaninë, Japoninë, Rusinë, Korenë e Jugut dhe të tjerë.

Me përjashtim të Rusisë, këto vende nuk na tregojnë shumë mbi dinamikën e ndryshimit të fuqisë dhe levave, pasi ato mbeten gjerësisht në një linjë me Shtetet e Bashkuara. Shumë më interesante janë 6 fuqitë e mesme kryesore të Jugut Global:Brazili, India, Indonezia, Arabia Saudite, Afrika e Jugut dhe Turqia.

Këto shtete të lëkundura të Jugut Global, nuk janë plotësisht në një linjë me asnjërën nga superfuqitë, dhe për këtë arsye janë të lira që të krijojnë dinamika të reja. Të gjitha janë anëtare të G20-ës dhe shumë aktive si në gjeopolitikë ashtu edhe në gjeoekonomi.

Nga ana tjetër, këto 6 fuqi të mesme shërbejnë si një barometër i mirë për tendencat më të gjera gjeopolitike në Jugun Global. Ekzistojnë shumë arsye për rëndësinë në rritje të këtyre 6 shteteve, por ato mund të grupohen në 2 kategori:zhvillimet afatgjata, historike dhe tendencat më të fundit globale.

Sa i përket të parave, zhvillimet që nga Lufta e Ftohtë u kanë dhënë këtyre fuqive më shumë ndikim në marrëdhëniet ndërkombëtare. Lufta e Ftohtë solli një ndarje më të rreptë në blloqet kundërshtare, të cilat tërhoqën disa nga shtetet e sotme të lëkundura.

Epoka pasuese e unipolaritetit të SHBA-së, bëri të nevojshme njëfarë besnikërie ndaj Uashingtonit nga gati të gjitha shtetet. Bipolariteti i sotëm Kinë-SHBA, është më i dobët dhe të gjitha fuqitë e mesme kanë më shumë liri lëvizjeje.

Kategoria e dytë gjendet tek trajektorja e historisë:Bota është de-globalizuar në mënyra të rëndësishme gjatë 2 dekadave të fundit, ndaj po formohen marrëdhënie të reja gjeopolitike dhe gjeoekonomike në nivel rajonal. Shtetet e lëkundura, janë që të gjitha lidere rajonale, dhe ato bëhen më të rëndësishme në kushtet kur fuqia kalon në rajonet e tyre.

Proceset e lëvizjes së zinxhirëve të furnizimit më afër shtëpisë dhe larg kundërshtarëve, po i zhvendosin dalëngadalë disa kompani dhe marrëdhënie tregtare larg Kinës në rajoneve të tjera, kryesisht në Jugun Global. Disa nga shtetet e lëkundura të Jugut Global, do të shndërrohen në qendra edhe më të ngarkuara të tregtisë rajonale.

Shembulli më i mirë është India, kur disa kompani amerikane po drejtojnë zinxhirë të rinj furnizimi. Edhe tregjet e energjisë po bëhen më rajonale, dhe nga kjo përfiton Arabia Saudite.

Po ashtu, kryeqyteti saudit, Riadi, po shfaqet si një qendër financiare rajonale. Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka bërë të qartë se bota po fragmentohet, dhe në një botë të fragmentuar fuqitë e mesme rajonale luajnë logjikisht një rol gjithnjë e më të rëndësishëm.

Ndërkohë, gjatë Luftës së Ftohtë, India dhe Indonezia sapo kishin dalë nga sundimi kolonial dhe kjo e kufizoi rolin e tyre global gjatë asaj epoke bipolare. Sot, 6 shtetet e lëkundura janë aktorë plotësisht autonomë.

Por ata nuk janë vetëm një mishërim i ri i Lëvizjes së të Paangazhuarve, apo i grupimeve të tjera të dominuara nga Jugu Global, si G-77 dhe BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut), ku asnjë nuk ka grumbulluar shumë fuqi. Të gjitha këto grupe përfshihen ose përfshijnë njëfarë afërsie ideologjike, të cilin nuk e kanë 6 shtetet e lëkundura.

