Studiues, pedagogë, diplomatë nga vende të ndryshme të botës, si dhe përfaqësues të Fondacionit Ndërkombëtar për Tolerancë u mblodhën në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, për të bërë hapjen e Konferencës së Dytë Globale të Tolerancës Ndërkulturore.
Objektivi kryesor i konferencës është të shërbejë si një platformë për studiuesit, pedagogët, drejtuesit, diplomatët dhe të gjithë praktikuesit e tjerë për të nxjerrë në pah kërkimet, mendimet, shqetësimet dhe përvojat e tyre mbi ndikimin e teknologjisë në vlerat dhe normat kulturore.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi në fjalën e tij hyrëse falënderoi përfaqësuesit e Fondacionit Ndërkombëtar për Tolerancë për organizimin e Konferencës së Dytë Globale të Tolerancës Ndërkulturore në UBT, në një institucion lider të inovacionit dhe teknologjisë në Kosovë dhe rajon.
“Kjo konferencë sjell diskutimin në nivel profesional dhe akademik për çështjen e tolerancës ndërkulturore. Është një çështje shumë e rëndësishme, e vështirë, por dhe shumë e nevojshme. Është shumë më e nevojshme të shprehen, le të themi, njohuritë në këtë drejtim, sepse mendoj se bota ka nevojë për konferenca të tilla. Toleranca është të jesh i hapur dhe pranues ndaj dallimeve, si dhe të respektosh dhe vlerësosh kulturën e tjetrit”, tha rektori Hajrizi.
H.E. Eng. Sheikh Salem bin Sultan bin Saqr Al Qasimi shprehu mirënjohje dhe përshëndetje të ngrohta për të pranishmit në këtë konferencë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, duke thënë se është janë simbol i mishërimit të paqes dhe tolerancës.
“Në të gjithë botën kulturat, ideologjitë dhe toleranca janë virtyte, që kontribuojnë në vendosjen e urave midis anëtarëve të një shoqërie apo një shteti”, u shpreh Eng. Salem Alqasim.
Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Ndërkombëtar për Tolerancë, Dr. Abdulhamied Alromaithy falënderoi rektorin Hajrizi dhe UBT-në, të cilët mundësuar organizimin e kësaj konference me karakter ndërkombëtar në Kosovë, duke u dhënë një mundësi studiuesve dhe pedagogëve të shfaqin perspektivat e tyre në aspektin e tolerancës ndërkulturore.
Në këtë ngjarje u bë ndarja e mirënjohjeve për kontribuuesit të cilët mundësuan organizimin e Konferencës së Dytë Globale të Tolerancës Ndërkulturore, si dhe u shfaqën performanca me motive kulturore nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
U mbajt punëtoria në kuadër të projektit CORE ED Academy, me titull: “Adaptimi i profileve profesionale për drejtësinë për të miturit – Punëtori Kombëtare për diskutimin dhe validimin e profileve profesionale të përditësuara sipas qasjes ‘Pedagogy-First’”.
Punëtoria u organizua me qëllim të prezantimit të projektit ndërkombëtar CORE ED Academy, objektivave dhe aktiviteteve kryesore të tij në fushën e edukimit dhe drejtësisë për të miturit.
Projekti CORE ED Academy synon fuqizimin e institucioneve të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor, përmes zhvillimit të ndërhyrjeve dinamike që promovojnë përfshirjen sociale dhe vlerat demokratike në sistemin e drejtësisë për të miturit. Projekti ofron trajnime të specializuara dhe kurikula të reja në fushën e pedagogjisë korrektuese, duke krijuar një ekosistem profesional të ndërlidhur ngushtë me tregun e punës dhe me nevojat reale të institucioneve korrektuese.
Nucleus Lab është një iniciativë akademike dhe kreative e Fakultetit të Gjuhës Angleze në UBT, e konceptuar për të zhvilluar praktikat ekstrakurrikulare të studentëve dhe për t’i përgatitur ata për mësimdhënie inovative, reflektuese dhe bashkëkohore.
Punëtoria e radhës, “Creative Reading & Writing – Expanding Creativity Beyond the Classroom”, e përgatitur nga Prof. Assoc. Dr. Alma V. Lama, synon zgjerimin e kompetencave akademike dhe pedagogjike përmes leximit kritik dhe shkrimit kreativ, duke e zhvendosur procesin e të nxënit përtej kornizave tradicionale të klasës.
Studentët lexuan tekste ekzistuese duke personalizuar narrativat, duke i pasuruar ato me përvoja, emocione dhe këndvështrime personale, si dhe duke i zhvilluar më tej përmes shkrimit kreativ. Përmes këtij procesi, ata ndërtuan kuptime të reja, duke e shndërruar leximin në një akt aktiv reflektimi dhe shkrimin në një mjet për shprehje autentike dhe formim profesional.
Kjo qasje i ndihmon studentët të ndërtojnë mendim të pavarur, të zhvillojnë kreativitetin dhe të forcojnë aftësitë e tyre profesionale në fushën e mësimdhënies së gjuhës angleze.
Përmes aktiviteteve të strukturuara akademike dhe kreative, studentët angazhohen në lexim kritik të teksteve, shkrim kreativ përtej modeleve standarde akademike, zhvillim të kompetencave praktike për mësimdhënie, si dhe në ndërlidhjen e qëndrueshme ndërmjet teorisë dhe praktikës në kontekste reale arsimore. Këto përvoja kontribuojnë drejtpërdrejt në formimin e tyre si mësimdhënës të ardhshëm të sigurt, fleksibilë dhe të përgatitur për sfidat e arsimit modern.
Qendra Nucleus promovon një kulturë akademike të bazuar në lexim, shkrim, reflektim dhe bashkëpunim, duke krijuar një hapësirë ku studentët eksperimentojnë, rriten intelektualisht dhe ndërtojnë identitetin e tyre profesional.
Si i vetmi institucion nga rajoni, UBT po prezantohet me hapësirën e vet në panairin më të madh botëror të teknologjisë në arsim, BETT 2026 në Londër, krahas kompanive globale si Google, Meta dhe të tjera.
Në këtë ngjarje globale, UBT prezanton platformën unike inovative për Smart City (All-in-One Solution), si dhe zgjidhje inovative në fushën e EdTech-ut, platformat digjitale dhe projektet kërkimore për transformimin e arsimit përmes inteligjencës artificiale.
Ekipi i UBT-së, gjatë tri ditëve, do të prezantojë përpara mijëra pjesëmarrësve dhe përfaqësuesve të sektorit të arsimit dhe industrisë edukative, duke ofruar produkte teknologjike, shërbime dhe sisteme smart për tregun global.
UBT ka lansuar NSRP (National Security Response Platform), një sistem interaktiv i dizajnuar për të trajnuar studentët dhe profesionistët në menaxhimin e krizave të sigurisë dhe reagimin ndaj incidenteve kibernetike. Ky sistem lejon përdoruesit të simulojnë situata reale të krizave dhe të marrin vendime strategjike në kohë reale, duke i përgatitur për sfidat komplekse të sigurimit kombëtar.
Karakteristikat kryesore të platformës:
Simulatori Interaktiv i Krizave: Ofron simulime të detajuara të krizave kombëtare, përfshirë sulme kibernetike, kriza diplomatike dhe emergjenca të sigurisë.
Harta Interaktive Globale: Një hartë botërore interaktive vizualizon vendndodhjen e krizave, aktorët e përfshirë dhe lëvizjet gjeografike të ngjarjeve në kohë reale, duke ndihmuar studentët të kuptojnë dimensionin gjeografik të sigurisë kombëtare.
Sistemi i Vendimmarrjes Multialternative: Çdo krizë ofron vendime kritike me pasoja të ndryshme. Platforma analizon zgjedhjet e përdoruesve dhe ofron feedback të detajuar mbi ndikimin e vendimeve.
Panel Administrimi: Instruktorët mund të krijojnë, modifikojnë dhe fshijnë skenarë simulimi, duke personalizuar përvojën edukative sipas nevojave akademike.
Sistemi i Vlerësimit dhe Feedback: Përdoruesit marrin një analizë të performancës së tyre, përfshirë pasojat afatshkurtra dhe afatgjata të vendimeve, si dhe sugjerime për përmirësim.
Skenarizimi i Ngjarjeve Dinamike: Krizat evoluojnë në mënyrë dinamike në bazë të vendimeve të përdoruesit, duke krijuar një përvojë realistike dhe të përqendruar në praktikë.
Platforma është krijuar nga UBT-CERT (Computer Emergency Response Team), e projektuar për programin e Studimeve të Sigurisë në UBT dhe ofron një mjet praktik për të kuptuar kompleksitetin e menaxhimit të krizave kombëtare. Studentët mund të testojnë strategji të ndryshme, të mësojnë nga gabimet dhe sukseset e tyre, dhe të zhvillojnë aftësi kritike të mendimit strategjik, të gjitha brenda një mjedisi të sigurt dhe të kontrolluar.
Kjo iniciativë e UBT synon të forcojë aftësitë praktike të studentëve dhe t’i përgatisë ata për sfidat reale të sigurisë kombëtare dhe teknologjive moderne.