Lajmet nga UBT

Eurotripi i ëndrrave: Horizonte të reja për studentët e UBT-së

Published

on

Studentët e UBT-së kanë pasur mundësinë të përjetojnë një udhëtim të paharrueshëm në disa nga qytetet më të bukura dhe historike të Evropës. Ky udhëtim u organizua dhe u udhëhoq nga profesorët Ajhan Bajmaku dhe Bashkim Shala, duke përfshirë ndalesa në disa prej qyteteve më të njohura dhe më të rëndësishme të Evropës.

Verona, Itali

Verona ishte një mundësi spontane që studentët nuk e humbën. Duke mbërritur më herët në Itali, ata shfrytëzuan rastin për të eksploruar qendrën historike të qytetit. Arkitektura e Veronës dhe atmosfera e saj romantike lanë mbresa të thella, duke përfshirë vizita në sheshet kryesore dhe ndërtesat e vjetra me vlera të rralla kulturore.

Venedik, Itali

Vizita në Venedik nisi me analizimin e fasadave dhe objekteve historike, duke ndjekur rrugët ujore deri te qendra, në Sheshin San Marco. Studentët u njohën me historinë e qytetit, arkitekturën unike dhe sistemin inovativ të transportit ujor. Kjo eksperiencë shërbeu si frymëzim për shumë prej tyre, sidomos për ata që studiojnë arkitekturë dhe infrastrukturë urbane.

Paris, Francë

Udhëtimi në Paris filloi me një vizitë te Kulla e Ajfellit, simboli i qytetit dhe një mrekulli inxhinierike. Studentët shijuan pamjet panoramike dhe kapën momente të veçanta me fotografi në afërsi të muzeut të Arkitekturës.

Vizita vazhdoi në Palais de Tokyo, një muze bashkëkohor i artit, ku studentët u njohën me punimet e artistëve të njohur dhe eksploruan instalacione dhe hapësira inovative. Një tjetër ndalesë ishte Pompidou Center, i famshëm për arkitekturën e tij futuriste, projektuar nga Richard Rogers dhe Renzo Piano. Ky muze ishte një mundësi për studentët që të përjetonin ndërthurjen e artit dhe teknologjisë.

Delft, Holandë

Në Delft, vizita ishte e përqendruar te Universiteti i Arkitekturës, një nga më të njohurit në Evropë. Studentët eksploruan laboratorët e pajisur me teknologji moderne dhe studimet e realizuara nga studentët vendas. Një veçori e vizitës ishte ligjërata nga profesori i njohur Mark Pimlott, i cili ndau këshilla dhe eksperienca mbi dizajnin e enterierit. Vizita vazhdoi te Fakulteti i Dizajnit Industrial, ku studentët panë proceset e zhvillimit të patentimeve të makinerive dhe produkteve që kanë ndikim të gjerë në tregun evropian.

Rotterdam, Holandë

Pas vizitave në qytetet e tjera, udhëtimi vazhdoi në Rotterdam, një qytet i njohur për arkitekturën moderne dhe urbane. Studentët eksploruan qendrën e qytetit, ku kombinimi i traditës dhe modernitetit është evident në çdo hap. Një nga pikat kryesore të vizitës ishte Tregu i Gjelbër i Qytetit, një strukturë ikonike e projektuar nga studioja ndërkombëtare MVRDV, e cila është e njohur për qasjen vizionare ndaj arkitekturës urbane. Ky treg ofron një shembull të shkëlqyer të mënyrës se si arkitektura bashkëkohore mund të krijojë hapësira funksionale dhe estetike për komunitetin.

Amsterdam, Holandë

Vizita në Amsterdam filloi me eksplorimin e Stedelijk Museum, një qendër ikonike arti dhe dizajni, e projektuar nga studioja e mirënjohur Benthem Crouwel Architects. Ky muze ofron një koleksion të pasur të artit modern dhe bashkëkohor. Pas kësaj, studentët vizituan Muzeun Vincent van Gogh, ku patën mundësinë të shohin nga afër disa prej veprave më të famshme të piktorit legjendar dhe të përjetojnë një udhëtim të jashtëzakonshëm në botën e artit dhe kreativitetit.

 

Berlin, Gjermani

Në Berlin, vizita filloi me Portën e Triumfit (Brandenburger Tor), një nga simbolet më të njohura të qytetit dhe një monument historik. Më pas, studentët eksploruan Peizazhin Përkujtimor të Holokaustit, një vepër emocionuese dhe domethënëse e arkitektit Peter Eisenman, që reflekton mbi historinë dhe kujtesën kolektive. Vizita vazhdoi në Muzeun e Filmit, ku studentët patën mundësinë të mësojnë më shumë rreth industrisë së filmit dhe festivaleve të famshme si Berlinalja, duke ndjerë atmosferën historike të Berlinit.

Pragë, Çeki

Vizita në Pragë filloi me eksplorimin e Qytetit të Vjetër, një nga zonat më historike dhe piktoreske të qytetit. Si pjesë e kësaj, studentët vizituan ndërtesën ikonike Dancing House, një kryevepër arkitekturore e krijuar nga Frank Gehry, e njohur për format e saj unike dhe dinamike. Më pas, udhëtimi vazhdoi drejt Urës së Karlit (Charles Bridge), një nga atraksionet më të famshme dhe të dashura të Pragës, që ofron një peizazh magjepsës të qytetit dhe lumit Vltava. Kjo vizitë i dha studentëve një përvojë të veçantë në zemrën kulturore të Pragës.

Vjenë, Austri

Eurotripi përfundoi në Universitetin e Vjenës, ku studentët patën mundësinë të bashkëpunojnë me profesorët Skender Kosumi dhe Tomas Dilinger. Ata morën pjesë në diskutime dhe aktivitete që shtriheshin nga arkitektura deri te teknologjitë moderne. Vjena, me trashëgiminë e saj të pasur kulturore dhe institucionet arsimore të nivelit të lartë, ishte një pikë kulminante e këtij udhëtimi.

Ky Eurotrip konfirmoi edhe një herë përkushtimin e UBT-së për të ofruar mundësi që i pasurojnë studentët jo vetëm me dije teorike, por edhe me përvoja praktike dhe kulturore të rëndësishme. Vizitat në këto qytete të njohura evropiane ndihmuan studentët të zgjeronin horizontet e tyre, duke u frymëzuar nga arkitektura, arti dhe kultura e pasur që ofron secila prej tyre./UBTNews/

Lajmet

Mundësi akademike për profesionistët: UBT ndan bursa 20% për studimet Master

Published

on

By

Teksa po afrohen ditët e fundit të afatit për regjistrime në nivelin Master, UBT rikujton të gjithë profesionistët e angazhuar në tregun e punës se mund të përfitojnë nga iniciativa “Engaged Scholarship”, e cila ofron 20% bursë studimi për avancimin e tyre akademik.

Programi u dedikohet punonjësve në sektorin publik dhe privat që synojnë të ngrenë nivelin e tyre profesional. Përfitues të kësaj zbritjeje mund të jenë kategori të ndryshme, përfshirë zyrtarët e administratës publike, pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe FSK-së, gazetarët dhe zyrtarët e marrëdhënieve me publikun, avokatët, kontabilistët, si dhe stafi shëndetësor e teknologët e ushqimit.

Për t’ua lehtësuar procesin kandidatëve që janë në marrëdhënie pune, ligjëratat zhvillohen me orar fleksibil, kryesisht në orët e pasdites. Të gjithë të interesuarit kanë edhe pak ditë kohë për të shfrytëzuar këtë mundësi para përmbylljes zyrtare të afatit të regjistrimeve për këtë vit akademik.

 

 

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

Profesori i UBT-së, Arian Kadriu, merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore në Ukrainë

Published

on

By

Profesori i Fakultetit të Studimeve të Sigurisë në UBT, Prof. Dr. Arian Kadriu, ka marrë pjesë në edicionin e 14-të të konferencës ndërkombëtare shkencore dhe praktike “Ivan Ivanchenko Scientific School”, të organizuar në Ukrainë, ku ka prezantuar një punim shkencor në kuadër të sesionit plenar të konferencës.

Në këtë konferencë, profesori Kadriu, në bashkautorësi me eksperten Delfina Ertanowska, prezantoi punimin me titull “Strategic Friction and Interoperability Failure: The Communication Crisis in the Evolving Security Architecture of NATO’s South Eastern Flank”, i cili trajton sfidat strategjike, problemet e ndërveprueshmërisë dhe krizën e komunikimit në kuadër të arkitekturës së sigurisë në zhvillim të krahut juglindor të NATO-s.

Punimi trajton çështje me rëndësi për zhvillimet aktuale të sigurisë ndërkombëtare, duke vënë në fokus koordinimin strategjik, komunikimin ndërinstitucional dhe sfidat që ndikojnë në bashkëpunimin dhe ndërveprueshmërinë në kuadër të strukturave të sigurisë së NATO-s. Konferenca “Ivan Ivanchenko Scientific School” mbledh studiues, akademikë dhe ekspertë nga fusha të ndryshme shkencore, duke krijuar një platformë për prezantimin e kërkimeve, shkëmbimin e përvojave akademike dhe diskutimin e temave me rëndësi ndërkombëtare.

Continue Reading

lajme

Mundësi mobiliteti Erasmus+ KA171 në Sapienza University of Rome – Itali

Published

on

By

UBT hap thirrjen për studentët e nivelit Bachelor nga programet Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, Juridik, Psikologji, Inxhinieri e Mekatronikës, Studime të Sigurisë, Shkenca Politike, Shkenca Kompjuterike, Arkitekturë, si dhe Media dhe Komunikim, për mobilitet studentor në Sapienza University of Rome, Itali, në kuadër të programit Erasmus+ KA171, për semestrin pranveror të vitit akademik 2026/2027.

Sapienza University of Rome është një nga universitetet më të mëdha dhe më të njohura publike në Itali, me traditë të gjatë akademike dhe një gamë të gjerë programesh studimore dhe kërkimore.

Linku për aplikim

Afati i fundit për aplikim: 02.11.2026

Kujdes: Thirrja do të qëndrojë e hapur vetëm për 4 ditë!

Pas përfundimit të afatit, aplikimet do të shqyrtohen sipas kritereve të përcaktuara. Kandidatët që kalojnë fazën e parë të vlerësimit do të ftohen për intervistë, ndërsa studentët e përzgjedhur do të nominohen zyrtarisht nga UBT për mobilitet në Sapienza University of Rome.

Ftojmë të gjithë studentët nga programet përkatëse që të shfrytëzojnë këtë mundësi për të studiuar në një nga universitetet më prestigjioze të Italisë, për të fituar përvojë ndërkombëtare dhe për të zhvilluar më tej kompetencat e tyre akademike dhe profesionale.

Për informacione shtesë, mund të kontaktoni Zyrën për Marrëdhënie Ndërkombëtare në: [email protected].

Continue Reading

Lajmet

Një dashuri e shkruar në letra dhe e ruajtur nga historia

Published

on

By

Në Reporting House, në Prishtinë, ekspozita “Një mur na ndan ” sjell para vizitorëve një histori të veçantë dashurie, përkushtimi dhe idealizmi përmes mbi 50 letrave të shkëmbyera ndërmjet çiftit të UÇK-së, Xhevë Krasniqi-Lladrovci dhe Fehmi Lladrovci, si dhe eksponateve të tjera që dokumentojnë rrugëtimin e tyre. Letrat u shkruan kryesisht gjatë kohës kur Fehmiu vuante dënimin si i burgosur politik në burgun e Stara Gradishkës në Kroaci.

Përmes fjalëve të shkruara, Xheva dhe Fehmiu ndanin mallin, emocionet dhe ëndrrat për një jetë të përbashkët, pavarësisht largësisë që i ndante. Letrat, të zbukuruara me lule të vizatuara, shkronja të shkruara me ngjyra kuqezi, poezi dhe prozë, dëshmojnë jo vetëm dashurinë e tyre të thellë, por edhe formimin intelektual, bindjet dhe përkushtimin ndaj Kosovës.

Ato pasqyrojnë dy njerëz që, krahas lidhjes personale, i bashkonte edhe ideali për lirinë e vendit. Një element i veçantë i ekspozitës është edhe kostumi i kuq i Xhevës, të cilin ajo e veshi kur u vendos në familjen Lladrovci në Gllanasellë të Drenasit, pas vendimit për ta pritur Fehmiun gjatë viteve të burgimit.

Kjo veshje shënon një moment të rëndësishëm të jetës së tyre dhe e lidh historinë personale të çiftit me rrugëtimin e tyre atdhetar. Përveç letrave dhe veshjes, ekspozita përfshin edhe eksponate të tjera, ndër to intervistën e Fehmi Lladrovcit të vitit 1998 dhe pamje të burgut ku ai kaloi pesë vjet. Së bashku, këto materiale sjellin një dimension më njerëzor të historisë, duke zbuluar ndjenjat, mendimet dhe përvojat e dy figurave që shpesh kujtohen vetëm përmes rolit të tyre në luftën çlirimtare.

Xhevë Krasniqi-Lladrovci dhe Fehmi Lladrovci u vranë më 22 shtator 1998, gjatë luftës në Kosovë. Sot, përmes letrave të tyre të ruajtura dhe të ekspozuara në Reporting House, historia e tyre vazhdon të rrëfehet, duke ndërthurur dashurinë personale me idealet dhe përkushtimin ndaj vendit.

Ekspozita “Një mur na ndan” na kujton se pas figurave historike qëndrojnë njerëz me ndjenja, shpresa dhe ëndrra.

Letërkëmbimi i Xhevës dhe Fehmiut mbetet një dëshmi e rrallë e një dashurie që i rezistoi ndarjes, kohës dhe rrethanave të vështira, si dhe e një lidhjeje të ndërtuar mbi barazinë, besimin dhe idealet e përbashkëta.

(Autore: Adile Muli, studente e vitit të dytë në Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT)

Continue Reading

Të kërkuara