Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 25 gusht 1993-1998?
Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
25 gusht 1993
22 profesorë të shkollës së mesme “Jeta e re” në Suharekë u mbajtën 6 orë në polici
Dje, rreth orës 10, në shkollën e mesme “Jeta e re” në Suharekë, policia serbe ndërpreu mbajtjen e riprovimeve të nxënësve të kësaj shkolle, si dhe arrestoi 22 arsimtarë, sekretarin dhe një punëtor ndihmës të kësaj shkolle, të cilët u dërguan në stacionin e policisë ku u morën në pyetje dhe u keqtrajtuan.
Merret vesh se ata u liruan pasdite, rreth orës 16.
25 gusht 1994
Në Bukosh të Vushtrrisë – një i vrarë dhe një i lënduar rëndë
Kundër M. Sh. (65) nga fshati Bukosh i Vushtrrisë në Gjyqin e qarkut serb të Mitrovicës po zhvillohen hetimet për shkak të vrasjes dhe tentimit për vrasje.
Ai më 20 gusht në orët e mbrëmjes në fshatin Bukosh, së pari në arë me disa të rëna me thikë lëndoi rëndë B. A. (72), e pastaj në oborrin e tij me revole, me disa plumba vrau të birin e B., Sh. (26).
Thuhet se motivi i kësaj vrasjeje është kontesti pazgjidhur pronësor.
25 gusht 1995
Ushtria serbe edhe dje gjuajti me trombllone afër shtëpive të shqiptarëve në Ferizaj
Pas incidentit që ndodhi në Ferizaj në rrugën e “Prizrenit”, ku në disa shtëpi ranë me dhjetëra trombllone nga pushkët gjysëmautomatike të ushtrisë serbe të kazermës “Millan Zeçar”, tek anëtarët e këtyre familjeve ende ndihej shqetësimi dhe pasiguria, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Ferizaj.
Dje, në familjen e Faik Rizanit ishte Ramë Buja, anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili u informua me situatën e krijuar nga provokimi i ushtrisë serbe.
Duke shpjeguar ngjarjen, Faik Rizani deklaroi se në momentin kur janë hedhur trombllonet, anëtarët e kësaj familjeje gjendeshin në punë të fushës. Kjo ishte arsyeja pse nuk pësoi askush nga ky provokim i rëndë, shpjegon ai.
Faik Rizani, i deklaroi QIK-ut se rastin në organet e policisë serbe e ka paraqitur po këtë ditë rreth orës 18:00. Inspektorët e sigurimit serb erdhën në vendin e ngjarjes në orën 21:00 dhe se ata u sollën në mënyrë cinike.
Në shtëpinë e Faik Rizanit kudo shiheshin gjurmët e tromblloneve, ndërsa njëra prej tyre`kishte shpuar derën e dhomës së pritjes. Nga trombllonet, që me gjasë ishin hedhur nga pushkët, ishin qëlluara edhe oborret dhe çatitë e shtëpive të tjera në këtë lagje, si ato të Shefki Ukëzmajlit, të vëllezërve Ilmi e Salih Ukëzmajlit, si dhe shtëpi të tjera. Inspektorët serbë, thonë pronarët e këtyre shtëpive, i mblodhën rreth 30 trombllonë.
Përfaqësuesit e Degës së LDK-së në Ferizaj dhe ata të Nënkëshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thonë se provokimet e këtilla të ushtarëve e rezervistëve serbë, janë shtuar veçanërisht nga rifillimi i luftës së fundit kroato-serbe. Ata po ashtu thonë se nuk kanë pasur njohuri se ditën kur janë gjuajtur trombllone në lagjen “Prizreni” ka patur stërvitje të ushtrisë serbe.
Dje sërish nga ora 11:00 deri në orën 13:00, ushtria serbe gjuajti me trombllon dore të pushkëve gjysmëautomatike në afërsi të lagjes “Prizreni” në Ferizaj, e cila ndodhet 100 deri 150 metra larg kazermës ushtarake së “Millan Zeçar”.
Ndryshe nga provokimi që u bë më 22 gusht, dje prapë pati gjuajtje afër disa shtëpive të tjera të ksaj lagjeje.
Ndonëse kaluan dy ditë pas incidentit të përmendur, përgjegjësit e ushtrisë e të policisë serbe nuk dhanë kurrfarë shpjegimi.
25 gusht 1998
Forca e ushtrisë dhe policisë serbe vazhdojnë t’i sulmojnë fshatrat e Suharekës
Njoftohen emrat edhe të dy të vrarëve në Suharekë, Bahri Hajrush Gollopeni (20) nga Suhareka, dhe Mehmet Misin Bytyçi (20) nga Reshtani
Gjatë natës së mbrëmshme, por edhe sot në orët e mëngjesit, nga Qafa e Duhlës forcat e ushtrisë dhe të policisë serbe kanë sulmuar pandërprerë fshatrat Javor, Luzhnicë, Grejçevc, Bllacë, Reshtan, Peçan e Sllapuzhan të komunës së Suharekës, duke mos e kursyer as vetë qytezën e Suharekës.
KI i Degës së LDK-së në Suharekë njofton se sulmi i sotëm filloi në orën 8. 30 dhe po vazhdon me një intensitet shumë të madh.
Shumë shtëpive u vihet zjarri, sidomos në Reshtan e Sllapuzhan. Sllapuzhani është rrafshuar me tokë.
Në Suharekë dje është kallur me benzin shtëpia e veprimtarit të LDK-së, Shyqyri Kuçit, e cila ndodhet në lagjen e Gradinave. Janë shkatërruar edhe shtëpi të tjera. Nga granatimet në periferi të Suharekës, përveç dëmeve materiale, ka edhe të vrarë e të plagosur. Përveç dy emrave të njoftuar më parë, të vrarë janë edhe dy të rinj, Bahri Hajrush Gollopeni (20) nga Suhareka, i cili u varros në Dobërdolan, dhe Mehmet Misin Bytyçi (20) nga Reshtani. Druhet se numri i të vrarëve mund të jetë më i madh. Është i madhe dhe numri i të plagosurve, ndërsa vetëm në Suharekë dihet për gjashtë të plagosur.
Dje dhe sot në mëngjes, një numër i madh i popullatës së zhvendosur shqiptare nga fshatrat Krojmir e Pjetërshticë të Shtimes janë vendosur në objektin e shkollës fillore në Ngucat, ndërsa gjendja e tyre është shumë e rëndë.
Njoftohet se vetëm në katër fshatra të komunës së Suharekës janë vendosur më tepër se 15 mijë civilë shqiptarë.
Popullata e këtushme shqiptare kërkon nga shoqatat humanitare ndërkombëtare që të bëj më shumë për popullatën e zhvendosur shqiptare, pasi atyre po u mungojnë gjësendet elementare ushqimore dhe barnat.
Malishevë: Tre shqiptarë u vranë derisa po shpërndanin ndihmat humanitare
Dje, nga ora 14. 30 deri në orën 17, forcat serbe të stacionuara në Malishevë, Carrallukë dhe në disa fshatra të tjera të komunës së Malishevës, granatuan fshatrat Lubizhdën, Drenocin, Carrallukën, Lladrocin, Tërpezën etj. , njofton KI i Degës së LDK-së në Malishevë.
Si pasojë e granatimeve, u vranë Hajriz Haxhi Morina (26) nga Drenoci, Adem Morina, mësues, nga i njëjti fshat, dhe një qytetar nga Vërmica e kësaj komune, emri i të cilit nuk është bërë i ditur. Me këtë rast është plagosur edhe një qytetar tjetër.
Ata u qëlluan nga granatat serbe derisa me traktor po shpërndanin ndihma për popullatën e rrezikuar.
I njëjti burim bën me dije se parmbrëmë, gjatë granatimeve të forcave serbe, në fshatin Balincë u plagos një i moshuar, ndërsa në Lubizhdë u plagosën fëmijët Astrit Xhevat Paçarizi (8), Neshat (11) dhe Bejtullah (14) Ferat Paçarizi, dhe axha i tyre Tafil Paçarizi (31).
Nga granatimet janë shkaktuar dëme të mëdha materiale. Ndërkohë po vazhdon edhe më tej lëvizja e njerëzve drejt fshatrave që tash për tash janë pak më të sigurta.