Kulturë

“Formula e Pagëzimit”, dokumenti më i vjetër i shkrimit shqip!

Published

on

Muzeu Historik Kombëtar i dedikoi një ditë të veçantë sot Formulës së Pagëzimit, dokumentit që njihet si një nga trashëgimitë më të çmuara të shkrimit shqip. Ky dokument, i cili është i vetmi i njohur deri tani si më i vjetri në gjuhën shqipe, është një fjali e shkurtër e shkruar në dialektin e Veriut, që ka mbijetuar përmes shekujve. Fjalët e thjeshta që përmban janë: “Unte’paghesont premenit Atit et birit et spertit senit”, dhe ato kanë një kuptim të thellë historik dhe kulturor për shqipen dhe identitetin kombëtar.

Ky dorëshkrim i njohur në latinisht u zbulua për herë të parë në vitin 1915 nga historiani rumun Nikolla Jorga, i cili e gjeti në bibliotekën “Laurenziana” të Firencës. Pas gjetjes, Jorga e botoi këtë dokument, i cili ka ndihmuar në çmimin e vlerës së shkrimit shqip dhe lidhjen e tij me periudhat e hershme të historisë kombëtare.

Formula e Pagëzimit është një letër qarkore e kryepeshkopit të Durrësit, Pal Ëngjëllit, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, dhe përdorej nga familjet shqiptare për të kryer ritualin e pagëzimit të fëmijëve të porsalindur, në rastet kur ata nuk kishin mundësi t’i çonin në kishë. Ky dokument është shkruar me alfabetin latin, që është shumë i ngjashëm me atë që përdori Gjon Buzuku në veprën e tij të njohur.

Për të shënuar 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit, në vitin 2008, Muzeu Historik Kombëtar e botoi librin me titull “Formula e Pagëzimit”, i cili përmban kumtesa, hulumtime dhe studime të thella mbi këtë dokument të çmuar. Ky botim ka një rëndësi të jashtëzakonshme, sepse përmes tij njihet për herë të parë në mënyrë më të detajuar konteksti dhe përdorimi i Formulës së Pagëzimit si dokument i parë i shkruar në gjuhën shqipe, duke e bërë atë një gur themeli për studimet mbi gjuhën dhe kulturën shqiptare.

Ky dokument ka një rëndësi të veçantë për të kuptuar lidhjen e fortë të shqiptarëve me besimin dhe gjuhën e tyre, si dhe për të njohur evolucionin e shkrimit shqip, që nga periudha e parë e përdorimit të tij deri në ditët e sotme. Formula e Pagëzimit është një thesar i paçmuar që lidh historinë me gjuhën, besimin dhe traditat e popullit shqiptar./UBTNews/

Lajmet

54 vjet nga Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe

Published

on

Sot shënohen 54 vjet nga hapja e punimeve të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, i cili nisi më 20 nëntor 1972 në Tiranë, me pjesëmarrjen e albanologëve nga të gjitha trevat shqiptare.

Në Kongres morën pjesë 87 delegatë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe arbëreshët e Italisë.

Qëllimi i këtij tubimi ishte përcaktimi i parimeve dhe drejtimeve kryesore për hartimin e një sistemi të njësuar të drejtshkrimit, me synimin e krijimit të një standardi të përbashkët të gjuhës shqipe.

Në këtë proces, rol të rëndësishëm luajti edhe delegacioni nga Prishtina. Kongresi u parapri nga një takim me rëndësi i mbajtur në Prishtinë, ku ishin diskutuar dhe përcaktuar disa nga standardet gjuhësore.

Kongresi i vitit 1972 shënoi një moment të rëndësishëm në historinë e gjuhës shqipe dhe në përpjekjet për njësimin e saj në të gjitha trevat shqiptare./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Reka dhe Çitaku diskutojnë promovimin e filmave kosovarë në garën për Oscar

Published

on

Ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Blerim Reka, ka pritur në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Nju-Jork, Lum Çitakun, drejtor i Programeve në Qendrën Kinematografike të Kosovës. Në takim është diskutuar promovimi ndërkombëtar i kinematografisë kosovare.

Në fokus të takimit ishte filmi “DUA”, me regji të Blerta Bashollit, i cili po shfaqet këto ditë në Nju-Jork dhe është propozimi zyrtar i Kosovës për edicionin e 99-të të çmimeve Oscar, në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”.

Në të njëjtën kategori garon edhe filmi “Shame and Money”, me regji të Visar Morinës, i cili, sipas raportimit të Telegrafit, është kualifikuar drejtpërdrejt pas fitimit të çmimit kryesor të jurisë, World Cinema Grand Jury Prize, në Festivalin e Filmit Sundance në janar të këtij viti.

Gjatë takimit, Reka theksoi rëndësinë e mbështetjes institucionale për krijimtarinë filmike dhe promovimin e kulturës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai vlerësoi kinematografinë si një nga mënyrat e rëndësishme për përfaqësimin dhe afirmimin e vendit në botë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vazhdojnë punimet për rinovimin e teatrit ODA në Prishtinë

Published

on

Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, ka njoftuar se po vazhdojnë punimet për rinovimin e teatrit ODA në Prishtinë, duke bërë të ditur se kjo hapësirë së shpejti do të jetë e gatshme për artistët dhe publikun.

Përmes një njoftimi, Bogujevci ka theksuar se rinovimi i teatrit ODA është pjesë e investimeve në infrastrukturën teatrore në vend.

Ajo ka përmendur edhe projektet e përfunduara, përfshirë rinovimin e teatrit të qytetit “Muharrem Qena” në Mitrovicë dhe të hapësirave teatrore në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, si dhe ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Suharekë.

Sipas ministres, punimet po vazhdojnë edhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe në teatrin “Adriana” në Ferizaj, ndërsa Qendra për Arte në Rahovec ndodhet në fazën përfundimtare të ndërtimit.

Ndërkaq, Teatri i Operës dhe Baletit në Prishtinë është në fazën e fundit të projektimit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Palimpsest”, projekt artistik që rikthen në vëmendje trashëgiminë muzikore shqiptare

Published

on

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka prezantuar projektin artistik “Palimpsest”, i cili synon të rikthejë në vëmendje trashëgiminë muzikore shqiptare të viteve ’30, ’40 dhe ’50.

Përmes krijimeve origjinale dhe përpunimeve të këngëve popullore, projekti sjell vepra të kompozitorëve Antonio Muçi, Karlo Pali, Muharrem Xhediku, Koço Uçi, Ramadan Sokoli dhe Çesk Zadeja.

Në këtë mbrëmje artistike do të interpretojnë Ardita Bufaj në piano, Armando Likaj në bariton dhe Maida Resulbegoviç në soprano, ndërsa e ftuar speciale do të jetë pianistja Norena Gaxha.

Koncepti artistik, hulumtimi arkivor dhe mbledhja e partiturave janë realizuar nga pedagogia Ardita Bufaj.

Projekti organizohet në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, në kuadër të Festivalit “Netët e Muzikës Shqiptare”, me synimin për të promovuar vlerat e trashëgimisë muzikore dhe për t’i përcjellë ato te brezat e rinj./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara