Finalja e Kupës së Kosovës në futsall dhuroi spektakël të vërtetë në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet, ku FC Prishtina 01 doli fituese ndaj FC Vjosa me rezultat 5:4, pas vazhdimeve. Në një atmosferë elektrizuese në një palestër po thuajse të stërmbushur me tifozë, të dyja skuadrat ofruan një prej ndeshjeve më emocionuese të këtij edicioni.

Pjesa e parë përfundoi në barazim, 2:2. Për Prishtinën 01 dy herë realizoi Drilon Maxharraj, ndërsa për Vjosën shënuan Jetmir Gashi dhe Jesus Rivas.
Në pjesën e dytë, Halim Selmanaj dhe Ramadan Alaj i dhanë epërsinë Prishtinës me rezultat 4:2, por Vjosa reagoi fuqishëm. Fillimisht, Jesus Vidal ngushtoi rezultatin në 4:3, ndërsa në sekondat e fundit një autogol i Melos Kelmendit barazoi gjithçka në 4:4, duke çuar ndeshjen në vazhdime.
Në vazhdimet dy herë nga 5 minuta, Fitim Krasniqi shënoi golin vendimtar për 5:4, duke i siguruar FC Prishtina 01 trofeun e çmuar të Kupës së Kosovës në futsall. Ky është trofeu i katërt për këtë skuadër në këtë garë dhe i treti radhazi.
Spektakli i mbrëmjes u zbeh kur kishin mbetur 25 sekonda deri në fund të vazhdimeve, kur skuadra e Vjosës refuzoi ta vazhdojë lojën në shenjë pakënaqësie ndaj një vendimi të gjyqtarëve. Kjo shkaktoi reagime edhe nga tifozët e shumtë të Vjosës, të cilët hodhën gjësende në parket. Gjyqtarët pritën për pesë minuta rikthimin e ekipit në fushë, por kjo nuk ndodhi, dhe më pas dhanë shenjë për përfundimin e ndeshjes.