Lajmet

​Gërvalla: Jemi larg takimeve trilaterale në dialog

Published

on

Kryetarja e partisë Guxo, Donika Gërvalla, ka thënë se kriza aktuale politike në Kosovë është e papranueshme dhe duhet gjetur zgjidhje e menjëhershme. Ajo akuzoi partitë që deri tani ishin në opozitë se po bllokojnë konstituimin e Kuvendit. Sipas saj, betejat politike nuk duhet bërë për Kuvendin mirëpo për formimin e qeverisë.

Gërvalla pas dështimit për herë të njëzet të konstituimit të Kuvendit, tha se kryetari i Nisma-s, Fatmir Limaj nuk mund të kërkojë pozicionin e kryeparlamentarit dhe se për një gjë të tillë pajtohen të gjithë partnerët e koalicionit, LVV-Guxo-Alternativa.

“Kjo situatë është e papranueshme dhe kërkon zgjidhje të menjëhershme. Mirëpo për të gjetur zgjidhje kërkon reagim racional nga deputetët e opozitës të cilët bllokojnë Kuvendin. Duke bllokuar Kuvendin bllokojnë edhe mundësinë e tyre për të ushtruar kontrollin e Kuvendit mbi institucionet e pavarura të Kosovës. Kjo qasje bllokuese të ndalet pasi beteja politike bëhet për zgjedhje të qeverisë. Ajo nuk bëhet për një temë e cila është e vetëkuptueshme. Kushtetuta ia njeh të drejtën ekskluzive për propozim fituesit të zgjedhjeve. Është seanca e dhjetë që jemi duke votuar për procedurë”, tha ajo.

Sipas saj, ata janë të gatshëm për koalicion me Limajn, nëse ai është i gatshëm për bashkëpunim parimor.

“Çështjen e kërkesës për kryeparlamentar e kemi diskutuar. Por pozicioni i deputetëve të partisë Guxo nuk ka qenë i ndryshëm nga LVV-ja dhe Alternativa. Të gjithë jemi të njëmendje që një parti që ka tre deputetë në Kuvend nuk mund të kërkojë pozicionin e dytë në shtet. Zgjidhjet dhe marrëveshjet duhet të jenë parimore. Nëse Limaj është i gatshëm për një bashkëpunim parimor në kuadër të institucioneve atëherë ne jemi të treguar të gatshëm për bashkëpunim”, theksoi Gërvalla.

Sa i përket deklarimeve të deputetes nga komunitetit boshnjak, Duda Balje se individë nga Maqedonia e Veriut i kanë ofruar asaj postin e profesoreshës në Universitetin e Tetovës në këmbim të votës për koalicionin LVV-Guxo-Alternativa, ajo tha se nuk ka informacione për një gjë të tillë.

Ajo i bëri thirrje deputetes Balje por edhe deputetin nga komuniteti goran, Adem Hoxha që të heqin dorë siç tha ajo nga qasja bllokuese për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Gërvalla e cila është edhe ushtruese e detyrës së Ministres së Punëve të Jashtme, foli edhe për porositë e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme, Kaja Kallas, e cila po qëndro për vizitë zyrtare në Kosovë.

Duke folur për dialogun me Serbinë, ajo tha se i njëjti nuk është ndërpre asnjëherë, derisa tha se takimet trilaterale nuk mund të ndodhin derisa Serbia të dëshmon përkushtimin e saj në këtë proces.

Ajo bëri thirrje për ekstradim të Milan Radoiçiq në Kosovë, derisa tha se s’ka asnjë mirëkuptim për të gjithë ata që kërkojnë që Kosova të bëjë lëvizje në dialog, ndërkaq s’ka asnjë konsekuencë për Serbinë.

“Rikthimi në dialog nuk është i nevojshme. Dialogu nuk e kemi ndërpre asnjëherë. Sorensen ka qenë në Kosovë e Serbi. Ka pasur biseda të vazhdueshme me zotëri Bislimi. Nëse ajo thotë rikthimi në dialog ndoshta e ka fjalën për takime trilaterale. Mirëpo jemi larg asaj, Serbia duhet të dëshmojë përkushtimin e saj në dialog, jo vetëm për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit por edhe ekstradimin e Radoiçiqit. Në vazhdimësi Vuçiq iu jep premtime se do të arrestojë Radoiçiqi, mirëpo shkuan shkuan muaj e muaj dhe vit dhe s’ka lëvizje. Nuk kam asnjë pikë mirëkuptim për të gjithë ata që kërkojnë që Kosova të bëjë lëvizje të mëtejme nëse s’janë të gatshëm të angazhohen që një kriminel si Radoiçiq të shëtitet i lirë në Serbi dhe s’ka asnjë konsekuencë për Serbinë”, përfundoi ajo.

Vendi

IQMT kryen inspektime mbi shërbimet postare në gjithë Kosovën

Published

on

By

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) po vazhdon aktivitetet intenzive inspektuese ndaj bizneseve që operojnë online, me fokus të veçantë te produktet që ndodhen në transport drejt konsumatorëve.

Aksioni po realizohet nga 10 ekipe inspektuese në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP). Deri më tani janë kryer mbi 24 inspektime të shërbimeve postare në të gjithë territorin e vendit.

Gjatë kontrolleve, ekipet e terrenit kanë evidentuar parregullsi të ndryshme, duke përfshirë rastet kur produktet nuk posedonin kupon fiskal, si dhe mungesën e deklaracionit të prejardhjes e dokumentacionit përcjellës.

Në përputhje me kuadrin ligjor, inspektorët u kanë dhënë afat subjekteve përkatëse për prezantimin e dokumentacionit të nevojshëm. Në rast të mospërmbushjes së kërkesave, do të ndërmerren masa administrative e ligjore, përfshirë sekuestrimin e mallit dhe shqiptimin e gjobave.

Përveç tetë qendrave kryesore, aksioni është shtrirë edhe në komunat e rajonit të Dukagjinit dhe më gjerë, si në Klinë, Istog, Deçan, Junik, Rahovec, Malishevë, Suharekë dhe Dragash. Ky proces përfshin gjithashtu monitorimin e faqeve online, reklamave si dhe trajtimin e ankesave të konsumatorëve. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Procesi në Hagë: Grupi strategjik mblidhet të shtunën, procedurat e apelit mbahen në konfidencialitet

Published

on

By

Gjashtë vjet pas dërgimit në Hagë të katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), institucionet shtetërore dhe subjektet politike në Kosovë kanë intensifikuar veprimet për mbështetjen e procesit të apelit, pas vendimit me të cilin ata u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.

Të shtunën pritet të mbajë takimin e radhës grupi strategjik për hartimin dhe zbatimin e strategjisë shtetërore lidhur me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara. Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se punimet e këtij grupi do të zhvillohen në mënyrë të plotë konfidenciale me synim koordinimin e saktë institucional.

Konjufca konfirmoi se grupi është konstituuar gjatë javës së kaluar, ku janë përcaktuar rregullat e punës dhe është formalizuar edhe trupa punuese.

Paralelisht me këtë proces, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar një angazhim të përbashkët politik dhe institucional në mbrojtje të procesit të apelit.

Nga ana tjetër, platforma “Liria ka Emër” u është drejtuar zyrtarisht institucioneve të Bashkimit Evropian me gjashtë kërkesa specifike, përmes të cilave kërkohet shqyrtimi i menjëhershëm i shqetësimeve lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut dhe standardeve për një gjykim të drejtë e të paanshëm në Gjykatën Speciale. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Mot me diell dhe vranësira: Temperaturat sot deri në 13°C

Published

on

By

Dita e sotme parashikohet të vijë me mot me diell dhe vranësira gjatë orëve të mëngjesit, ndërsa në orët në vijim vranësirat do të tërhiqen gradualisht.

Sipas njoftimit nga MeteoKosova, era do të fryjë nga drejtimi i veriut dhe veriperëndimit me një shpejtësi prej 5 deri në 19 km/h.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 3 dhe 6 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale të ditës pritet të arrijën nga 10 deri në 13 gradë Celsius. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

KESCO apelon për kursim të energjisë elektrike, paralajmëron rritje të konsumit

Published

on

By

Kompania për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) u ka bërë thirrje konsumatorëve që të shfrytëzojnë me kujdes energjinë elektrike gjatë muajve të dimrit, pas rritjes së ndjeshme të konsumit.

Sipas të dhënave të publikuara nga KESCO, gjatë periudhës 1 shtator – 31 tetor, konsumi i energjisë elektrike është rritur për 4.1 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ndërkohë, ditët e para të nëntorit kanë shënuar një rritje edhe më të madhe, me afro 25 për qind më shumë konsum krahasuar me muajin paraprak.

KESCO thekson se kursimi i energjisë nuk nënkupton heqjen dorë nga ngrohja apo rehatia në shtëpi, por shmangien e shpenzimeve të panevojshme dhe përdorimin më racional të pajisjeve elektrike.

“Mbajtja e temperaturave të arsyeshme në ambientet e banimit, ngrohja e hapësirave që përdorim, shfrytëzimi efikas i pajisjeve elektrike dhe fikja e tyre kur nuk nevojiten janë veprime të thjeshta që mund të sjellin ndryshim”, thuhet në komunikatën e KESCO-s.

Sipas kompanisë, përdorimi i kujdesshëm i energjisë ndihmon në uljen e shpenzimeve familjare, zvogëlimin e ngarkesës në rrjet gjatë periudhave të konsumit të lartë dhe shfrytëzimin më efikas të burimeve energjetike.

Në fund, KESCO u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve që gjatë këtij dimri të tregojnë kujdes në përdorimin e energjisë elektrike, duke shmangur shpenzimet e panevojshme.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara