Aktualitet

GAP: Numri i nxënësve ka rënë për 26%

Published

on

Për dhjetë vjet në Kosovë, numri i nxënësve ka rënë për 26 përqind. Në bazë të të dhënave për 19 komuna, janë 340 klasa më pak që kanë pesë e më pak nxënës dhe 642 klasa që kanë më pak se dhjetë nxënës. Pavarësisht numrit të vogël të nxënësve, gjatë kësaj periudhe është shënuar rritje e numrit të mësimdhënësve për 2 për qind.

Kështu thuhet në raportin e Institutit GAP, me temën “Shkolla të tepërta? Ristrukturimi i rrjetit të institucioneve edukativo-arsimore para-universitare”. Është kërkuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) që sa më parë të bëhet studimi i detajuar për riorganizimin e shkollave me pak nxënës, ashtu siç parashihet në memorandumin e nënshkruar me Komunën e Kamenicës.

Hulumtuesi i lartë në Institutin GAP, Bekim Salihu ka theksuar se nga viti shkollor 2008-2009 deri në vitin 2019-2020 ka pasur rënie të lartë të numrit të nxënësve. Derisa ka pasur rënie të numrit të nxënësve, Kosova ka shënuar rritje për 2 përqind të mësimdhënësve.

“Krahasuar me vitin 2010-2020, numri i nxënësve në nivel të komunave të Kosovës ka rënë për 114 mijë. Në vitin 2010 kemi pasur rreth 444 mijë nxënës, ndërkaq në vitin 2020 kemi 330 mijë nxënës. Çka flet për një rënie të numrit të nxënësve për 114 mijë. Ministria e Arsimit përveç kompetencave të bazës ligjore dhe hartimit të strategjive dhe planeve konkrete, është koncentruar gjatë këtyre ditëve edhe në ndërtimin e objekteve shkollore. Instituti GAP ka gjetur që në vitin 2015 deri në vitin 2020 ka investuar 134 milionë euro”, ka theksuar Salihu.

Salihu shton se Fushë Kosova, Zveqani dhe Novobërda ka rritje të numrit të nxënësve, por të gjitha komunat tjera kanë shënuar rënie. E rënien më të madhe e ka komuna e Kamenicës me 44 për qind.

“Shqetësuese është fakti që raporti ka gjetur që nga 19 komuna që ne i kemi marrë si target studimi në këtë raport, 340 klasë kanë më pak se 5 nxënës, ose kanë deri në 5 nxënës. Pra në 19 komuna, 340 klasë kanë më pak se 5 nxënës. Ndërkaq, 642 klasë kanë deri në 10 nxënës. Çka flet raporti që në 19 komuna janë rreth 1 mijë klasë që kanë më pak se 10 nxënës”, shton ai.

E drejtoresha e Departamentit për Arsimin Parauniversitar në MAShTI, Shqipe Bruçi shtoi se rënia e numrit të nxënësve është e koncentruar më shumë në zona rurale.

“Nuk është rasti i parë që komuna e Kamenicës mbyll shkolla, një gjë që nuk ka ndodhur në komunat tjera. Në qoftë se i referohemi statistikave, në vazhdimësi kemi paralele të ndara. Komunat kanë bërë një mbyllje te paraleleve të ndara, zvogëlim të këtyre paraleleve bazuar në numrin e nxënësve që kanë në ato paralele. Mirëpo, ndoshta mbyllja e tyre nuk ka qenë pa një diskutim paraprak… Në vitin 2018-2019, paralelet e ndara i kemi pasur 332, ndërsa në vitin 2019-2020 i kemi 309 paralele të ndara. Çka do të thotë se është zvogëluar një numër i paraleleve për 23 paralele”, tha ajo.

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, i cili së fundmi kishte marrë vendim për mbylljen e disa objekteve shkollore, tha se ka pasur një rezistencë të madhe të qytetarëve për këtë reformë. Madje, sipas tij vendimi lokal është tentuar që të pengohet nga niveli qendror.

“Na doli që në komunën e Kamenicës, shtatë shkolla i kanë më pak se 5 nxënës. Njëra prej tyre, 4 nxënës, mbi 15 punëtorë arsimorë që punonin. Ishin gjithsejtë 12 shkolla që i kishin më pak se 20 nxënës. Tri prej tyre deri në 20, dhe tri tjera deri në 70. Mbi 50 për qind e objekteve shkollore në komunën e Kamenicës i kishin më pak se 70 nxënës… “25:00” Për neve kanë qenë tri sfida kryesore, është transporti, por ka dalë që gjithçka është për brenda masave, distanca më e madhe është 40 minuta edhe gjithashtu kosto që komunës i kushtonte rreth 300 mijë euro. Ndërsa, mësimdhënësit shtesë që i paguanim ishin mbi 1 milionë e 600 mijë euro”, potencoi ai.

Institucioni i Avokatit të Popullit, reformën në Kamenicë e kishte quajtur shkelje të të drejtave të fëmijëve. Avokati i Popullit, Naim Çelaj në tryezën e organizuar nga GAP u shpreh se kjo çështje duhet të trajtohet nga institucionet kompetente.

“Qasja e Avokatit të Popullit nuk ndryshon, është e njëjtë. Megjithëse faktet e reja të cilat po prezantohen çdo ditë tregojnë që të merren masa urgjente dhe për të ndërhyrë në nivel vendi. Sepse, masat selektive të komunave mund të sjellin probleme të kësaj natyre. Ku edhe trajtimi i nxënësve nuk do të jetë i barabartë”, u shpreh ai.

Në raportin e Institutit GAP theksohet se dokumentet strategjike të MAShTI, si Plani Strategjik i Arsimit në Kosovë 2017-2021 dhe strategjia e sigurimit të Cilësisë për Arsimin Para universitar 2016-2020 nuk e trajtojnë fare problemin e rënies së numrit të nxënësve, shkollat dhe klasat me pak nxënës. Po ashtu as uljen e proporcionit nxënës-mësimdhënës.

Rajoni

Arrestohet në Zvicrë, ekstradohet në Kosovë i dyshuari për mashtrim

Published

on

By

Një person i kërkuar nga autoritetet e rendit në Kosovë është ekstraduar gjatë ditës së sotme nga Zvicra drejt Kosovës, pas një operacioni të suksesshëm të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me autoritetet zvicerane.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate zyrtare nga Policia e Kosovës, ku specifikohet se i ekstraduari është shtetasi me inicialet B.Z., i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar përmes letërrreshtimit të lëshuar nga Interpoli.

I dyshuari ishte arrestuar kohë më parë nga autoritetet zvicerane, pasi institucionet e drejtësisë në Kosovë kishin lëshuar urdhërarrest ndaj tij nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”.

Sipas Policisë, B.Z. i ishte shmangur drejtësisë për një kohë të gjatë, por koordinimi i Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor me njësitet relevante dhe institucionet zvicerane bëri të mundur lokalizimin dhe sjelljen e tij para organeve të rendit në vendlindje.

Ekstradimi i realizuar këtë të mërkurë, më 1 prill 2026, u mbështet plotësisht në ligjet në fuqi dhe në marrëdhëniet e ngushta diplomatike e policore mes Republikës së Kosovës dhe Zvicrës.

Policia e Kosovës ka deklaruar se ky aksion është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të luftuar krimin dhe për të parandaluar aktivitetet ilegale, duke theksuar se shkëmbimi i informacioneve me organizatat ndërkombëtare do të intensifikohet për të gjurmuar dhe kapur çdo person apo grup kriminal që tenton t’i shpëtojë përgjegjësisë penale, pavarësisht nëse veprojnë brenda apo jashtë kufijve të vendit.

Continue Reading

Lajmet

ZRRE: Do të korrigjohet çdo gabim në faturat e rrymës

Published

on

By

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), përmes një njoftimi për media, bën të ditur se është angazhuar maksimalisht në monitorimin e situatës lidhur me shqetësimet e konsumatorëve për devijimin e mundshëm të orëve tarifore.

ZRRE po grumbullon në vazhdimësi informata për të garantuar një matje të drejtë dhe të saktë, duke siguruar që faturimi të reflektojë vetëm konsumin real të energjisë elektrike.

Në këtë kuadër, ZRRE ka bërë të qartë se çdo rast i raportuar do të trajtohet me prioritet.

“ZRRE siguron konsumatorët se të gjitha rastet e raportuara për mos-përputhje të kohës tarifore do të analizohen dhe shqyrtohen me kujdes. Në rast se konstatohet se ekzistojnë gabime në funksionimin e njehsorit elektrik, do të ndërmerren masat e nevojshme, në përputhje me legjislacionin dhe rregullat në fuqi”, thuhet në njoftim.

Ky angazhim vjen si një garanci shtesë se asnjë gabim teknik nuk do të rëndojë mbi xhepat e qytetarëve, veçanërisht pasi kompanitë si KEDS dhe KESCO janë ndërmarrje të rregulluara dhe nuk mund të përfitojnë nga këto parregullsi.

Për të mbyllur çdo hapësirë dyshimi, rregullatori rikonfirmon se mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe garantimin e një sistemi të drejtë dhe transparent dhe të besueshëm në sektorin e energjisë.

 

Continue Reading

Vendi

27 vjet nga masakra në Lybeniq, Kurti: Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën

Published

on

By

Në 27-vjetorin e njërës prej krimeve më makabre të forcave serbe në Kosovë, Kryeministri Albin Kurti ka bërë homazhe te varrezat e të vrarëve në fshatin Lybeniq të Pejës.

Ky përvjetor kujton mëngjesin e përgjakshëm të 1 prillit të vitit 1999, kur njësitë famëkeqe serbe “Çakejt” dhe “Mbrojtja Territoriale” rrethuan fshatin dhe shkatërruan jetët e dhjetëra familjeve.

Sipas dëshmive, forcat serbe kishin nxjerrë banorët me dhunë nga shtëpitë e tyre, duke i mbledhur në qendër të fshatit, pranë xhamisë. Pasi ndanë gratë, fëmijët dhe të moshuarit për t’i dëbuar me forcë drejt Shqipërisë, ata ekzekutuan me breshëri armësh automatike 59 burra të pafajshëm nga familjet e shumta të këtij fshati.

Kryeministri Kurti theksoi se, edhe pse kjo masakër u dokumentua që në vitin 1999 nga organizatat ndërkombëtare si Human Rights Watch, drejtësia po mungon.

Ai akuzoi drejtpërdrejt shtetin serb për zvarritje dhe mjegullim të proceseve gjyqësore, duke e quajtur Serbinë një “shtet gjenocidal” që refuzon të ballafaqohet me të kaluarën.

Në fund të mesazhit të tij, Kurti nënvizoi se Serbia vazhdon të mbetet një tokë e varrezave masive dhe një strehë e sigurt për kriminelët e luftës, duke kërkuar llogaridhënie për krimet që lanë plagë të hapura në Lybeniq dhe mbarë Kosovën.

 

Continue Reading

Lajmet

MINT nis verifikimin e njehsorëve të rrymës pas dyshimeve për matje të gabuara

Published

on

By

Komisioni i posaçëm i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka nisur punën në terren për verifikimin e njehsorëve elektrikë, pas ankesave të shumta të konsumatorëve për çrregullime të kohës dhe matje të pasaktë të energjisë.

Drejtoresha e Agjencisë së Metrologjisë, Sebahate Bushrani, ka bërë të ditur se njehsorët e dyshimtë do të tërhiqen për verifikim dhe do të zëvendësohen me të tjerë deri në lëshimin e raportit zyrtar. Sipas saj, aktualisht janë rreth 70 ankesa, ndërsa raporti përfundimtar do t’u dërgohet Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe palëve të përfshira, raporton Koha.net.

Ky aksion vjen pas denoncimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila përmes një hulumtimi në Prishtinë dhe Ferizaj ka pretenduar se rreth 800 njehsorë llogarisin energjinë me tarifë të shtrenjtë për shkak të mosperputhjes së orës.

Ndonëse KEDS-i i ka mohuar këto pretendime, raportimet e mëhershme kanë treguar se qytetarët në Fushë-Kosovë janë përballur me probleme të ngjashme, ku orët në njehsorë figuronin jashtë kohës reale. Verifikimi mbetet një proces i ndjeshëm, veçanërisht pas kritikave të vitit 2023 se ky proces kryhej në laboratorët e KEDS-it, veprim ky që konsiderohej shkelje e Ligjit për Metrologji.

Saktësia e njehsorëve është jetike për xhepin e qytetarëve, pasi dallimi mes tarifave është i lartë. Gjatë dimrit, tarifa e lartë (9.05 centë deri në 15.43 centë për kW) aplikohet nga ora 07:00 deri në 22:00, ndërsa tarifa e ulët (3.88 centë deri në 7.28 centë për kW) vlen gjatë natës. Çdo mospërputhje e orës bën që konsumatorët të faturohen me çmime maksimale edhe kur ata tentojnë të kursejnë duke përdorur pajisjet shtëpiake gjatë orëve të vona. /Koha.net/

 

Continue Reading

Të kërkuara