Magazinë

Gisele Bündchen thotë se e ka “rikthyer nën kontroll” jetën e saj

Published

on

Gisele Bündchen, supermodelja e njohur braziliane, ka treguar se ndihet “sërish në kontroll të jetës së saj”, vetëm tre muaj pas lindjes së fëmijës së parë me partnerin e ri, Joaquim Valente.

Në një intervistë për revistën “Vogue France”, 44-vjeçarja rrëfeu jetën e saj të re si nënë dhe mënyrën se si po e rifiton ekuilibrin pas një periudhe të ngarkuar.

“Tani që vogëlushi im fle gjatë gjithë natës, kam rifituar kontrollin e rutinës sime. Si çdo nënë e re e di, gjumi, apo mungesa e tij, ndryshon gjithçka! Por ndihem vërtet mirënjohëse: të jem në shtëpi me fëmijët dhe të shijoj çdo moment me ta është e paçmuar”, u shpreh ajo.

Bündchen dhe Valente, mirëpritën një djalë në shkurt 2025, pasi shtatzënia u konfirmua në muajin tetor të vitit 2024.

Megjithëse nuk kanë zbuluar emrin e plotë të foshnjës, “People” ka raportuar se çifti ka zgjedhur emrin River si emër të mesëm.

Çifti ka nisur lidhjen më 2023. Për Bündchen, ky është fëmija i tretë. Ajo ka edhe dy fëmijë nga martesa e mëparshme me Tom Brady, Benjamin 15 vjeç dhe Vivian 12 vjeçe. Gisele dhe Tom u divorcuan në tetor të vitit 2022, pas 13 vjetësh martesë.

Bündchen ka theksuar sa e rëndësishme është familja për të. “Të jem me familjen time, sidomos kur mund të bëjmë aktivitete jashtë së bashku… kjo më sjell më shumë gëzim”, ka thënë ajo.

Kur u pyet për ditën e saj ideale, u përgjigj duke thënë se “të kaloj kohë me fëmijët e mi është ajo që më bën më të lumtur”.

“Është bukur t’i shoh të gjithë sërish pas kësaj pauze,” tha Gisele. “Të bësh grim dhe flokët ndjehet si pushim – me një bebe në shtëpi, netët janë kaq të shkurtra, saqë mezi kam pasur kohë të krihem muajt e fundit!” Bündchen ka treguar tutje se mëmësia e ka formuar dhe forcuar ndër vite.

“Ndihem rehat në lëkurën time e kam kuptim më të qartë të prioriteteve të mia. Jam mirënjohëse për atë ku jam. Ndiej se e kam fituar këtë vend”, tha ajo.

Megjithëse shumë private, këtë muaj ajo ka ndarë për herë të parë një foto me foshnjën në Instagram, në një postim për Ditën e Nënës më 11 maj.

“Kam qenë e heshtur këtu, por shumë e zënë duke jetuar jetën… Ndonjëherë momentet më të bukura nuk ndahen, thjesht përjetohen”, ka shkruar ajo.

Magazinë

Vdes në moshën 57-vjeçare aktori amerikan Patrick Muldoon

Published

on

Aktori dhe producenti amerikan Patrick Muldoon ka ndërruar jetë në moshën 57-vjeçare, sipas raportimeve të mediave amerikane. Ai vdiq në shtëpinë e tij si pasojë e një sulmi në zemër, gjë që u konfirmua nga menaxheri i tij për Deadline.

Muldoon ishte i njohur për rolin e Austin Reed në serialin e famshëm televiziv “Days of Our Lives”, ku luajti nga viti 1992 deri në vitin 1995. Personazhi i tij, një boksier i përfshirë në një histori dashurie me Carrie Brady, u bë një nga më të dashurit për publikun. Ai u rikthye shkurtimisht në këtë serial edhe në vitin 2011.

Në vitin 1997, ai u shfaq në filmin fantastiko-shkencor “Starship Troopers”, me regji të Paul Verhoeven, ku interpretoi rolin e Zander Barcalow, rival romantik i personazhit kryesor. Po ashtu, ai ishte pjesë e serialit të njohur të viteve ’90 “Melrose Place”, ku luajti rolin e Richard Hart.

Kolegët e tij kanë reaguar me dhimbje për ndarjen nga jeta të aktorit. Alison Sweeney e përshkroi atë si një person jashtëzakonisht të talentuar dhe bujar, ndërsa Dina Meyer e kujtoi si një mik të ngushtë dhe një njeri që sillte gjithmonë humor dhe energji pozitive në set.

I lindur në San Pedro, Kaliforni, Muldoon e nisi karrierën e tij gjatë studimeve në Universitetin e Kalifornisë Jugore, ku ishte gjithashtu pjesë e ekipit të futbollit amerikan. Pas diplomimit në vitin 1991, ai mori një rol në serialin “Saved by the Bell”, përpara se të arrinte suksesin e madh me “Days of Our Lives”.

Përveç aktrimit, Muldoon ishte aktiv edhe në muzikë me bendin e tij “The Sleeping Masses” dhe në produksion filmash, duke kontribuar në projekte si “The Tribes of Palos Verdes”, “Arkansas” dhe “Marlowe”. Ai ishte gjithashtu i angazhuar si producent në filmin e ardhshëm “Kockroach”, ku pritej të luante Chris Hemsworth.

Paraqitja e tij e fundit në ekran do të jetë në filmin aksion-krim “Dirty Hands”, përkrah Denise Richards.

Continue Reading

Magazinë

D4vd deklarohet i pafajshëm për akuzat për vrasjen e një 14-vjeçare në Los Anxhelos

Published

on

Muzikanti amerikan D4vd është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave për vrasje të shkallës së parë lidhur me vdekjen e një vajze 14-vjeçare, e cila u zhduk vitin e kaluar. Artisti, emri i vërtetë i të cilit është David Anthony Burke, akuzohet për vrasjen e Celeste Rivas Hernandez, eshtrat e së cilës u gjetën në shtator brenda një veture Tesla të regjistruar në adresën e tij në Teksas.

21-vjeçari përballet gjithashtu me akuza për vrasje për përfitim financiar dhe për eliminimin e një dëshmitari në një hetim. Në paraqitjen e tij të parë në gjykatë në Los Anxhelos, ai nuk foli, ndërsa avokatët e tij deklaruan se provat do të tregojnë se ai nuk është përgjegjës për vdekjen e vajzës.

Sipas prokurorisë, viktima ishte parë për herë të fundit më 23 prill 2025, kur kishte shkuar në shtëpinë e Burke në Hollywood Hills. Mbetjet e saj të copëtuara dhe të dekompozuara u zbuluan më 8 shtator në bagazhin e përparmë të veturës, duke nisur hetimin.

Prokurori i qarkut të Los Anxhelosit deklaroi se vrasja dyshohet të jetë kryer për të mbrojtur karrierën muzikore të artistit dhe për të heshtur një dëshmitare në një hetim që përfshinte akte seksuale me të mitur. Autoritetet kanë bërë të ditur se për shkak të gjendjes së trupit, ka qenë e vështirë të përcaktohet shkaku i vdekjes.

Rasti ka shkaktuar tension të madh dhe pritet të zhvillohet më tej në gjykatë, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që prokuroria të kërkojë dënimin me vdekje. Burke vazhdon të mbahet në paraburgim pa të drejtë lirimi me kusht.

Continue Reading

Magazinë

Muse-X e kthen Tiranën në qendër ndërkombëtare të industrive kreative

Published

on

Tirana u shndërrua në një qendër të rëndësishme të artit dhe kreativitetit me zhvillimin e festivalit ndërkombëtar Muse-X, i cili mblodhi qindra artistë vendas dhe të huaj. Për tri ditë me radhë, eventi solli një program të pasur me aktivitete artistike, konferenca dhe bashkëpunime profesionale.

Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga ky organizim, duke e cilësuar si një platformë që bashkon artistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Muse-X konfirmoi rolin e tij si një hapësirë e rëndësishme për promovimin e kulturës dhe industrive kreative. Në këtë edicion morën pjesë përfaqësues nga 22 shtete, me mbi 80 kompani dhe 120 stenda, duke ofruar çdo ditë deri në 15 orë aktivitete. Festivali përfshiu profesionistë nga muzika, filmi dhe artet vizuale, me panele dhe punëtori të shumta.

Ky organizim, i mbështetur nga institucionet shtetërore, synon të forcojë pozicionin e Shqipërisë si një destinacion i rëndësishëm kulturor në nivel ndërkombëtar.

Continue Reading

Magazinë

Gjykata hap rrugën për proces civil ndaj Alec Baldwin për rastin tragjik në xhirimet e filmit “Rust”

Published

on

Aktori amerikan Alec Baldwin mund të përballet me një gjykim civil lidhur me incidentin e vitit 2021 në sheshxhirimin e filmit “Rust”, pasi një gjykatës ka vendosur që një padi ndaj tij mund të vazhdojë në gjykim.

Çështja “Rust” është një rast tragjik dhe shumë i diskutuar që ka ndodhur në industrinë e filmit në SHBA gjatë xhirimeve të filmit “Rust” në vitin 2021. Gjatë provave në sheshxhirim, aktori Alec Baldwin po mbante një armë rekuizite (prop gun) për një skenë. Arma u shkrep dhe doli një plumb i vërtetë, duke vrarë Halyna Hutchins dhe duke plagosur regjisorin Joel Souza.

Ngjarja shkaktoi hetime të gjera penale dhe civile, pasi u ngritën pyetje serioze për sigurinë në set dhe mënyrën si u menaxhuan armët e zjarrit gjatë xhirimeve. Baldwin ka deklaruar se nuk ka tërhequr këmbëzën e armës.

Padia është ngritur nga Serge Svetnoy, teknik i ndriçimit në film, i cili pretendon se Baldwin ka qenë neglizhent në rrethanat që çuan në incidentin tragjik.
Gjykatësi i Gjykatës së Lartë në Los Angeles, Maurice Leiter, ka lejuar që pretendimet për neglizhencë dhe shkaktim të qëllimshëm të vuajtjes emocionale të vazhdojnë, ndërsa ka hedhur poshtë akuzën për sulm. Nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje mes palëve, gjykimi civil është planifikuar të nisë më 12 tetor.

Baldwin ka mohuar gjithmonë se ka tërhequr këmbëzën e armës. Në vitin 2024, çështja penale ndaj tij u hodh poshtë nga gjykata, pasi u konstatua se prokuroria kishte mbajtur të pa zbuluara prova që mbrojtja duhej t’i kishte pasur në dispozicion. Vendimi e bëri të pamundur rihapjen e akuzave penale ndaj tij.

Çështja “Rust” mbetet një nga incidentet më të diskutueshme në industrinë e filmit në vitet e fundit, duke ngritur debate të gjera për sigurinë në sheshxhirime.

 

Continue Reading

Të kërkuara