Lajmet

Foshnja ribashkohet me të ëmën 54 ditë pas tërmetit në Turqi

Autoritetet mjekësore që u kujdesën për të ia vunë emrin Gizem (mister).

Published

on

Një foshnje në Turqi, që kaloi 128 orë nën rrënoja si pasojë e një tërmeti të fuqishëm që goditi shtetin gjatë muajit shkurt – u ribashkua me të ëmën, e cila më parë u shpall e vdekur, konfirmuan autoritetet turke.

Foshnja Vetin Begdas, tri muajshe e gjysmë u ribashkua me të ëmën Yasemin Begdas të shtunën, 54 ditë pasi u shpëtua nga rrënojat e një ndërtese të dëmtuar në provincën e Hatay-t, raportoi Anadolu Agency. Autoritetet mjekësore që u kujdesën për të ia vunë emrin Gizem (mister).

Siç raportoi Anadolu, babai dhe dy vëllezërit e foshnjës vdiqën si pasojë e tërmetit. Ky tërmet la të vdekur mbi 50 mijë njerëz./UBTNews/

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 24 qershor 1993-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 Foto: Gjatë majit 1998, në Kosovë janë vrarë së paku 125 shqiptarë

 24 qershor 1993

Valë e re e dhunës ndaj shqiptarëve në Klinë

Një ekspeditë e madhe e policisë serbe e përbërë prej afro 70 vetash dhe me shumë mjete transportuese, rrethoi sot herët në mëngjes fshatin Kërnicë të Klinës. Nën pretekst të gjoja kërkimit të diverzantëve shqiptarë, u bastisën disa shtëpi të lagjes së Bojajve. Njoftohet për sjellje të egra të policisë serbe. Në prani të familjeve të tyre janë rrahur Florim, Bedri, Ejup, Jakup, Naser dhe Shkëndin Bojaj, ndërsa u arrestuan: Murtez, Ujkan, Halim, Elez, Përparim, Afrim, Bedri, Naser, Zeqë, Jakup dhe Ferat Bojaj.

Merret vesh se policia gjatë këtyre bastisjeve gjeti një pushkë gjuetie me leje, pronë e Ferat Bojajt.

Siç njofton Dega e LDK-së në Klinë, disa të arrestuar, ndërkohë u liruan, por u urdhëruan që të lajmërohen sërish në stacionin e policisë për të dhënë informacione, për gjoja një grup të diverzantëve shqiptarë, i cili, sipas akuzave të policisë, paska qëndruar më parë në këtë fshat.

Ndërsa dje, një patrullë e policisë serbe, bastisi familjen e Musa Racit në fshatin Jellovc. I trimëruar nga prania e policisë, një fshatar serb i këtij fshati, shkoi me sopatë dhe iu kërcënua familjes shqiptare se do t’i shfaroste të gjithë, pasi, siç ka thënë ai, “serbëve u ka ardhur dita”!

Ekspeditat e policisë serbe ndaj familjeve shqiptare dhe aktivistëve të partive politike shqiptare në Klinë, ka marrë ditëve të fundit përmasa të gjëra. Më 21 qershor, policia serbe rrahu brutalisht shumicën e anëtarëve të Kryesisë së Degës së LDK-së në Klinë.

 

24 qershor 1994

Të burgosurit rrëfejnë për torturat e hetuesve serbë

Dje, ditën e katërt të procesit të montuar politik kundër 14 shqiptarëve në Prishtinë, vazhdoi me dhënien e deklaratave të Halit S.Ramës, Xhelil S.Ramës, Salih Çitakut, Bilall Sylës dhe Heset Sahitit.

Publiku në gjykatore, për pesë orë sa zgjati seanca, u rrëqeth nga rrëfimet e këtyre të akuzuarve.

Halit S.Rama, duke folur për torturat që i janë bërë nga policët serbë, tha: “Jam invalid i kategorisë së parë. Vuaj nga shumë sëmundje. Inspektorët i kam lutur që të os më qëllojnë me kërbaç elektrik, ngase jam bëë operacion nga krodhat e zërit, por ata nuk deshën të dëgjojnë, megjithkëtë pikërisht në fyt më qëlluan me këtë kërbaç…”.

Pos metodave të tjera të dhunës që u aplikuan, Haliti tërhoqi vëmendjen se si inspektorët e kanë detyruar të shikojë dritën e fortë, të qëndrojë pjerrtas, mbështetur për muri, në një dhe dy gishta të dorës. Më janë kërcënuar ata, thotë ky i akuzuar, se duhet të pranoj gjithçka, patjetër, se nëse nuk e bëj këtë do të më përplasin për dërrase me gozhda, se do të më likuidojnë. Bile, vuri në pah ai, njëri i është paraqitur se është nga OZN-a, duke m’u kërcënuar.

Xhelil M.Rama tha se e kanë arrestuar më 16 shtator të vitit të kaluar në dyqanin e tij në Prishtinë. Dy ditë rresht, ditën e natën, më kanë torturuar duke më qëlluar në pjesë të ndryshme të trupit me kërbaç, shapulla, grushta. Nja dy herë i ka rënë të fiktë. Inspektorët iu kërcënuan këtij të akuzuzari në stilin: “Do të të vrasim si qenin, do të të hedhim në pleh, po të kesh edhe brirët e bizonit afrikan; nëse nuk do të pranosh, nuk do të shpëtosh…”. Dhe, si rrjedhojë e kësaj ata e detyruan të nënshkruajë një deklaratë me të pavërteta se gjoja e ka pranuar veprën penale për të cilën ngarkohej. Po kështu, ky i akuzuar ndër të tjera tha se nuk ka kurrfarë lidhje jo vetëm me të akuzuarit, por as që ka kryer veprimet inkriminuese që i vihen në barrë. Unë,vazhdoi Xhelili, jam invalid i kategorisë së parë, jam i sëmurë, vuaj edhe nga asma e reuma.

Rrëfim prekës ishte edhe ai i Sali Çitaku, i cili siç tha, me çështje të arsimit u mor jo më pak se 33 vjet. Ky i akuzuar, që foli mbi një orë, tregoi se e kanë arrestuar më 13 tetor të vitit të kaluar. Inspektorët e kanë detyruar të qëndrojë ulur, pa fjetur, mbi 24 orë duke e sjellë pastaj para gjyqtarit hetues në gjendje të halucinacionit. Në zyrën e gjykatësit hetues, tha ai, isha plotësisht i humbur, nuk e dija se ku është dera e ku dritarja… Një pjesë të mbrojtjes së tij Salihu ia kushtoi detyrës së tij si këshilltar pedagogjik i angazhuar për lëndën mësimore mbrojtja popullore, siç tha ai, i vetmi kompetent për këtë çështje në ish-KSAK.

I riu Bilall Syla foli për farsën e këtij procesi. Tha se nuk është rastësi e atyre që e kurdisën këtë proces, meqë si të akuzuar na paraqitën ata që kanë punuar në organet komunale dhe në ato të ish-KSAK, në detyrën e kryeshefit, komandantit të MP e VSH dhe të mbrojtjes territoriale dhe të veprimtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Teza e aktakuzës jo vetëm që paraqet këtë tendencë, por si e tillë pretendon të shpifë se gjoja është formuar ministria e mbrojtjes e Republikës së Kosovës dhe shtabi ushtarak i ushtrisë së kësaj Republike. Po kështu, orvatja për t’u kriminalizuar edhe LDK-ja, si parti politike më masivja në Kosovë, e cila, siç dihet ka prestigj të madh në botë (Heset Salihu, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK të Lipjanit).

Në reagimin e kryetarit të trupit gjykues se përse ky apo ai i akuzuar ka deklaruar ndryshe në procedurën e hetuesisë, përgjigjet ishin të shkurtra: “Kështu na kanë detyruar të themi inspektorët e sigurimit, të cilët, madje, na janë kërcënuar se do të na likuidojnë”…

Bilall Syla mbrojtjen e tij e përqëndroi më tepër rreth disa bisedave që pati me disa të rinj, aktivistë të LDK-së, me të cilët ka biseduar për aktualitetin kosovar. Gabimisht në hetuesi, tërhoqi vërejtjen, e ka përmendur emrin e Agim Krasniqit, të akuzuarin e pestë me radhë sipas aktakuzës, dhe insistoi që kjo vërejtje të hyjë në procesverbal gjyqësor. Bilalli tha se me Shemsi Veselin nga Prishtina (ish-i burgosur politik, tash i dënuar më 24 shkurt të këtij viti me 5 vjet burg, ndërsa vëllai i Shemsiut, Sejdi Veseli, po kështu idënuar për “veprimtari armiqësore” para dy vjetësh në Pejë, këto ditë doli nga burgu) është shoqëruar, por me të nuk ka biseduar për gjoja formimin e njësive paramilitare. Edhe ky i akuzuar vuri në pah se nuk e njeh asnjërin nga të akuzuarit në këtë proces.

Heset Salihu tregoi se ndaj tij e kanë përdorur elektroshokun dhe e kanë qëlluar me çka kanë pasur në dorë. Unë, si aktivist i LDK-së, kam mbledhur të dhëna nga komuna e Lipjanit për represionin serb, kam përcjellë lëvizjet e forcave ushtarake e policore serbe. Kam mbledhur të dhëna përkitzai me bastisjet e familjeve shqiptare etj. “Përse e keni bërë këtë”, pyeti kryetari i trupit gjykues. Përgjigja ishte e shkurtër: “Veprova sipas iniciativës sime…”.

Gjykimi vazhdon sot me marrjen në pyetje të Adem Salihajt, Sylejman Haanit dhe Ismail Mehmetit, njofton gazeta “Bujku”.

 

24 qershor 1995

Në Bresalc të Gjilanit – në mungesë të burrave policia mori peng gratë

Arrestimet, rrahjet dhe keqtrajtimet e policisë serbe kundër banorëve shqiptarë në Bresalc të Gjilanit, nën pretekst të kërkimit të armëve, po merr përmasa gjithnjë e më shqetësuese, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në GJilan.

Pas keqtrajtimit të rëndë fizik të Hasan Sylës 65 vjeçar, policia serbe po i merr peng gratë në mungesë të bashkëshortëve të tyre.

Kështu më 21 qershor, policia mori Ramize Abazin (1946), pasi që bashkëshorti i saj Rifat Abazi, punon përkohësisht në botën e jashtme. Ajo u mbajt disa orë në polici dhe u pyet se “ku i ka fshehur armët burri i saj”. Me të njëjtin pretekst, rreth tri orë, ajo u mbajt në polici edhe të nesërmen.

Policia mori peng edhe Fatime Mujin (1965), bashkëshorten e Faik Mujit, i cili punon përkohësisht në Zvicër. Dy herë në polici u mor edhe Tefik Muji, vëllau i Faikut.

Të njëjtën ditë policia, për herë të tretë, kërkoi në shtëpinë e tij edhe Latif Abazin (1962), i cili nuk gjendje në shtëpi.

Më 22 qershor, në orët e hershme të mëngjesit, inspektorët e sigurimit serb arrestuan Jashar Sylën (1959), në mungesë të vëllait të tij Arsim Sylës, i cili nuk gjendej në shtëpi. Jashar Syla u dërgua në stacionin e policisë dhe u keqtrajtua rëndë, me ç’rast mori lëndime të rënda trupore.

Po këtë ditë, inspektorët e sigurimit serb ua lanë thirrjen edhe Fatmir Sylës (1974) dhe Nijazi Sylës (1974), që të paraqiten në polici.

Bëhet me dije se lëvizjet e policisë serbe në këtë fshat janë çdo ditë të pranishme.

 

24 qershor 1997

Në varrezat e Prishtinës dje u varrosën dy kufoma të paidentifikuara!

Dje rreth orës 14, në varrezat e vjetra të Prishtinës u varrosën në varre të veçanta dy persona të paidentifikuar. Kufomat e tyre i solli policia dhe urdhëroi varrmihësit që t’i varrosin.

Në bazë të dëshmive, njëra kufomë ishte pa një këmbë. Varrimi i tyre u bë në mënyrë të parregullt dhe pa praninë e askujt tjetër, pos varrmihësve, njofton Shërbimi për Informim i KMDLNj-së.

 

24 qershor 1998

KMDLNJ: Gjatë majit janë vrarë së paku 125 shqiptarë

 

Operacionet luftarake të forcave ushtarake, policore e paramilitare serbe, që kanë përfshirë një të tretën e territorit të Kosovës që nga fillimi i muajit shkurt të këtij viti, kanë marrë jetën e mbi 300 shqiptarëve, shumica prej të cilëve gra, pleq e fëmijë, plagosjen e qindra të tjerëve, zhdukjen e mbi 200 vetave, mbajtjen peng të mbi 400 vetave, arrestimin e mbi 150 të tjerëve, largimin nga shtëpitë të së paku 100 mijë shqiptarëve, nga të cilët mbi 30 mijë jashtë Kosovës, theksohet në fillim të raportit për muajin maj të këtij viti të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) në Prishtinë.

Më tej në raportin e KMDLNJ-së theksohet se forcat serbe me armë të rënda artilerike, por edhe me aviacion kanë bërë granatimin e rreth 100 fshatrave shqiptare dhe shkatërrimin e plotë e të pjesërishëm të mbi 5 mijë objekteve të banimit dhe të atyre afariste. Edhe gjatë majit, krahas vrasjeve, masakrave, ekzekutimeve pa gjyq, bombardimeve të fshatrave e shtëpive, djegieve e shkatërrimeve të vendbanimeve deri në themel, forcat e serbe, si policia, ushtria dhe paramilitarët kanë kidnapuar, arrestuar, bastisur, keqtrajtuar e plaçkitur me qindra qytetarë shqiptarë pa dallim moshe e gjinie. Me qindra shqiptarë janë keqtrajtuar brutalisht në rrugë, në shtëpi apo në vende të tjera, ndërsa në postblloqet e policisë serbe të vendosura në pjesë të ndryshme të rrugëve të Kosovës, janë ndaluar dhe janë keqtrajtuar brutalisht me qindra shqiptarë, ndërsa dhjetëra të tjerë pas keqtrajtimeve fizike janë dërguar në drejtime të panjohura. Gjatë kësaj periudhe, në shënjestër të policisë serbe kanë qenë edhe aktivistët politikë e humanitarë, ndër të cilët dhjetëra të keqtrajtuar nga policia serbe. Kështu në Gjakovë disa herë është arrestuar Besa Arllati, kryetare e Komisionit për Informim të Degës së LDK-së, dr. Fehmi Vula, mjek dhe anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së, Mevlude Saraçi, kryetare e Këshillit të Emergjencës, Jahë Sadria, gazetar i Rilindjes dhe dhjetëra persona të tjerë. Ndaj disa të arrestuarve edhe është ngritur procedura për vazhdimin e hetimeve, madje dr. Vula nga gjykata e instaluar serbe akuzohet se kinse është njëri nga udhëheqësit e UÇK-së për atë rajon. Gjatë kësaj periudhe, policia serbe arrestoi edhe një mjek shqiptar së bashku me pacientin e tij, i cili ishte plagosur me snajper nga policia serbe dhe e akuzoi atë për ndihmë “terroristëve”.

Lidhur me ngritjen e procedurave hetimore kundër shqiptarëve të arrestuar, në raportin e KMDLNJ-së theksohet se gjykatat e instaluara serbe në Pejë, Prizren, Mitrovicë, Prishtinë e Nish, kanë ngritur procedurë hetimore kundër disa shqiptarëve, me akuzën se kinse janë pjesëtarë të UÇK-së, ose bashkëpunëtorë të tyre. Edhe gjatë kësaj periudhe, ka vazhduar kidnapimi i shqiptarëve nga ana e policisë dhe e civilëve të armatosur serbë. Që nga fillimi i operacioneve luftarake në Kosovë, nga këto forca janë kidnapuar mbi 150 persona, ndërsa vetëm gjatë muajit maj të këtij viti, KMLDNJ ka arritur të regjistrojë 24 raste të tilla. Për shumicën e të kidnapuarve të afërmit e tyre nuk dinë asgjë, madje as organizatat humanitare.

Lidhur me ekzekutimet pa gjyq të forcave serbe kundër shqiptarëve, në raportin e KMDLNJ-së theksohet se ofensiva ushtarake e policore serbe e filluar më 25 maj të këtij viti kundër fshatrave të Deçanit dhe të Pejës, pati për pasojë ekzekutimin pa gjyq të 7 anëtarëve të familjes Hamzaj në Lybeniq të Pejës, të një anëtari të familjes Gogaj-Cacaj dhe një të familjes Delimetaj. Lidhur me këtë rast, në deklaratën e dhënë të një familjari shqiptar NKMDLNJ në Deçan, theksohet: “Në orën 12:30, pas disa të shtënave kemi parë ardhjen e ushtrisë dhe të policisë serbe nga Peja në drejtim të Deçanit. Forcat serbe hynë në fshatin Lubeniq dhe filluan të rrahin gra, fëmijë, pleq e të rritur. Më pas forcat serbe kanë hyrë në shtëpinë e Shaban Huskut, në të cilën ishin të strehuar 10 qytetarë nga Deçani. Forcat serbe i kanë urdhëruar gratë dhe fëmijët që të mbështeten për muri, sigurisht për t’i vrarë të gjithë, derisa ne nga një kënd shihnim se çfarë po bënte ushtria me ta. Kanë ardhur te ne, na kanë marrë dhe na kanë nxjerrë në oborr. Na kanë rreshtuar dhe mbështetur për muri dhe kanë shtënë me automatikë në drejtimin tonë. I vrarë në vend ka mbetur vëllau im Haxhi M. Goga (24), ndërsa unë jam plagosur. I plagosur, kam arritur të tërhiqem në drejtim të vendit të quajtur “Zagërllë” ku kam parë shumë të vrarë. Te shtëpia e Ramë Huskajt kam parë të vrarë Zeqë Misinin dhe dy bijt e tij. Meqë isha i plagosur u ktheva në shtëpi te vëllai im i vrarë. Më pas kam humbur vetëdijen dhe nuk di ç’ka ndodhur më vonë”. Po theksoj edhe një herë; kam parë dhjetëra të vrarë e të plagosur, që kanë mbetur fushave të fshatit, dhjetëra shtëpi të djegura e të rrënuara, derisa fshatrat tona po shndërrohen në gërmadha”, përfundon deklaratën e tij njëri nga dëshmitarët e masakrës së forcave serbe në Lybeniq.

Ndërkaq, lidhur me masakrën tjetër të forcave serbe ndaj popullatës shqiptare që ndodhi më 31 maj të këtij viti në fshatin Poklek i Ri të Gllogocit, theksohet se “rreth orës 13:30, pas një incidenti që kishte ndodhur në afërsi të fshatit Poklek i Ri, forcat serbe ndërmorën një sulm kundër banorëve vendës dhe mizorisht i masakruan Ardian H. Deliun (18), Ahmet Berishën (40), Sefer Qorrin (55), Sahit Qorrin (55), Hajriz Hajdinin (45), Fidaim N. Berishën (1981), Muhamet Hajdinin (rreth 50 vjeç), si dhe Blerim Shishanin dhe 3 shqiptarë të tjerë të paidentifikuar. Përveq Ardianit, i cili u gjet në afërsi të shtëpisë së tij, trupat e të tjerëve janë parë duke u ngarkuar në një kamion policie dhe që nga kjo ditë, nuk dihet asgjë për fatin e tyre. Familjarët e tyre dyshojnë se shqiptarët e masakruar, policia i ka djegur trupat e tyre. Një banor vendës, dëshmitar i ngjarjes dhe vëlla i njërit nga të masakruarit, i ka deklaruar NKMDLNJ-së në Gllogoc se në vendin e krimit ka parë njolla gjaku dhe organe vitale të të masakruarve, të cilat më vonë janë hequr nga ana e policisë. Ekzekutime të këtilla forcat serbe kanë bërë në shumicën e vendeve të sulmuara të Kosovës, si në fshatrat e Klinës, Gjakovës, Skënderajit, Deçanit, etj.

Sipas informacioneve që disponon KMDLNJ, theksohet se gjatë kësaj periudhe të agresionit serb, së paku 100 mijë shqiptarë i kanë braktisur shtëpitë e tyre nga dhuna dhe terrori serb, ndërsa sipas informatave të paverifikuara plotësisht, nga operacionet e forcave serbe, përkatësisht nga përdorimi i aviacionit dhe artilerisë së rëndë, janë rrënuar fshatra të tëra shqiptare si të mos ishin kurrë. Në rrënojat e këtyre fshatrave dyshohet të ketë më shumë viktima si në palën shqiptare ashtu edhe në atë serbe. Deri tash KMDLNJ ka arritur ta përpilojë një listë me mbi 300 të vrarë që nga 1 janari i këtij viti, ndërsa vetëm gjatë muajit maj, sipas shënimeve me të cilat disponon KMDLNJ, janë vrarë mbi 100 vetë. Nga e gjithë kjo makineri lufte, me qindra-mijëra persona janë detyruar të largohen nga vatrat e krizës dhe nga fshatrat, të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në shënjestër të sulmeve serbe. Që nga fillimi i këtyre operacioneve, përkatësisht nga shkurti i këtij viti, numri i të larguarve nga shtëpitë e tyre kapë shifrën në rreth 100 mijë vets, ne mesin e të cilëve edhe një numër i vogël serbësh e malazezësh, të cilët nuk kanë pranuar të luftojnë kundër shqiptarëve.

Gjatë kësaj periudhe, llogaritet se në Shqipëri janë vendosur rreth 20 mijë refugjatë, në Mal të Zi mbi 10 mijë e po aq llogaritet të kenë ikur edhe në ish-rebublikën jugosllave të Maqedonisë, derisa një pjesë tjetër është vendosur në zona paksa më të sigurta brenda Kosovës.

Lidhur me furnizimin me ndihma të popullatës shqiptare në Kosovë, në raportin e KMDLNJ-së theksohet se “si pasojë e operacioneve të drejtpërdrejta luftarake të forcave serbe në një të tretën e territorit të Kosovës dhe si pasojë e bllokimit nga ana e këtyre forcave të rrugëve që shpiejnë në drejtim të këtyre zonave është bërë i pamundur furnizimi me artikuj themelorë ushqimorë dhe me medikamente për popullatën e rrezikuar. Në një gjendje aspak më të mirë janë edhe disa zona në të cilat janë strehuar një numër i madh i të ikurve dhe për shkak të kësaj bllokade, mijëra banorë shqiptarë janë të rrezikuar nga uria dhe rreziku i përhapjes së ndonjë epidemie.

Edhe më tej nën kotnrollin e hekurt serb po mbahen në shtetrrethim disa zona ku ka shpërthyer lufta në Kosovë. Kështu, fshatra të tëra të Drenicës, Klinës, Gjakovës dhe të Deçanit, me muaj të tërë po mbahen në rrethim të egër dhe në shënjestër të vazhdueshme të artilerisë dhe snajperistëve serbë. Këtyre zonave po u kanoset një katastrofë humanitare, ndërsa në gjendje të këtillë janë edhe disa vendbanime të tjera në Kosovë.

Gjatë kësaj periudhe, organet policore serbe kanë ndaluar, sekuestruar dhe pamundësuar edhe depërtimin me ndihma të organizatave humanitare ndërkombëtare dhe të atyre vendëse. Kështu organizatës humanitare “Nënë Tereza”, policia serbe disa herë i ka konfiskuar artikuj të shumtë ushqimorë dhe medikamente, ndërsa aktivistët e kësaj organizate i ka keqtrajtuar fizikisht. Vetëm organizatës “Mercy Corps International”, policia serbe ia ka plaçkitur 27 tonë ndihma humanitare.

Në vazhdim të raportit të KMDLNJ-së theksohet se në veçanti është dramatik fati i 500 shqiptarëve, kryesisht gra e fëmijë, të cilët kanë mbetur të rrethuar në qendër të Deçanit, ndërkaq në bazë të operacionit luftarak, përkatësisht “Tokës së djegur”, nga shkurti i këtij viti së paku 110 vendbanime kanë qenë objekt i sulmeve serbe. Në shumicën e fshatrave, pas granatimeve disaditëshe dhe pas largimit të popullatës shqiptare nga fshatrat, forcat e armatosura serbe, të ndihmuara edhe nga civilët serbë kanë plaçkitur çdo gjë me vlerë dhe në fund edhe ua kanë vënë flakën.

Nga granatimet dhe djegiet e mëvonshme janë shkatërruar mbi 5. 200 objekte të shqiptarëve. Duke patur parasysh shkatërrimin masiv të vendbanimeve shqiptare dhe të shtëpive të tyre shihet qartë se qëllimi i këtij operacioni ishte që të pamundësohet kthimi i të ikurve në shtëpitë e tyre dhe të bëhet spastrimi etnik. Në qytezën e Deçanit, e cila ishte objekt sulmi gjatë fundit të majit dhe muajve më pas, është shkatërruar tërësisht pjesa ku ka qenë e banuar me shqiptarë. Në këtë pjesë pothuajse nuk ekziston asnjë shtëpi shqiptare, ngase edhe ato që u kishin shpëtuar granatimeve janë djegur e rrënuar nga këmbësoria serbe.

Në një gjendje të tillë ndodhen edhe shumë vendbanime shqiptare, siç janë Bokshiqi, Dellova, Komarani, Prejlepi, Carrabregu, Carralluka, Ponosheci, Lybeniqi, Smolica, etj. Fshatra të tëra në rajonin e Deçanit dhe të Gjakovës, pas granatimeve dhe ikjes së popullatës shqiptare janë plaçkitur në mënyrë të organizuar. Me dhjetëra e qindra kamionë të mbushur me plaçka janë parë duke lëvizur në drejtim të Pejës e Gjakovës. Se qëllimi i Beogradit është spastrimi etnik i disa pjesëve të Kosovës flet edhe rasti i fshatit Devë të Gjakovës. Banorëve të këtij fshati të brezit kufitar me Shqipërinë, eprorët ushtarakë serbë u kanë dhënë ultimatum se nëse deri më 1 qershor të këtij viti nuk marrin leje të posaçme qëndrimi nga autoritetet serbe në Gjakovë, duhet të braktisin fshatin e tyre.

Të dhënat jo të plota, por të dokumentuara dëshmojnë se gjatë muajit maj të këtij viti në Kosovë në mënyra të ndryshme fizikisht janë keqtrajtuar 1652 shqiptarë, janë vrarë dhe ekzekutuar 125 veta, janë plagosur 61 veta, pati 13 tentime të vrasjeve, janë zhdukur 30 veta, janë kidnapuar 23 veta, janë arrestuar 272 veta, kundër 26 shqiptarëve është hapur procedura hetimore, 599 veta janë rrahur rëndë në rrugë, shtëpi ose në stacionet e policisë serbe, lëndime trupore kanë pësuar 57 veta, pati 27 raste të dënimit për kundërvajtje, 5 raste të dënimit për vepër penale, 31 familje të bastisura, 26 keqtrajtime me pretekst të kërkimit të armëve, në forma të ndryshme janë keqtrajtuar 56 femra shqiptare, si dhe pati edhe 25 fëmijë e 5 gazetarë të keqtrajtuar.

Në vazhdim, KMDLNJ jep listën e shqiptarëve të vrarë me armë zjarri gjatë muajit maj nga policia serbe dhe ajo është si vijon: Agim E. Emini (35) Turiçec, Asllan S. Gashi (26) Vojnikë, Meritë Gashi (23) Vojnikë, Rabë Gashi (34) Vojnikë-Skënderaj, Hajdar O. Bajraktari (56) Morinë-Gjakovë, Abdyl Duçi (61) Ponoshec-Gjakovë, Binak Bakaj (60) Ponoshec-Gjakovë, Bekë S. Shabanaj (62) Deçan, Hajdar H. Kuçi (75) Deçan, Rifat S. Shala (30), Baran-Pejë, Artim S. Jashari (24), Mitrovicë, Bahri Fazliu, Prishtinë, Vehbi Mustafa (65) Pejë, Agim Y. Hasanaj (21) Gllarevë-Klinë, Haki D. Kameraj (35), Lëbushë-Deçan, Mahmut D. Kelmendi (60), Balincë-Malishevë, Nazif I. Kelmendi (50), Balincë-Malishevë, Ramë A. Neziri (88), Ponoshec-Gjakovë, Rexhep I. Kelmendi (16), Balincë-Malishevë, Besim D. Halilaj (31) Tërdec-Gllogoc, Sefer Elshani (64) Gllobar-Gllogoc, Adem S. Bajrami (42), Ponoshec-Gjakovë, Agron Rrahmani (30), Prishtinë, Avdullah Xh. Avdullahu (21), Popoc-Gjakovë, Elmi B. Morina (50), Vranjakë-Rahovec, Gëzim H. Duçi (21), Ponoshec-Gjakovë, Hajdar I. Ademi (22), Ponoshec- Gjakovë, Isuf Hajdari (55), Prishtinë, Malush Morina (57), Ratkoc-Rahovec, Mehmet D. Dula (24), Ponoshec-Gjakovë, Milaim I. Krasniqi (26), Pastasellë-Rahovec, Murat I. Dula (29), Ponoshec-Gjakovë, Ramiz A. Rexha (28), Ponoshec-Gjakovë, Sadri Rr. Neziri (48), Ponoshec-Gjakovë, Shefqet S. Rexha (32), Ponoshec-Gjakovë, Sinan H. Rexha (21), Ponoshec-Gjakovë, Çaush H. Morina (45), Çeskovë-Klinë, Bajram S. Himaj, Gexhë-Rahovec, Mehedin Morina (31), Gllarevë-Klinë, Ymer Kajdomçaj, Xërxë-Rahovec, Gëzim M. Pepshi, Junik-Deçan, Muhamet Sh. Çitaku (24), Çitak-Skënderaj, Rifat Çitaku (56) Çitak-Skënderaj, Xhafer B. Kukaj, Junik-Deçan, Jahir B. Shabani (34), Bubël-Malishevë, Arif Ramademaj, Qeskovë-Klinë, Brahim D. Morina (45), Rixhevë-Klinë Faruk Elezi (21), Gjurgjevik-Klinë, Çaush Berisha (26), Çeskovë-Klinë, Ramadan H. Morina (35), Rixhevë-Klinë, Sefer H. Morina (32), Rixhevë-Klinë, Murat T. Berisha (71), Leshan-Pejë, Ramadan Loshi (67) Padalishtë-Skënderaj, Ymer A. Delibeqa (40), Rahovec, Bajram O. Osdautaj (66), Isniq-Deçan, Rexhë S. Pajazitaj (65), Isniq-Deçan, Isuf R. Morina (45), Grabanicë-Klinë, Arben A. Halitaj (22), Jashanicë-Klinë, Bajram D. Kastrati (60), Zajm-Klinë, Brahim Ahmet Uka (75), Zajm-Klinë, Çelë Sh. Desku (41), Kliçinë-Pejë, Shaqir Rr. Zeqiri (26), Bokshiq-Klinë, Zekë A. Brahimi (70), Bokshiq-Klinë, Bashkim Y. Hamza (23), Lybeniq-Pejë, Brahim U. Hamza (64), Lybeniq-Pejë, Dërvish U. Hamza (51), Lybeniq-Pejë, Gani Z. Hamza (25), Lybeniq-Pejë, Haxhi Goga (Cacaj), (24) Deçan, Hysen D. Alimehaj (40) Lybeniq-Pejë, Ismet Ukaj, Strellc i Epërm-Deçan, Ramiz S. Batusha (22), Baballoq-Deçan, Rifat Z. Hamza (24), Lybeniq-Pejë, Sadri Komoni (65), Pejë, Ymer D. Hamza (53), Lybeniq-Pejë, Zeqë M. Hamza (68), Lybeniq-Pejë, Zoje Kuçi-Selmanaj (70), Rastavicë-Deçan, Nexhat S. Ibërhysaj (27), Deçan, Feim Gashi, Drenoc-Rahovec, Përparim A. Thaçi (21), Landovicë-Prizren, Sakip Bellaqa, Pataçan-Rahovec, Tahir Rr. Kadriaj (75), Rastavicë-Deçan, Çaush H. Fazlia (38), Bokshiq-Klinë, Beqir Rr. Krasniqi (49), Vranoc, Fazë Zenun Krasniqi (43), Vranoc, Fidaim N. Berisha (17), Vasilevë-Gllogoc, Halit Asllani, Brovinë-Gjakovë, Halit Krasniqi (50), Vranoc, Imer E. Ukaj (50), Vranoc, Rexhep Sadiku, Nivokaz-Gjakovë, Sami Bogiqi (35), Llapushnik-Gllogoc, Fatmir Xhemajli (28), Kopiliq-Skënderaj, Abdyl Gjonaj-Loshaj, Carrabreg-Deçan, Adem Ukëhaxhaj, Carrabreg i Poshtëm-Deçan, Ahmet Berisha (40), Poklek i Ri-Gllogoc, Ajmane Balaj (50), Carrabreg i Epërm-Deçan, Ardian H. Deliu (18), Poklek i Ri-Gllogoc, Arif Mahmutaj (44), Strellc-Deçan, Asllan Bozhdaraj, Carrabreg i Epërm-Deçan, Avni A. Përgjegjaj (32), Lumbardh-Deçan, Besart Dautaj (12), Carrabreg i Epërm-Deçan, Blerim Dërvishaj, Irzniq-Deçan, Blerim Shishani (14), Poklek i Ri-Gllogoc, Gala Beli, Carrabreg-Deçan, Hajdar U. Ukshinaj, Lybeniq-Pejë, Jakup Dautaj (25), Carrabreg i Epërm-Deçan, Hate Balaj (60), Carrabreg i Epërm-Deçan, Haxhi M. Cacaj -Deçan, Mehmet U. Ukshinaj, Lybeniq-Pejë, Muhamet Hajdini (50), Poklek i Ri-Gllogoc, Osman R. Tolaj (79), Pobërgj-Deçan, Rexhep Pavataj, Strellc-Deçan, Sahit Qorri (55), Poklek i Ri-Gllogoc, Sefer Qorri (55), Poklek i Ri-Gllogoc, Shaban Kasumaj (43), Lloçan-Deçan, Shaban Osaj (72), Deçan, Shaqir Dobraj (80), Carrabreg i Epërm-Deçan Shkurte N. Tolaj (70) Pobërgj-Deçan, Shyhrete Jeftaj, Deçan, Tafil Kasumaj (47), Lloçan-Deçan, Teuta Loshaj (21), Carrabreg i Epërm-Deçan, Xajë Kuçi (47), Deçan dhe Zize H. Tolaj (75), Pobërgj-Deçan.

Continue Reading

Lajmet

Nga Prishtina në Oslo: Ekspozita që nderon të mbijetuarat e dhunës seksuale shfaqet para Qendrës Nobel

Published

on

By

Në shënim të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, kryeqyteti i Norvegjisë, Oslo, ka mirëpritur instalacionin e fuqishëm artistik “Thinking of You” (Mendoj për ty) të artistes shqiptare Alketa Xhafa Mripa.

Ky projekt artistik, i cili fillimisht u krijua për të nderuar të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë (1998–1999), tashmë është shndërruar në një simbol global solidariteti. Përmes fustaneve të dhuruara nga të mbijetuarit dhe mbështetësit nga më shumë se 20 vende të botës, instalacioni e transformon veshjen e përditshme në një shprehje kolektive të kujtesës, qëndresës dhe përkrahjes.

Qindra veshje të varura tani rrethojnë Qendrën Nobel për Paqe dhe shtrihen përgjatë rrugës së njohur “Torggata”, duke nxitur reflektim dhe dialog në mesin e vizitorëve të shumtë.

Në ceremoninë e përurimit, fjalë rasti mbajtën drejtoresha e Qendrës Nobel për Paqe, Kjersti Fløgstad, artistja Alketa Xhafa Mripa, si dhe drejtori i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi.

Kjo ekspozitë u prezantua nën organizimin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Norvegji, në partneritet me organizatat “Norges Kvinne Lobby”, “Mental Health and Human Rights Info”, Qendrën Nobel për Paqe dhe Ambasadën Britanike në Norvegji.

Realizimi i projektit u mundësua me përkrahjen e vazhdueshme të Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, si dhe me mbështetjen e Ambasadës së Holandës, kompanisë ARCON dhe Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Norvegji. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Zbulohet rrjeti i trafikimit të armëve në Podujevë: Armët ishin të fshehura në valixhe, të dyshuarit në arrati

Published

on

By

Një arsenal i konsiderueshëm armësh është sekuestruar nga Policia e Kosovës në Podujevë, pas një aksioni që zbuloi një tentativë për trafikim ndërkombëtar të armëve drejt Gjermanisë.

Rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 17:30. Pas informacioneve të pranuara në rrugë operative, policia ka ushtruar kontroll në një depo, ku brenda dy valixheve ka gjetur dhe sekuestruar: Pesë armë të gjata automatike AK-47 (Kallashnikov), Një armë të gjatë të modelit M12, Një armë të gjatë të prodhuesit të panjohur, Një pistoletë të tipit Glock, Nëntë karikatorë dhe 144 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Sipas hetimeve të para, tre të dyshuar ishin organizuar që këtë sasi armatimi dhe municioni ta transportonin ilegalisht drejt qytetit Shtutgart të Gjermanisë.

Me urdhër të prokurorit, njësitet policore kanë bastisur shtëpitë e të dyshuarve, mirëpo të njëjtit nuk janë hasur aty dhe aktualisht ndodhen në arrati. Policia e Kosovës ka nisur kërkimin për kapjen e tyre, ndërsa rasti po trajtohet në procedurë hetimore si “import, eksport, transportim ose shitje e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Qeveria ndan 3 milionë euro për mbulimin e kartonit të gjelbër për mërgatën

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe këtë vit mbulimin e policës kufitare për bashkëatdhetarët që vijnë për vizitë në vendlindje gjatë sezonit veror.

Gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar të mbajtur këtë të mërkurë, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, bëri të ditur se për zbatimin e kësaj mase janë ndarë tre milionë euro.

“Sikurse në vitet paraprake, edhe këtë vit duke filluar nga muaji korrik e tutje, ne si qeveri ndajmë mjete për të mbuluar policën kufitare apo kartonin e gjelbër për mërgatën tonë që vijnë me vetura. Propozim-vendimi parasheh ndarjen e 3 milionë eurove për zbatimin e masës 4.5 për mbështetjen e mërgatës, në kuadër të pakos për ringjallje ekonomike”, deklaroi Murati, duke sqaruar se këto mjete transferohen direkt në dikasterin që ai udhëheq.

Përveç lehtësirave për diasporën, në këtë mbledhje u miratuan edhe 13 pika të tjera të rendit të ditës. Ndër to vlen të theksohet shqyrtimi i nismës për Marrëveshjen e Grantit që synon forcimin e sistemit shëndetësor në Kosovë.

Po ashtu, ekzekutivi ka aprovuar ndarjen e buxhetit për financimin e disa projekteve kapitale në komunat: Mitrovicë e Jugut, Shtime, Pejë dhe Podujevë. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara