Lajmet

​Gara për në Hënë: SHBA dëshiron reaktor nuklear përpara Kinës e Rusisë

Published

on

NASA po përshpejton planet për të vendosur një reaktor bërthamor në Hënë deri në vitin 2030, një hap kyç në ambicien e saj për të ndërtuar një bazë të përhershme për njerëzit në sipërfaqen hënore.

Administratori në detyrë i NASA-s, Sean Duffy, ka ftuar kompanitë komerciale të paraqesin propozime për të ndërtuar reaktorë me një kapacitet 100 kilovatësh, sipas Politico.

Ai ka theksuar se Kina dhe Rusia kanë gjithashtu plane të ngjashme, duke paralajmëruar se të dy vendet “mund të shpallin potencialisht një zonë të ndaluar” në Hënë.

Megjithatë, mbeten pyetje në lidhje me realitetin e afatit të dhënë, veçanërisht duke pasur parasysh shkurtimet e fundit dhe drastike në buxhetin e NASA-s, ndërsa disa shkencëtarë janë të shqetësuar se planet drejtohen vetëm nga qëllime gjeopolitike.

“Për të avancuar siç duhet këtë teknologji kritike për të mbështetur një ekonomi hënore në të ardhmen, prodhimin e energjisë me fuqi të lartë në Mars dhe për të forcuar sigurinë tonë kombëtare në hapësirë, është e domosdoshme që agjencia të veprojë shpejt”, tha Duffy.

NASA dha tri kontrata prej 5 milionë dollarësh për të projektuar reaktorë në vitin 2022, dhe këtë vit Kina dhe Rusia njoftuan një plan të përbashkët për të ndërtuar një central bërthamor të automatizuar në Hënë deri më 2035,.

Shumë shkencëtarë bien dakord se energjia bërthamore është mënyra më e mirë për të siguruar një furnizim të vazhdueshëm me energji në Hënë. Një ditë hënore zgjat njësoj si katër javë në Tokë, me dy javë rreze dielli të vazhdueshme dhe dy javë errësirë të plotë, duke e bërë energjinë diellore jashtëzakonisht të paqëndrueshme.

“Ndërtimi edhe i një habitati modest hënor për të strehuar një ekuipazh të vogël do të kërkonte gjenerim energjie në shkallë megavatësh. Panelet diellore dhe bateritë vetëm nuk mund t’i përmbushin me besueshmëri këto kërkesa”, shpjegon Sungwoo Lim nga Universiteti Surrey. “Energjia bërthamore nuk është vetëm e dëshirueshme, por është e pashmangshme”, shton ai.

Direktiva e Duffy-t i habiti shumë njerëz pasi administrata Trump njoftoi një shkurtim prej 24 për qind të buxhetit të NASA-s për vitin 2026, që përfshin shkurtime në misionet kryesore shkencore si Mars Sample Return.

Shkencëtarët janë të shqetësuar se njoftimi është një veprim i motivuar politikisht në një garë të re ndërkombëtare për në Hënë.

Continue Reading

Lajmet

As kërcënimet, as pushteti nuk mund ta ndalin misionin e gazetarisë

Published

on

By

Opinion- Musa Sabedini – Profesor në Media dhe Komunikim në UBT

Sulmet ndaj gazetarëve janë sulme ndaj lirisë së shprehjes, demokracisë dhe të drejtës së qytetarëve për t’u informuar. Po i përcjell me shqetësim të thellë rastet e sulmeve, kërcënimeve dhe përpjekjeve për intimidim ndaj gazetarëve Lirim Mehmetaj dhe Fidan Jupolli. Po aq i papranueshëm ishte edhe rasti i Jeton Sopit, i cili duhet të trajtohet me seriozitetin që kërkojnë parimet e lirisë së shprehjes dhe sigurisë së gazetarëve. Koha kur përpjekjet për ta imponuar vullnetin përmes frikësimit, presionit dhe logjikës së klaneve duhet të mbetet përfundimisht pas nesh. Në një republikë të lirë, asnjë individ, grup interesi apo bartës i pushtetit nuk mund ta vendosë veten mbi ligjin dhe as të pretendojë se ka të drejtë të diktojë se çfarë duhet të shkruajnë, të hulumtojnë apo të publikojnë gazetarët.

Këto raste nuk duhen parë si incidente të izoluara apo si përplasje të zakonshme mes individëve. Ato ngrenë çështje thelbësore për gjendjen e lirisë së medias, kulturën demokratike dhe funksionimin e shtetit të së drejtës në Republikën e Kosovës. Çdo kërcënim ndaj një gazetari për shkak të punës, raportimit apo qëndrimeve të tij përbën një cenim të parimeve mbi të cilat duhet të ndërtohet një shoqëri demokratike.

Koha kur përpjekjet për ta imponuar vullnetin përmes frikësimit, presionit dhe logjikës së klaneve duhet të mbetet përfundimisht pas nesh. Në një republikë të lirë, asnjë individ, grup interesi apo bartës i pushtetit nuk mund ta vendosë veten mbi ligjin dhe as të pretendojë se ka të drejtë të diktojë se çfarë duhet të shkruajnë, të hulumtojnë apo të publikojnë gazetarët.

E them këtë edhe nga përvoja ime personale. Kam kaluar vetë nëpër situata të vështira dhe kam përjetuar përpjekje që synonin të më vinin nën presion. Megjithatë, ato përvoja nuk më kanë zmbrapsur. Përkundrazi, më kanë bërë më të vendosur për ta mbrojtur të vërtetën, integritetin profesional dhe misionin publik të gazetarisë. Sepse gazetaria nuk është shërbim ndaj pushtetit, por përgjegjësi ndaj publikut; nuk është instrument për të mbrojtur interesat e grupeve të caktuara, por mekanizëm për të kërkuar llogaridhënie, për të ekspozuar keqpërdorimet dhe për të mbrojtur interesin publik.

Prandaj, mesazhi im për gazetarët është i qartë: vazhdoni punën tuaj me guxim, profesionalizëm dhe përgjegjësi. Mos lejoni që kërcënimet, presionet apo tentativat për shantazh t’ju largojnë nga misioni juaj. E keqja, korrupsioni dhe keqpërdorimi i pushtetit duhen trajtuar kudo që shfaqen, pavarësisht se kush qëndron pas tyre. Por kjo duhet bërë gjithmonë përmes fakteve, verifikimit dhe standardeve më të larta etike e profesionale.

Njëkohësisht, bartësit e pushtetit duhet ta kuptojnë se marrëdhënia me median nuk mund të ndërtohet mbi armiqësi, delegjitimim apo presion. Kritika mediale është pjesë e funksionimit të demokracisë, ndërsa llogaridhënia nuk është sulm ndaj institucioneve, por detyrim i tyre ndaj qytetarëve. Çdo përpjekje për ta frikësuar median e dobëson besimin publik dhe dëmton vetë cilësinë e qeverisjes. Në këtë kuptim, përplasja me median e pavarur është një rrugë pa zgjidhje për këdo që synon ta shmangë përgjegjësinë publike.

Kosova është ndërtuar mbi sakrifica të mëdha për liri. Lufta dhe sakrifica e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përkrahja e NATO-s janë pjesë e rëndësishme e historisë sonë. Liria e fituar duhet të mbrohet edhe përmes institucioneve funksionale, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave themelore. Nuk mund të pretendojmë se kemi ndërtuar një shoqëri demokratike nëse gazetarët duhet të mendojnë për sigurinë e tyre përpara se të publikojnë një të vërtetë të pakëndshme.

Në këtë drejtim, shqetësim shtesë paraqet edhe raportimi i organizatave partnere të Platformës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Gazetarisë dhe Sigurisë së Gazetarëve, i publikuar më 20 korrik, sipas të cilit liria e medias në Kosovë po përballet me përkeqësim, të lidhur me ndërhyrjet politike, sulmet verbale ndaj gazetarëve dhe dobësimin e pavarësisë së institucioneve mediale. Këto vlerësime duhet të shërbejnë si thirrje për reflektim dhe veprim institucional, jo si arsye për t’i relativizuar problemet.

Kërkoj që çdo kërcënim dhe sulm ndaj gazetarëve të trajtohet seriozisht nga institucionet kompetente, të hetohet në mënyrë të paanshme dhe autorët, nëse u vërtetohet përgjegjësia, të përballen me pasojat ligjore. Mbrojtja e gazetarëve nuk është privilegj i një profesioni, por kusht për funksionimin e demokracisë dhe garantimin e së drejtës së publikut për t’u informuar.

Një shoqëri që i frikëson gazetarët rrezikon ta frikësojë edhe të vërtetën. Një pushtet që nuk e duron kritikën, e vë në pikëpyetje marrëdhënien e tij me llogaridhënien. Ndërsa një gazetari që refuzon të nënshtrohet i shërben jo një individi apo grupi, por interesit publik.

Liria e medias nuk mbrohet vetëm me deklarata. Ajo mbrohet me guxim profesional, solidaritet mes gazetarëve, përgjegjësi institucionale dhe zbatim të barabartë të ligjit.

Gazetaria duhet të mbetet e lirë, e pavarur dhe e patrembur. Sepse e vërteta nuk mund të vihet nën shantazh, ndërsa liria nuk mund të jetë peng i askujt.

 

Continue Reading

Lajmet

Maqedonci takon homologun polak: Diskutohet situata e sigurisë dhe bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes

Published

on

By

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar një takim me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Mbrojtjes së Polonisë, Władysław Kosiniak-Kamysz, ku kanë diskutuar për zhvillimet e sigurisë në nivel global dhe evropian.

Gjatë takimit, Maqedonci e ka njoftuar homologun e tij polak mbi situatën e sigurisë në Kosovë dhe përparimin e bërë në ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse të vendit. Fokus i veçantë i bisedimeve ishte thellimi i bashkëpunimit bilateral në industrinë e mbrojtjes, me theks të veçantë te mundësitë për bashkëprodhim.

Me këtë rast, ministri Maqedonci shprehu falënderimin për mbështetjen 27-vjeçare të Polonisë ndaj sigurisë së Kosovës, si dhe për kontributin e vazhdueshëm të ushtarakëve polakë që shërbejnë në kuadër të misionit të KFOR-it. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Presidenca ende nuk e ka pranuar Ligjin për Specialen, procedurat pritet të përfundojnë pas 15 tetorit

Published

on

Presidenca e Kosovës ende nuk e ka pranuar Ligjin për Dhomat e Specializuara, ndërsa procedurat për dërgimin e tij te presidentja Justina Shiroka Pula pritet të përfundojnë pas mbylljes së afatit për kontestim në Gjykatën Kushtetuese, më 15 tetor.

Këtë e ka bërë të ditur Bekim Kupina, këshilltar për media në Presidencë, në një përgjigje për Telegrafin.

Sipas Kupinës, Kuvendi i Kosovës ia dërgon ligjin presidentes vetëm pasi të përfundojë afati tetëditor për kontestim në Gjykatën Kushtetuese. Pas pranimit të tij, presidentja ka në dispozicion edhe tetë ditë për të ndërmarrë veprimet e parapara me procedurat përkatëse.

“Presidenca nuk e ka pranuar ende Ligjin për Dhomat e Specializuara. Sipas procedurës, Kuvendi e dërgon te Presidentja vetëm pas mbylljes së afatit tetëditor për kontestim në Gjykatën Kushtetuese, deri më 15 tetor. Pastaj Presidentja Shiroka Pula i ka në dispozicion tetë ditë për të ndërmarrë veprime”, ka thënë Kupina për Telegrafin.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Ndryshimet janë propozuar pas dënimit në shkallë të parë të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, me gjithsej 81 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kosova i kërkon SHBA-së rikthim të dialogut strategjik e përkrahje për anëtarësim në NATO

Published

on

By

Kosova i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) që të rikthejë dialogun strategjik me të si dhe përkrahje për anëtarësim në NATO. 

Këto kërkesa liderët e institucioneve i kanë bërë në takimet që i kanë zhvilluar me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, të cilët të hënën kanë qëndruar për vizitë në Kosovë. 

Në takim më seantorët, presidentja Justina Shiroka-Pula, ka potencuar nevojën për rikthimin e dialogut strategjik me SHBA-në dhe ka thënë se synimi parësor i Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO.

“Presidentja ka potencuar nevojën e rikthimit të menjëhershëm të Dialogut Strategjik si instrument thelbësor për thellimin e partneritetit strategjik dhe për avancimin e prioriteteve të përbashkëta. Presidentja ka nënvizuar se synim parësor i Republikës së Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO”, thuhet në njoftimin e Presidencës për takimin. 

Ndërkohë që kryeministri Albin Kurti ka thënë se nga Shaheen dhe Durbin ka kërkuar përkrahje për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe për shndërrimin e bazës ushtarake amerikane Bondsteel-it në bazë të përhershme.

“Paqja dhe siguria në Kosovë janë të qëndrueshme, por shqetësuese janë veprimet e deklaratat kërcënuese të Serbisë, përfshirë këtu mbrojtja e hapur dhe e ndërsjellë midis ish-presidentit autoritar Aleksandar Vuçiq dhe kryekriminelit terrorist Milan Radoiçiq”, ka shkruar Kurti në Facebook.

SHBA-ja e ka pezulluar dialogun strategjik me Kosovën më 12 shtator të vitit 2025. Ambasada amerikane në Prishtinë njoftoi se ky vendim ishte marrë për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë ndaj institucioneve serbe që funksiononin në Kosovë.

Sipas Ambasadës këto veprime kishin rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë dhe kishin kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën për prioritetet e përbashkëta. 

Continue Reading

Të kërkuara