Kulturë

Gabimet më të shpeshta në vendin e punës

Kujdes me gjuhën e trupit.

Published

on

Studimet kanë treguar se produktiviteti në punë rritet, kur marrdhëniet janë të mira. Por, shpesh na ndodh që pa qëllim të bëjmë gabime, të cilat mund t’i kalojmë pa i vënë re. Këto gabime ndoshta nuk mund të jenë shumë të mëdha, por tek njerëzit detajistë mund të duken paksa të tepruara. Në këtë artikull do të lexoni disa nga gabimet dhe mënyrën se si duhet t’i menaxhoni ato:

Harroni emrat

Rekomandohet që t’i thërrisni njerëzit në emër që nga momenti që i takoni, sepse në këtë mënyrë ju do ta memorizoni më mirë emrin dhe njëkohësisht do të tregoni respekt për personin tjetër.

Nuk sillni ushqime

Nëse do të bësh diçka të mirë për kolegët dhe të fitosh reputacionin si “njeri i mirë”, sill disa ushqime të mira dhe ndaji me ta.
Nuk është e thënë të gatuash vetë për ta. Edhe disa biskota të blera bëjnë punë. Dhe nëse kjo bëhet traditë për të gjithë ekipin, asnjëherë nuk do të ndiheni të uritur gjatë punës.

Keni ndrojtje për të shtuar kolegët në rrjetet sociale

Nëse dëshironi të mësoni më shumë për kompaninë ku punoni dhe të lidheni me kolegët, duhet të zbuloni më shumë për interesat dhe arritjet e tyre. Në këtë mënyrë, ju do të gjeni pika të përbashkëta apo tema për të nisur një bisedë. E rëndësishme është të mos merreni me thashetheme.

Flisni shumë

Sigurisht, do të ishte e shkëlqyer nëse kolegët do të pëlqenin menjëherë, por nëse jeni këmbëngulës do t’i largoni ata nga vetja. Studiojini mirë ata që punojnë me ju. Duhet të zhvilloni një mënyrë për të komunikuar me çdo person, sepse disa janë më të afrueshëm, e të tjerë më pak. Mos u përpiq të bësh miq menjëherë. Mos ndaj shumë detaje personale, të tilla biseda nuk është mirë të zhvillohen në punë.

Nuk bëni komplimente

Nëse jepni komplimente të sinqeta për aftësitë dhe talentet e kolegëve, pa bërë lajka, ju do të vlerësoheni si një njeri i hapur dhe i mirë. Dy gjërat më të rëndësishme janë sinqeriteti dhe thjeshtësia. Dhe është më mirë të shmangni komplimente që mund të keqkuptohen. Komplimenti për punën e kolegëve dhe komplimenti për ngjyrën e syve të tyre janë 2 gjëra shumë të ndryshme.

Kujdes me gjuhën e trupit

Gjuha e trupit është shumë e rëndësishme në çdo komunikim. Ne pa dashur mund të dërgojmë sinjale të gabuara te kolegët. Këto sinjale i bëjnë ata të ndalojnë komunikimin me ne në një mënyrë shoqërore. Nëse dëshironi të lini një përshtypje të mirë tek njerëzit me të cilët komunikoni, veproni kështu: Shikojeni në sy personin me të cilin flisni, rrini drejt kur komunikoni, buzëqeshni me mirësjellje, mos bëni shenja identifikuese…

Continue Reading

Lifestyle

Rreziqet e fshehura në shtëpinë tuaj, 5 produkte të zakonshme

Published

on

Shumë prej produkteve që përdorim përditë në shtëpitë tona, me qëllimin për t’i mbajtur ato të pastra dhe me aromë të mirë, në fakt mund të përbëjnë rrezik serioz për shëndetin.

Nga produktet e higjienës personale, te ato për freskimin e ajrit apo për pastrimin, shumë prej tyre përmbajnë substanca toksike dhe potencialisht kancerogjene.

Shampot, shpesh përmbajnë përbërës si parabene, ngjyra sintetike dhe aromatizues artificialë, që ndikojnë në sistemin hormonal dhe të shkaktojnë irritime të lëkurës. Edhe produktet që reklamohen si “natyrale” nuk janë të sigurta, ndaj leximi i etiketave mbetet thelbësor.

Qirinjtë aromatik dhe sprejtë e ajrit janë burime të mundshme kimikatesh të dëmshme. Edhe pse krijojnë një atmosferë të këndshme, lëshojnë substanca të rrezikshme që ndikojnë në sistemin respirator, shkaktojnë alergji, edhe probleme serioze shëndetësore.

Edhe produktet që përdoren për aktivitetet artistike, si ngjitësit dhe ngjyrat, duhen përdorur me kujdes të madh, sidomos në prani të fëmijëve, pasi përmbajnë tretës kimikë që mund të dëmtojnë veshkat apo sistemin nervor.

Së fundi, pesticidet, të përdorura gjerësisht në shumë shtëpi për eliminimin e insekteve, janë ndër më të rrezikshmet, pasi përmbajnë neurotoksina të cilat lidhen me probleme neurologjike afatgjata, përfshirë sëmundjen e Parkinsonit.

Zgjidhja? Zëvendësoni sa më shumë produkte me alternativa natyrale e të certifikuara si të sigurta për shëndetin. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Lifestyle

Të dielën e kësaj jave, akrepat e orës kthehen 60 minuta pas

Published

on

Të dielën e kësaj jave, pra më 26 tetor, akrepat e orës kthehen 60 minuta pas.

Prapa, lëvizin më 03:00, natën mes të shtunës dhe të dielës, 25 e 26 tetor, duke u ripozicionuar te ora 02:00.

Kështu, mund të flemë një orë më shumë gjumë, por pasditet do të kenë një orë më pak dritë natyrale. Akrepat do t’i lëvizim në orët analoge, teksa siç dihet, të gjitha pajisjet tjera digjitale të lidhura me internetin përditësohen automatikisht me orarin e ri.

Ora diellore qëndron në fuqi der 29 mars 2026, kur si gjithmonë në 03:00 të mëngjesit, në fuqi hyn ora ligjore, e njohur si ajo verore.

Përcaktimi i ndryshimit të orës nuk ka datë fikse, aplikohet natën mes të shtunës e të dielës së fundit të tetorit e muajit mars. Pavarësisht polemikave që prej disa vitesh kanë shoqëruar ndryshimin stinor të orës, ende nuk është vendosur gjë nga BE-ja.

Diskutimi ishte mbi mbajtjen në fuqi të vetëm një ore ligjore, për të kursyer energji, arsye se pse është adoptuar që për herë të parë ose të regjimit të orës diellore. Impakti në ekonomi apo edhe në mjedis, pasi sjell reduktim të CO2, ka ndikuar në mosvijimin e diskutimeve për ta hequr orën ligjore, se duhet të jetë një vendim unanim për të gjitha vendet e Bllokut.

Më 2018, me 84% të votave, Parlamenti Europian u shpreh në favor të shfuqizimit të orës ligjore. Vendimi përfundimtar u la në dorë të secilit vend anëtar të Unionit. Në Europë, ndryshimi i orës nuk ka qenë i njëtrajtshëm. Ai filloi të përgjithësohej nga 1974, pas krizës së parë të naftës e kur disa vende vendosën të çojnë para orën, që të shfrytëzonin më shumë dritën e diellit e të konsumonin pak energji elektrike.

Si ligj europian u vendos nga 1981, është rinovuar çdo katër vjet. Në mënyrë të qëndrueshme, norma europiane përcakton datat e fillimit të periudhës së orës së verës (kur akrepat shkojnë 60 minuta para) dhe përfundimin e saj (kur shkon një orë pas). /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Kulturë

Prezantohet botimi i letrave të diplomatit francez Anton Vas

Published

on

Në kuadër të projektit “Prishtina në histori”, Varg dhe Trembelat do të prezantojnë botimin e letrave të diplomatit francez Anton Vas, i cili në vitin 1812, gjatë periudhës së Napolonit dhe luftës me Rusinë, u caktua të ngrinte një nënkonsullat francez në Prishtinë.

Promovimi do të mbahet më 31 tetor 2025, në ora 11:00, në ambientet e Institut Français në Pejton.

Dokumentet, të siguruara nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, pasqyrojnë përvojën e Vasit në një qytet kyç tregtar dhe diplomatik.

Misioni i tij ishte mbrojtja e tregtarëve francezë dhe forcimi i pranisë tregtare të Francës në rajon, përballë rivaliteteve ndërkombëtare dhe sfidave lokale.

Korrespondenca dokumenton marrëdhëniet e Vasit me autoritetet lokale, përfshirë Maliq Pashë Gjinollin dhe nipin e tij Jashar Pashë, si dhe sfidat që përballonte një diplomat francez në Prishtinën e fillimit të shekullit XIX.

Në redaktimin e studiuesit Yll Rugova, letra sjellin jo vetëm ngjarjet historike, por edhe atmosferën dhe përvojën personale të autorit.

Botimi u realizua pas transkriptimit, përkthimit dhe redaktimit të kujdesshëm të materialeve mikrofilmike, me mbështetjen e Komunës së Prishtinës, Ambasadës së Francës në Kosovë dhe specialistëve të arkivave.

Ky libër ofron një pasqyrë të veçantë mbi lidhjet historike midis Francës dhe Kosovës, duke nxjerrë në pah rëndësinë e Prishtinës si qendër tregtare dhe diplomatike në fillim të shekullit XIX. /A.Z/UBT News/

 

Continue Reading

Kulturë

Sanremo 2025: Carlo Conti zbulon se do të ketë 28 artistë të mëdhenj në garë

Published

on

Carlo Conti, drejtor artistik dhe prezantues i Festivalit të Sanremos, ka zbuluar detaje mbi edicionin e ardhshëm të festivalit gjatë fjalës së tij në ngjarjen ‘Luce!’ në Firence.

Conti theksoi se prioriteti i tij mbetet përzgjedhja e këngëve dhe artistëve, duke e krahasuar këtë proces me zgjedhjen e “biftekut më cilësor”.

“Çdo vit mbërrijnë rreth 500–600 këngë për Sanremo, dhe këtë vit duhet të zgjedhim 26 nga Big (artistët e mëdhenj), ndoshta deri në 28,” tha ai, duke shtuar se vitin e kaluar ishte shumë e vështirë përzgjedhja për shkak të shumësisë së këngëve të bukura.

Sa i përket pjesëmarrjes në Eurovision, Conti po ashtu sqaroi se rregullat mbeten të njëjta si vitin e kaluar: fituesi i Sanremos shkon automatikisht në festivalin evropian.

Në rast të tërheqjes, moskualifikimit ose anulimit, drejtimi artistik i Sanremos dhe RAI-t do të zgjedhin një artist zëvendësues.

Si shembull, ai përmendi rastin e këtij viti, kur Olly u tërhoq dhe vendin e tij e mori Lucio Corsi, i cili kishte përfunduar i dyti në festival. Conti përfundoi duke thënë se rregullorja funksionoi mirë dhe nuk ka nevojë të ndryshohet. /A.Z/UBT News/

 

Continue Reading

Të kërkuara