Lajmet

FBI kontrollon shtëpinë e presidentit Biden në Delaware

Kjo u bë e ditur nga avokatë të presidentit Biden.

Published

on

FBI ka nisur një kontroll në shtëpinë e presidentit, Joe Biden, në Rehoboth, Delaware, si pjesë e një hetimi për dokumente të klasifikuara. Kjo u bë e ditur nga avokatë të presidentit Biden. Nëpërmjet një deklarate, avokati i Biden tha se kërkimi ishte i “planifikuar” dhe me “mbështetjen e plotë” të presidentit.

CBS ka raportuar se kontrolli ka të bëjë me një hetim më të gjerë në trajtimin e dokumenteve të klasifikuara. FBI nuk ka komentuar mbi kontrollin dhe meqë ishte konsensuale, nuk është kërkuar një urdhër kërkimi. Avokati i zotit Biden, Bob Bauer, tha se kontrolli u krye “pa njoftim paraprak publik”, në interes të “sigurisë operacionale dhe integritetit”.

Kërkimi është i fundit i një serie kontrollesh të kryera në vende të ndryshme, pas zbulimit të dokumenteve të klasifikuara në Qendrën Penn në Uashington DC, në nëntor. Kjo nuk u bë publike në atë kohë.

Dokumentet shtesë u zbuluan në një shtëpi tjetër të zotit Biden në Wilmington, Delaware, nga kontrollet e mëvonshme të kryera në dhjetor dhe janar.

Zoti Biden ka thënë se ekipi i tij bëri “atë që duhej të bënte” dhe po “bashkëpunonte plotësisht” me hetimin. Njoftimi për kontroll vjen një ditë pasi këshilltari special, Robert Hur, filloi zyrtarisht detyrën e tij, duke mbikëqyrur hetimin mbi dokumentet.

Lajmet

Jashari pret në takim komandantin e Akademisë së Forcave të Armatosura të Shqipërisë

Published

on

By

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim komandantin e Akademisë së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjeneralmajor Ferdinant Dimo.

Sipas njoftimit të FSK-së, gjatë takimit është diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet dy forcave, me fokus të veçantë në arsimimin dhe edukimin ushtarak, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe mundësitë për zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërinstitucional.

Jashari ka vlerësuar bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet FSK-së dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e bashkërendimit të aktiviteteve në fushën e edukimit dhe trajnimit ushtarak, si dhe të shkëmbimit të përvojave për zhvillimin e aftësive profesionale të personelit ushtarak.

Në përfundim të takimit, të dy gjeneralët kanë riafirmuar përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy institucioneve ushtarake. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Liga e Kampionëve rikthehet sonte me nëntë ndeshje, vëmendja te Arsenal – Dortmund dhe rikthimi i De Bruyne në “Etihad”

Published

on

By

Liga e Kampionëve rikthehet këtë të martë me nëntë ndeshje në kuadër të fazës së ligës, ku spikasin disa përballje mes skuadrave të njohura evropiane.

Vëmendja kryesore pritet të jetë te dueli mes Arsenalit dhe Borussia Dortmundit, dy skuadra që kanë treguar formë të mirë në këtë edicion. Po ashtu, me interes të veçantë pritet edhe përballja Manchester City – Napoli, ku Kevin De Bruyne rikthehet në “Etihad Stadium” si kundërshtar i ish-klubit të tij, pas dhjetë sezonesh të kaluara në Angli.

Në Madrid, Real Madridi synon të vazhdojë serinë e fitoreve ndaj PSV Eindhovenit për të ruajtur bilancin perfekt pas katër ndeshjeve të para. Ndërkohë, Como, pas fitores 9-1 ndaj Lensit, luan ndaj AEK Athinës në kërkim të vazhdimësisë së rezultateve pozitive.

Në Stamboll, Galatasaray pret Aston Villan, ndërsa Feyenoord dhe Porto përballen në një duel të rëndësishëm për pikë në tabelë. Në dy takimet e tjera të mbrëmjes, Leipzig e pret Lensin, kurse Slovan Bratislava luan ndaj Real Betisit në kërkim të pikëve të para në këtë fazë të garës.

Programi i mbrëmjes hapet në orën 18:45 me ndeshjen Bodo/Glimt – LASK, ndërsa shtatë përballjet e tjera fillojnë nga ora 21:00. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Ndërron jetë një fëmijë dyvjeçar në Ferizaj, trupi dërgohet për obduksion

Published

on

By

Një fëmijë i moshës dyvjeçare ka ndërruar jetë të hënën në Ferizaj.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, fëmija është dërguar nga familjarët në Qendrën Emergjente në gjendje të rëndë shëndetësore, por më pas ka vdekur.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, ndërsa me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion dhe rasti po hetohet si “hetim mbi vdekjen”. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kori i Filharmonisë së Kosovës sjell koncert në Prizren më 25 nëntor

Published

on

Kori i Filharmonisë së Kosovës do të mbajë një koncert në Prizren, me një program të përzgjedhur të muzikës korale, nën drejtimin e dirigjentit Hajrullah Syla.

Në koncert do të interpretohen vepra të kompozitorëve Jennifer Lucy Cook, Hajrullah Syla, Eric Whitacre, Anders Edenroth, Rafet Rudi dhe Ko Matsushita.

Koncerti do të mbahet më 25 nëntor 2026, duke filluar nga ora 19:30, në hapësirën “Autostrada Hangar” në Prizren.

Të interesuarit mund t’i rezervojnë biletat përmes këtij linku./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara