Lajmet

Fillon seanca ndaj Feros, kjo është vepra për të cilën po akuzohet

Published

on

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka filluar seanca fillestare në rastin ku po akuzohen menaxheri i “On Records”, Mehmet Elshani, Avudllah Islami dhe Feronit Shabani, i njohur me emrin artistik Fero.

Elshani po akuzohet për sulm, Islami për kanosje me përdorim të mjetit të rrezikshëm, kurse Shabani për armëmbajtje pa leje.

Ndryshe, kjo seancë ishte paraparë të mbahej më 22 qershor, por e njëjta ishte shtyrë.

Aktakuza për këtë rast është ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 13 shkurt 2020, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës, ekziston dyshimi i bazuar mirë se Mehmet Elshani, më 22 mars 2018, rreth orës 13:15, pikërisht në rrugën “Iliaz Kodra” në Prishtinë, me dashje ka përdorë forcën ndaj të dëmtuarit Lorent Bajrami, pa pëlqimin e tij. Këtë thuhet se e ka bërë në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshjeje të atëçastshme që kishte ndodhur në mes tyre, përderisa i dëmtuari po kërkonte vendparkim për veturën e tij, të dy fillimisht kishin debatuar me fjalë pastaj i pandehuri del nga vetura e tij dhe duke përdorë forcën fizike ndaj tij e kapë për gjoksi të dëmtuarin.

Me këtë, Elshani akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulmi” nga neni 187, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, e cila dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se në kohën edhe vendin e përshkruar si në dispozitivin e parë, deri sa i pandehuri Elshani ka qenë duke e sulmuar të dëmtuarin Lorent Bajrami, i pandehuri Avdullah Islami i kishte drejtuar në kokë një mjet të metaltë të rrezikshëm, me të cilën seriozisht e kishte kanosur të dëmtuarin Bajrami, duke i thënë që të largohej nga aty, me qëllim të frikësimit të tij, duke i shkaktuar të njëjtit frikë dhe ankth.

Me këtë, Islami akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” me përdorim të mjetit të rrezikshëm, nga neni 185, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, në dispozitivin e tretë të kësaj aktakuzë thuhet se në kohën dhe vendin e njëjtë të cekur si më lartë, i pandehuri Feronit Shabani ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim një Elektroshok me bateri të firmës TË-801TYPE, në shkelje të ligjit të zbatueshëm lidhur me armët e tilla.

Me këtë, Shabani akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, e cila dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.

Lajmet

Vendimi i ShBA-së, PDK: Dëmi më i madh politik, diplomatik dhe strategjik i Kurtit

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar pa afat Dialogun Strategjik me Kosovën, duke thënë se ky proces i cili ishte menduar të forconte marrëdhëniet tona ekonomike, politike, diplomatike dhe të mbrojtjes.

Sipas PDK-së, ky zhvillim i rëndë është pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve të pamatura dhe të papërgjegjshme të Qeverisë në largim dhe kryeministrit në largim, Albin Kurti.

“Sjellja e tij ka cenuar besimin dhe partneritetin me aleatin tonë më të madh dhe më të rëndësishëm strategjik, ShBA-në, vendin që ka qenë dhe mbetet mbështetësi më i madh i lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës. Ky është dëmi më i madh politik, diplomatik dhe strategjik që i është shkaktuar Republikës së Kosovës në 25 vitet e lirisë së saj, duke cenuar drejtpërdrejt raportet me aleatin tonë kryesor dhe duke e vënë në pikëpyetje besueshmërinë ndërkombëtare të shtetit tonë. Për më shumë se dy dekada, marrëdhëniet e Kosovës me ShBA-në kanë qenë të pakontestueshme, të bazuara mbi vlera të përbashkëta të lirisë, paqes dhe demokracisë. Sot, për shkak të një qeverisjeje që ka zgjedhur konfliktin mbi bashkëpunimin dhe populizmin mbi përgjegjësinë, këto raporte po vendosen në rrezik”, thuhet në deklaratën e PDK-së.

Partia Demokratike e Kosovës rithekson se marrëdhënia me ShBA-të është interes jetik dhe kombëtar i Kosovës, i pakrahasueshëm dhe i pazëvendësueshëm. Ne mbetemi të përkushtuar për ta ruajtur, forcuar dhe zgjeruar këtë partneritet në çdo rrethanë.

“Qytetarët e Kosovës e dinë se aty ku ka qenë PDK në qeverisje, marrëdhëniet me ShBA kanë qenë gjithmonë të konsoliduara dhe në rritje. Prandaj, ky dëm që i është shkaktuar Kosovës nga Qeveria në largim duhet të shërbejë si thirrje alarmi për të gjithë: partneriteti me Shtetet e Bashkuara nuk është një çështje e zakonshme politike, por themeli i sigurisë, zhvillimit dhe të ardhmes sonë. Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të angazhohet që ky partneritet të mbetet i pathyeshëm dhe gjithmonë në funksion të interesave të popullit të Kosovës. Kosova është e popullit të saj, i cili ka ndërtuar lirinë e vet me mbështetjen vendimtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përtej gabimeve të një qeverie të përkohshme, besimi i qytetarëve të Kosovës në miqësinë dhe partneritetin me ShBA-të ka qenë dhe do të mbetet i pathyeshëm, sepse kjo lidhje është më e fortë se çdo interes i përkohshëm politik dhe është rrënjosur thellë në historinë dhe të ardhmen tonë të përbashkët”, thuhet në deklaratë..

Pas sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe tani vendimit të Shteteve të Bashkuara për pezullimin e Dialogut Strategjik, është bërë krejtësisht e qartë se vendi po rrëshqet në një drejtim të rrezikshëm për shkak të një qeverie të papërgjegjshme. Kjo është koha e fundit që të gjitha forcat politike properëndimore, me vetëdije shtetformuese, të bashkohen dhe t’i japin Kosovës një qeveri të përgjegjshme, e cila e rikthen vendin në rrugëtimin e sigurt të integrimit euroatlantik – aspiratë e përhershme e popullit të Kosovës./KP

Continue Reading

Lajmet

Abdixhiku pritet në Ambasadën Amerikane pas pezullimit të Dialogut Strategjik

Published

on

By

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është parë sot duke hyrë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, vetëm pak minuta pas vendimit të SHBA-së për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën.

Abdixhiku ka mbërritur në objekt rreth orës 15:00, ku pritet të zhvillohet një takim me përfaqësues të ambasadës amerikane.

Para këtij takimi, kreu i LDK-së reagoi përmes një postimi në Facebook, ku theksoi se “është koha të bëhemi bashkë, t’i japim fund kësaj çmendurie politike”./UBTnews

Continue Reading

Lajmet

SHBA pezullon dialogun strategjik me Kosovën për një kohë të pacaktuar

Published

on

By

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka njoftuar të premten se Uashingtoni ka vendosur të pezullojë për një periudhë të pacaktuar dialogun strategjik me Kosovën.

Në deklaratën e publikuar nga Ambasada thuhet se ky vendim është marrë për shkak të shqetësimeve rreth veprimeve të Qeverisë në detyrë, të cilat, sipas SHBA-së, kanë kontribuar në rritjen e tensioneve dhe paqëndrueshmërisë, duke vështirësuar bashkëpunimin produktiv mbi prioritetet e përbashkëta.

Ne mbetemi të përkushtuar për të çuar përpara interesat e përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet në një qëllim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitet të ndërsjellë ekonomik. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit nga Kryeministri në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë viteve”, thuhet në deklaratë.

Dialogu strategjik kishte për synim forcimin e lidhjeve ekonomike dhe diplomatike mes dy vendeve, në interes të qytetarëve.

Continue Reading

Lajmet

​“Kam shumë për të thënë”: Rubin konfirmon se do të jap dëshmi në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Published

on

By

“Kam shumë për të thënë javën e ardhshme”, tha James Rubin, i cili gjatë luftës në Kosovë ka qenë ndihmës sekretar amerikan i Shtetit, derisa konfirmoi se do të jetë dëshmitar i mbrojtjes në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Rubin do të dëshmojë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Do të jem në Evropë sepse javën e ardhshme do të dëshmoj në Tribunalin special për krime lufte në Kosovë dhe si dikush që i ndihmoi Madeleine Albrightit në themelimin e Tribunalit fillestar për krime lufte, do të kthehem përsëri në fillim dhe kam më shumë për të thënë për këtë javën e ardhshme”, tha Rubin për emisionin “Christiane Amanpour Presents: The Ex Files with James Rubin”.

Madeleine Albright, tashmë e ndjerë, ishte kryediplomate amerikane.

Gjykata Speciale, e cila i heton krimet e pretenduara të luftës, ka seli në Holandë dhe funksionon me staf ndërkombëtar, edhe pse e themeluar me ligje të Kosovës në vitin 2015.

Atje, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi ndodhen në një proces të tejzgjatur gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Ata akuzohen për krime të pretenduara të luftës dhe krime kundër njerëzimit. Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat që Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka vënë mbi ta.

Katërshja e UÇK-së ndodhet në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020, ndërkaq gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill 2023.

Prokuroria e ka mbyllur çështjen e saj në prill të këtij viti ndërkohë, më 15 shtator do të nis paraqitja e provave nga ekipet mbrojtëse./D.B/KP

Continue Reading

Të kërkuara