Një ekip studiuesish nga fusha të ndryshme, gjeriatria, neurologjia, nutricionistë dhe specialistë të shëndetit publik, nga disa institucione në Kinë, së bashku me dy kolegë nga Australia, kanë gjetur se çiklizmi ofron përfitim të madh për të reduktuar rrezikun e zhvillimit të demencës.
Studiuesit kanë analizuar të dhëna mjekësore nga UK Biobank, duke ndjekur shëndetin e 479,723 personave me moshë mesatare rreth 56.5 vjeç, që ishin në gjendje të mirë shëndetësore e nuk kishin shenja të demencës në fillim të studimit.
Ata i ndoqën për 13 vjet për të parë sesi mënyrat e transportit lidhen me shfaqjen e demencës, rezultatet treguan se personat që përdornin biçikletën në baza të rregullta kishin rrezik dukshëm më të ulët për të zhvilluar demencë, krahasuar me ata që ecnin në këmbë, përdornin makinë ose transport publik.
“Udhëtimi kryesisht me biçikletë, ose në kombinim me mjete të tjera të transportit, ishte faktor i rëndësishëm për ruajtjen e volumit të hipokampusit”, thuhet në raportin e studimit, i cili është publikuar në JAMA Network Open.
Hipokampusi është pjesë e rëndësishme e trurit, e vendosur në pjesën e mesme të tij. Ai ka formën e nj kali deti të vogël (quhet “hipokampus”, nga fjala greke “hippos” që do të thotë kalë dhe “kampos”, që do të thotë det, kuptimi: kali i detit).
Kjo pjesë e trurit luan rol kryesor në formimin, organizimin dhe ruajtjen e kujtimeve të reja.
Ai ndihmon njerëzit të kuptojnë se ku ndodhen dhe si të lëvizin në hapësirë, pa hipokampus funksional, njerëzit nuk do të mund të mësojnë informacione të reja.
Çiklizmi mbron trurin
Pjesëmarrësit që përdornin biçikletën kishin volum më të madh të hipokampusit, zonë e trurit që lidhet me kujtesën dhe orientimin hapësinor. Volumi i madh i hipokampusit, do të thotë mbrojtje kundër rënies së aftësive njohëse.
Studiuesit shtuan se përfitimi ishte veçanërisht i lartë te personat që nuk bartin gjenin e njohur si APOE ε4, i cili lidhet me rrezik më të lartë për Alzheimer. Edhe te ata që e bartin këtë gjen, çiklizmi kishte ndikim, por më të kufizuar.
Pse çiklizmi bën diferencë?
Hulumtimet treguan se ushtrimet fizike dhe aktivitetet që përfshijnë orientim në hapësirë mund të ngadalësojnë fillimin e demencës. Çiklizmi bashkon të dyja: është aktivitet aerobik dhe kërkon vëmendje në orientim dhe lëvizje të koordinuara.
“Çiklizmi mund të jetë një nga mënyrat më të thjeshta dhe më efektive për të mbrojtur kujtesën dhe trurin nga demenca”, kanë theksuar studiuesit në raportin e tyre.