Mungesa e afërsisë ideologjike, i ndihmon këto shtete të kenë një qasje të fortë transaksionale në politikën e jashtme, e cila nga ana e saj e rrit ndikimin e tyre të përgjithshëm në çështjet ndërkombëtare. Fuqia e shteteve të lëkundura rritet nga ndikimi që fitojnë nga konkurrenca dhe konfrontimi, që po karakterizon gjithnjë e më shumë marrëdhëniet SHBA-Kinë.

Secila superfuqi dëshiron që shtetet lëkundura të afrohen me të, duke krijuar mundësi që ato të vihen njëra kundër tjetrës. Për shembull, fuqia dhe ndikimi i Indisë është rritur shumë që kur iu bashkua Dialogut Katërpalësh të Sigurisë, QUAD, përpjekja më e rëndësishme e udhëhequr nga SHBA për të balancuar fuqinë e Kinës në rajon.

Brazili dhe Indonezia kanë përfituar nga dëshira e Kinës për të firmosur marrëveshjet për mineralet thelbësore, veçanërisht litiumin, nikelin dhe aluminin. Një studim i kohëve të fundit, tregon se ndërsa secili nga 6 shtetet mund të lëvizë drejt Shteteve të Bashkuara ose Kinës për një çështje të veçantë, shumica e tyre mbeten relativisht të ekuilibruar në besnikërinë e tyre.

Tani për tani, ata do të jenë të lira në shumë fusha, për ta vënë njërën fuqi të madhe kundër tjetrës. Përjashtimi i vetëm janë teknologjitë themelore, përfshirë gjysmëpërçuesit, inteligjencën artificiale, teknologjinë kuantike, telekomunikacionin 5G dhe bioteknologjinë.

Këtu, fuqitë e mesme duhet të bëjnë ndoshta një zgjedhje midis tregtisë me Shtetet e Bashkuara ose Kinën. Gjashtë shtetet e lëkundura, kanë luajtur një rol të rëndësishëm në sanksionet dhe inkuadrimin e optikës së luftës në Ukrainë. Që në fillim, ato kanë refuzuar të bëhen pjesë e ndihmës ushtarake perëndimore për Ukrainën dhe sanksioneve ndaj Rusisë.

Argumentojnë se lufta prek vetëm sigurinë evropiane dhe jo atë globale, dhe se ajo nuk i çon përpara interesat e tyre kombëtare në zhvillim, reduktimin e borxhit, garantimin e sigurisë ushqimore, asaj energjetike dhe fusha të tjera.

Por ndikimi më i rëndësishëm i këtyre shteteve në luftë, ka qenë roli i tyre udhëheqës në kundërshtimin dhe në disa raste minimin e sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë. Turqia është një nga disa vendet e përfshira në kanalizimin e vëllimeve të mëdha të artikujve me përdorim të dyfishtë në Rusi, duke shkelur frymën dhe ndoshta gërmën e sanksioneve perëndimore.

Për këto aktivitete, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur tashmë nën sanksione 4 kompani turke. Shumica e fuqive të tjera të mesme, kanë mbetur plotësisht neutrale, edhe pse Afrika e Jugut anon drejt Rusisë. Që nga fillimi i luftës, të gjashta këto vende kanë mbajtur ose rritur lidhjet tregtare dhe të llojeve tjera me Rusinë.

FMN-ja parashikon që ekonomia ruse të rritet me 0.7 për qind këtë vit. Shtetet e lëkundura e kanë ndihmuar Rusinë të zbehë ndikimin e sanksioneve perëndimore, dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë. Ato janë një arsye përse Kremlini duket se beson se mund të sigurojë jetesën duke e zhvendosur tregtinë në jug dhe në lindje.

