Kulturë

“Festivali i Teatrove Ferizaj” dhe “Theater Vortex” organizojnë punëtori në Shkup

Published

on

Në një iniciativë të re që synon të bashkojë artin dhe kulturën përtej kufijve, “Theater Vortex” dhe “Festivali i Teatrove Ferizaj” do të organizojnë një punëtori njëjavore, e cila do të zhvillohet nga 15 deri më 22 mars 2025 në Shkup. Punëtoria e titulluar “Hijet e kohës: Arti Bashkon – Të shkrirë në kaosin e rrugëve dhe këndet e fshehura të qytetit” ka për qëllim të ofrojë një mundësi unike për artistët nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova për të bashkëpunuar dhe krijuar një performancë të veçantë.

Ky projekt do të përfshijë një proces intensiv pune që synon të shprehë një përvojë teatrale të përshkruar përmes elementeve të forta të vallëzimit, duke e vendosur trupin dhe lëvizjen në qendër të performancës. Për këtë arsye, organizatorët rekomandojnë që pjesëmarrësit të kenë një përvojë të mëparshme me teatrin fizik, për t’u mundësuar atyre një angazhim më të thellë dhe më dinamik në procesin e krijimit.

Përmes këtij projekti, “Festivali i Teatrove Ferizaj” dhe “Theater Vortex” synojnë të promovojnë artin si një mjet të fuqishëm për lidhjen e njerëzve dhe komuniteteve, duke e bërë atë të ndjeshëm ndaj kohëve dhe hapësirave që na rrethojnë, por gjithashtu duke e shkrirë atë me realitetin kaotik të qytetit dhe jetës urbane.

Thirrja për aplikime është e hapur deri më 20 shkurt 2025, dhe të gjithë ata që dëshirojnë të marrin pjesë janë të ftuar të aplikojnë përmes faqeve zyrtare të organizatorëve. Performanca përfundimtare e punëtorisë do të shfaqet si një bashkëpunim i gjallë dhe i fuqishëm që do të lë një shenjë të pashlyeshme në skenën e artit bashkëkohor të teatrove.

 

Lajmet

Liqeni i Shkodrës përfshihet në UNESCO

Published

on

By

Një lajm i rëndësishëm ka ardhur për trashëgiminë natyrore të Shqipërisë, me përfshirjen zyrtare të Liqenit të Shkodrës nga UNESCO në Rrjetin Botëror të Rezervave të Biosferës. Ky vendim shënon një hap të rëndësishëm për mbrojtjen dhe promovimin ndërkombëtar të kësaj pasurie të jashtëzakonshme natyrore.

Këtë arritje e ka ndarë me publikun edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili përmes një mesazhi u shpreh se ky është një sukses i angazhimit institucional dhe diplomatik të vendit.

“Me kënaqesinë e një tjetër lajmi të bukur për Shqipërinë e Gjelbër dhe trashëgiminë tonë natyrore, futjen e Liqenit të Shkodrës nga UNESCO në Rrjetin Botëror të Rezervave të Biosferës, rezultat i punës sonë diplomatike po edhe i kujdesit me përgjegjësi për këtë pasuri shqiptare që i shtohet thesareve të botës së mbrojtur nga UNESCO, ju uroj një javë të mbarë”, ka njoftuar Rama.

Continue Reading

Lajmet

Përzgjidhet projekti fitues për Memorialin e Adem Jasharit në Prishtinë, “Zâni i Lirisë” merr vendin e parë

Published

on

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se është përzgjedhur projekti fitues për “Memorialin Përkujtimor Adem Jashari”, ku vendin e parë e ka zënë koncepti “Zâni i Lirisë”.

Sipas Ramës, projekti fitues është përzgjedhur nga komisioni profesional vlerësues dhe do të realizohet në kryeqytet, duke bartur peshën historike, kombëtare dhe emocionale që përfaqëson figura e Adem Jasharit dhe familjes Jashari.

“Zâni i Lirisë” synon të jetë më shumë se një monument përkujtimor. Koncepti është menduar si simbol i sakrificës së familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.

I frymëzuar nga fjalët e njohura të Adem Jasharit, memoriali do ta shndërrojë zërin e tij në një simbol të përhershëm të lirisë, duke ruajtur kujtesën historike dhe duke përcjellë mesazhin e sakrificës ndër breza.

Sipas Komunës së Prishtinës, memoriali do të jetë një hapësirë që do të nderojë figurën e Komandantit Legjendar dhe do të shërbejë si pikë referimi për kujtesën kolektive të qytetarëve.

Continue Reading

Lajmet

Miratohet Plani i Menaxhimit për Qendrën Historike të Janjevës

Published

on

Është miratuar Plani i Menaxhimit për Qendrën Historike të Janjevës, një dokument i rëndësishëm që synon mbrojtjen, ruajtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të kësaj zone me vlera të veçanta kulturore dhe historike.

Pas investimeve të realizuara në revitalizimin e qytetit të vjetër, ky plan përcakton mekanizmat dhe masat konkrete për mbrojtjen e trashëgimisë historike, arkitektonike dhe peizazhit kulturor të Janjevës, duke siguruar që këto vlera të mbeten pjesë aktive e jetës së komunitetit.

Janjeva konsiderohet një nga qendrat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Kosovë, me histori dhe identitet të pasur. Përmes këtij plani synohet mirëmbajtja, aktivizimi dhe menaxhimi afatgjatë i trashëgimisë së saj, duke krijuar një bazë të qëndrueshme për zhvillimin lokal.

Po ashtu, plani parasheh zhvillimin e turizmit kulturor në harmoni me ruajtjen e vlerave historike, duke e shndërruar trashëgiminë në një faktor të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të zonës.

Miratimi i këtij plani vlerësohet si një tjetër hap i rëndësishëm në procesin e rijetësimit dhe promovimit të Janjevës si një qendër me rëndësi të veçantë kulturore dhe historike.

Continue Reading

Lajmet

Arsi Bako fiton “Festivalin e Pranverës” me këngën “Humb”

Published

on

Arsi Bako është shpallur fituese e këtij edicioni të “Festivalit të Pranverës”, duke triumfuar me këngën “Humb” pas një gare të fortë mes finalistëve.

Sipas sistemit të votimit, 60% e pikëve janë dhënë nga juria profesionale dhe 40% nga votimi digjital. Arsi Bako grumbulloi gjithsej 260 pikë, duke siguruar vendin e parë dhe kualifikimin automatik në Festivalin e Këngës në RTSH në fund të vitit.

Në vendin e dytë u rendit Herva Novaku me këngën “Zemër në dy hap” me 242 pikë, ndërsa vendin e tretë e zuri Jet me këngën “Në derë do t’i qaj” me 174 pikë.

Edicioni i rikthyer i festivalit u mbajt në Teatrin e Operas dhe Baletit, duke sjellë një mbrëmje të mbushur me emocione, konkurrencë dhe nostalgji për muzikën shqiptare.

Në skenë performuan edhe emra të njohur të muzikës shqiptare si Aleksandër Gjoka, Frederik Ndoci, Irma Libohova, Rovena Dilo, Eneda Tarifa, Jonida Maliqi, Dashnor Diko, Adhurim Demiri dhe Renis Gjoka, të cilët interpretuan disa nga hitet e tyre.

Mbrëmja u drejtua nga moderatorët Bleona Qereti dhe Nik Xhelilaj, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se festivali pritet të rikthehet sërish edhe vitin e ardhshëm.

Continue Reading

Të kërkuara