Vende të ndryshme në BE po marrin masat, për të nxitur sa më shumë njerëz që të vaksionohen. Por nuk po mungojnë as protesta kundër këtyre masave.
“Flatten the curve”, “të ulet kurba” është një ndër sloganet e pandemisë së koronavrusit. Me këtë parullë është fjala për kurbën e infeksioneve të reja ditore. Por aktualisht po ulet një tjetër kurbë: ajo e vaksinimeve të reja. Pasi në fillim të vitit në vendet e BE-së për shkak të mungesës së furnizimit me vaksina ishte i frenuar procesi i vaksinimit, tani vërehet që njerëzit gjithnjë e më shumë po e humbasin gatishmërinë për të marrë vaksinën.
Shumë politikanëve drejtues kjo nuk u pëlqen – për më tepër tani me rritjen e vlerave të incidencës së infeksioneve me variantin Delta të virusit. Në shumë vende si rrjedhojë ka shpërthyer debati, nëse duhet të ketë kufizime të ndryshme për të vaksinuarit dhe të pavaksinuarit, ose nëse duhet vendosur detyrimi për vaksinim, në mënyrë që të krijohet imuniteti i tufës në popullsi.
Në Gjermani ky diskutim po vazhdon, ndërkohë që në vende të tjera janë marrë masat. Kryesisht sa i përket detyrimit për vaksinim për grupe të ndryshme profesionesh. Në shumë vende kanë nisur edhe protestat.
Franca ka shpallur nga shtatori vaksinimin e detyrueshëm duke e vendosur atë si kusht për ushtrimin e profesionit. Në fundjavën e kaluar në Francë protestuan në mbarë vendin mbi 160.000 vetë kundër masave të rrepta ndaj Coronës. Protestuesit janë kundër detyrimit për vaksinim duke e konsideruar këtë si një ndërhyrje në të drejtën e vetëvendosjes. Kryesisht të punësuarit në sektorin e shëndetësisë, të sigurisë dhe shërbimit të emergjencës duhet të vaksinohen në rast të kundërt atyre nuk do t’u lejohet të vazhdojnë punën.
Protestat drejtohen edhe kundër certifikatës digjitale të vaksinimit në BE. Kjo e ashtuquajtur „Pasaportë e gjelbër” provon që personi është i vaksinuar, i shëruar apo është testuar aktualisht me rezultat negativ. Protestat paqësore kanë qenë pjesërisht edhe me eksese duke shkaktuar përplasje me policinë.
Greqia gjithashtu ka vendosur vaksinimin e detyrueshëm. Por edhe në Greqi njerëzit kanë protestuar. Të punësuarve u është lënë afat deri në mes të gushtit që të fillojnë vaksinimin, në rast të kundërt do t’u mbahet paga mujore. Nga shtatori në Greqi hyn në fuqi vaksinimi i detyrueshëm për sektorin e shëndetësisë. Sipërmarrësve që punësojnë personel të pavaksinuar do t’u vendosen gjoba deri në 200.000 Euro. Edhe vizitat në lokalet e gastronomisë si dhe aktivitetet kulturore do të jenë të hapura vetëm për të vaksinuarit.
Kur u miratua ligji përkatës në parlament të enjten (22.07) në mbarë vendin protestuan rreth 5000 vetë. Policia përdori gaz lotësjellës dhe pompa të ujit për ta larguar turmën nga territori përpara parlamentit.
Në Itali gjithashtu ka pasur protesta kundër „certifikatës digjitale të vaksinimit”. Detyrimi për vaksinimin e personelit shëndetësor në Itali është në fuqi qysh nga marsi. Qeveria vendosi që duke filluar nga 6 gushti në shumë mjedise publike të lejohen vetëm të vaksinuarit me pasaportën e gjelbër./DW
Fakulteti i Menaxhimit të Patundshmërive dhe Infrastrukturës në UBT vazhdon të sjellë ekspertë ndërkombëtarë që u ofrojnë studentëve njohuri dhe përvoja nga praktikat më të avancuara globale.
Në këtë kuadër, studentët patën mundësinë të ndjekin një ligjëratë të veçantë nga Assoc. Prof. Dr. Anders Johan Almas nga Western Norway University of Applied Sciences (HVL), e organizuar në kuadër të lëndës “Arkitektura e Qëndrueshme”, të udhëhequr nga Prof. Dr. Visar Hoxha.
Gjatë ligjëratës me temën “Building Envelopes and Climate Adaptation”, Dr. Almas trajtoi rëndësinë e projektimit të mbështjellësve të ndërtesave dhe rolin e tyre në rritjen e efikasitetit energjetik, qëndrueshmërisë dhe rezistencës ndaj kushteve klimatike në ndryshim. Përmes shembujve konkretë dhe praktikave të aplikuara në vende të ndryshme, studentët u njohën me qasjet moderne që po transformojnë industrinë globale të ndërtimit.
Me më shumë se 20 vite përvojë në industri, kërkim shkencor dhe akademi, Dr. Almas ka kontribuar në fusha të ndryshme si menaxhimi i ndërtesave, projektimi, konsulenca, ndërtimi dhe hulumtimi shkencor. Përvoja e tij përfshin institucione dhe kompani prestigjioze si NTNU, SINTEF, Multiconsult, Veidekke, Vestlandsforsking dhe HVL, duke sjellë një perspektivë të gjerë mbi zhvillimet më të fundit në ndërtimin e qëndrueshëm.
Për studentët e Fakultetit të Menaxhimit të Patundshmërive dhe Infrastrukturës, kjo ligjëratë përfaqësoi një mundësi të vlefshme për të kuptuar nga afër sfidat reale të sektorit dhe mënyrën se si njohuritë akademike zbatohen në praktikë. Diskutimet e zhvilluara gjatë aktivitetit i ndihmuan studentët të krijojnë një pasqyrë më të qartë mbi rolin e profesionistëve të ardhshëm në projektimin dhe menaxhimin e ndërtesave të qëndrueshme.
Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të Fakultetit Juridik në UBT për të kombinuar mësimin teorik me përvojën praktike, studentët e lëndës “Procedura Civile e Avancuar”, të udhëhequr nga Prof. Egzona Osmanaj, realizuan një vizitë studimore në Gjykatën Komerciale të Kosovës.
Gjatë vizitës, studentët u pritën nga Kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli, i cili i njoftoi me organizimin, kompetencat dhe funksionimin e kësaj gjykate, si dhe me rëndësinë e saj në trajtimin e çështjeve që lidhen me biznesin, investimet dhe marrëdhëniet tregtare.
Një nga momentet më të rëndësishme të vizitës ishte mundësia që studentët të ndjekin nga afër një seancë gjyqësore, duke vëzhguar në praktikë zbatimin e procedurave civile dhe mënyrën e zhvillimit të proceseve gjyqësore. Kjo përvojë u mundësoi atyre të lidhin njohuritë teorike të fituara në auditor me realitetin e sistemit gjyqësor dhe praktikën profesionale.
Vizitat studimore të këtij lloji përbëjnë një pjesë të rëndësishme të metodologjisë së mësimdhënies në Fakultetin Juridik të UBT-së, duke u ofruar studentëve mundësi të drejtpërdrejta për të njohur institucionet e drejtësisë, proceset ligjore dhe sfidat e profesionit juridik.
Prokuroria Themelore në Gjilan ka ndaluar një person të dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, pas dyshimeve se ka dëmtuar buxhetin e shtetit.
Sipas hetimeve, S.S., i punësuar në Komunën e Kllokotit si zyrtar për kulturë, rini dhe sport, si dhe menaxher i bibliotekës, dyshohet se nga viti 2019 deri në mars të vitit 2026 ka përfituar paga mujore pa u paraqitur fare në vendin e punës dhe pa ushtruar detyrat e tij zyrtare.
Prokuroria thotë se i dyshuari, “me dashje ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke mos i përmbushur obligimet e punës”, duke shkaktuar dëm në buxhetin e Republikës së Kosovës në vlerë prej rreth 39 mijë euro. Rasti është zbuluar pas hetimeve dhe aplikimit të masave të veçanta hetimore nga prokuroria në bashkëpunim me njësitet përkatëse.
Nga Prokuroria është bërë e ditur se ndaj të dyshuarit janë duke u zhvilluar hetime të mëtejshme, ndërsa pritet që në afatet ligjore të kërkohet edhe masa e sigurisë në Gjykatën Themelore në Gjilan. “Do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit,” thuhet në njoftim.
Në Zonën Industriale të Prishtinës, përballë objektit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, është zhvilluar aksioni për rrënimin e një pike të karburanteve në hapësirën ku planifikohet të ndërtohet objekti i ri i Ministrisë së Bujqësisë.
Gjatë ndërhyrjes së policisë është arrestuar kandidati i PDK-së për deputet, Qëndrim Kryeziu, pasi sipas raportimeve dyshohet se nuk ka zbatuar urdhrat e zyrtarëve policorë gjatë zhvillimit të aksionit.
Objekti i rrënuar kishte funksionuar prej vitesh si pikë e karburanteve, ndërsa institucionet kanë paralajmëruar se në atë parcelë do të ndërtohet ndërtesa e re e Ministrisë së Bujqësisë.