Lajmet

FMN: Vaksinimi dhe diaspora mund ta rrisin ekonominë 5-6 për qind

FMN: Rritja mund të ndodhë nëse programi i vaksinimit është i suksesshëm.

Published

on

Nisja e procesit të vaksinimit të qytetarëve në Kosovë kundër sëmundjes COVID-19 dhe ardhja e qytetarëve të cilët jetojnë jashtë vendit, kanë shtuar shpresat për rritje ekonomike dhe përmirësim të zhvillimit ekonomik pas pandemisë.

Vaksinimi i popullatës në Kosovë dhe rihapja e kufijve mund të çojë në rritje ekonomike deri në 6 për qind, brenda vitit 2021, ka parashikuar Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Sipas shefit të këtij ekipit të FMN-së që bëri raportin për Kosovën, Gabriel Di Bella, rritja mund të ndodhë nëse programi i vaksinimit është i suksesshëm.

Gjithashtu, një rihapje e kufijve që mundëson ardhjen e diasporës në sezonin e verës u pa si shtysë në rritjen e aktivitetit ekonomik.

“Nëse realizohet, përfitimet ekonomike në vitin 2021 duhet të kompensojnë humbjet prej 4 deri në 5 për qind të shkaktuara nga pandemia në vitin e kaluar”, tha ai.

Në anën tjetër, rritja e numrit të infektimeve si pasojë e varianteve të reja të COVID-19, parashihet të rrezikojë rritjen ekonomike.

Sipas FMN-së, forcimi i infrastrukturës sociale, promovimi i digjitalizimit dhe zvogëlimi gradual i ndotjes dhe gjurmëve të karbonit në Kosovë do të kontribuojnë në rritjen më të shpejtë të kapitalit njerëzor, produktivitetin dhe përgatitjen e ekonomisë për sfidat post-pandemike.

Pamundësia e bizneseve në Kosovë për të ushtruar aktivitetin e tyre në mënyrë normale, vitin e kaluar, ndikoi në punësimin dhe të ardhurat e qytetarëve, duke ndikuar kështu në mënyrë të drejtpërdrejtë në rënien ekonomike.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), për 13 vjet, Kosova ka pranuar afër nëntë miliardë euro remitenca.

Në Kosovë, në vitin 2020, vlera e remitencave, sipas të dhënave të BQK-së, ishte rreth 940 milionë euro. Kurse në tremujorin e parë të këtij viti, vlera e remitencave kap shumën e mbi 200 milionë eurove.

Për dy javë, në Kosovë erdhën 40.000 persona nga diaspora

Vetëm brenda dy javëve të fundit, sipas informative zyrtare, mbi 40.000 qytetarë nga diaspora kanë hyrë në Kosovë përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Kurse, deri më 22 qershor, në Kosovë janë administruar mbi 140.000 doza të vaksinave kundër COVID-19.

Kosova vazhdon të jetë një nga vendet me numrin më të vogël të të vaksinuarve në Evropë.

Qeveria ka thënë se deri në fund të vitit planifikon të vaksinojë 60 për qind të popullsisë.

Niveli i rritjes ekonomike deri në 6 për qind, rezulton me rimëkëmbje më të shpejtë ekonomike sesa parashikimet në fillim të shfaqjes së pandemisë, thotë Arian Zeka, kryeshef ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë. Edhe Zeka shprehet se në këtë rritje, pashmangshëm do të ndikojë ardhja e qytetarëve që jetojnë jashtë vendit, për pushime në Kosovë.

“Duke u bazuar edhe nga praktikat e viteve të kaluara, ardhja diasporës pashmangshëm do të reflektojë në aktivitete të shtuara ekonomike dhe natyrisht edhe në një rritje të gjithëmbarshme të qarkullimit te ndërmarrjet private. Rrjedhimisht edhe te një normë më e kënaqshme e zhvillimit ekonomik, përtej asaj që fillimisht ka parashikuar Banka Botërore, që duket të jetë më pak optimiste sesa kjo e cila është parashikuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar”, thekson Zeka për Radion Evropa e Lirë.

Në raportin e fundit të Bankës Botërore është thënë se rritja në vendet me ekonomitë me të ardhura të ulëta këtë vit, parashikohet të jetë më e ngadalta në 20 vjetët e fundit. Këto shtete me këtë ekonomi, parashikohet ta kenë një rritje prej 2.9 për qind në vitin 2021, para se të arrijnë në 4.7 për qind në vitin 2022.

Gjatë pandemisë ekonomia e Kosovës ra 7 për qind

Profesori i ekonomisë, Muhamet Mustafa, njëherësh këshilltar i lartë në Institutin Riinvest, thekson se me parashikimin për rritje të nivelit ekonomik deri në 6 për qind, Kosova do kthehet në nivelin ku ka qenë në fund të vitit 2019. Megjithatë, ai shprehet se ka indikacione të përmirësimit të situatës ekonomike. Përveç ardhjes së diasporës, Mustafa thotë se ka edhe rritje të qarkullimit dhe eksportit të mallrave.

“Por, a do të vazhdojë edhe vitet e ardhshme ky ritëm, kjo varet edhe nga rritja e investimeve në ekonomi, produkte dhe shërbime të reja. E kjo kërkon një mjedis biznesor shumë më të mirë, në aspektin e zbatimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe në aspektin e stabilitetit politik dhe imazhit të vendit. Do të thotë, na duhet një seri faktorësh të ndërlidhur, që duhet të sigurojmë për të arritur në një shkallë ku zhvillimi do jetë i qëndrueshëm. Zhvillimi i qëndrueshëm është rreth 7 për qind për më shumë se një dekadë, në mënyrë që Kosova të jetë në një nivel më të qëndrueshëm ekonomik dhe më cilësor sesa tani”, thekson Mustafa.

Rritja ekonomike mesatare në Kosovë prej vitesh sillet deri në 4 për qind. Sipas raporteve vjetore të Bankës Qendrore të Kosovës, ekonomia e Kosovës në vitin 2019 kishte shënuar rritje reale prej 3.9 për qind. Për vitin 2020, kjo rritje ishte parashikuar të ishte 4.2 për qind, por si pasojë e pandemisë, ekonomia e Kosovës ka pasur rënie deri në – 7 për qind.

Qeveria nuk tregon planin për investimet publike

Rritja ekonomike në Kosovë varet edhe nga investimet publike, thotë Arian Zeka, sipas të cilit, qeveria ende nuk ka bërë publike vlerën e këtyre shpenzimeve.

“Nuk është shumë e qartë nga ajo që është paraqitur nga ana e qeverisë, se cili do të jetë vëllimi i shpenzimeve publike, në çfarë mase do të shohim projekte infrastrukturore, në të cilat do të investohet. Kjo si duket mbetet ende e paqartë, natyrisht duke e ditur se mjetet e buxhetit janë dashur të orientohen në drejtime të tjera, kryesisht në mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të goditura nga pandemia, dhe natyrisht qytetarët e afektuar nga pandemia”, thekson ai.

Situatën aktuale ekonomike, ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, e ka quajtur mjaft premtuese dhe të mirë. Në një seancë para deputetëve në Kuvendin e Kosovës, ai ka është shprehur se ka rikthim të aktivitetit ekonomik dhe me ardhjen e diasporës, me shpenzimin e atyre mjeteve të akumuluara gjatë kohës së pandemisë, sipas tij, pritet që këtë vit Kosova të ketë përformancën më të mirë ekonomike në dy dekadat e fundit, sa u përket të hyrave, rrjedhimisht zhvillimit ekonomik.

Lajmet

Rast i dyshuar i kontrabandës me migrantë në Han të Elezit

Published

on

By

Një rast i dyshuar i kontrabandës me migrantë është regjistruar të mërkurën, rreth orës 11:30, në pikën kufitare të Hanit të Elezit.

Sipas raportit të Policisë se Kosovës, katër persona të panjohur kanë dalë nga rimorkioja e një kamioni. Efektivët policorë kanë arritur të ndalojnë njërin prej tyre në vendngjarje, ndërsa tre personat e tjerë janë larguar në drejtim të panjohur.

Shoferi i kamionit është shoqëruar në stacionin policor për intervistim, ndërsa njësitë përkatëse kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

KURIOZITETET E DITËS

Published

on

Lexoni pesë kuriozitete. Mund të mos i keni ditur:

 

  1. Nuk ka gjë të tillë si një vijë e drejtë. Zmadhoni mjaftueshëm afër çdo gjëje dhe do të vini re parregullsi. Edhe një rreze drite lazeri është pak e lakuar.

 

  1. Personat e shurdhër njihen për përdorimin e gjuhës së shenjave në gjumë. Një studim rasti i një burri 71-vjeçar me çrregullim të lëvizjes së shpejtë të syve dhe një dëmtim të rëndë të dëgjimit tregoi se ai përdorte rrjedhshëm gjuhën e shenjave në gjumë, me studiuesit në gjendje të merrnin një ide se për çfarë po ëndërronte falë këtyre shenjave.

 

  1. Finlanda është vendi më i lumtur në Tokë. Sipas Raportit Botëror të Lumturisë, ka qenë për gjashtë vjet me radhë. Nuk është vërtet për t’u habitur, duke pasur parasysh se Finlanda është shtëpia e Babagjyshit të Vitit të Ri, renëve dhe një sauna për çdo 1.59 persona.

 

  1. Hipopotamët nuk dinë të notojnë. Hipopotamët kanë kocka të mëdha, aq të mëdha dhe të dendura, në fakt, sa mezi qëndrojnë pezull. Ata nuk notojnë dhe në vend të kësaj kryejnë një galop të ngadaltë në shtratin e lumit ose në fund të detit. Në fakt, hipopotamët mund të flenë edhe nën ujë, falë një refleksi të integruar që u lejon atyre të ngrihen lart, të marrin frymë dhe të zhyten përsëri pa u zgjuar.

 

  1. Hëna duket përmbys në Hemisferën Jugore. Krahasuar me Hemisferën Veriore, gjithsesi. Kjo do të thotë që “Njeriu në Hënë” është përmbys në Hemisferën Jugore dhe duket më shumë si një lepur.

Continue Reading

Lajmet

Gjashtë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka njoftuar se përgjatë 24 orëve të fundit janë raportuar gjashë raste të dhunës në familje në rajone të ndryshme të vendit, të cilat përfshijnë sulme fizike, kërcënime, dëmtim prone dhe posedim të substancave narkotike.

Një i dyshuar në Malishevë gjendet në arrati pasi pretendohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj babait të tij dhe i ka dëmtuar veturën. Rasti është nën hetime.

Në Gjakovë janë regjistruar dy raste të ndara. Në të rastin e parë një burrë ka marrë djalin e tij nga kopshti dhe dyshohet se ka dalë jashtë Kosovës pa pëlqimin e ish-bashkëshortes, me të cilën po vazhdon kontaktet shqetësuese përmes telefonit. Në rastin tjetër, është arrestuar dhe dërguar në mbajtje një person i cili ka fyer dhe kërcënuar babain e tij.

Në Fushë-Kosovë është ndaluar një shtetas i huaj nën dyshimin për dhunë psikike të ushtruar javë më parë ndaj bashkëshortes. Ndërkaq në Hajvali, një burrë ka shtyrë bashkëshorten e tij teposhtë shkallëve pas një konflikti; me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt pasi viktimës i është ofruar ndihma mjekësore.

Në Prishtinë një çift bashkëshortor është shoqëruar në polici pas një përleshjeje fizike mes vete. Të dy kanë refuzuar ndihmën mjekësore dhe janë liruar në procedurë të rregullt.

Në Klinë një i mitur është intervistuar pasi ka sulmuar fizikisht vëllain e tij po ashtu të mitur. Gjatë procedurës, i dyshuari ka dorëzuar vullnetarisht edhe një sasi të vogël të lëndës narkotike të llojit marihuanë.

Ndërkaq në Pejë, policia ka arrestuar një person i cili, nën ndikimin e alkoolit, ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij. I dyshuari është dërguar në mbajtje me urdhër të prokurorit. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Asambleja e ICMG-së në Taranto: Kosova raporton për përgatitjet e “Prishtina 2030”

Published

on

By

Në Taranto të Italisë po mbahet sot Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), një ngjarje me rëndësi të veçantë për Kosovën sa i përket ecurisë së organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Përgjatë punimeve të asamblesë, ku pritet edhe zgjedhja e presidentit të ri për mandatin e ardhshëm, ministra dhe drejtues të sportit kosovar do të marrin pjesë aktivisht në diskutimet për të ardhmen e këtij kompeticioni. Ministri në detyrë i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, do të raportojë para përfaqësuesve të komiteteve olimpike dhe drejtuesve të ICMG-së për punën e bërë deri më tani dhe hapat e ardhshëm infrastrukturorë e organizativë.

Ky prezantim shihet si një mundësi kyçe për të informuar udhëheqësinë e re të ICMG-së mbi ecurinë e projektit, duke dëshmuar kapacitetet e Kosovës për të pritur një ngjarje madhore ndërkombëtare sportive. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara