Aktualitet

Fluks vizitorësh në Majën e Murgës, rreth 3 mijë vetëm këta 4 muaj

Destinacioni më i ri turistik i Pukës, që shtrihet mbi liqenin e Komanit, po tërheq qindra turistë.

Published

on

Maja e Murgës, 20 km larg qytetit të Pukës në Shqipëri, po tërheq gjithnjë e më shumë të pasionuarit pas natyrës.

Destinacioni më i ri turistik i Pukës, që shtrihet mbi liqenin e Komanit, po tërheq qindra turistë.

“Fundjava që lamë pas solli dyndje turistësh nga Kosova dhe qytete të ndryshme të vendit. Vetëm vitin e kaluar Majën e Murgës e vizituan 7000 turistë, numër që këtë vit pritet të dyfishohet me fluksin që kanë fundjavat e kësaj pranvere”, thekson bashkia e Pukës, raporton atsh.

Me zhvillimin edhe të guidave, bukuritë natyrore të Pukës po marrin vëmendjen e duhur.

“Dy vitet e fundit Maja e Murgës ka tërhequr shumë vizitorë vendas e të huaj. Grupet e turistëve që vijnë për të vizituar këtë pikë turistike variojnë nga 50-150 persona”, ka thë Emanuel Pjetri, guidë turistike në Pukë

“Nga janari i këtij viti deri tani Maja e Murgës është vizituar nga rreth 3 mijë vizitorë, por çdo javë ka gjithnjë e më shumë të interesuar për të vizituar këtë pikë turistike”, tha Pjetri.

Ndërsa vizitorët nga Kosova dhe Shqipëria shprehen se kaluam shumë bukur dhe shpresojmë të vijmë edhe herët e tjera.

Maja e Murgës është një ndër destinacionet turistike që ofron Puka. E ndodhur në 600 metra lartësi, Maja e Murgës ofron pamje mahnitëse. Kjo hapësirë është tepër atraktive për të apasionuarit pas natyrës, malit, alpinizmit, lartësive, aventurës, etj.

Ngjitja e kësaj maje nuk është shumë e vështirë dhe me të mbërritur në destinacion, ju do të shijoni liqenin e Komanit në një tjetër këndvështrim. Pamja mbresëlënëse e liqenit të Komanit nga maja e Murgës konfirmon që bukuritë shqiptare i ka pikturuar natyra./atsh/

Continue Reading

Rajoni

REL: Të largohet Rama, po kush duhet të vijë?

Published

on

“Rama, jep dorëheqjen!” është thirrja që prej rreth pesë muajsh jehon në Tiranë. Por, kë duan në vend të tij të rinjtë që protestojnë?

Tre të rinj me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë nuk përmendin një kandidat për kryeministër, por kërkojnë më shumë llogaridhënie dhe përfaqësim më të mirë politik, duke mbështetur kërkesat e protestave për një qeveri teknike dhe reformimin e Kodit Zgjedhor, që do të mundësonin konkurrencë më të barabartë zgjedhore.

Prej nëntë ditësh, protestat me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama janë përshkallëzuar dhe janë shoqëruar me episode dhune. Rama ka ofruar dialog, por ftesa e tij për takim është refuzuar.

Pa një emër, por me kërkesa të qarta

Emir Leçini, student në vitin e parë të masterit në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, thotë se largimi i Ramës është kërkesë e panegociueshme. Por, sipas tij, protesta synon edhe krijimin e një kulture politike ku qytetarët mund t’i largojnë drejtuesit që nuk e kryejnë detyrën siç duhet.

Ai thotë se protesta bashkon qytetarë me bindje dhe interesa të ndryshme, të cilët ndajnë pakënaqësinë ndaj mënyrës se si qeveriset vendi, pa mbështetur një pasardhës të caktuar të Ramës.

“Protesta nuk ka artikuluar diçka të tillë, që të heqim Ramën për të çuar këtë individ apo atë. Mund të ketë individë që frymëzojnë, por kjo protestë nuk promovon një emër apo një parti konkrete. Unë mendoj se ka hapësirë për të rregulluar përfaqësimin politik, pasi shumë qytetarë nuk ndihen të përfaqësuar. Dhe kjo nuk zgjidhet edhe nëse nesër ikën Rama”, tha ai për REL.

Ky qëndrim është shprehur edhe nga folësit në protestat paqësore të quajtura “Revolucioni Flamingo”, që nisën në fund të majit: kundërshtimi ndaj Qeverisë Rama nuk nënkupton mbështetje për opozitën aktuale.

Edhe Hana Spahia, e cila ka përfunduar studimet e larta në Shtetet e Bashkuara dhe është kthyer në Tiranë, e vendos llogaridhënien përpara emrit të kryeministrit të ardhshëm.

“Më e rëndësishmja është të kemi një person që do të ketë frikë nga populli dhe respekt për të. Pas 13 vitesh në pushtet, Rama nuk ka as transparencë, as llogaridhënie. Është mësuar me karrigen dhe mendon se mund të veprojë si të dojë. Kjo nuk mund të ndodhë”, thotë ajo.

Hana mbështet një parti të vogël, por mendon se sistemi zgjedhor i pengon partitë e tilla të sigurojnë përfaqësimin që meritojnë.

“Personalisht kam votuar për një parti të vogël dhe do ta votoj sërish, por Shqipëria ka mbi 120 parti dhe njerëzit duhet të zgjedhin kë të duan, përmes zgjedhjeve vërtet të lira dhe demokratike”.

Qeveri teknike dhe zgjedhje më të drejta

Për Hanën, hapi i parë pas largimit të Ramës duhet të jetë një qeveri teknike tranzitore, e cila do të përgatiste kushtet për zgjedhje më të drejta.

Ajo thotë se emrat mund të diskutohen më vonë; fillimisht duhen krijuar kushtet që qytetarët të zgjedhin lirisht dhe partitë të konkurrojnë në mënyrë të barabartë.

Shqipëria ka sistem zgjedhor proporcional rajonal, me 140 deputetë të zgjedhur në 12 qarqe. Sipas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor të miratuara më 2024, me mbështetjen e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, një e treta e listës së kandidatëve është e mbyllur, ndërsa dy të tretat janë të hapura. Në pjesën e mbyllur, renditjen e përcaktojnë partitë, ndërsa në pjesën e hapur qytetarët mund të votojnë për kandidatët e parapëlqyer.

Edhe Emiri kërkon ndryshimin e mënyrës se si pushteti fitohet dhe ushtrohet.

“Kodi Zgjedhor është një nga arsyet kryesore pse kemi këtë politikë aktuale. Ky Kod shtyp çdo opsion që nuk është parti e madhe dhe lejon partinë në pushtet të ketë një avantazh të padrejtë ndaj çdo partie tjetër”, thotë ai për REL.

Në raportin për zgjedhjet e 11 majit 2025, OSBE/ODIHR i vlerësoi ato si konkurruese, por konstatoi se garuesit nuk kishin kushte të barabarta dhe rekomandoi reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore.

Por të rinjtë presin ndryshime edhe përtej reformës zgjedhore. Livia Dedej, studente e Psikologjisë klinike, thotë se mosbesimi ndaj klasës politike e shtyn të mbështesë një qeveri teknike të përbërë nga ekspertë, e cila do të niste reforma në bujqësi, arsim, shëndetësi dhe drejtësi.

Këto pritshmëri pasqyrojnë pakënaqësitë e shprehura nga protestuesit për koston e jetesës, cilësinë e arsimit dhe të shërbimeve shëndetësore, mungesën e mundësive për punësim dhe atë që ata e cilësojnë si përqendrim të përfitimeve ekonomike në duart e një pakice.

“Demokracia nuk njeh rrugë të tjera”, thotë gazetari dhe analisti Bledar Zaganjori, duke shpjeguar se, nëse Rama largohet, ka dy mundësi: Partia Socialiste të zgjedhë një kryeministër tjetër për të përfunduar mandatin, ose një qeveri e përkohshme ta çojë vendin në zgjedhje.

Gjatë kësaj periudhe, qeveria ka miratuar bonuse financiare për familjet në nevojë dhe dyfishimin e pagesave për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët e tyre. Ka premtuar gjithashtu përmirësimin e kushteve në konviktet studentore dhe rritjen e pagave për punonjësit e policisë. Megjithatë, të rinjtë thonë se protestat do të vijojnë dhe se kërkesa për dorëheqjen e Ramës mbetet e panegociueshme.

Continue Reading

Aktualitet

DW: Merz dënon dhunën në protesta dhe retorikën përçarëse

Published

on

Samiti i Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor u zhvillua në Mal të Zi. Kancelari gjerman, Friedrich Merz, dënoi dhunën në protesta dhe retorikën përçarëse që kanë përfshirë Shqipërinë dhe disa vende të Evropës.

Në një nga gjiret më piktoreske të Shën Stefanit, në Mal të Zi, liderët e Ballkanit Perëndimor u ulën sërish përballë njëri-tjetrit në tryezën e Samitit të Procesit të Berlinit. Takimi u drejtua nga kancelari gjerman Friedrich Merz, i cili e nisi fjalën e tij me një mesazh të qartë për përgjegjësinë që vendet e rajonit duhet të marrin në përmbushjen e reformave drejt Bashkimit Evropian.

“Ndryshimi duhet të vijë nga ju, nga brenda vendeve tuaja. Ne kërkojmë që vendet e Ballkanit të ulen në tryezë, por progresi dhe reformat duhet të realizohen nga vetë këto vende” – u shpreh kancelari gjerman.

Për protestat që kanë përfshirë Shqipërinë dhe disa vende të Europës, Merz u tregua i prerë, duke dënuar dhunën dhe retorikën përçarëse. “Kur përballemi me protesta, qoftë në Bashkimin Evropian apo këtu në rajon, dhuna nuk duhet të jetë kurrë një opsion për asnjërën palë. Retorika përçarëse dhe polarizimi në rritje nuk do të na çojnë drejt një Evrope më të sigurt, më të lirë dhe më të begatë” – deklaroi Merz.

 

Ballkani Perëndimor në BE, domosdoshmëri gjeopolitike

Në konferencën për shtyp, përkrah kancelarit austriak Christian Stocker dhe kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spajić, Friedrich Merz e cilësoi integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE si një domosdoshmëri gjeopolitike. Ai tha se rajoni nuk duhej të kthehej në një arenë rivaliteti për ndikim mes fuqive të mëdha.

“Ballkani Perëndimor nuk duhet të shndërrohet në një vend ku fuqitë e mëdha rivalizojnë për ndikim. Është në interesin tonë të përbashkët që rruga e vendeve të rajonit drejt Bashkimit Europian të jetë e pakthyeshme” –  deklaroi Merz.

Kancelari vlerësoi përparimin e Malit të Zi në rrugën drejt Bashkimit Evropian, por paralajmëroi se përçarjet politike në Bosnjë-Hercegovinë dhe tensionet mes Kosovës e Serbisë mbeten pengesa për stabilitetin e rajonit.

Përpara nisjes së samitit, kryeministrat Edi Rama dhe Albin Kurti folën për mediat, por me qëndrime të ndryshme. Rama u mjaftua me një përshëndetje për takimin e përvitshëm të Procesit të Berlinit, pa paraqitur kërkesa apo objektiva konkrete për Shqipërinë.

“Është kënaqësi të jem sërish këtu për Procesin e Berlinit, në këtë takim që tashmë është kthyer në një traditë të përvitshme dhe që këtë herë zhvillohet në Mal të Zi” – u shpreh Rama.

Pas përfundimit të samitit, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama zhvilloi edhe një takim me kancelarin gjerman Friedrich Merz.

Ndryshe prej tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbërriti me një kërkesë konkrete: Kosovës t’i jepej statusi i vendit kandidat për anëtarësim. “Tani është koha që vendi ynë të marrë statusin e kandidatit dhe të hapë negociatat për hyrjen në BE. Pikërisht për këtë do të bëj thirrje ndaj liderëve të BE-së, që të kërkojnë opinionin e Komisionit Evropian në lidhje me këtë çështje” – deklaroi Kurti. Ai ngriti gjithashtu çështjen e personave të pagjetur gjatë luftës, duke kërkuar përmbushjen e zotimeve të marra në Samitin e Londrës në vitin 2018.

Çfarë është Procesi i Berlinit?

Procesi i Berlinit, i iniciuar në vitin 2014 nga ish-kancelarja gjermane Angela Merkel, synon forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe politik mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe afrimin e tyre me BE-në. Përmes kësaj nisme, vendet e rajonit u angazhuan për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, lehtësimin e lëvizjes së lirë, zhvillimin e infrastrukturës dhe kapërcimin e mosmarrëveshjeve që pengonin bashkëpunimin mes tyre. Austria do të marrë kryesimin e Procesit të Berlinit në vitin 2027.

Continue Reading

Vendi

Gala Mbramja e EOQ Congress 2026 bashkon liderët evropianë të cilësisë në shënimin e tri jubileve

Published

on

By

Në kuadër të EOQ Congress 2026, në Kosovë u mbajt gala mbramja, e cila shënoi tri përvjetorë të rëndësishëm: 70-vjetorin e European Organization for Quality (EOQ), 25-vjetorin e UBT-së dhe 20-vjetorin e Quality Kosova. Mbrëmja mblodhi përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar të cilësisë, liderë akademikë dhe partnerë institucionalë, duke vënë në pah rëndësinë e bashkëpunimit, inovacionit dhe zhvillimit të kulturës së cilësisë. 

Fjalën e rastit e mbajti fillimisht Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Rektor i UBT-së, President i Quality Kosova dhe Zëvendëspresident i EOQ-së, i cili theksoi rëndësinë e rrugëtimit 25-vjeçar të UBT-së dhe kontributin 20-vjeçar të Quality Kosova në zhvillimin e sistemeve të cilësisë, krijimin e vlerës dhe ndërtimin e së ardhmes.

Më pas, të pranishmëve iu drejtua Prof. Dr. Paulo Sampaio, President i European Organization for Quality (EOQ), i cili vuri në pah rëndësinë e shënimit të 70-vjetorit të organizatës dhe rolin e saj në zhvillimin e komunitetit global të cilësisë.

Programi festiv vijoi me një performancë të valleve tradicionale shqiptare, duke sjellë para të ftuarve kulturën, traditat dhe identitetin e Kosovës. Kjo pjesë i dha mbrëmjes një dimension të veçantë kulturor, duke ndërthurur rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar me pasurinë e trashëgimisë kulturore vendore.

Një nga momentet e rëndësishme të mbrëmjes ishte ndarja e çmimeve dhe mirënjohjeve për liderët evropianë të cilësisë, si dhe vlerësimi i partnerëve strategjikë të UBT-së dhe EOQ-së për kontributin e tyre në avancimin e cilësisë dhe forcimin e bashkëpunimit institucional.

Continue Reading

Lajmet

Vazhdojnë punimet e Kongresit të 67-të të EOQ-së në UBT: Rektori Hajrizi prezanton vizionin strategjik për të ardhmen e cilësisë

Published

on

By

Punimet e ditës së dytë të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ), që po mbahet për herë të parë në Kosovë, kanë nisur me prezantimin kryesor të Prof. Dr. Edmond Hajrizit, themelues dhe Rektor i UBT-së, President i Quality Kosova dhe Zëvendëspresident i EOQ-së.

Rektori Hajrizi po sjell në vëmendje një perspektivë strategjike mbi të ardhmen e cilësisë, duke e trajtuar atë përtej standardeve tradicionale dhe certifikimit, si një element thelbësor për zhvillimin e sistemeve moderne, inovacionin dhe transformimin institucional.

Në një kohë kur Inteligjenca Artificiale dhe teknologjitë e reja po ndryshojnë mënyrën se si funksionojnë organizatat dhe institucionet, prezantimi i Rektorit Hajrizi vë në pah rëndësinë e ndërlidhjes së teknologjisë me besimin, përgjegjësinë dhe vlerat njerëzore, si parakushte për një zhvillim të qëndrueshëm.

Përmes këtij prezantimi, Kongresi i 67-të i EOQ-së vazhdon të krijojë hapësirë për shkëmbimin e ideve dhe përvojave ndërkombëtare, duke vendosur në qendër sfidat dhe mundësitë që përcaktojnë të ardhmen e cilësisë në epokën e Inteligjencës Artificiale.

Kongresi po mbahet në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, duke bashkuar ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë për të diskutuar mbi cilësinë, inovacionin, qëndrueshmërinë dhe besimin në një botë gjithnjë e më të digjitalizuar.

Continue Reading

Të kërkuara