Lajmet

Gërvalla: Reformë e thellë në stafin diplomatik të Kosovës

Opozita akuzon ministren Gërvalla për atë që e quan “dështim në politikën e jashtme”.

Published

on

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, paralajmëroi kthimin në Kosovë të stafit diplomatik të emëruar në kundërshtim me ligjin. Nga Nga ana e saj opozita e akuzon Gërvallën për dështim në politikën e jashtme.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në qeverinë e Kosovës, Donika Gërvalla, ka paralajmëruar shfuqizim të disa vendimeve të ish-ministrave të Jashtëm të Kosovës, që ajo i quan “vendime të jashtëligjshme”, duke u zotuar siç thotë “ta kthejnë ligjshmërinë dhe drejtësinë e munguar në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Sipas ministres Gërvalla, që nga koha prej afër një viti, që është në këtë post, ajo ka gjetur shkelje të shumta ligjore të bëra gjatë viteve të fundit.

Shteti ligjor është shtet ligjor dhe jo shtet i nepotizmit

Gërvalla  paralajmëroi se do t’i kthejë në Kosovë siç thotë, “të gjithë ata që janë dërguar në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës jashtë vendit në kundërshtim me ligjin”. “Të gjithë ata që janë dërguar në ambasadat dhe konsullatat tona jashtë vendit në kundërshtim me ligjin ose që nuk i kanë përmbushur pritjet elementare të një diplomati, do të kthehen gradualisht në Prishtinë. Pas gjithë atyre viteve pa ligjshmëri, ligji do të zbatohet përfundimisht edhe në këtë fushë. Por, shteti ligjor është shtet ligjor dhe jo shtet i nepotizmit, i privilegjeve të pafundme dhe i tradhtisë ndaj taksapaguesve dhe djersës së tyre”, shkroi ministrja Gërvalla në një postim të gjatë në profilin e saj social.

Konkurse mbi bazën e kritereve transparente profesionale

Me propozimin e ministres së  Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, në maj të vitit të shkuar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, liroi nga detyra të gjithë ambasadorët e Kosovës të emëruar me çelës politik. Disa ambasadorë të rinj në disa shtete tashmë janë emëruar, por jo në të gjitha vendet.

Drejtuesja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvallapremton, se në Ministrinë e Jashtme do të hapen konkurse të reja për stafin diplomatik. “Do të hapim konkurse të reja, të bazuara në kritere transparente profesionale për ta pasuruar MPJD-në me diplomatë të kualifikuar mirë, në mënyrë që të krijojmë një ekip profesional solid dhe premtues për të ardhmen e diplomacisë sonë. Në bashkëbisedim me profesionistë të mirëfilltë brenda dhe jashtë vendit, do të vazhdojmë të ri-definojmë kriteret profesionale për kualifikim dhe për emërim dhe nuk do të punësojmë persona që nuk plotësojnë standardet bazë të nevojshme për t’i shërbyer vendit tonë jashtë apo brenda”, ka shkruar Gërvalla.

Reagime nga opozita

Ndaj këtyre paralajmërimeve të ministres Gërvalla, reagoi partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, përmes anëtares së saj në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme, Ariana Musliu-Shoshi. Kjo e fundit thotë se çdo shkelje ligjore duhet të ndëshkohet dhe e ka përkrahjen e saj në komision, por, ajo akuzon ministren Gërvalla për atë që e quan “dështim në politikën e jashtme”.  “Dështimin tënd në politikën e jashtme; skandalet e vazhdueshme, asnjë njohje e asnjë anëtarësim nuk mund ta justifikosh me një referat, me anë të të cilit po paralajmëron spastrime politike brenda Shërbimit të Jashtëm, duke shkelur ligjet në fuqi e duke e de-funksionalizuar edhe më tej diplomacinë tonë”,  shkroi Musliu-Shoshi. Sipas saj, “Ministria e Punëve të Jashtme dhe ish-Ministria e Diasporës është dashur të jenë të fuzionuara deri më tani, por akoma s’ka as organigram të unifikuar”.

“Ambasadat është dashur të jenë të gjitha me titullarë dhe me diplomatë të tjerë për të garantuar mirëfunksionimin e tyre, e jo të lihen me staf esencial e në pamundësi për të kryer përfaqësim dinjitoz të vendit e as për të ofruar shërbime konsullore për qytetarët tanë e ata të huaj. Kjo bëhet më e pafalshme kur në këtë situatë, kanë ardhur ambasada si ajo në Uashington, Londër e Bruksel, kur e dimë rëndësinë e këtyre misioneve. E mos ta harrojmë Ambasadën në Jerusalem, e cila është vetëm me të Ngarkuar me Punë-pa Ambasador/e e pa staf”, shprehet Ariana Musliu-Shoshi, anëtare e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme.

Reformimi i mirëpritur, cilësia e tij e paditur

Si i shohin njohësit e politikës së jashtme, paralajmërimet e ministres Gërvalla, për reformë të thellë dhe zëvendësime në stafin diplomatik të Kosovës. Butrint Berisha, nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike-PIPS, që vazhdimisht monitoron punën e diplomacisë kosovare, i tha DW, se “reformimi brenda MPJD-së është i mirëseardhur, pasi raporte të ndryshme të shoqërisë civile kanë identifikuar sfida të shumta vazhdimisht”. Por, sipas tij, “në nivelin praktik është herët të flitet për cilësinë e kësaj reforme që duket se sapo ka nisur”.

“Janë dy pikëpyetje kryesore. Së pari, duhet të shohim nëse reforma do të jetë gjithëpërfshirëse, pra nëse do të adresojë të gjitha problemet e identifikuara, nga më seriozet, tek ato më të imta. E dyta, duhet parë nëse reforma do të zbatohet efektivisht në praktikë. Në të shkuarën ka pasur reforma të shumta nga institucionet kosovare që kanë dështuar të kenë një ndikim real”, thotë Berisha. Sipas tij, një reformë e mirëfilltë brenda MPJD-së do të duhej të krijonte bazat e funksionimit efektiv institucional dhe përfaqësimit cilësor ndërkombëtar të Kosovës për disa dekada.

“Përpos ligjeve, rregulloreve dhe dokumenteve, MPJD-së i nevojitet një ndryshim thelbësor në mendësi. Një ndryshim në mënyrën e të menduarit, do të mundësonte të kuptohen më mirë zhvillimet ndërkombëtare, rrjedhimisht ndërmarrjen e veprimeve diplomatike racionale në planin afatgjatë”, tha Butrint Berisha.

Sipas ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Kosovës, gjysma e ambasadorëve apo 50% e emërimeve të Ambasadorëve dhe Drejtuesve të Misioneve diplomatike duhet të bëhet nga anëtarët në detyrë të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës, ndërsa pjesa tjetër, mund të jetë e emëruar me çelës politik. Të emëruarit politik sipas ligjit, mund të “shërbejnë vetëm për një mandat, dhe pas përfundimit të këtij mandati, nuk konsiderohen pjesë e Shërbimit të Jashtëm. Propozimi për emërimin e një ambasadori të ri bëhet në koordinim me kryeministrin dhe emrat për ambasadorë dërgohen në Komisionin për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës. Ky komision pastaj i dërgon emrat në Presidencë, ku më pas ata duhen dekretuar nga Presidentja e Kosovës. Më pas është shteti pranues që duhet të japë pëlqimin për ambasadorin e ri të Kosovës.DW

Continue Reading

Vendi

Akil Gjakova mbyll garën pa medalje në Abu Dhabi

Published

on

By

Xhudisti kosovar Akil Gjakova e ka mbyllur pa medalje paraqitjen e tij në Grand Slam-in e Abu Dhabit, pasi u mposht në përballjen e drejtpërdrejtë për vendin e tretë.

Në kategorinë deri në 73 kilogramë, Gjakova u ndal në luftën për medaljen e bronztë nga xhudisti rus Karen Galstian. Pejani e nisi garën i lirë në xhiron e parë, ndërsa në të dytën mposhti me Ippon izraelitin Ohad Moritz. Suksesin më të madh e shënoi në raundin e tretë ku eliminoi nënkampionin e botës, Makhmadbek Makhmadbekov, po ashtu me Ippon në kohën shtesë.

Pasi u mposht në çerekfinale nga azerbajxhanasi Hidayat Heydarov, Gjakova kërkoi suksesin përmes repesazhit, por nuk arriti të ngjitej në podiumin e fituesve. /E.A/

Continue Reading

Aktualitet

Nën hetim për projektin e kryeqytetit: Përparim Rama paraqitet në Prokurorinë Speciale

Published

on

By

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale ku po intervistohet në cilësinë e të dyshuarit lidhur me projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”.

Rama arriti në prokurori i shoqëruar nga avokati Artan Çerkini, teksa para hyrjes deklaroi shkurtimisht se detyra e tij është ndërtimi i kryeqytetit, ndërsa e organit të ndjekjes është të sigurohet që gjithçka bëhet në përputhje me ligjin. Hetimet për këtë projekt ndërlidhen me procedurat e prokurimit publik, vlerën prej 12 milionë eurosh, si dhe me dyshimet për manipulim të stafit e konflikt interesi.

Intervistimi i kryetarit të Prishtinës vjen pas tensioneve publike dhe paralajmërimeve nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje për arrestimin e tij të mundshëm, reagime këto që pasuan ndryshimet e fundit në udhëheqjen e Prokurorisë Speciale, ku pas shkarkimit të Blerim Isufajt, detyra i është besuar prokurorit Dren Paca.

Ndaj deklaratave të përfaqësuesve të pushtetit, Rama u ka bërë thirrje publike organeve të drejtësisë që të merren me ato që i ka cilësuar si kërcënime direkte ndaj tij. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Laura Fazliu fiton të bronztën në Grand Slam

Published

on

By

Laura Fazliu ka fituar medalje të bronztë në Grand Slamin e xhudos në Abu Dabi.

Në luftë për medalje të bronztë, Laura e mposhti bartësen e parë, kroaten Iva Oberan.

Lufta ishte e barabartë, ndërsa në kohën shtesë Laura realizoi hedhje të bukur për fitore me “Ippon”.

Laura fitoi 500 pikë në renditjen botërore. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Inspektorati mbyll 7 biznese dhe shqipton po aq gjoba

Published

on

By

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zhvilluar mbrëmë një aksion kontrolli në komunat veriore për të verifikuar ligjshmërinë e operatorëve ekonomikë.

Gjatë këtij aksioni janë mbyllur shtatë biznese, pesë në Mitrovicë të Veriut dhe dy në Zveçan—për shkak të mosplotësimit të kushteve minimale teknike. Njëri nga këto biznese po ushtronte veprimtari tërësisht ilegale, pa qenë fare i regjistruar në ARBK.

Përveç mbylljes së subjekteve, ndaj pronarëve janë shqiptuar edhe shtatë gjoba për shkeljet e identifikuara.

Inspektorati paralajmëroi se kontrollet do të vazhdojnë në të gjithë territorin e vendit me qëllim formalizimin e ekonomisë dhe mbrojtjen e konsumatorëve, duke u bërë thirrje bizneseve që të respektojnë ligjin. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara