Vende të ndryshme në BE po marrin masat, për të nxitur sa më shumë njerëz që të vaksionohen. Por nuk po mungojnë as protesta kundër këtyre masave.
“Flatten the curve”, “të ulet kurba” është një ndër sloganet e pandemisë së koronavrusit. Me këtë parullë është fjala për kurbën e infeksioneve të reja ditore. Por aktualisht po ulet një tjetër kurbë: ajo e vaksinimeve të reja. Pasi në fillim të vitit në vendet e BE-së për shkak të mungesës së furnizimit me vaksina ishte i frenuar procesi i vaksinimit, tani vërehet që njerëzit gjithnjë e më shumë po e humbasin gatishmërinë për të marrë vaksinën.
Shumë politikanëve drejtues kjo nuk u pëlqen – për më tepër tani me rritjen e vlerave të incidencës së infeksioneve me variantin Delta të virusit. Në shumë vende si rrjedhojë ka shpërthyer debati, nëse duhet të ketë kufizime të ndryshme për të vaksinuarit dhe të pavaksinuarit, ose nëse duhet vendosur detyrimi për vaksinim, në mënyrë që të krijohet imuniteti i tufës në popullsi.
Në Gjermani ky diskutim po vazhdon, ndërkohë që në vende të tjera janë marrë masat. Kryesisht sa i përket detyrimit për vaksinim për grupe të ndryshme profesionesh. Në shumë vende kanë nisur edhe protestat.
Franca ka shpallur nga shtatori vaksinimin e detyrueshëm duke e vendosur atë si kusht për ushtrimin e profesionit. Në fundjavën e kaluar në Francë protestuan në mbarë vendin mbi 160.000 vetë kundër masave të rrepta ndaj Coronës. Protestuesit janë kundër detyrimit për vaksinim duke e konsideruar këtë si një ndërhyrje në të drejtën e vetëvendosjes. Kryesisht të punësuarit në sektorin e shëndetësisë, të sigurisë dhe shërbimit të emergjencës duhet të vaksinohen në rast të kundërt atyre nuk do t’u lejohet të vazhdojnë punën.
Protestat drejtohen edhe kundër certifikatës digjitale të vaksinimit në BE. Kjo e ashtuquajtur „Pasaportë e gjelbër” provon që personi është i vaksinuar, i shëruar apo është testuar aktualisht me rezultat negativ. Protestat paqësore kanë qenë pjesërisht edhe me eksese duke shkaktuar përplasje me policinë.
Greqia gjithashtu ka vendosur vaksinimin e detyrueshëm. Por edhe në Greqi njerëzit kanë protestuar. Të punësuarve u është lënë afat deri në mes të gushtit që të fillojnë vaksinimin, në rast të kundërt do t’u mbahet paga mujore. Nga shtatori në Greqi hyn në fuqi vaksinimi i detyrueshëm për sektorin e shëndetësisë. Sipërmarrësve që punësojnë personel të pavaksinuar do t’u vendosen gjoba deri në 200.000 Euro. Edhe vizitat në lokalet e gastronomisë si dhe aktivitetet kulturore do të jenë të hapura vetëm për të vaksinuarit.
Kur u miratua ligji përkatës në parlament të enjten (22.07) në mbarë vendin protestuan rreth 5000 vetë. Policia përdori gaz lotësjellës dhe pompa të ujit për ta larguar turmën nga territori përpara parlamentit.
Në Itali gjithashtu ka pasur protesta kundër „certifikatës digjitale të vaksinimit”. Detyrimi për vaksinimin e personelit shëndetësor në Itali është në fuqi qysh nga marsi. Qeveria vendosi që duke filluar nga 6 gushti në shumë mjedise publike të lejohen vetëm të vaksinuarit me pasaportën e gjelbër./DW
Drejtori i Spitalit të Mitrovicës, Gëzim Berisha, është ndaluar nga policia nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Dhuna në familje”. Me urdhër të prokurorit kujdestar ai u ndalua për 48 orë, ndërsa Prokuroria paraqiti kërkesë në gjykatë për caktimin e masës së paraburgimit.
Mirëpo, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë dhe në vend të paraburgimit i ka caktuar Berishës masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji. Këtë masë do ta monitorojë Stacioni Policor në Vushtrri.
Sipas Gjykatës, arresti shtëpiak është i mjaftueshëm për të parandaluar përsëritjen e veprës dhe për të mbrojtur të dëmtuarën. Masa do të zbatohet në një pronë ku e dëmtuara nuk banon, meqë palët nuk jetojnë më bashkë, duke shmangur kështu kontaktin mes tyre./E.A/
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Besnik Tahiri, ka ngritur shqetësimin për gjendjen në sektorin e energjisë, duke bërë të ditur se javën e ardhshme do të mbahet një debat parlamentar lidhur me dështimet në këtë sektor.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri theksoi se situata aktuale është mjaft shqetësuese, pasi Kosova po blen energji me çmimin më të lartë në Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që blloku B1 ndodhet jashtë funksionit. Ai nënvizoi se trajtimi i kësaj teme me prioritet është forcim i pozicionit strategjik dhe energjetik të vendit.
Ndërkohë, Kryesia e Kuvendit ka caktuar që seanca e radhës e Kuvendit të mbahet këtë të enjte, në orën 12:00.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së Kryesisë ka deklaruar se pret që të gjithë dëshmitarët e ftuar të përgjigjen para Komisionit Hetimor të formuar pas vrasjes tragjike të Arlinda Zekajt.
Haxhiu i bëri thirrje Prokurorisë Speciale që pa vonesa të nisë hetimet penale për veprimet apo mosveprimet e secilit zyrtar të përfshirë në këtë rast. Ajo sqaroi se Komisioni Hetimor shërben si mekanizëm shtesë që do të përpilojë një dokument përfundimtar për t’ia deleguar organit të ndjekjes.
Ndërsa vlerësoi pezullimin e kryeprokurores, prokurores së rastit dhe 11 zyrtarëve policorë, Haxhiu shprehu shqetësimin për mungesën e masave nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Komuna e Pejës ndaj zyrtarëve përgjegjës, duke theksuar se ky rast duhet të shërbejë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më. /E.A/
Dogana e Kosovës ka mbledhur 186.6 milionë euro të hyra gjatë muajit tetor 2026, duke shënuar rritje prej 5.9 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas buletinit mujor të publikuar nga Dogana, në tetor të vitit 2025 të hyrat kishin arritur në 176.2 milionë euro, ndërsa këtë vit janë rritur në 186.6 milionë euro.
Përveç rritjes së të hyrave, gjatë tetorit janë shënuar edhe zhvillime të tjera në aktivitetin doganor.
Një ndër to ishte realizimi i eksportit të parë në pikën kufitare Dheu i Bardhë, pas hyrjes në zbatim të plotë të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë Kosovë–EFTA, e cila synon të krijojë mundësi të reja për bizneset kosovare.
Po ashtu, Sektori i Antikontrabandës ka realizuar një operacion gjatë të cilit janë ndaluar 121 telefona celularë pa dokumentacionin përkatës.
Një tjetër zhvillim ishte organizimi i punëtorisë së parë ndërkombëtare për vlerësimin doganor në Kosovë, në kuadër të programit Customs Programme, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të DG TAXUD.
Në buletinin mujor, Dogana e Kosovës ka theksuar përkushtimin për forcimin e kontrolleve doganore, luftimin e aktiviteteve të kundërligjshme dhe lehtësimin e tregtisë së ligjshme.
Institucioni ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin për mbrojtjen e interesave financiare të Republikës së Kosovës.