Kombëtarja e Spanjës ka shënuar një fitore bindëse 3-0 ndaj Austrisë, duke siguruar me meritë kalimin për në 1/8 e finales të Kupës së Botës. Me këtë triumf, “La Roja” konfirmon formën e saj të lartë dhe përgatitet për një super-sfidë në fazën tjetër, ku do të përballet me Portugalinë, e cila më herët eliminoi Kroacinë.
Ndeshja nisi me dominimin e spanjollëve, të cilëve fillimisht iu anulua një gol spektakolar me volej nga Marc Cucurella për shkak të një faulli në sulm. Megjithatë, epërsia u zhbllokua në minutën e 36-të, kur Mikel Oyarzabal shënoi pas një asistimi të saktë nga po i njëjti Cucurella.
Në pjesën e dytë, Spanja e rriti presionin dhe në minutën e 66-të dyfishoi shifrat me anë të Pedro Porros, i shërbyer bukur nga Alex Baena. Austria u përpoq të reagonte, madje David Alaba shpëtoi një gol të sigurt mbi vijën e portës pas një goditjeje të Lamine Yamal. Krejt në fund të takimit, në minutën e 89-të, Oyarzabal shënoi golin e tij të dytë personal dhe të tretin për Spanjën, pas një tjetër asistimi nga Cucurella, duke vulosur rezultatin përfundimtar 3-0.
Ky sukses e dërgon Spanjën drejt një prej dueleve më të pritura të turneut, ku në fazën e 1/8-ave do të masë forcat në një derbi iberik kundër Portugalisë së Cristiano Ronaldos. /E.A/