Teknologji

Fëmijët, TikTok-u dhe Bullizmi: Si të luftojmë efektet negative të TikTok-ut dhe platformave të tjera?

Published

on

Një studim i fundit i realizuar nga Save the Children ka zbuluar se 78% e fëmijëve në Kosovë besojnë se bullizmi është një problem i përhapur në institucionet arsimore. Vlerësohet se ky fenomen ka pasoja të rënda në shëndetin emocional dhe psikologjik të fëmijëve, duke çuar shpesh në ankth, depresion dhe ulje të vetëvlerësimit. Përveç ndikimeve të drejtpërdrejta në mirëqenien e fëmijëve, bullizmi ka efekt negativ edhe në arritjet akademike dhe marrëdhëniet shoqërore të tyre.

Për të luftuar këtë problem dhe për të mbrojtur mirëqenien e fëmijëve, është e domosdoshme të ketë një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet shkollave, familjeve dhe institucioneve shtetërore. Edukimi i fëmijëve mbi rreziqet e bullizmit dhe përdorimin e përgjegjshëm të mediave sociale, veçanërisht në platformat si TikTok, është një hap thelbësor për të parandaluar ndikimet negative që sjell ky fenomen.

Profesoresha dhe psikologia klinike, Violeta Zefi, thekson se ky rezultat është një thirrje për veprim të menjëhershëm dhe përkushtim të madh nga prindërit, mësimdhënësit, shkollat dhe institucionet, për të krijuar një mjedis sa më të sigurt për fëmijët në Kosovë.

Çfarë do të thotë për shoqërinë kosovare që 78% e fëmijëve besojnë se bullizmi është një problem i pranishëm në shkollat e tyre?

Fakti që 78% e fëmijëve në Kosovë besojnë se bullizmi është një problem i pranishëm në shkollat e tyre reflekton disa aspekte shqetësuese dhe të rëndësishme për shoqërinë kosovare. Fillimisht, kjo përqindje tregon se një pjesë e madhe e fëmijëve përballen me një mjedis shkollor që nuk është gjithmonë i sigurt dhe mbështetës për ta. Po ashtu, ky rezultat tregon se fëmijët janë të vetëdijshëm për problemin e bullizmit dhe përgjithësisht janë të hapur për të diskutuar për të. Ky është një hap i rëndësishëm drejt adresimit të tij, pasi identifikimi i një problemi mund të trajtohet më lehtë dhe pa pritur gjatë. Rezultati flet për një thirrje të qartë për ndërhyrje dhe përkushtim më të madh nga prindërit, mësimdhënësit, shkollat dhe institucionet shtetërore për të krijuar një mjedis të sigurt, ku çdo fëmijë të ndihet i respektuar dhe i mbrojtur.

Si mund të ndikojë përhapja e bullizmit në shkolla dhe në rrjetet sociale, si TikTok, në zhvillimin emocional dhe psikologjik të fëmijëve në Kosovë?

Përhapja e bullizmit në shkolla dhe në rrjetet sociale si TikTok mund të ketë pasoja serioze dhe afatgjata në zhvillimin emocional dhe psikologjik të fëmijëve në Kosovë. Bullizmi krijon ndjenja të thella pasigurie dhe ul vetëvlerësimin e fëmijëve, duke i bërë ata të ndihen të pavlerë ose të padëshiruar. Kur bullizmi ndodh publikisht në rrjetet sociale, si TikTok, ndikimi mund të përforcohet, pasi audienca më e gjerë ka mundësi të rrisë ndjenjat negative edhe më tej. Po ashtu, fëmijët që përjetojnë bullizëm shpesh tërhiqen nga shoqëria për të shmangur dhimbjen dhe përqeshjet. Ky izolim social mund të pengojë zhvillimin e aftësive të tyre për të krijuar dhe mbajtur marrëdhënie të shëndetshme.

Ndikimi psikologjik i bullizmit shpesh manifestohet me simptoma të ankthit dhe depresionit. Fëmijët mund të ndihen të stresuar, të frikësuar ose të pafuqishëm përballë situatave të tilla. Rrjetet sociale, mund të përkeqësojnë këtë gjendje, duke e bërë të pamundur që fëmijët të shkëputen nga mjedisi i bullizmit. Përjetimi i bullizmit në shkolla mund të çojë në mungesë motivimi, përqendrim të ulët dhe rezultate të dobëta nëmësimnxënie. Kjo përkeqësohet kur bullizmi vazhdon edhe jashtë shkollës, përmes platformave sociale.

Fëmijët që përballen me bullizëm shpesh shfaqin sjellje destruktive si një mënyrë për të përballuar stresin, duke përfshirë vetë-dëmtimin. Gjithashtu, bullizmi mund të krijojë tensione në marrëdhëniet familjare, pasi fëmijët shpesh mund të ndihen të pa kuptuar ose të paaftë për të shprehur ndjenjat e tyre.

Përderisa TikTok është identifikuar si platforma më e rrezikshme për bullizmin online në Kosovë, çfarë hapash mund të merren për të rritur sigurinë dhe mbrojtjen e fëmijëve në këtë platformë?

Është shumë i rëndësishëm edukimi për përdorimin e mediave sociale. Prindërit dhe mësimdhënësit duhet të mësojnë fëmijët të përdorin rrjetet sociale në mënyrë të përgjegjshme dhe të kuptojnë rreziqet e bullizmit online. Po ashtu, duhet të zhvillohen programe që rrisin ndërgjegjësimin për bullizmin dhe ndikimin e tij, duke krijuar një mjedis më mbështetës dhe të sigurt për fëmijët. E një rëndësie të veçantë është edhe mbështetja psikologjike. Këshillimi dhe ndihma psikologjike për fëmijët që përjetojnë bullizëm janë thelbësore për rikuperimin e tyre emocional.

Si mund të kontribuojnë shkollat, prindërit dhe institucionet për të krijuar një mjedis më të sigurt për fëmijët, duke adresuar dhe luftuar bullizmin, si në shkolla ashtu edhe online?

Shkollat, prindërit dhe institucionet mund të luajnë role të rëndësishme për të krijuar një mjedis më të sigurt për fëmijët dhe për të luftuar bullizmin, si në shkolla ashtu edhe online.

Është shumë i rëndësishëm hartimi dhe zbatimi i programeve kundër bullizmit. Të edukohen nxënësit mbi efektet e bullizmit përmes trajnimeve dhe aktiviteteve ndërgjegjësuesenë shkolla. Prindërit duhet të ndërtojnë komunikimit të hapur më fëmijet. Të krijojnë një mjedis ku fëmijët ndihen të sigurt për të ndarë përvojat e tyre. Po ashtu, të monitorojnë përdorimin e rrjeteve sociale, përkatësisht të edukojnë dhe mbikëqyrin aktivitetin online të fëmijëve për t’i mbrojtur nga bullizmi virtual.

Institucionet duhet të hartojnë politika mbrojtëse që do të fokusoheshin në adresimin e bullizmin në shkolla dhe online. Po ashtu, institucionet të bëjnë të mundur që secila shkollë të ketë shërbim psikologjik.

Ndihma psikologjike për fëmijët që përjetojnë bullizëm është thelbësore për rikuperimin e tyre emocional. Bashkëpunimi në mes të gjitha palëve, prindërve, shkollave dhe institucioneve është krucial për rezultate pozitive. Ofrimi i mbështetjes psikologjike për fëmijët që përballen me bullizëm është një hap i rëndësishëm për të siguruar zhvillimin e tyre emocional dhe për të ndihmuar në rikuperimin nga dëmet psikologjike që bullizmi mund të shkaktojë. Vetëm nëpërmjet ndërgjegjësimit, edukimit dhe bashkëpunimit të të gjitha palëve të shoqërisë mund të luftojmë bullizmin dhe të sigurohemi se cdo fëmijë të ndihet i sigurt dhe i mbrojtur në mjedisin shkollor.

 

 

Gazetare: Dea Berisha

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Teknologji

DB12 S i ri nga Aston Martin, performancë maksimale dhe dizajn unik

Published

on

Aston Martin ka prezantuar modelin e ri DB12 S, i cili i bashkohet linjës së performancës së lartë të markës britanike, përkrah DBX S dhe Vantage S, si pjesë e strategjisë së CEO-s Adrian Hallmark për të ofruar më shumë versione sportive të modeleve ekzistuese.

Modeli DB12 S sjell përmirësime të dukshme në performancë dhe dizajn, duke e bërë edhe më emocionuese përvojën e drejtimit.

Nën kapakun elegant ndodhet motori V8 4.0 litra me dy turbo, i cili tani prodhon 691 kuaj fuqi, duke e bërë makinën të arrijë nga 0 në 100 km/orë për vetëm 3.4 sekonda (3.5 sekonda për versionin Volante). Shpejtësia maksimale arrin 320 km/orë.

Përveç fuqisë së shtuar, DB12 S përfshin frena qeramike karboni standarde, me disqe 16.1 inç përpara dhe 14.2 inç mbrapa, si dhe sistemin e ri të kontrollit të frenimit në kthesa.

Përmirësimet përfshijnë amortizatorët Bilstein DTX, diferencial elektronik të pasmë të avancuar e ngurtësim të shufrave kundër rrotullimit, për një drejtim më të saktë dhe stabilitet të lartë. Në pamje të jashtme, DB12 S dallohet me ndarësin aerodinamik të përparmë me dy elementë, grilat e reja të motorit (me ngjyrë të zezë ose fibra karboni).

Dhe, një spojler të fiksuar të pasmë e katër tuba shkarkimi inox – me mundësi për sistem titaniumi që ofron zë më të fuqishëm dhe peshë më të ulët. Brendësia e makinës kombinon luksin me sportivitetin, duke përfshirë lëkurë premium dhe Alcantara, si dhe një buton metalik rrotullues të kuq në qendër të konsolës – simbol i versionit “S”.

Modeli DB12 S do të jetë i disponueshëm në variantet kupé dhe kabriolet, me porosi që nisin që tani dhe dorëzime të planifikuara për tremujorin e parë të vitit 2026. Çmimi ende nuk është zbuluar, por pritet të jetë mbi 275 mijë dollarë, duke pasur parasysh që versioni bazë DB12 fillon nga 250 mijë dollarë. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Teknologji

Meta përditëson algoritmin e Facebook për të treguar më shumë Reels

Published

on

Meta njoftoi të martën një përditësim të ri të algoritmit të Facebook, i cili synon të shfaqë më shumë video Reels të personalizuara bazuar në preferencat e përdoruesve.

Ndryshimi përfshin funksione të reja që ofrojnë përdoruesve më shumë kontroll mbi përmbajtjen që shohin, sugjerime kërkimi të mundësuara nga inteligjenca artificiale dhe “flluska” miqsh të rinj që tregojnë postimet e preferuara të miqve.

Përdoruesit mund të zgjedhin opsionin “nuk jam i interesuar” në një Reel ose të raportojnë komente të papërshtatshme, duke ndihmuar algoritmin të përshtatet me preferencat e tyre.

Funksioni “Ruaj” është përditësuar gjithashtu, duke e bërë më të lehtë mbledhjen e Reels dhe postimeve të preferuara në një vend.

Ky përditësim vjen pas ankesave të përdoruesve për përmbajtje mashtruese, bezdisëse ose video të gjeneruara nga AI me cilësi të ulët. Meta ka investuar në këtë drejtim, duke lansuar edhe burimin video “Vibes”, i cili ofron përmbajtje të gjeneruar nga AI.

Sipas kompanisë, përdoruesit do të shohin 50% më shumë Reels të ngarkuara në të njëjtën ditë, duke favorizuar përmbajtjen më të freskët.

Sugjerimet e reja të kërkimit i ndihmojnë përdoruesit të zbulojnë më shumë video të ngjashme me interesat e tyre, flluskat e miqësisë do t’u lejojnë përdoruesve të shohin cilat video kanë pëlqyer miqtë e tyre dhe të hapin mesazhe private me një trokitje. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Teknologji

Amazon investon 1 miliard euro në Belgjikë për të përmirësuar dërgesat brenda ditës

Published

on

Gjigandi amerikan i teknologjisë, Amazon, ka njoftuar planet për të investuar një miliard euro në Belgjikë gjatë periudhës 2025–2027, raportoi të mërkurën gazeta L’Echo.

Kompania synon të zhvillojë infrastrukturën lokale dhe të forcojë partneritetet me operatorin belg të postës Bpost dhe me kompanitë e vogla dhe të mesme në vend.

Qëllimi kryesor është të përmirësojë zinxhirët e furnizimit në Belgjikë, duke mundësuar dërgesa brenda ditës për klientët.

Aktualisht, Amazon punëson rreth 400 persona në Belgjikë dhe ka investuar afërsisht 800 milionë euro gjatë 10 viteve të fundit në vend. /A.Z/UBT News/

 

 

Continue Reading

Teknologji

OpenAI ndërmerr masa kundër keqpërdorimit të ChatGPT

Published

on

OpenAI njoftoi të martën se ka mbyllur disa llogari të ChatGPT-së që dyshohet se kishin lidhje me entitete qeveritare kineze.

Në raportin e fundit mbi kërcënimet publike, kompania tha se disa përdorues kishin kërkuar nga chatbot-i që të përshkruante mënyra për “dëgjimin” e mediave sociale dhe metoda të tjera monitorimi veprime që shkelin politikat e saj të sigurisë kombëtare.

Raporti i firmës me seli në San Francisko thekson shqetësime në lidhje me rreziqet e mundshme të keqpërdorimit të inteligjencës artificiale gjeneruese, në një kohë kur rivaliteti mes SHBA-së dhe Kinës për kontrollin e zhvillimit dhe rregullimit të teknologjisë po rritet.

OpenAI bëri të ditur gjithashtu se ka pezulluar disa llogari në gjuhën kineze që përdornin ChatGPT për të ndihmuar fushata “phishing” dhe krijim të “malware”-eve, si dhe për të hulumtuar mënyra automatizimi përmes modelit DeepSeek të Kinës.

Kompania tha po ashtu se ka ndërprerë llogaritë e lidhura me grupe të dyshuara kriminale rusishtfolëse, të cilat po përpiqeshin të përdornin chatbot-in për zhvillimin e softuerëve të dëmshëm.

OpenAI, e cila aktualisht ka mbi 800 milionë përdorues aktivë çdo javë, është bërë startup-i më i vlefshëm në botë me një vlerësim prej 500 miliardë dollarësh, pas një shitjeje të fundit dytësore të aksioneve. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Të kërkuara