Lajmet

Evakuohen pesë familje në Gjakovë si pasojë e vërshimeve

Lumenjtë kanë vërshuar disa rrugë dhe ura.

Published

on

Ndonëse lumenjtë Krena, Erenik dhe Llukas të cilët përshkojnë komunën e Gjakovës kanë arritur pikat kritike për shkak të reshjeve të dendura të shiut, gjendja është stabile dhe nën kontroll. Deri në këto momente në këtë komunë janë evakuuar pesë familje, ndërsa lumenjtë kanë vërshuar disa rrugë dhe ura.

Udhëheqësi i sektorit për siguri dhe emergjenca në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Gjakovë, Besim Meqa tha se gjendja e lumenjve që përshkojnë këtë komunë është më stabile. Sipas tij ndonëse dje lumenjtë, Krena, Erenik, Llukas kanë arritur pikat kritike, sot vërehet rënie e lehtë e nivelit të ujit.

“Gjatë gjithë kohës jemi të mobilizuar në monitorimin dhe vlerësimin e gjendjes aktuale… Këtu në Gjakovë dje kemi pas një situatë pak më kritike meqenëse lumenjtë qe përshkojnë territorin e komunës së Gjakovës si Erenik, Krena dhe lumi Llukas kanë arritur pikat kritike, dje ka qenë një moment që ka mundur edhe të përkeqësohet gjendja, por fatmirësisht intensiteti i ujit ka rënë në ato kuota dhe nuk i ka tejkaluar parashikimet tona dhe kemi pas situatë relativisht stabile… Sot lumenjtë akoma janë në pikët kritike ka një rënie të lehtë shihet është evidente në bazë të vlerësimeve në terren dhe monitorimit shohim që ka ulje të nivelit, por nuk është ndonjë ulje substanciale… Nëse kthehen të reshurat me intensitet çfarë kanë qenë dje, atëherë bazën e ka shumë të fortë për të dalë nga shtrati lumenjtë… Sot është shumë më stabile për shkak se intensiteti ka rënë në bazë të parametrave që kemi bërë një vlerësim besoj që çdo gjë do të jetë në rregull”, tha ai.

Meqa tregoi se nga dje kanë pasur më shumë vërshime të rrugëve dhe disa urave, ndërsa janë evakuuar edhe pesë familje në lagjen Bretkoc i Ulët.

“Kemi pasur telashe në disa pika kryesisht vërshime të rrugëve, vërshime të urave në disa lokacione, shembull lumi Erenik që ka vërshuar urën në dalje të qytetit blloku i ri në drejtim të Shkukzës, rruga Bujaroka që shkon në drejtim të Tabakut, Ereniku ka vërshuar, si dhe kemi bërë evakuimin e disa banorëve në lagjen Brekoc i Ulët në rrugën “Shote Galica”, ku kemi evakuuar 5-6 familje. Çdo gjë e kemi nën kontroll për momentin dhe se komuna nuk ka pasur arsye për të ngritur në një nivel më të lartë të gatishmërisë pasi të gjitha janë të menaxhuara”, theksoi ai.

Udhëheqësi i sektorit për siguri dhe emergjenca në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Gjakovë, Besim Meqa paralajmëroi se nëse vazhdojnë reshjet e shiut me intensitetin e ditës së djeshme komuna e Gjakovës rrezikohet nga përkeqësim i situatës me vërshime.

“Parashikimet e motit janë se do të ketë reshje prapë dhe mund të ketë rritje të nivelit të ujërave. Ne jemi në gatishmëri me të gjitha kapacitetet reaguese komunale”, tha Meqa.

Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në komunën e Gjakovës, Xhevdet Brahimaj u shpreh se deri më tani ekipet e zjarrfikësve kanë intervenuar në katër raste, përfshirë ndërhyrjen e largimit të ujit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, Shkollën e Mjekësisë dhe evakuimin e dy familjeve.

Brahimaj tregoi se aktualisht kanë ekipe dhe pajisje të mjaftueshme për të menaxhuar situatën.

“Jemi në gatishmëri që 24 orë gjendja në Gjakovë nuk është edhe fortë e tensionuar. Kemi pasur katër raste intervenimi. Një rast kemi pasur ujë në ambulantë, shkollë dhe në Biskotë i kemi tërhequr dy familje… Ne si njësi kemi ekipe të mjaftueshme sido që të jetë duke e parë situatën jemi mjaftueshëm”, theksoi ai.

Rrjedha e lumit Krena në rrugën “Ahmet Korenica”, është më e rënduar dhe kështu po rrezikon daljen nga shtrati. Edhe banorët në këtë lagje ndihen të rrezikuar nga vërshimet të cilët tashmë uji ka hyrë në oborret dhe bodrumet e shtëpive.

Hasan Ukaj, banor, thotë se kjo lagje është shumë e rrezikuar pasi komuna nuk po intervenon në urën, e cila po shkakton telashe sa herë që ka reshje të mëdha. Ukaj tregon se tashmë shtëpitë dhe oborret e kësaj lagjeje janë të mbushura me ujë.

“Jemi të rrezikuar shumë për shkak të lumit Krena. Në këtë lagje jemi diku 15 shtëpi shumë të rrezikuara. Kemi bërë disa ankesa në komunë disa herë, por askush nuk na ka marrë parasysh….E kemi një urë atje. Krejt problemin e bën ura, ka mundësi të shpëtojmë nëse intervenon pak komuna, por komuna nuk është duke i interesuar asgjë…Shumë keq (e kemi gjendjen). Gjendja është shumë e keqe për momentin. Gjendja është shumë e keqe, shihet uji, vërshimet kanë hyrë nëpër bodrume, shtëpi e nëpër oborre. Gjendja është shumë e keqe jemi të rrezikuar me fëmijë e me të gjithë”, u shpreh Ukaj.

Edhe kryefamiljari i familjes 17-anëtarëshe, Muhamet Bajrami thotë se që nga dje po mundohen vetë t’i shpëtojnë pajisjet, pasi që uji tashmë ka hyrë në bodrumet dhe oborrin e shtëpisë. Ai thotë se fëmijët i kanë largua nga shtëpia.

“Katastrofë jemi me ujë prej dje. Komuna nuk na ndihmon që të largohemi… Jemi të rrezikuar qe gati 10 vjet… Uji na ka hyrë brenda, i kemi largua me shtretër, me të gjitha, makinat e larjes… Deri më tani nuk kam parë askënd vetëm policia ka ardhur mbrëmë dhe tha nëse ka ndonjë rrezikim lajmëroni”, tha ai.

Ndryshe, reshjet e shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati ka ndikuar që të ketë vërshime edhe në disa fshatra të Vushtrrisë, Istogut e Pejës. 

Continue Reading

Lajmet

REL: Keqardhje që Serbia s’ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për sulmin në Banjskë

Published

on

Në përvjetorin e tretë të sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, Bashkimi Evropian shprehu keqardhje që Serbia nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm ndaj të dyshuarve që gjenden në territorin e saj.

“BE-ja vazhdimisht ka bërë thirrje që përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë dhe shpreh keqardhje që, deri më tani, Serbia nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të arrestuar dhe ndjekur penalisht ata, me akuza përkatëse, të personave që gjenden në Serbi”, tha një zëdhënës i BE-së.

Tre vjet më parë, në Banjskë të Zveçanit një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë këmbimit të zjarrit, tre sulmues serbë u vranë.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.

Radoiçiq ka adresë të regjistruar në Serbi, teksa Kosova vazhdimisht kërkon që ai të ekstradohet në mënyrë që të përballet me drejtësinë.

“Ne presim që Serbia të bashkëpunojë plotësisht përmes kanalit të krijuar për ndihmë të ndërsjellë juridike. Kjo çështje ka mbetur pezull për një kohë të gjatë dhe Serbia duhet ta trajtojë atë sa më shpejt”, tha zëdhënësi i BE-së.

Në deklaratën e BE-së tha se çështjen e Banjskës, përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, e ka ngritur gjatë takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit në Nju Jork.

Po në Nju Jork, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ngriti çështjen e sulmit në Banjskë gjatë takimit me Kallasin.

Kuri tha se Radoiçiq dhe persona të tjerë që morën pjesë në sulm po “mbrohen nga presidenti i Serbisë”, duke shtuar se ka kërkuar përkrahjen e BE-së që t’i bëjë trysni Serbisë për këtë çështje.

Përveç BE-së, edhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar vazhdimisht që të përfshirët në sulm të përballen me drejtësinë.

Kosova ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, përfshirë Radoiçiqit, për sulmin në Banjskë. Gjykimi është mbajtur vetëm ndaj tre personave, të cilët janë dënuar nga shkalla e parë e gjyqësorit: një me 30 vjet burgim dhe dy persona me burgim të përjetshëm.

Continue Reading

Lajmet

Nora Gjakova diplomon në UBT, xhudistja përmbyll me sukses studimet në Shkencat e Sportit

Published

on

Xhudistja kosovare dhe kampionia olimpike, Nora Gjakova, ka diplomuar në UBT, në Fakultetin e Shkencave të Sportit dhe të Lëvizjes, në programin “Shëndeti dhe Aktiviteti Fizik”.
Gjakova, e cila ndër vite ka përfaqësuar Kosovën në garat më të rëndësishme ndërkombëtare të xhudos, ka përfunduar studimet me një temë diplome që lidhet drejtpërdrejt me sportin që e ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës së saj.
Tema e punimit të saj ishte “Monitorimi i shkallës së lodhjes akute dhe rikuperimit pas një ndeshjeje të simuluar të xhudos përmes metodës indirekte (two-point velocity), të bazuar në shpejtësi në teknikën Bench Press”.
Punimi është realizuar nën mentorimin e Asoc. Prof. Dr. Milaim Berishës.
Me këtë arritje akademike, Nora Gjakova i shton një tjetër sukses rrugëtimit të saj, kësaj radhe në fushën e arsimit dhe shkencës sportive.

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një zyrtar që dyshohet se mori ryshfet nga pronarë biznesesh

Published

on

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Rahovec, i dyshuar për veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Sipas Policisë, i dyshuari, mashkull kosovar, në periudha dhe lokacione të ndryshme në zonën e Rahovecit, dyshohet se kishte kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarë të bizneseve, në këmbim të moskryerjes së kontrolleve apo mosndëshkimit për shkeljet e ligjit.

Gjatë hetimeve, të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, janë siguruar dëshmi se i dyshuari dyshohet se kishte pranuar në disa raste shuma prej 300 deri në 500 euro nga pronarë të ndryshëm biznesesh.

Me urdhër të Gjykatës Themelore në Gjakovë, më 24 shtator janë kontrolluar ambienti i punës dhe veturat që i dyshuari kishte në shfrytëzim. Gjatë kontrollit është sekuestruar edhe një telefon celular.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ish-kreu i SHISH, Vlora Hyseni del nga GJKKO, iu komunikua masa e sigurisë “arrest në shtëpi”

Published

on

Ish-kreu i SHISH, Vlora Hyseni sapo ka dalë nga GJKKO pas më shumë se 2 orësh.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha raporton se Hysenit i është komunikuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Ajo u pyet nga gazetarët në lidhje me përgjimet e SPAK, por ka refuzuar të flasë.

Ndryshe, para se të hynte në gjykatë gjatë kalimit nga rruga drejt godinës, Hyseni është shprehur shkurtimisht ndaj pyetjes së gazetarëve nëse Agasit i janë kaluar nga ana e saj dokumente të klasifikuara, duke u shprehur: “Si kalon ti në takime me agjentët serb në dhomat e hotelit Rogner”. /Tch/

Continue Reading

Të kërkuara