

Op-Ed
“Gabimet fatale të Putinit në Ukrainë”
Një prej tyre është, besimi në idenë se Kievi do të dorëzohej brenda disa ditësh.
Published
3 years agoon
By
UBT newsOpinion nga Marwan Bishara
AL JAZEERA
Justifikimet e Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë, si justifikimet e Shteteve të Bashkuara për pushtimin e Irakut dy dekada më parë, dëshmojnë se fuqitë botërore kanë dështuar të mësojnë mësimet e arrogancës perandorake – të tyre dhe të tjerëve. Nga grekët dhe romakët e lashtë e deri te fuqitë më të fundit franceze, gjermane dhe britanike, arroganca gjeopolitike është e njohur për rritjen e marrëzisë politike fatale.
Ndërsa vala e luftës kthehet kundër Rusisë në Ukrainë, dështimi i Kremlinit për të arritur fitoren e shpejtë të premtuar mund t’i atribuohet supozimeve arrogante të Vladimir Putinit në pesë fronte kryesore.
Së pari, presidenti rus mbivlerësoi gatishmërinë e ushtrisë së tij për një luftë të stërzgjatur dhe e vlerësoi gabim dëshirën e rusëve për perandori me forcë. Rusia është zhytur në një konfrontim të kushtueshëm dhe disi poshtërues kundër një armiku ushtarakisht inferior, por të vendosur. Ndërsa ukrainasit dolën vullnetarë për të luftuar dhe për të sakrifikuar për vendin e tyre, ushtarët rusë filluan të dezertojnë njësitë e tyre dhe burrat rusë filluan të iknin pas një mobilizimi të pjesshëm të trupave.
Kjo më çon në supozimin e dytë injorant të Putinit – një besim se Kievi do të dorëzohej brenda disa ditësh. Ashtu si imperialistët e tjerë, ai nënvlerësoi rezistencën e ukrainasve ndaj okupimit dhe angazhimin e tyre për pavarësi. Ai supozoi një të ardhme të përbashkët për Rusinë dhe Ukrainën për shkak të historisë së tyre të përbashkët, kur shumica e ukrainasve shpresonin për një shkëputje nga e kaluara perandorake e Rusisë. Nëse identiteti i pavarur kombëtar i Ukrainës ishte në dyshim, lufta e Putinit i ka dhënë fund kësaj, duke nxitur patriotizmin ukrainas si kurrë më parë, e gjitha kjo e ndihmuar nga mbështetja perëndimore.
Kjo ishte llogaritja e tretë e gabuar e Putinit. Ai llogariti se NATO u dobësua nga qasja e Donald Trump “Amerika First” ndaj sigurisë perëndimore dhe për këtë arsye do të ishte e ngadaltë për të reaguar ndaj ngjarjeve në Lindje. Ai gjithashtu supozoi se varësia e Evropës nga nafta dhe gazi rus do ta bënte të vështirë ndërprerjen e marrëdhënieve me Moskën. Ai e kishte gabim. Guximi amerikan dhe mendjemprehtësia evropiane ndaj një Rusie të guximshme dhe agresive i kanë afruar të dy anët e Atlantikut gjithnjë e më shumë.
Paralelisht, Putin supozoi se SHBA ishte në rënie të plotë, e dobësuar nga gabimet e saj në Afganistan dhe Irak, e penguar nga problemet ekonomike dhe të brendshme dhe e preokupuar me ngritjen e Kinës, dhe për këtë arsye do të reagonte me ndrojtje ndaj një krize më të gjerë në Ukrainë. Përsëri, ai gaboi.
Ndryshe nga përgjigja e turpshme e paraardhësve të tij ndaj inkursionit të Rusisë në Gjeorgji më 2008, aneksimit të Krimesë në 2014 dhe ndërhyrjes së saj në zgjedhjet perëndimore, presidenti i SHBA-së Joe Biden përdori pushtimin e Ukrainës si një mundësi për të bashkuar Perëndimin kundër Moskës dhe për të gjymtuar ekonominë ruse.
E gjithë kjo më çon tek kotësia e Putinit dhe pohimet ku i jep të drejtë vetes, më e keqja nga të gjitha mëkatet. I shtyrë nga ndjenja e madhështisë personale dhe kombëtare, ai mbrojti luftën ndërkombëtare kundër një Perëndimi perandorak dekadent liberal, ndërsa udhëhiqte si një diktator i pamëshirshëm, duke vepruar sipas intuitave dhe dogmave të tij personale, pa respektuar pak ose aspak proceset demokratike apo normat ndërkombëtare.
Në kundërshtim me argumentin se Perëndimi nuk i la Putinit asnjë alternativë veçse të pushtonte, lideri rus në fakt kishte një zgjedhje dhe ai zgjodhi qëllimisht luftën. Ai e konsideroi të kotë diplomacinë me një lider ukrainas, për të cilin mendonte se i kishte marrë urdhrat e marshimit nga Uashingtoni. Kështu, në vend që t’i bënte ballë Ukrainës, ai vendosi ta shtypë atë, sepse siç thotë shprehja e lashtë greke “të fortët bëjnë atë që munden dhe të dobëtit vuajnë atë që duhet”.
Në fakt, Putini ka bërë të gjitha gjërat e këqija për të cilat ka akuzuar Perëndimin, dhe në këtë proces ka minuar kauzën anti-perandorake në mbarë botën.
Kjo më sjell në hipokrizinë amerikane dhe perëndimore mbi Ukrainën. Putini, djaloshi i Luftës së Ftohtë, mund të jetë bërë paranojak, por SHBA-të nuk kanë qenë kalimtarë të pafajshëm. Uashingtoni ka dënuar goditjen e shpatës së Putinit në Euroazi, ndërkohë që ka mbështetur me entuziazëm Revolucionet me Ngjyra atje, veçanërisht Revolucionin Portokalli të vitit 2004 në Ukrainë – të gjitha duke mos mbështetur revolucionet e Pranverës Arabe një dekadë më parë. I kërkoi që Putini të ndalojë ndërhyrjen në punët e fqinjëve të tij, ndërkohë që vazhdoi fushatën shkatërruese prej dekadash për të ribërë Lindjen e Mesme, një rajon i largët që nuk e kuptoi kurrë me të vërtetë./UBTNews/
Ky tekst është marrë me shkurtime nga Al Jazeera.
Op-Ed
Gazetaria e sotshme dhe ajo hulumtuese, e skajshme, periferike dhe larg problemeve akute që po na rrethojnë
Published
2 weeks agoon
April 28, 2025
Nga Musa Sabedini – E tërë lufta në gazetarinë ditore dhe informative ka për qëllim që të tregoj të vërtetën, që të thuhet ajo kur dhe si duhet. Gazetaria kosovare fatkeqësisht e ka devalvuar këtë maksimë dhe në vend të saj, në të gjitha mediet nacionale, dominojnë lajmet protokollare të zbehta dhe të pa vlera.
E kam thënë edhe më herët se gazetaria online në Kosovë, duke mos përjashtuar as TV nacionale e radiot, po dominohet nga lajmet protokollare, të cilat ekskluzivisht përshkruajnë një hark të ngushtë Parlament – Qeveri – Presidencë – Shtabe të partive politike, e portrete me politikanët e subjekteve politike.
Dikur në mediet qendrore kishte edhe paralajmërime nga gazetar me zë dhe media kredibile në stilin “Super intervistë”, “Ekskluzive ose super ekskluzive me Albin Kurtin..etj”.
Ky trend me gjasë sivjet pak ka ndryshuar, pikërisht sepse u pa që as kryeministri e as kushdo tjetër, nuk ua rregullon gazetarëve, as kushtet financiare e as vendin e punës. Duke i dhënë hapësirë përherë lajmeve të kota nga Qeveria, Parlamenti, Presidenca dhe çfarëdo informacioni që del nga “klubet institucionale”, qytetari i rëndomtë mbetet larg realitetit dhe përditshmërisë.
Personalisht as nuk i postoj e as publikojë shtëpitë kafaz të tipit “Big Brother”, sepse për mua nuk kanë asnjë vlerë etike dhe të mos flas mediatike. Por kështu nuk po e shohin televizionet qendrore të cilat për interesa të tyre, e për klikime po janë në gjendje të shkaktojnë lloj – lloj krize me publikun.
Ndërsa kur erdhi puna te protestat e rrymës, u ndalë turri mediatik sepse nuk kishte ndonjë interes të theksuar prej asaj pune.
Media parasë gjithash ka rol edukues, ka rol këshillues e sensibilizues për të përkrahur çdo iniciativë të shoqërisë, të grupeve të shëndosha të interesit dhe të gjithë atyre që vërtet punojnë e veprojnë për një vend ligjor e demokratikë.
Unë parimisht përherë i kam përkrahur të gjitha nismat e gazetarëve kundër institucioneve kokëforta, por “Shefat” e medieve kryesore nuk duhet të dërgojnë gazetar të rinj e të papërvojë dhe të shohin si realizim të “ëndrrës” një përgjigje nga Albin Kurti apo Vjosa Osmani, e ndonjë lider tjetër politik.
Për mua këto prononcime dhe ky vrapim i gazetarëve shpërfaq një gjendje kaotike të vet medieve kryesore, që tolerojnë, që aq ulët e aq jo profesionalisht, lejohen të nëpërkëmbën nga ndonjë kryeministër që i mungon sjellja etike.
Gazetaria sot dhe ajo që do të vije pas nesh, duhet të fokusohet në tema problemore, tema të nxehta, trajtim serioz ndaj të gjitha dukurive negative, një hulumtim dhe hetim profesional për të gjitha dilemat e dyshimet, që lidhen me korrupsion e krim të organizuar.
Gazetaria hulumtuese sikur nuk ekziston fare në këtë Kosovë të dërmuar nga politikat shterpe. Gazetaria hulumtuese mund të praktikohet orë e çast në Kosovë, duke i parë defektet që i kemi si shoqëri.
Po kush e zhvillon dhe e avancon gazetarinë profesionale dhe atë hulumtuese. Sigurisht të gjithë ata, që e duan me shpirt e zemër gazetarinë, dhe të gjithë ata profesionist të vërtet që nuk tremben nga e vërteta që përshkruhet nga argumenti dhe vërtetësia e fakteve.
Hetoni, hulumtoni, zbuloni, verifikoni dhe raportoni, pa u ndaluar përkundër pengesave dhe presioneve tuaja. E dua një gazetari vërtet kredibile e cila i nënshtrohet një rregulli bazik e funksional, e kjo lidhet edhe me guximin dhe arsimimin e gjeneratave të reja.
Nuk po them që s`ka fare gazetari në Kosovë, e as hulumtuese, por kjo për momentin është e pamjaftueshme, për ta bërë më të përgjegjshme klasën politike, ndaj obligimeve shtetërore që kanë ata.
Media ka obligime publike për ta avancuar saktë, drejtë, shpejt, objektivisht, me argumente e saktësi çdo zhvillim që ndodhë rreth nesh.
Porosia për gazetarët e mediet servile ndaj pushteteve. Kurrë mos harroni se politika është jetëshkurtër, kurse profesioni e karriera e juaj në gazetari nuk vdes, e as shuhet kurrë. Gazetaria e mirë dhe e vërtetuar jeton gjithmonë në zemrat e çdo lexuesi, dëgjuesi apo shikuesi.
Autori është gazetar profesionist dhe ligjërues në degën e Media dhe Komunikimit në UBT. /UBT News/
Op-Ed
A është Putini vërtet i interesuar për një armëpushim të përkohshëm në Ukrainë?
Published
2 months agoon
March 14, 2025By
UBTnews
Shkruan: Alfred Marleku
Presidenti rus, Vladimir Putin, së fundmi ka shprehur mbështetje të kushtëzuar për propozimin amerikan, i cili më parë është pranuar edhe nga pala ukrainase, për një armëpushim të përkohshëm në Ukrainë. Megjithatë, ekzistojnë disa arsye kokëforta dhe strategjike që shpjegojnë se përse Putinit në fakt nuk i konvenon një marrëveshje e tillë, edhe pse ai me elegancë diplomatike dhe për të mos ofenduar Presidentin Trump, pohoi se është një propozim “me vend”.
Rusia ka aktualisht një avantazh strategjik në terren. Forcat ruse kanë arritur të rikthejnë gradualisht territore të humbura më parë dhe momentalisht janë në një pozicion të favorshëm për të forcuar më tej kontrollin e tyre në rajone strategjike. Sipas burimeve të shumta, në rajonin e Kurskut dhe në lindje të Ukrainës, forcat ruse janë afër spastrimit të plotë të forcave ukrainase pas muajsh të tërë inkursionesh të dështuara nga pala ukrainase. Në këtë kontekst, një armëpushim tani do të lejonte Ukrainën të rimarr frymë, të siguroj mbështetje shtesë ushtarake nga aleatët perëndimorë dhe të përgatitet për kundërofensivë, duke rrezikuar humbjen e avantazhit që Moska ka fituar me shumë kosto.
Putini e specifikoj se çdo marrëveshje për armëpushim duhet të çoj në “paqe të qëndrueshme dhe të eliminoj shkaqet rrënjësore të krizës”. Por, ajo që ai e quan “shkaqe rrënjësore” janë në fakt kërkesat maksimale të Rusisë ndaj Ukrainës dhe Perëndimit. Ndër këto kërkesa, e para është mosanëtarësimi i Ukrainës në NATO. Që prej fillimit të konfliktit, Kremlini ka theksuar se anëtarësimi i Ukrainës në NATO përbën kërcënimin kryesor ndaj sigurisë kombëtare të Rusisë dhe se një Ukrainë e lidhur me aleancën ushtarake perëndimore është e papranueshme për Moskën. Rusia kërkon një Ukrainë neutrale sa i përket rreshtimeve ushtarake, pra një shtet që nuk lidhet me asnjë bllok ushtarak dhe që nuk pranon trupa të huaja në territorin e saj.
Një tjetër kërkesë qendrore e Rusisë është njohja zyrtare si territor rus e rajoneve që Moska i ka aneksuar. Donetsku, Luhansku, Khersoni, Zaporizhzhia dhe Krimea konsiderohen nga Putini si pjesë integrale e Federatës Ruse dhe çdo armëpushim, sipas Moskës, duhet ta përfshijë pranimin e këtij realiteti të krijuar me forcë. Kjo kërkesë, natyrisht, bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe me vetë parimet e sovranitetit të Ukrainës.
Një kusht tjetër i shpallur nga Kremlini është refuzimi kategorik i vendosjes së trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në Ukrainë. Rusia kundërshton çdo ide që do të sillte forca ndërkombëtare për të garantuar armëpushimin ose për të mbikëqyrur zbatimin e tij, pasi kjo do të dobësonte kontrollin rus dhe do të nënkuptonte pranimin e një roli të drejtpërdrejtë të Perëndimit në zgjidhjen e krizës.
Në këtë sfond, edhe pse Putin deklaron publikisht se “në parim” pajtohet me propozimet për ndalim të luftimeve, ai njëkohësisht thekson se “armëpushimi duhet të çojë në paqe të qëndrueshme”, duke përsëritur se shumë çështje mbeten të hapura dhe se çdo marrëveshje duhet të garantoj sigurinë afatgjatë të Rusisë. Në të vërtetë, këto janë vetëm mënyra diplomatike për të thënë se pa plotësimin e këtyre kërkesave, armëpushimi nuk është realisht i mundshëm.
Autori është profesor i Shkencave Politike
Op-Ed
Arabia Saudite si sinjal i qartë strategjik nga ShBA-ja
Published
3 months agoon
February 18, 2025By
UBTnews
Shkruan: Alfred Marleku
Takimi i nivelit të lartë mes zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në Arabinë Saudite ka provokuar supozime mbi sinjalet strategjike që Uashingtoni dëshiron të përcjellë përmes përzgjedhjes së këtij lokacioni. Në vend që negociatat të mbaheshin në një kryeqytet evropian, siç ka qenë praktikë e zakonshme për çështje të lidhura me luftën në Ukrainë, ShBA-ja ka zgjedhur Riadin si arenën diplomatike për këto bisedime. Ky vendim reflekton një lëvizje të qëllimshme në strategjinë globale të Uashingtonit, e cila shkon përtej Ukrainës dhe përfshin balancimin e fuqisë në skenën ndërkombëtare.
Një nga arsyet kryesore për zgjedhjen e Arabisë Saudite është sinjalizimi i një zhvendosjeje të interesave strategjike të ShBA-së nga Evropa drejt Azisë dhe Lindjes së Mesme. Lufta për dominim global nuk është më e kufizuar në konfliktin Rusi-Ukrainë, por përfshin garën për hegjemoni mes ShBA-së dhe Kinës. Uashingtoni e kupton se sfida kryesore dhe afatgjate nuk është Rusia, por Kina, një rival i aftë të sfidoj epërsinë amerikane në aspektin ekonomik, teknologjik dhe ushtarak. Për këtë arsye, ShBA-të po përpiqen të ripërcaktojnë prioritetet e tyre duke e zhvendosur fokusin në Indo-Paqësor dhe Lindjen e Mesme, ku ndikimi kinez është në rritje. Këtë e mbështet edhe deklarata e Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili deklaroi se evropianët nuk mund të supozojnë se prania ushtarake e Amerikës në kontinent do të zgjasë përgjithmonë.
Një tjetër mesazh i qartë i këtij takimi është dobësimi i rolit të Evropës në negociatat për të ardhmen e Ukrainës. Që nga fillimi i luftës në vitin 2022, vendet evropiane janë rreshtuar pas Uashingtonit, duke mbështetur Kievin me ndihma ushtarake, humanitare e financiare. Megjithatë, zgjedhja e Arabisë Saudite për këto bisedime nënkupton se ShBA-ja nuk e sheh më Evropën si një aktor kryesor në formësimin e një marrëveshjeje të mundshme. Në vend që të lejoj Brukselin ose ndonjë tjetër kryeqytet evropian të ndikoj dialogun me Moskën, Uashingtoni e pozicionon veten si arbitri ekskluziv i çdo zgjidhjeje të mundshme. Kjo i jep Shteteve të Bashkuara fleksibilitet më të madh për të manovruar sipas interesave të veta, pa qenë i detyruar të marrë parasysh shqetësimet evropiane.
Për më tepër, shumë vende evropiane që për dekada të tëra kishin ruajtur statusin e neutralitetit ushtarak, si Finlanda dhe Suedia, të shtyra nga pushtimi rus i Ukrainës, e braktisën këtë status për t’u anëtarësuar në NATO. Ky ndryshim ka ndikuar në perceptimin e tyre si ndërmjetës të mundshëm në negociatat për të ardhmen e Ukrainës, duke e dobësuar rolin e tyre si vende të përshtatshme për të ndërmjetësuar në bisedimet diplomatike.
Ndërkohë, Arabia Saudite ka ambicie të qarta për t’u pozicionuar si lojtar kyç në diplomacinë globale. Ky takim i jep Riadit një platformë për të forcuar statusin e tij si ndërmjetës në konfliktet ndërkombëtare, duke konsoliduar pozitën e tij si një fuqi rajonale me ndikim global. Për ShBA-në, afrimi me Arabinë Saudite është një investim në një partner të fuqishëm që mund të ndihmoj në ekuilibrimin e pushtetit në Lindjen e Mesme.
Fakti që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky nuk është ftuar në këtë fazë të bisedimeve ka shkaktuar alarm në Kiev dhe në kryeqytetet evropiane. Ukraina ka bërë të qartë se nuk do të pranoj asnjë marrëveshje që arrihet pa pjesëmarrjen e saj. Megjithatë, ky hap tregon qasjen realiste dhe pragmatiste të administratës amerikane. Uashingtoni po teston terrenin për mundësinë e një marrëveshjeje me Moskën për të ulur tensionet, pavarësisht qëndrimit të Kievit. Nëse kjo do të thotë një marrëveshje që e lë Ukrainën në një pozicion të pafavorshëm, kjo nuk do të jetë hera e parë që një fuqi e madhe sakrifikon interesat e një aleati më të vogël për të formësuar rendin ndërkombëtar sipas interesave të saj.
Zgjedhja e Arabisë Saudite si vend për negociatat mes ShBA-së dhe Rusisë për konfliktin në Ukrainë nuk është thjesht një çështje e përshtatshmërisë logjistike të palëve. Ajo përcjell mesazhe të qarta strategjike që përfshin zhvendosjen e vëmendjes gjeopolitike amerikane drejt Azisë dhe Lindjes së Mesme, zbehjen e rolit të Evropës në bisedime dhe pozicionimin e ShBA-së si aktori kryesor në përpjekjet për një zgjidhje diplomatike. Për Ukrainën dhe Evropën ky zhvillim është një sinjal se duhet të marrin më shumë përgjegjësi për fatin dhe sigurinë e tyre në të ardhmen.
Autori është profesor i Teorisë së Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Gjeopolitikës në Fakultetin e Shkencave Politike në UBT
Op-Ed
Sabedini: Gjithmonë në jetën time profesionale jam përpjekur, që etikën ta kem në plan të parë
Published
4 months agoon
January 17, 2025By
EAd Sul
Prishtinë – Jo rastësisht është thënë se pa etikë nuk ka gazetari. Etika është shpirti dhe detaji që e forcon çdo shkrim, kronikë, analizë apo tekst gazetaror. Nëse e kemi respektuar etikën, ne automatikisht jemi bërë përgjegjës ndaj vetes dhe ndaj lexuesve tanë. Etika e mirë, etika me autoritet në gazetari dhe medias është ilaç për një shoqëri të emancipuar. Jam përpjekur që libri të dalë i kompletuar, duke ofruar shumë nocione, përkufizime, udhëzime, agjenda e opinione nga më të ndryshmet, për dhe rreth etikës në gazetari. Libri do të kishte efekt, nëse nga këto të meta e dobësi, që i kam përshkruar në detaje, të gjejnë zbatim në praktikë dhe në jetën e përditshme nga gjeneratat e reja të gazetarëve profesionistë është shprehur profesori, gazetari e publicisti Musa Sabedini, në parathënien e librit: “Etika, mburojë e gazetarisë profesionale”.
Pjesë të shkëputura nga parathënia e autorit
Libri im i radhës, “Etika, mburojë e gazetarisë profesionale”, po vjen në një kohë kur media kosovare në përgjithësi është e mbuluar dhe e përcjellë me shumë gabime e të meta, që shkojnë në dëm të etikës gazetareske.
Libri, gjithashtu, erdhi si rezultat i punës sime të palodhshme disavjeçare, gjatë së cilës jam përpjekur ta avancoj etikën, në të gjitha dimensionet.
Përvoja ime mbi 33-vjeçare në gazetarinë informative dhe atë hulumtuese, përvoja tjetër mbi 13-vjeçare si themelues i një portali me ndikim dhe po kaq vite si pjesë e Bordit të KMSHK-së, më mundësuan të mësoj shumë për gabimet e përditshme që bëjnë portalet dhe të metat e shumta, që shfaqen gjatë të bërit gazetari online.
Në libër kam shtjelluar e trajtuar rolin e etikës në gazetari, në media, rolin e etikës në jetën e përditshme, në shkrime e tekstet tona, që i plasojmë çdo çast. Etika është thelbi i gazetarisë profesionale, sepse nëse gazetari nuk ka etikë personale, ai do ta ketë të vështirë ta zbatojë etikën kolektive ose të respektuarit të etikës në jetën publike.
Jo rastësisht është thënë se pa etikë nuk ka gazetari. Etika është shpirti dhe detaji që e forcon çdo shkrim, kronikë, analizë apo tekst gazetaror. Nëse e kemi respektuar etikën, ne automatikisht jemi bërë përgjegjës ndaj vetes dhe ndaj lexuesve tanë. Etika e mirë, etika me autoritet në gazetari dhe medias është ilaç për një shoqëri të emancipuar.
Kuptohet etikën nuk duhet ta ruajnë apo ta avancojnë vetëm mediat e gazetarët, sepse ajo duhet të respektohet edhe nga lexuesit, dhe ata që i kemi sy e vesh, për punën tonë të përditshme. Etikën si teori ose etikën në gazetari e kam dashur qysh nga fillet e para të gazetarisë sime. Por kjo më hyri në shpirt kur startova me portalin tim, prej nga kisha mundësi të shihja gabime të shumta nga portalet e tjera, shikoja sesi etika sakatohej, keq e më keq, dhe askush nuk ndërmerrte masa.
Gjithmonë në jetën time profesionale jam përpjekur që etikën ta kem në plan të parë, pa anashkaluar shkrimin e fuqishëm ose hulumtues. Në vitin 2009 isha në SHBA, në një trajnim për gazetari hulumtuese, dhe atje pash se etika ishte tema e parë e çdo profesori që ligjëronte në degën e gazetarisë.
Jam përpjekur që libri të dalë i kompletuar, duke ofruar shumë nocione, përkufizime, udhëzime, agjenda e opinione nga më të ndryshmet, për dhe rreth etikës në gazetari. Kam marrë referenca nga qindra studiues amerikanë, kanadezë, japonezë, turq, gjermanë, austriakë, indianë, kroatë, shqiptarë, studiues e ekspertë të fushave të ndryshme që ndërlidhen me etikën. Pra, në libër kam trajtuar edhe shumë raste e shembuj të shkeljes së etikës dhe kam ofruar edhe raste se si duhet të ruhet etika.
Synim imi gjithmonë është alternativa e kompletuar, duke mos e lënë në qiell atë zotësinë, dijen e përvojën time të gjatë në gazetari. Kam folur me shumë kompetencë, mbi shumë dukuri devijante në gazetarinë online në Kosovë dhe në rajon dhe kam ofruar analiza, rezultate e pasqyra të dobishme për studentët, studiuesit, redaktorët e pronarët e portaleve.
Libri është ndërtuar nga arkiva ime shumëvjeçare, me katër çmime të fituara në fushën e gazetarisë hulumtuese dhe është kurorëzuar me vitet e fundit të jetës sime aktive në Kolegjin UBT, si ligjërues i katër lëndëve të gazetarisë, ku sigurisht që e kam avancuar edhe më shumë gazetarinë e nivelit akademik e studimor, duke marrë pjesë edhe në 12 konferenca me karakter ndërkombëtar.
Libri do të kishte efekt, nëse nga këto të meta e dobësi, që i kam përshkruar në detaje, të gjejnë zbatim në praktikë dhe në jetën e përditshme nga gjeneratat e reja të gazetarëve profesionistë. Unë kam bërë diçka, që deri më tani ka munguar në Kosovë, sepse libër për Etikë të gazetarisë, me përjashtim të përkthimeve, autorë shqiptarë, sa unë kam njohuri, nuk ka, por kjo nuk do të thotë që të mos ecet tutje. Të tjerëve u takon që të shkruajnë e të debatojnë për etikën në televizione, në radio, për etikën në komunikim etj.
Ndryshe libri ka tre kapituj dhe secili prej tyre ngërthen tema, që kryekëput ndërlidhen me Etikën.
Në kapitullin e parë kam trajtuar e ballafaquar teorinë mbi etikën, sferën e etikës, kodet dhe parimet e saj, përkufizimet e etikës, rëndësinë që ka ajo në gazetari, thelbi i etikës, rëndësia e saj, sfidat që bartë me vete, kam shkruar gjerë e gjatë mbi gjuhën e urrejtjes, dezinformimin, privatësinë, shpifjen, lajmet e rreme, për vlerat etike të lajmit, për parimet etike, për raportimin jo etik në mediet e Kosovës, për dëmet ligjore që shkakton etika, për shkeljet etike, për sfidat e gazetarisë etike.
Kurse, në kapitullin e dytë jam marrë me kredibilitetin e gazetarit, për etikën në gazetari e media, për plagjiaturën dhe copy-paste lajmet, kam ofruar shumë shembuj praktikë të portaleve që kanë bërë shkelje të kodeve të etikës, kam ofruar udhëzime e qëndrime të KMSHK-së, KPM-së, si dy mekanizma që merren me vetërregullimin e mediave online dhe atyre televizive, për etikën në foto, video dhe videografi, për sharjet e dhunën banale në televizionet tona, për vdekjet e personaliteteve nga bota, tek të cilët është shkelur etika dhe raste studimore të vdekjeve, edhe të njerëzve të famshëm në Kosovë, që ishin atakuar me shkelje të etikës nga mediat, për ndershmërinë e gazetarit dhe problemet që medie digjitale ka në zbatim të etikës, për avantazhet dhe disavantazhet e kodeve të etikës.
Edhe kapitulli i tretë përbëhet nga materiale interesante, ku kam trajtuar dilemat e etikës, për dëmet që sjell TikTok, për rrjetet sociale e mediat sociale, që përshkruhen me shkelje ekstreme të etikës, për etikën në Bllog dhe bllogerët, për abuzimin gjatë aksidenteve, vrasjeve, vetëvrasjeve, dhunës në familje, për vetërregullimin dhe standardet e medies online, për parimet më të pranuara etike, për konfliktin e interesit dhe kualitetin e portaleve në fushën e etikës etj
Mirënjohës e falënderues shumë miqve të mi, dhe atyre që më qëndruan afër me këshilla, e sugjerime profesionale dhe përkrahje tjera.
Musa Sabedini

Ish-partnerja e Liam Payne, Cheryl, trashëgon pasurinë e tij me vlerë 32.3 milionë dollarë

Ushqimet më të mira kundër fryrjes së stomakut

Kosova me Donjeta Sadikun dhe vëllezërit Bajoku në Kupën Botërore

LDK dorëzon kallëzime penale për anëtarët e Qeverisë në detyrë

Qëndrimi ulur për periudha të gjata rrit rrezikun për sëmundje kronike

Trump habit me veprimin: Punësoi yllin e reality show-t në muzeun e Holokaustit

UEFA vendos për lojtarin më të mirë të ndeshjes

Të mirat dhe “dëmet” nga konsumimi i fasuleve

Policia jep detaje për aksionin në disa lokacione në veri ku u zbulua punishtja e armëve, u arrestuan tre të dyshuar
Të kërkuara
-
Lajmet nga UBT3 months ago
Përgatituni për të udhëhequr politikën e të ardhmes me Fakultetin e Shkencave Politike në UBT
-
Lajmet1 month ago
Studentët e Psikologjisë në UBT zhvilluan një vizitë studimore në qendrën psikologjike “Radix” dhe Asociacionin Kosovar për Psikoterapi Trupore
-
Lajmet nga UBT2 weeks ago
Profesori, Arsim Hajdari, doktoron me temën “New Perspective of Biological Therapy in Treatment of Age-Related Macular Degeneration”
-
Lajmet nga UBT3 months ago
Profesorët Besnik Skenderi, Safet Zejnullahu, Diamanta Skenderi dhe Ferid Selimi publikojnë punimin shkencor mbi AI në arsim