Rritja e madhe e ndikimit dhe levave të fuqive të mesme të Jugut Global është e dukshme edhe tek nismat e tyre ndërmjetësuese. Turqia është fuqia e vetme e jashtme më me ndikim në luftën në Ukrainë. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka qenë një negociator kryesor i marrëveshjeve të grurit.

Po ashtu, ai ishte i përfshirë në bisedimet e paqes që në fillim të luftës, dhe ndodhet në një pozitë të mirë për të lehtësuar bisedimet e ardhshme, nëse e zgjedhin palët ndërluftuese. Presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva ka dalë me iniciativën e tij, ndërsa India është pozicionuar më në heshtje për të ndërmjetësuar një paqe në të ardhmen.

Disa mund të mos bien dakord me idenë se këto 6 shtete të lëkundura janë fuqitë që duhet mbajtur nën vëzhgim në të ardhmen. Të gjithë ato janë ende tregje në zhvillim, dhe me përjashtim të Indisë, ritmet e rritjes ekonomike në këto shtete nuk i kanë përmbushur pritshmëritë. Ky grupim ngec në klasë edhe sa i përket zhvillimit të institucioneve që mbështesin sundimin e ligjit.

Ndërkohë revolucionet teknologjike, përfshirë atë të Inteligjencës Artificiale, do të godasin më shumë Jugun Global sesa demokracitë e përparuara të industrializuara, pasi i pari ka më pak burime me të cilat mund të luftojë kundër efekteve politikisht të rrezikshme të AI.

Pasoja më e rëndësishme është se Uashingtoni duhet të përmirësojë lojën e tij drejt këtyre 6 vendeve, në mënyrë që të parandalojë një dobësim të konsiderueshëm të pozicionit të SHBA-së në balancën globale të fuqisë. Ftesa e shumicës së këtyre shteteve në samitin e fundit të G-7 ishte një fillim i dobishëm, por nevojitet shumë më tepër.

Një strategji më e mirë do t’ia fillonte nga më shumë vizita të nivelit të lartë nga diplomatët kryesorë të SHBA-së. Po ashtu, një politikë e përmirësuar ndaj tyre do të përfshinte një strategji tregtare më të shkathët. Ndërkaq Shtetet e Bashkuara duhet të jenë në gjendje të parashikojnë më mirë reagimet e 6 shteteve të lëkundura dhe Jugut Global ndaj vendimeve kyçe të politikave të SHBA-së.

Për shembull, shkalla në të cilën Jugu Global u distancua nga politikat perëndimore mbi luftën e Rusisë në Ukrainë e kapi në befasi Uashingtonin. Midis këtyre shteteve, nuk ka modele të dallueshme sjelljeje përtej ndjekjes intensive të interesit të tyre kombëtar. Kjo i bën edhe më të vështira parashikimet e rezultateve gjeopolitike.

Marrë me shkurtime nga Foreign Policy

Shënim: Cliff Kupchan, është kryetar i institutit kërkimor “Eurasia Group”.

lajme

UBT shënon 25-vjetorin, Hajrizi: Kemi dhënë kontribut në transformimin e arsimit dhe inovacionit në Kosovë

Published

on

By

Në një intervistë në emisionin “Five” në RTV Dukagjini, Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, ka thënë se 25-vjetori i këtij institucioni përfaqëson jo vetëm një përvjetor jubilar, por edhe një moment reflektimi për të arriturat dhe synimet e ardhshme në arsim, shkencë, inovacion dhe teknologji.

Hajrizi ka deklaruar se gjatë këtij çerek shekulli, UBT-ja është angazhuar në ndërtimin e një sistemi arsimor me qasje inovative, duke synuar të ndikojë në zhvillimin e vendit në fusha të ndryshme.

“Është një vit që jo vetëm duhet të reflektojmë, por është një angazhim prej çerek shekulli, ku vitet më të mira të jetës kanë qenë angazhim për të ndërtuar një sistem të arsimit dhe një qasje inovative në arsim. Ka qenë një rezultat i mirë, por edhe një moment reflektimi se çfarë kemi arritur dhe çfarë duam të arrijmë”, është shprehur Hajrizi.

Ai ka theksuar se gjatë këtyre 25 vjetëve ka pasur zhvillim në fusha të ndryshme, përfshirë arsimin, shkencën, inovacionin, teknologjinë dhe zhvillimin e biznesit, duke vlerësuar se UBT-ja ka pasur ndikim në këtë proces transformues.

Në kuadër të shënimit të 25-vjetorit, UBT-ja ka planifikuar disa aktivitete që do të zhvillohen gjatë javës së ardhshme, me fokus të veçantë në fushën akademike dhe shkencore.

Sipas Hajrizit, gjatë kësaj jave në Kosovë do të organizohen tri ngjarje ndërkombëtare, njëra pas tjetrës, të cilat synojnë të sjellin në vend komunitetin akademik dhe profesionistë nga fusha të ndryshme.

Ngjarja e parë do të mbahet të mërkurën dhe do t’i kushtohet Konferencës Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive. Hajrizi ka bërë të ditur se kjo konferencë organizohet për herë të dytë dhe do të mbledhë përfaqësues të komunitetit vendor dhe ndërkombëtar në UBT.

“Kemi mbërritur në fund të vitit ku do të shënojmë edhe përmbylljen e 25-vjetori dhe mbi këtë kemi menduar t’i organizojmë disa evente të cilat ndërlidhen edhe në shenjë të 25-vjetorit. Këtë vit i kemi mbledh disa ngjarje, javen e ardhshme kemi disa aktivitete që lidhen me pjesën akademike shkencore dhe i kemi tri ngjarje të nivelit botëror që i organizmojnë në Kosovë në të njëjtën kohë njëra pas tjetrës që e plotësojnë gjithë javën. Konferenca e parë që e organizojmë të mërkurën ka të bëjë me Konferencën Ndërkombëtare Botërore për Mjekësinë Sportive, është hera e dytë që organizohet por është një konferencë që sjell gjithë komunitetin edhe ndërkombëtar edhe vendor në UBT në Kosovë”, u shpreh Hajrizi.

Përmes këtyre aktiviteteve, UBT-ja synon të shënojë përmbylljen e 25-vjetorit, duke vënë në pah të arriturat e deritanishme dhe duke hapur diskutime për zhvillimet e ardhshme në arsim, shkencë dhe inovacion.

Continue Reading

lajme

UBT hap AI Business Hub, duke kompletuar ekosistemin për zhvillimin e kompetencave dhe mbështetjen e bizneseve

Published

on

By

UBT ka hapur zyrtarisht AI Business Hub, një hapësirë të re që synon të forcojë kompetencat në fushën e inteligjencës artificiale dhe të ofrojë mbështetje për bizneset në Kosovë dhe më gjerë.

AI Business Hub është rezultat i projektit TBEAI (Transforming Business Education with AI in Western Balkans), një projekt i financuar nga Komisioni Evropian përmes programit Erasmus+, i cili synon transformimin e edukimit të biznesit përmes integrimit të inteligjencës artificiale në Ballkanin Perëndimor.

Me hapjen e këtij Hub-i, UBT plotëson edhe më tej ekosistemin e tij të inovacionit, duke krijuar mundësi konkrete për zhvillimin e kompetencave digjitale, avancimin e njohurive në inteligjencën artificiale dhe mbështetjen e sektorit të biznesit në përballjen me sfidat e transformimit digjital.

AI Business Hub synon të shërbejë si urë lidhëse ndërmjet akademisë, teknologjisë dhe biznesit, duke krijuar hapësirë për bashkëpunim, zhvillim të aftësive profesionale dhe zbatimin e zgjidhjeve të inteligjencës artificiale në praktikat e përditshme të bizneseve. Përmes kësaj nisme, studentët, profesionistët dhe ndërmarrjet do të kenë mundësi të përfitojnë nga një qasje më e orientuar drejt nevojave të tregut, duke nxitur inovacionin, rritjen e produktivitetit dhe përgatitjen për ekonominë digjitale.

Hapja e AI Business Hub dëshmon përkushtimin e UBT-së për të ndërtuar një ekosistem që jo vetëm zhvillon kompetencat e së ardhmes, por edhe përkrah bizneset në Kosovë dhe më gjerë, duke i ndihmuar ato të shfrytëzojnë potencialin e inteligjencës artificiale për zhvillim dhe konkurrueshmëri.

UBT vazhdon të investojë në inovacion, dije dhe teknologji, duke e shndërruar inteligjencën artificiale në një mundësi konkrete për zhvillimin e arsimit, sipërmarrjes dhe ekonomisë.

Continue Reading

Lajmet

Rama fajëson “duart e huaja” për trazirat në Shqipëri

Published

on

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bëri thirrje për qetësi të premten, dhe fajësoi “duart e huaja” për trazirat e dhunshme disaditore, ndërsa protestuesit u mblodhën sërish në kryeqytet dhe në qytete të tjera.

Që nga e marta, Tirana është përfshirë nga protesta të dhunshme, ku mijëra protestues kanë kërkuar dorëheqjen e Ramës për shkak të kushteve të këqija në universitete dhe tarifave të larta të studimit.

Protestat janë përhapur edhe në disa qytete të tjera, ndërsa studentët iu bashkuan bojkotit të universiteteve, duke shënuar një përshkallëzim të ndjeshëm pas muajsh protestash kundër qeverisë në vend.

Përleshjet gjatë natës mes policisë dhe grupeve të protestuesve, shumica e të cilëve të maskuar, vazhduan deri në orët e para të së premtes.

Hyrja e Ministrisë së Financave u përfshi nga flakët, ndërsa xhamat e një kompleksi universitar u thyen.

Sipas një deklarate të Policisë, 160 protestues u ndaluan të enjten në mbrëmje për kryerjen e akteve të dhunshme.

Protestuesit grumbulluan dhe dogjën kontejnerë mbeturinash për të bllokuar rrugët, si dhe hodhën gurë drejt Policisë, e cila u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe topa uji për t’i shpërndarë.

Një gazetar i AFP-së pa, gjithashtu, grupe të maskuara duke thyer vitrina dhe duke plaçkitur dyqane. Të njëjtat incidente u raportuan edhe në pjesë të tjera të qytetit.

Të premten në mëngjes, qindra protestues marshuan drejt Ministrisë së Arsimit, e cila mbetet një nga pikat kryesore të protestave.

Përleshjet kanë lënë pas ndërtesa qeveritare me dëme të mëdha, vitrina të thyera dyqanesh dhe dhjetëra persona të arrestuar.

Përshkallëzimi i protestave këtë javë vjen pas muajsh të tërë demonstratash kundër qeverisë, të cilat fillimisht u nxitën nga një projekt i diskutueshëm për zhvillimin e një resorti, i lidhur me familjen e presidentit amerikan, Donald Trump.

Në një deklaratë të premten, Rama këmbënguli se protestat nuk kanë të bëjnë “fare me hallet, me problemet, me aspiratat legjitime të gjithkujt që dëshiron një jetë më të mirë”.

“E gjithë kjo është po ajo dorë, po ajo dorë që e ka kapur për fyti opozitën shqiptare, dhe që e ka djegur dhe shkatërruar jo një herë Shqipërinë, dhe që është gati ta djegë e ta shkatërrojë përsëri, për të mos e lënë të bëjë përpara”, tha ai.

Ai akuzoi “duar të huaja”, pa i identifikuar ato, se po nxisin trazirat dhe synojnë të pengojnë përpjekjet e vendit të tij për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

“Këto janë duar të huaja që nuk e duan Shqipërinë të qetë”, tha ai në një video të publikuar në faqen e tij në Facebook.

Që nga e marta, dhjetëra persona, kryesisht zyrtarë policorë, janë plagosur në përleshje, sipas autoriteteve.

Burimi: AFP / REL

Continue Reading

Rajoni

127 të arrestuar pas protestave në Shqipëri, hetohen thirrjet për akte terroriste

Published

on

Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike në Shqipëri, Dhimitraq Ziu, ka njoftuar se 127 persona janë arrestuar dhe 244 të tjerë janë proceduar penalisht në Tiranë, në lidhje me protestat e dhunshme të ditëve të fundit.

Sipas tij, janë lënduar 120 punonjës policie në disa qytete të vendit.

Ziu bëri të ditur gjithashtu se strukturat e Krimit Kibernetik dhe Antiterrorit po hetojnë kanale dhe grupe në rrjetet sociale, ku janë shpërndarë mesazhe me thirrje për akte ekstreme e terroriste dhe kërcënime ndaj punonjësve të Policisë.

“Deri në këto momente në Tiranë, janë arrestuar 127 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 244 shtetas, për ushtrim të dhunës ndaj punonjësve të Policisë, dëmtim të institucioneve shtetërore, shkatërrim të pronës publike dhe private, si dhe të bankomateve, kamerave, automjeteve dhe rrethimeve metalike”, ka thënë ai.

Ziu ka treguar edhe për rastet në qytetet e tjera. Në Durrës, ka thënë se janë arrestuar 23 shtetas dhe janë proceduar penalisht 12 të tjerë, në Korçë janë arrestuar 2 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 23 shtetas, në Vlorë janë proceduar në gjendje të lirë 20 shtetas, në Shkodër janë proceduar në gjendje të lirë 9 shtetas.

Gjatë protestës në Shkodër Ziu ka deklaruar se është plagosur rëndë një oficer i Policisë së Rendit, i cili aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë, për ndihmë mjekësore. Ai theksoi se autori i plagosjes është identifikuar, por për shkak të moshës nuk është arrestuar.

Kurse, në Elbasan janë proceduar në gjendje të lirë 6 shtetas dhe në Kukës janë proceduar në gjendje të lirë 10 shtetas, shtoi ai.

“Ndërkohë, nga dhuna e ushtruar mbi punonjësit e Policisë, në Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër dhe Kukës, janë dëmtuar deri tani 120 punonjës policie”.

Sa i përket rasteve të dyshuara për akte ekstreme, Ziu ka theksuar po bashkëpunojnë me agjencitë partnere ndërkombëtare për zbulimin e adresave IP, identifikimin e administratorëve të këtyre kanaleve dhe të çdo përdoruesi që bën thirrje për dhunë dhe akte terroriste.

“Përveç ngjarjeve në terren, strukturat e specializuara të Hetimit të Krimit Kibernetik dhe Antiterrorit kanë marrë në shqyrtim të menjëhershëm hapësirën virtuale, ku gjatë monitorimeve intensive, janë identifikuar disa kanale dhe grupe komunikimi, nëpërmjet të cilave janë shpërndarë mesazhe me përmbajtje të drejtpërdrejtë kriminale, ndër to, thirrje për kryerje të akteve ekstreme dhe terroriste, si dhe kërcënime direkte kundër jetës së punonjësve të Policisë së Shtetit”, potencoi ai.

Ziu u ka bërë thirrje protestuesve të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm.

“E drejta për protestë duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe nuk mund të përdoret si justifikim për dhunën dhe shkatërrimin”.

Ndërkohë Ziu ka theksuar se po udhëzojnë punonjësit e policisë që “pavarësisht situatave ku përballen me sulme të rrezikshme, apo gjatë ndërhyrjeve për të mbrojtur institucionet, të tregojnë vetëpërmbajtje dhe propocionalitet”.

Gjatë katër ditëve është raportuar për ushtrim dhune nga policët drejt qytetarëve./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara