Lajmet
FSK e gatshme për mbrojtjen e vendit, partnerët ndërkombëtarë mbështesin ushtrinë
Maqedonci tha se partneriteti është shumë i rëndësishëm.
Published
2 years agoon
By
UBT newsMinistri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se partneriteti është shumë i rëndësishëm për të ballafaquar sfidat dhe operacionet e sigurisë në interesa të përbashkëta.
Maqedonci ka folur edhe për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, për të cilin tha se sulmi kundrejt Kosovës ka përfunduar pa sukses falë ndërhyrjeve së Policisë së Kosovës dhe koordinimit të mirë me partnerët.
“Duke ju falënderuar Policisë së Kosovës dhe profesionalizmit të jashtëzakonshëm dhe koordinimit të mirë me partnerët, ky sulm flagrant nuk pati sukses, sidoqoftë ne jemi ende të vetëdijshëm se kërcënimi ende ekziston përderisa Serbia ka 48 baza operacionale përgjatë kufirit me Kosovë. Dhe përderisa Serbia vazhdon të ketë qasje homogjeniste drejt fqinjëve të saj me lejoni të theksoj se Kosova nuk do të ketë kërcenim, por ne jemi të përgatitur të jemi miq të gjithëve. Në vitet e fundit Kosova ka bërë arritje të mëdha sa i përket zhvillimit të kapacitetit të sigurisë dhe mbrojtjes. Brenda dy viteve buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FKS-në është rritur për 120 për qind. Po ashtu kemi dyfishuar numrin e personelit ushtarak kemi bërë investime të dyfishta në sistemin e armatimit dhe kemi marr pjesë në ushtrime të përbashkëta multinacionale”, tha Maqedonci.
Ai tha se FSK-ja janë të përcaktuar për të rritur bashkëpunimet me partnerët ndërkombëtarë.
“Republika e Kosovës dhe Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja janë të përcaktuar të rrisin bashkëpunimin me partnerët, me formësimin e shtegut drejt integrimit në institucionet euroatlantike dhe në NATO. Roli i partnerëve nuk është vetëm i rëndësishëm por është fondamental , përkundër kërcënimeve partnerët tonë global dhe regjional dhe sfidat e tjera mbesin d.m.th. të i ndajmë së bashku me partnerët tonë të besueshme të botës demokratike. Bashkëpunimi në mes partnerëve është sot shumë i rëndësishëm për të ballafaquar me sfida të vjetra dhe të reja sa i përket sigurisë, rëndësia e bashkëpunimit tonë arritjen e sukseseve në operacionet e kanë dëshmuar këtë në pjesën veriore të vendit me 24 shtator, d.m.th. grupet terroriste të inkurajuar nga institucionet Serbe janë munduar që të marrin territor dhe të destabilizojnë vendin tonë”, tha Maqedonci.
Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari tha se FSK-ja nuk do te ishte këtu nëse nuk do kishte mbështetjen nga vendet aleatë me trajnime ushtarake.
Jashari tha se së bashku me ministrin e Mbrojtës kanë një bashkëpunim të rregullt dhe sipas tij, rasti i fundit më Banjskë është mesazh që FSK-ja duhet të jetë gjithmonë e gatshme.
“Kërkoj nga ju mbështetje, sepse duke u stërvitur dhe aftësuar së bashku ne rrisim gatishmërinë e vendeve tona ndaj kërcënimeve në rritje të sigurisë. Jam i sigurt që ju si përfaqësues ushtarak jeni të informuar për rastin e sulmit terrorist të 24 shtatorit në veri të Kosovës. FSK së bashku me Ministrinë e Mbrojtjes ka qenë në koordinim të ngushtë me të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë. Rasti i sulmit të fundit si zhvillim i sigurisë në botë, janë të tregues të qartë që FSK duhet të jetë çdo herë e gatshme të kryej misionin e saj Kushtetues dhe ligjor”, theksoi ai.
Ambasadori i Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier tha se janë të gatshëm të mbështesin një forcë shumë etnike ushtarake për Kosovën. Ai tha se ShBA ka dhënë ndihmë mbi 23 milionë FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes.
“Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e përkushtuar për të mbështetur zhvillimin e FSK përmes asistencës dy palëshe ShBA dhe Kosovë. Një ndër prioritetet tona strategjike është që të mbështesim planin 10 vjeçar të FSK-së në force racionale, shumetnike, te veprueshme, e aftë për të kryer mision mbrojtës dhe mbikëqyrje civile, një qëllim aq i rëndësishëm që dua të them se ne kemi mbështetur dhe jemi të gatshme të mbështesim një trasnzicion një forcë profesionale shumë etnike, ndërvepruese me NATO, të aftë për të kryer veprime nën mbikëqyrjen civile i cili është rol i përshtatshëm për një forcë ushtarake dhe shtet demokratik. Gjithashtu gjatë këtij viti 47 oficerë të FSK-së përfituan arsimim, profesional ushtarak në shkollat ushtarak në ShBA krahë për krahë me homologët e tyre amerikanë, dhe ata kanë zhvilluar aftësitë e tyre. Gjithashtu kemi financuar ose së shpejt do të financojmë pesë këshilltarë në fushën e komunikimit të strategjisë inteligjencës dhe sigurisë kibernetike. Këta ekspert janë këtu në ministri dhe ofrojnë praktikat e tyre dhe këshillat e tyre më të mira për të ndihmuar Kosovën për të gjitha këta sektorë” tha Hovenier.
Ambasadori i Gjermanisë, Joern Rohde u shpreh se Gjermania vazhdon të jetë partnere e fuqishme e Kosovës, sepse sipas tij Kosova është një partnere e shkëlqyeshme për transformimin e FSK-së.
“Gjermania është dhe vazhdon të jetë një partnere e fuqishme e Kosovës që nga pavarësia në të gjitha fushat dhe në këtë drejtim mbështesim gjithë procesin e transformimit të FSK-së. FSK është një partnere e shkëlqyeshme për këtë arsyeje më tej do të intensifikojmë bashkëpunimin ndërmjet ministrit të mbrojtjes së Gjermanisë dhe FSK-së” tha Rohde.
Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, theksoi se Turqia do të jetë gjithmonë partnere e Kosovës për të forcuar bashkëpunimin për një të ardhme të ndritshme.
Ai ka falënderuar ekipin e kërkim shpëtimit të Kosovës për ndihmën që u kanë ofruar gjatë tërmetit në Turqi.
“Kjo konferencë tregon përkushtimin e madh tonë për Kosovën , d.m.th. Turqia është shumë e interesuar që të arrihet stabiliteti në të gjithë vendin. Këto lidhje përcaktojnë gjithashtu politika tona të mbrojtjes dhe lidhjen e fortë që e kemi për të forcuar paqen dhe stabilitetin me rajon dhe më gjerë. D.m.th. në këtë lidhje do të falënderoja ekipin e kërkim shpëtimit të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në tërmetin në vendin tonë. Marrëveshjet bashkëpunimin final mes Kosovës dhe Turqisë luajnë një rol të rëndësishëm deri më tani. Turqia 14 milionë dollar ka mbështetur FSK-në dhe përafërsisht çdo ditë marrin pjesë në trajnime që ofrohen nga shteti Turqisë për pjesëtarë të FSK-së. Ata janë trajnuar gjithashtu edhe nga ekipet trajnuese ushtarake edhe në Kosovë dhe 50 anëtarë të pjesëmarrësve të FSK-së kanë marrë trajtim mjekësor në Turqi kjo na ndihmon neve që të forcojmë bashkëpunimin tonë. Turqia gjithmonë do të jetë një partnerë i besueshëm dhe Kosova do të ketë një të ardhme të ndritshme”, shtoi Angili
Zëvendës ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Paul O’Connor theksoi se KFOR-i britanik është i fokusuar përreth kufijve të Kosovës, ai ka vlerësuar edhe punën e policisë dhe gatishmërinë e saj për të ndihmuar popullatën sa i përket sigurisë
“Mbretëria e bashkuar ka partneritet me Kosovën në disa fusha, por në përgjithësi partneriteti i sigurisë pas ndërhyrjes së NATO-së në Kosovë, është shumë i rëndësishëm në identifikimin e këtij partneritet, të cilin e lidhim edhe me ngjarjen e fundit dhe kërkoj nga komandanti i KFOR-it ashtu siç e keni thënë ju se KFOR-i britanik është i përkushtuar përreth vijës kufitare të Kosovës, dëshiroj të ndërlidhem përgjigjen e policisë së Kosovë se në lidhje me rastin e fundit në veri që ka bërë një punë të mrekullueshme dhe po ashtu vigjilencën e Forcës së Sigurisë së Kosovës që të ndihmojë popullatën në këtë drejtim”, tha O’Connor.
lajme
REL:Kush përfiton nga heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës?
Published
3 hours agoon
March 19, 2026By
UBTNews
Masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian ia vendosi Kosovës në qershorin e vitit 2023, u hoqën përfundimisht vetëm në mars të këtij viti, ani pse drita e gjelbër u dha në fund të dhjetorit të vitit 2025. Kosova ka insistuar për kohë të gjatë se masat ishin të padrejta dhe që i kishte plotësuar të gjitha kushtet për heqjen e tyre. Kush saktësisht ua sheh hairin fondeve evropiane për Kosovën?
Pas gati tre vjetëve, Kosovës nuk i rëndon më pesha e masave ndëshkuese që Bashkimi Evropian ia vendosi për shkak të tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.
Lajm edhe më i mirë është se përfituesit më të mëdhenj janë qytetarët e Kosovës, pasi lëshimi i fondeve pritet të ndikojë, mes tjerash, edhe në hapjen e vendeve të reja të punës.
Autoritetet në Kosovë i kanë cilësuar masat vazhdimisht si të padrejta, pasi deklaronin me bindje se i kishin plotësuar kohë më parë kërkesat e BE-së për heqjen e tyre: uljen e tensioneve dhe zvogëlimin e pranisë policore afër objekteve të katër komunave në veri të Kosovës.
Masat patën kosto të konsiderueshme financiare për Kosovën, pasi u pezulluan apo u shtynë projekte të ndryshme në kuadër të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA II dhe III), si dhe Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Përfitimet kryesore
Njomza Arifi, drejtoreshë ekzekutive në Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) se në dhjetor të vitit 2025 u liruan 216 milionë euro që lidheshin kryesisht me arsimin, sikurse është skema e bursave Young Cell dhe projekte infrastrukturore e mjedisore.
Young Cell ofron bursa për të rinjtë që dëshirojnë të studiojnë në vendet evropiane. Këtë muaj, kjo skemë përmbylli aplikimin për 37 bursa të plota pasuniversitare. BE-ja i ka ndarë 3 milionë euro, ndërsa Kosova 1 milion shtesë.
Te projektet infrastrukturore përfshihet ndarja e 12 milionë eurove për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në termocentralin Kosovën B, mbështetja për ngrohjen qendrore me 17.6 milionë euro si dhe projekte të tjera.
“Pjesa e mbetur prej 205 milionë eurosh që u lirua këto ditë përfshin kryesisht fonde të IPA-s dhe të WBIF-it dhe do të programohen për të mbështetur reforma të ndryshme që ndërlidhen kryesisht me fushat thelbësore siç janë sundimi i ligjit, qeverisja e mirë, zhvillimi ekonomik, dhe arsimi”, thotë Arifi për REL-in.
Për Rrona Zhurin, koordinatore e hulumtimeve në Institutin për Studime të Avancuara – GAP, heqja e masave mundëson rikthimin e normalitetit në raportet me BE-në.
“Lirimi i fondeve pritet të ketë një ndikim të gjerë pozitiv në disa dimensione të zhvillimit. Në aspektin ekonomik dhe të punësimit, rifillimi i projekteve kapitale dhe investimeve pritet të gjenerojë vende të reja pune dhe të rrisë aktivitetin ekonomik në vend. Njëkohësisht, në fushën e shërbimeve publike, sektorë si energjia, mjedisi dhe infrastruktura do të përfitojnë drejtpërdrejt, duke kontribuar në përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët”, thotë Zhuri.
Sipas saj, ndikimi i lirimit të fondeve shtrihet edhe në reformat strukturore, pasi fondet e Bashkimit Evropian zakonisht lidhen me kushte të caktuara reformash, duke nxitur përparim në fusha të rëndësishme sikurse sundimi i ligjit, administrata publike dhe zhvillimi i qëndrueshëm.
E, Arifi beson se pikërisht këto reforma e përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve.
“Prandaj përfitues të këtyre fondeve natyrisht që janë qytetarët e Kosovës, në përgjithësi. Si të tilla, ndihmojnë vendin për të shënuar progres në rrugën evropiane, duke mbështetur procese reformuese që ndërlidhen ngushtë me parakushtet për anëtarësim në BE”, thotë ajo.
Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që nuk e gëzon statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Aplikimi që ka bërë vendi më 2022, nuk është shqyrtuar ende nga institucionet e bllokut evropian.
Pasojat e masave
Përveç bllokimit të fondeve, masat e prekën edhe aspektin politik, meqë pati kufizime të takimeve dypalëshe të nivelit të lartë dhe në nivelin e nënkomiteteve të lidhura me Marrëveshjen e Stabilizim – Asocimit, marrëveshjen e parë kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së.
Megjithatë, Brukseli ka sinjalizuar se synon riangazhim të plotë me autoritetet në Kosovë.
Arifi beson se kështu do të krijohet momentum i ri në dialogun e ndërsjellë me BE-në, pasi masat patën “ndikim negativ në kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës”.
Edhe Rrona Zhuri beson se masat i humbën shumë mundësi Kosovës.
“Çdo vonesë apo pezullim i projekteve nënkupton shtyrje apo humbje e mundësive për zhvillim, përmirësim të mirëqenies së qytetarëve, forcim institucional dhe vonesë në procesin e integrimit evropian”.
Sipas një hulumtimi të GAP-it të vitit 2025, masat financiare rezultuan me 613.4 milionë euro projekte të pezulluara apo të shtyra, dhe sektori më i goditur ishte ai i mjedisit me 350 milionë euro.
Sipas njohëseve të këtyre çështjeve, realiteti i ri duhet të shërbejë si shtysë për përparim në fusha që lidhen me integrimin evropian.
“Mbetet shumë e rëndësishme që Kosova ta shfrytëzojë këtë moment pozitiv për t’i përshpejtuar proceset integruese, duke shmangur bllokimet e mëtutjeshme nga krizat e brendshme politike”, porosit mes tjerash Njomza Arifi. /REL/
Lajmet
Sllovakia shpall listën kundër Kosovës: Skriniar e Lobotka në dyshim
Published
4 hours agoon
March 19, 2026By
UBTNews
Përzgjedhësi i Sllovakisë, Francesco Calzona, ka publikuar këtë të enjte listën e lojtarëve për ndeshjen vendimtare kundër Kosovës, e cila do të luhet më 26 mars në Bratislavë.
Kjo përballje është gjysmëfinalja e plejofit kualifikues për Kupën e Botës 2026, ku sllovakët kanë përfshirë dy yjet kryesorë, Milan Skriniar dhe Stanislav Lobotka, pavarësisht problemeve të tyre fizike.
Kapiteni Skriniar nuk ka luajtur fare që nga lëndimi me Fenerbahçen më 19 shkurt në Ligën e Evropës, por stafi teknik po shpreson në rikuperimin e tij të shpejtë për sfidën ndaj “Dardanëve”.
Krahas tij, në dyshim mbetet edhe gjendja e mesfushorit me përvojë, Stanislav Lobotka, duke krijuar pasiguri në formacionin e Calzonës para këtij takimi jetik që do të zhvillohet në Stadiumin Nacional.

lajme
Kamberi: Provokimet e Serbisë në Bujanoc rrezikojnë sigurinë, NATO të ndërhyjë
Published
4 hours agoon
March 19, 2026By
UBTNews
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka ngritur alarmin për rritjen e tensioneve në Luginën e Preshevës, duke deklaruar se stërvitjet e fundit ushtarake të Serbisë në territorin e Komunës së Bujanocit, pranë kufirit me Republikën e Kosovës, përbëjnë një kërcënim serioz për mjedisin e sigurisë në rajon.
Sipas Kamberit, këto aktivitete që përfshijnë kapacitete ajrore dhe zhvillohen afër zonave të banuara, ndikojnë negativisht në perceptimin e sigurisë te komuniteti shqiptar dhe ulin besimin ndërmjet aktorëve lokalë, duke u interpretuar si faktorë që nxisin destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.
Ai ka theksuar se përballë provokimeve të vazhdueshme të regjimit të Vuçiqit ndaj Kosovës dhe shqiptarëve të Luginës, është bërë i domosdoshëm reagimi i bashkësisë ndërkombëtare për të inkurajuar transparencën dhe për të shmangur veprimet provokuese që shkelin normat ndërkombëtare.
“Duke marrë parasysh rëndësinë e stabilitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor, mbetet thelbësore që të veprohet me përmbajtje dhe në përputhje me parimet e sigurisë bashkëpunuese. Në këtë drejtim, roli i bashkësisë ndërkombëtare është kyç për të inkurajuar dialogun konstruktiv, transparencën dhe shmangien e veprimeve që mund të perceptohen si provokuese”, shkruan Kamberi
Në këtë kuadër, Kamberi ka bërë thirrje urgjente për shtimin e forcave të KFOR-it si një masë të rëndësisë primare për ruajtjen e paqes, duke i kërkuar NATO-s që të rishikojë vendimin për Zonën Toksore të Sigurisë me qëllim parandalimin e krizave të mundshme dhe garantimin e një mjedisi të qëndrueshëm e të parashikueshëm në këtë pjesë delikate të rajonit.
Lidhur me këtë situatë, sot ka reaguar edhe Kryeministri i Kosovës, i cili gjatë mbledhjes së Qeverisë i dënoi fluturimet e helikopterëve dhe lëvizjet e parashutistëve mbi zonat e banuara me shqiptarë si një shfaqje të rrezikshme agresioni.
Kreu i ekzekutivit bëri një lidhje të drejtpërdrejtë mes këtyre njësive ushtarake dhe sulmit terrorist në Banjskë, duke theksuar se Beogradi po përdor armatimin rus e kinez për të shantazhuar stabilitetin e Ballkanit Perëndimor në interes të aleatëve si Rusia dhe Irani. Pavarësisht kësaj trysnie, Kryeministri u bëri thirrje shqiptarëve në Luginë që të mos bien pre e provokimeve, duke vlerësuar se këto veprime vijnë nga dëshpërimi i Serbisë pas dështimit të strukturave të saj ilegale brenda territorit të Kosovës.
Lajmet
Bëhu lider në sektorin e energjisë: Studime me standarde ndërkombëtare në UBT
Published
5 hours agoon
March 19, 2026By
UBTNews
Programi Bachelor në Inxhinieri të Energjisë në UBT është hartuar si një rrugëtim profesional për të gjithë ata që synojnë një karrierë të sigurt dhe me ndikim në industrinë e të ardhmes.
Ky drejtim fokusohet në përgatitjen e ekspertëve të rinj që do të merren me prodhimin, shpërndarjen dhe përdorimin efikas të energjisë, duke kombinuar metodat tradicionale me ato moderne dhe miqësore me mjedisin.
Nevoja për inxhinierë të rinj në Kosovë është mjaft e lartë, sidomos kur merret parasysh se në institucionet tona si KEK-u, mosha mesatare e punonjësve është rreth 60 vjeç. Kjo tregon se tregu i punës ka një kërkesë të madhe për kuadro të reja që zotërojnë njohuri kreative dhe teknike për të zgjidhur sfidat e sotme të sistemit energjetik.
Gjatë tri viteve të studimit, studentët fitojnë njohuri të plota që nga bazat e fizikës dhe matematikës e deri te teknologjitë më të avancuara si energjia solare, ajo e erës dhe sistemet e ruajtjes së energjisë përmes baterive.
Ky program është i harmonizuar plotësisht me Strategjinë e Energjisë së Kosovës 2022-2031, e cila parasheh investime të mëdha në burime të rinovueshme dhe në rrjete inteligjente të njohura si “Smart Grid”. Kjo u mundëson të diplomuarve që të jenë të gatshëm për t’u përfshirë në projekte të rëndësishme, qofshin ato shtetërore apo private, duke menaxhuar sisteme komplekse dhe duke kontribuar drejtpërdrejt në mbrojtjen e mjedisit.
Si një risi e rëndësishme për këtë vit, të gjithë studentët që bëhen pjesë e këtij programi do të kenë mundësi të përfitojnë një bursë prej 20% për të tri vitet e studimeve.
Ky është një lehtësim i konsiderueshëm që u mundëson studentëve të përkushtohen maksimalisht në ngritjen e tyre profesionale. Në përfundim të studimeve, ata do të jenë të aftë të projektojnë sisteme energjetike, të analizojnë faktorët ekonomikë dhe të udhëheqin ekipe multidisiplinare.
Ky program në UBT mbetet një pikë referimi për krijimin e liderëve të nesërm në njërin prej sektorëve më strategjikë të vendit dhe rajonit.
REL:Kush përfiton nga heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës?
Sllovakia shpall listën kundër Kosovës: Skriniar e Lobotka në dyshim
Kamberi: Provokimet e Serbisë në Bujanoc rrezikojnë sigurinë, NATO të ndërhyjë
Evropa dhe Japonia në lëvizje për të ndalur shtrenjtimin e rrymës dhe naftës
Bëhu lider në sektorin e energjisë: Studime me standarde ndërkombëtare në UBT
Këto janë vendimet që u morën sot në mbledhjen e Qeverisë
Qeveria dënon provokimet ushtarake të Serbisë pranë kufirit me Kosovën
Goditen objektet e gazit në Katar dhe Iran, fluturojnë çmimet në Evropë dhe Britani
Shqipëria renditet e 9-ta në botë për sigurinë kibernetike sipas NCSI 2026
Të kërkuara
-
Lajmet3 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor në revistën prestigjioze ndërkombëtare të indeksuar në Scopus (Q1)
-
Lajmet1 month agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet2 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
-
Lajmet2 months agoStudentët e UBT-së në vizitë studimore në Presidencën e Republikës së Kosovës
