Kulturë

Gabimet që duhet shmangur kur kërkoni punë

Një prej tyre: nënvlerësimi i vetes.

Published

on

Shumica prej nesh jemi në dijeni se kërkimi i punës është një proces jo i lehtë, si emocionalisht ashtu edhe fizikisht. Nëse jeni në kërkim të punës suaj të parë ose të punës së ardhshme, do të ketë raste kur do shfaqni shenja lodhjeje dhe dorëzimi, ngase nuk mund ta gjeni punën që kërkoni.

Ju nuk po merrni njoftime nga vendet e punës për të cilat keni aplikuar dhe filloni të pyesni veten nëse jeni madje i kualifikuar për atë pozitë të caktuar që tashmë keni aplikuar.

Mos u brengosni! Të gjithë kemi kaluar nëpër këto faza. Përderisa ky proces është i vështirë dhe nganjëherë konfuz, ju duhet t’i shmangni disa gabime eventuale që mund t’i bëni me ose pa vetëdije. Ja se çfarë duhet të shmangni kur jeni duke kërkuar punë:

Moshulumtimi i kompanisë para se të aplikoni

Shumica prej nesh jemi sprovuar duke menduar se kemi gjetur vendin ideal të punës dhe befas ndjejmë nevojën për të aplikuar pa bërë ndonjë hulumtim për atë kompani në të cilën po aplikojmë.

Është mirë të gjesh punën që duket se është e përshtatshme, bazuar në përshkrimin, mirëpo nuk duhet të nxitoni.

Ndiqni këto rregulla para se të aplikoni për një vend pune:

* Vizitoni web faqen e kompanisë për të marrë informatat bazike rreth saj;

* Hulumtoni kompaninë në LinkedIn (nëse kanë llogari të hapur);

* Kontaktoni menaxherin e burimeve njerëzore të asaj kompanie për të marrë informata shtesë.

Mos hulumtimi i mesatares së pagave që ofron kompania

Një nga gabimet kryesore që mund të bëni është hulumtimi jo i duhur, normalisht çdokush dëshiron të paguhet më mirë sesa në punën paraprake, por nëse nuk hulumtoni rreth pagave mesatare të kompanisë mund të dëshpëroheni nëse merrni një ofertë që nuk ju konvenon. Prandaj, para se të filloni të aplikoni për punë, sigurohuni që të hulumtoni se si klasifikohen pagat për atë pozitë që doni të aplikoni, transmeton kp. 

Mos identifikimi i dëshirave dhe nevojave tuaja

Një nga gjërat kryesore që duhet të dini është se përderisa kërkoni punë duhet t’i përgatitni pyetjet që keni në një lsitë. Në këtë listë mund të përfshini pyetje rreth menaxhimit të kompanisë, kulturës, stilit të menaxhimit si dhe pyetje tjera përkatëse. Listimi i këtyre pyetjeve është i domosdoshëm nëse dëshironi që i tërë procesi i aplikimit e deri te dita e intervistës të shkoj ashtu siç keni planifikuar.

Aplikimi pa lexuar në detaje kriteret dhe natyrën e punës

Kur jeni në kërkim të punës për një kohë relativisht të gjatë, ju filloni të irritoheni dhe nganjëherë mund edhe të aplikoni në pozitën e parë të lirë që shihni. Kur jeni në kërkim të një vendi pune, sigurohuni që përshkrimet e punës prekin të gjitha ose të paktën shumicën e gjërave që ju nevojiten.

Nënvlerësimi i vetes

Ju asnjëherë nuk duhet ta nën-vlerësoni veten. Prandaj, mos ngurroni t’i vëni në pah vlerat tuaja. Këtë mund ta bëni duke e shkruar një listë ku mund t’i renditni ato si në vijim:

*Përvojën tuaj

*Etikën tuaj të punës

*Njohuritë/aftësitë tuaja

*Devotshmërinë/pasionin tuaj

Të gjitha këto pika tregojnë se ju vleni. Para se të filloni kërkimin e punës tuaj sigurohuni që të keni të qartë se çfarë përfaqësojnë këto pika. Është mirë ta keni një listë të të gjitha arritjeve tuaja, kjo jo vetëm që do t’ju ndihmojë gjatë intervistës por gjithashtu do t’ju ndihmojë të mbani mend vlerën tuaj dhe gjithçka që keni realizuar në karrierën tuaj.

Continue Reading

Lajmet

“WALL NOT I”, projekt artistik në Muzeun e Burgut të Prishtinës

Published

on

Një ligjëratë performative dhe videoinstalacion i frymëzuar nga vepra e shkrimtarit Samuel Beckett do të prezantohet më 16 tetor në Muzeun e Burgut të Prishtinës – Burgu i Idealit.

Projekti “WALL NOT I”, i realizuar nga autori dhe përkthyesi Idlir Azizaj dhe artisti Mentor Berisha, nis në orën 19:00 dhe ndërthur ligjëratën, imazhin dhe videoinstalacionin për të eksploruar raportin mes trupit, hapësirës, kujtesës dhe rrëfimit.

Përmes dialogut mes veprës së Beckettit dhe historisë së Burgut të Idealit, projekti trajton temat e mbylljes, mungesës së lirisë dhe rezistencës njerëzore.

Aktiviteti do të mbahet më 16 tetor 2026, duke filluar nga ora 19:00, në Muzeun e Burgut të Prishtinës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ekspozita “Venetiku: Gjurmëve të një fondi fotografik” hapet në Muzeun “Marubi”

Published

on

Historia e studios fotografike Venetiku në Korçë dhe gjurmët e saj në trashëgiminë fotografike shqiptare do të prezantohen përmes ekspozitës “Venetiku: Gjurmëve të një fondi fotografik”, e cila hapet të premten, më 16 tetor, në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër.

E kuruar nga Mikaela Minga, ekspozita sjell historinë e studios, njerëzve që e krijuan dhe e trashëguan atë, si dhe lidhjen e tyre me qytetin dhe zhvillimet historike e shoqërore të kohës.

Përmes kërkimeve arkivore dhe dokumenteve historike, ekspozita synon të rindërtojë historinë e fondit fotografik dhe të familjes Venetiku, duke u përqendruar veçanërisht te Krisanthi Venetiku, përfaqësuesja e fundit e studios.

Përveç vlerave fotografike dhe dokumentare, ekspozita trajton lidhjen mes fotografisë, kujtesës dhe historisë, duke përfshirë dokumente që dëshmojnë përndjekjen politike të pjesëtarëve të familjes Venetiku gjatë regjimit komunist.

Materialet arkivore tregojnë se si rrethanat historike ndikuan në jetën e fotografëve dhe në fatin e trashëgimisë që lanë pas.

Ekspozita organizohet në bashkëpunim me Institutin e Antropologjisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, me mbështetjen financiare të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.

Hapja do të bëhet më 16 tetor, në orën 18:00, në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Dua” dhe “Shame and Money” në listën e ngushtë për Çmimet Evropiane të Filmit 2027

Published

on

Dy filma kosovarë, “Dua”, me regji të Blerta Bashollit, dhe “Shame and Money”, me regji të Visar Morinës, janë përzgjedhur në listën e ngushtë për Çmimet Evropiane të Filmit 2027, duke shënuar një tjetër moment të rëndësishëm për kinematografinë e Kosovës.

Ndër vite, disa produksione vendore kanë qenë pjesë e përzgjedhjeve të kësaj gare, në kategori dhe faza të ndryshme.

Në kategorinë e filmave të gjatë artistikë, “Babai”, me regji të Visar Morinës, dhe “Tri dritare dhe një varje”, me regji të Isa Qosjes, u përzgjodhën në vitin 2015. Në vitin 2021, në këtë rrugëtim u përfshi edhe filmi “Zgjoi”, i regjisores Blerta Basholli.

Edhe filmat e shkurtër kosovarë kanë shënuar pjesëmarrje të rëndësishme. “Në mes” dhe “Rrugës”, të Samir Karahodës, u përzgjodhën për garën evropiane përkatësisht në vitet 2020 dhe 2024, ndërsa “I Believe the Portrait Saved Me”, me regji të Alban Mujës, ishte pjesë e përzgjedhjes për vitin 2026.

Një tjetër sukses ishte filmi “Home”, me regji të Daniel Mulloy, i cili në vitin 2016 u përfshi mes 15 filmave të nominuar për çmimin e filmit të shkurtër evropian. Në vitin 2021, “Pa vend”, me regji të Samir Karahodës, arriti në fazën finale si njëri prej pesë filmave të nominuar.

Ndërkaq, filmi “Kthimi”, me regji të Blerta Zeqirit, u përzgjodh nga Festivali i Sarajevës për garën evropiane të filmit të shkurtër në vitin 2012, por më pas u tërhoq nga gara.

Përzgjedhja e “Dua” dhe “Shame and Money” për edicionin e vitit 2027 i jep kinematografisë kosovare një tjetër mundësi për të prezantuar historitë e saj para publikut evropian dhe për të vazhduar rrugëtimin në skenën ndërkombëtare./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“I Believe the Portrait Saved Me”, vlerësim për filmin e Alban Mujës në DOKUBAKU 2026

Published

on

Filmi dokumentar “I Believe the Portrait Saved Me” (Mua besoj se portreti më shpëtoi), me regji të artistit kosovar Alban Muja, është nderuar me përmendje të veçantë nga çmimi iHuman Award në edicionin e dhjetë jubilar të festivalit DOKUBAKU 2026, në kategorinë DOKUSHORT për dokumentarin më të mirë të shkurtër ndërkombëtar.

Juria vlerësoi mënyrën se si rrëfimi i filmit kalon nga hutimi fillestar drejt një përjetimi të thellë emocional, duke zbuluar gradualisht kuptimet e një klase të pazakontë. Filmi trajton fuqinë e artit dhe mënyrën se si portretizimi e krijimi artistik shndërrohen në instinkt mbijetese përballë barbarisë së luftës.

Sipas vlerësimit të jurisë, fotografia e filmit shmang romantizimin e luftës dhe, përmes kompozimit të kujdesshëm të kuadrove dhe trajtimit të ngjyrave, përcjell peshën e saj dramatike. Juria veçoi edhe aftësinë e regjisorit për të përmbledhur një përmbajtje kaq të thellë dhe një ndikim të fuqishëm vizual në vetëm dhjetë minuta, duke e vlerësuar filmin me përmendje të veçantë.

Ky vlerësim përbën një tjetër prezantim të krijimtarisë së Alban Mujës në skenën ndërkombëtare të filmit dokumentar./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara