Lajmet

Eurodeputetët kërkojnë që të përshpejtohet procesi integrues dhe që Kosova të njihet nga pesë vendet e BE-së

Published

on

Shumica e deputetëve të Parlamentit Evropian që morën pjesë në diskutimet rreth draft-raporteve për Kosovën dhe Serbinë, kërkuan që Bashkimi Evropian ta qartësojë procesin e integrimit të Kosovës, në mënyrë që ky vend të mos mbetet një zonë gri në hartën e Evropës.

Të enjten, në Komisionin e Politikës së Jashtme të PE-së, raportuesi për Kosovën, Riho Terras, paraqiti draft-raportin e tij vjetor për situatën në Kosovë dhe përparimin e saj drejt BE-së.

Gjatë debatit u shpreh pritja që Kosova ta konstituojë sa më shpejt Kuvendin, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, dhe ta formojë Qeverinë.

Ndërsa u kritikua mbajtja në fuqi e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, prej saj u kërkua që ta mbajë fokusin në rajon, sidomos në Kosovë, në kohën e, siç u tha, rrethanave sfiduese në Evropë dhe në botë.

Raportuesi Terras tha se pret që BE-ja të marrë rol më aktiv në Ballkanin Perëndimor dhe që Komisioni i ri Evropian dhe përfaqësuesja e lartë e tij, Kaja Kallas, të jenë në krye të këtij angazhimi.

Ai tha se BE-ja duhet t’i heqë masat ndaj Kosovës – që u ndërmorën në vitin 2023, për shkak të situatës së tensionuar në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe – sepse ato, sipas tij, nuk janë korrekte.

Terras kërkoi që edhe pesë vendet e BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë, në mënyrë që të përshpejtohet procesi i integrimit të Kosovës në BE.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk është kandidate për anëtarësim në këtë bllok.

Raportuesi në hije nga Grupi Socialist dhe Demokrat, Elio Di Rupo, i cili ishte edhe vëzhgues i zgjedhje në Kosovë, tha se procesi ishte i një cilësie të lartë, me standarde të larta.

Ai tha se mediat në Kosovë janë duke u përballur me sfida dhe se duhet të ketë më shumë përparim edhe në luftën kundër korrupsionit.

Di Rupo tha se raportet mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë të vështira për shkaqe historike. Ai tha se Kurti ishte i burgosur nga regjimi i Serbisë, por shtoi se kjo duhet të tejkalohet, në mënyrë që dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre të ecë përpara.

Nathalie Loiseao foli në emër të Grupit të Liberalëve dhe mbështeti tekstin e draft-raportit.

Loiseao ishte shefe e vëzhguesve të BE-së në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë.

Ajo kërkoi që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të ringjallet dhe që palët t’i zbatojnë obligimet e marra.

Edhe ajo tha se është domosdoshme që të gjitha vendet e BE-së ta njohin Kosovën dhe kërkoi që blloku ta sqarojë rrugën evropiane të Kosovës, në mënyrë që, siç tha, Kosova të mos mbetet një zonë gri.

Davor Ivo Stier, shef i delegacionit parlamentar për Kosovën, kërkoi po ashtu heqjen e masave ndaj Kosovës, duke thënë se “kjo qasje e pabalancuar e BE-së ndaj Kosovës dhe Serbisë”, sidomos pas sulmit në Banjskë në shtator të vitit 2023, e pengon përparimin në dialog.

Përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Jiri Plecity, shef i njësisë për Kosovën dhe Serbinë në Drejtorinë e Zgjerimit, e përshëndeti zhvillimin e zgjedhjeve në Kosovë, por shprehu keqardhje për vonesat në numërimin e votave.

Ai tha se pret që Qeveria e re të formohet sa më parë, për të vazhduar me reformat dhe në normalizimin e raporteve me Serbinë.

Komisioni Evropian, në anën tjetër, pajtohet me pjesët kryesore të raportit.

Ai i mirëpriti veprimet e Kosovës për të tejkaluar pengesat që ishin paraqitur në Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore – CEFTA.

Zuzana Michalciva Sutiakova, si përfaqësuese e Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS), përmendi retorikën e ashpër gjatë fushatës zgjedhore në Kosovë dhe problemet me numërimin e votave, por tha se këto nuk duhet t’i vënë nën hije pikat kryesore pozitive, që dëshmuan se Kosova ishte dhe mbetet demokraci funksionale.

Ajo tha se këto zgjedhje do të duhej të shënonin hapin e parë të kthimit të serbëve në institucionet e Kosovës.

“Presim konstituimin e Kuvendit dhe të Qeverisë. Pas zgjedhjeve do të donim të shënonim një moment të ri në rrugën e Kosovës drejt BE-së. Siç janë shprehur edhe komisionarja [për Zgjerim] Marta Kos dhe përfaqësuesja e lartë, Kallas, ne jemi të gatshëm ta shqyrtojmë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, sapo të marrim një mandat për këtë nga Këshilli. Progresi në raportet me Serbinë është kusht i padiskutueshëm. Dialogu nuk ka alternativë”, tha Michalciva Sutiakova.

As përfaqësuesja e EEAS-it, as ai i Komisionit Evropian nuk e përmendën heqjen e masave ndaj Kosovës, ndonëse kjo ishte ndër kërkesat më të shpeshta të deputetëve të Parlamentit Evropian.

Draft-raporti për Kosovën e vlerëson përkushtimin e Kosovës për integrim në BE. Në dokument thuhet se e ardhmja e Kosovës është në BE dhe se përpjekjet për ta nxjerrë vendin nga një zonë gri, janë në interes edhe të Kosovës, edhe të BE-së.

Aty nënvizohet “progresi domethënës në fushën e drejtësisë, sigurisë dhe lirive, në luftën kundër krimit të organizuar dhe në funksionimin e ekonomisë së tregut”, por shprehet keqardhje për “përparimin e limituar” në sundimin e ligjit.

Në draft-raport, edhe një herë, kërkohet nga BE-ja që t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat përfshijnë ngrirjen e disa fondeve dhe pezullimin e takimeve të nivelit të lartë.

“Bëjmë thirrje për heqjen e menjëhershme të masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat nuk janë më të arsyeshme dhe janë në kontradiktë me përkushtimin e dëshmuar të Kosovës ndaj vlerave evropiane dhe me përshtatjen e saj me politikat e BE-së”, thuhet në dokument.

Parlamenti Evropian mbështet edhe kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe planin për t’iu bashkuar programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s.

Në raport shprehet shqetësim për gjendjen jo të kënaqshme në Kosovë sa i përket korrupsionit dhe kërkohet që, pos reformave ligjore, të ketë edhe rezultate të dukshme në hetime dhe dënime të rasteve.

Shqetësim serioz shprehet edhe për dobësitë sistematike të sistemit të drejtësisë në Kosovë, sidomos sa i përket pavarësisë dhe respektimit të ndarjes së pushteteve.

“Përsërisim shqetësimin për vonesat në rastet gjyqësore dhe kritikat nga ana e zyrtarëve të Qeverisë ndaj vendimeve në rastet individuale”, thuhet në draft-raport.

Shqetësim shprehet, gjithashtu, për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, posaçërisht pas sulmit të armatosur në Banjskë në shtator të vitit 2023, dhe sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit në nëntor të vitit 2024.

Raporti kërkon që kryesit e këtyre veprave të dhunshme, të nxirren para drejtësisë.

Aty shprehet keqardhje përse Serbia nuk i ka nxjerrë para drejtësisë “kryesit e sulmit terrorist në Banjskë, përfshirë ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq”.

Sa i përket gjendjes së mediave, raporti përmend ekzistimin e një mjedisi pluralist dhe nënvizon rolin e Komisionit të Pavarur të Mediave, autonomia e të cilit “duhet të ruhet fuqishëm”.

Në raport kërkohet më shumë transparencë sa i përket pronësisë dhe financimit të mediave, ndërsa shprehet shqetësim serioz për rastet e sulmeve ndaj gazetarëve.

Dokumenti shpreh, gjithashtu, mbështetje për procesin e dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe përshëndet emërimin e Peter Sorensenit në postin e të dërguarit të posaçëm të BE-së për këtë dialog.

Serbisë i kërkohet të dëshmojë përkushtim ndaj integrimit në BE

Në këtë seancë të Komisionit të Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian u paraqit edhe draft-raporti për Serbinë, i përgatitur nga ana e raportuesit kroat, Tonino Picula.

Në këtë dokument thuhet se Serbia duhet të dëshmojë me sjelljen e saj se është e përkushtuar vërtet për integrim në BE.

Asaj i kërkohet të respektojë edhe të drejtën e protestave paqësore dhe t’i ndërpresë akuzat ndaj vendeve të BE-së, se qëndrojnë prapa protestave të studentëve, të cilët kërkojnë përgjegjësi për vdekjen e 15 personave nga shembja e strehës në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, nëntorin e kaluar.

Serbisë, po ashtu, i kërkohet progres në normalizimin e raporteve me Kosovën.

Picula, me këtë rast, kërkoi masa të shpejta ndaj kryesve të sulmit në Banjskë, përfshirë edhe ndaj Radoiçiqit.

Edhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian, edhe ata të Shërbimit të Veprimit të Jashtëm nënvizuan se përparimi i Serbisë në negociatat për anëtarësim në BE, do të varet sidomos nga progresi në normalizimin e raporteve me Kosovën dhe në sundimin e ligjit.

Pas paraqitjes së këtyre draft-raporteve në Komisionin e Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian, deputetët do të kenë mundësi deri më 6 mars të paraqesin edhe amendamente në këto dokumente.

Për to, pastaj, do të votohet së pari në Komisionin parlamentar nga fillimi i muajit prill, e më pas edhe në seancë plenare, ku raportet do të miratohen si rezoluta të Parlamentit Evropian./REL/

lajme

Shkarkohet Blerim Isufaj nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Published

on

By

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.

Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.

Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.

Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.

Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.

D.L

Continue Reading

Aktualitet

Nis takimi mes Kurtit dhe Hamzës

Published

on

By

Ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.

Në takim pritet të diskutohen çështja e zgjedhjes së presidentit të ri dhe ndryshimet e mundshme në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Hamza është parë duke hyrë në objektin e Qeverisë i shoqëruar nga deputeti i PDK-së, Rrahman Rama.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja.

D.L

Continue Reading

lajme

“Jo në emrin tim” para Ministrisë së Drejtësisë “Voto Ligjin”, kërkohet miratimi i ligjit për mbrojtjen e UÇK-së

Published

on

By

Protestuesit e iniciativës “Jo në emrin tim” kanë zhvilluar sot një aksion simbolik para Ministrisë së Drejtësisë, ku kanë vendosur një baner me mbishkrimin “Voto Ligjin”, duke kërkuar procedimin dhe miratimin e ligjit për mbrojtjen e UÇK-së.

Aktivisti Rron Kafegjolli deklaroi se qytetarët prej 17 ditësh po kërkojnë miratimin e këtij ligji, duke e cilësuar vonesën si të papranueshme.

Sipas Kafegjollit, bazuar në deklarimet e kryeministrit Albin Kurti, ligji po mbahet i bllokuar në Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Financave.

“Ky nuk është një udhëzim çfarëdo që mund ta kaloni lart e poshtë nëpër zyra. Sepse bëhet fjalë për ligjin që mbron të vërtetën e UÇK-së dhe ne nuk do të lejojmë zvarritjen e tij”, u shpreh ai.

Kafegjolli kritikoi ministren Donika Gërvalla dhe ministrin Hekuran Murati, duke kërkuar nga institucionet që të veprojnë në përputhje me kërkesat e qytetarëve.

“Institucionet e këtij shteti nuk mund të mbeten peng i inateve apo bindjeve personale të ministres Gërvalla dhe ministrit Murati. Shteti nuk është pronë private e dikujt”, tha Kafegjolli.

Duke iu referuar afatit për zgjedhjen e presidentit, i cili skadon më 6 tetor, ai i bëri thirrje Qeverisë që të mos e zvarrisë më tej procesin e miratimit të ligjit.

“Qeveria duhet ta dijë se rinia po ju vëzhgon dhe 6 tetori po afron me shpejtësi. Mos e provokoni durimin tonë”, deklaroi ai.

Kafegjolli e përmbylli fjalimin duke i bërë thirrje Qeverisë që ta dëgjojë zërin e protestuesve dhe të veprojë lidhur me kërkesën për miratimin e ligjit.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Master në Gjuhë, Media dhe Komunikim në UBT: Formimi profesional për liderët e së ardhmes

Published

on

By

Në një epokë ku media dhe komunikimi po transformohen me ritme të shpejta, profesionistët e së ardhmes kanë nevojë për njohuri të avancuara, mendim kritik dhe aftësi praktike.

Pikërisht për këtë, UBT ofron programin Master në Gjuhë, Media dhe Komunikim, të konceptuar për të përgatitur profesionistë të aftë për të udhëhequr në sektorin e medias, komunikimit dhe marrëdhënieve me publikun.

Programi Master në Gjuhë, Media dhe Komunikim ndërthur në mënyrë strategjike shkencat sociale, teknologjinë e informacionit, gazetarinë, Marrëdhëniet me Publikun (PR) dhe krijimin e përmbajtjes digjitale.

Përmes kombinimit të njohurive teorike me përvojën praktike dhe hulumtimin shkencor, studentët zhvillojnë kompetenca të avancuara për t’u përballur me kërkesat e tregut modern të punës, si në Kosovë ashtu edhe në tregun global.

Një rëndësi e veçantë i kushtohet etikës profesionale, mendimit kritik dhe aftësisë për të analizuar, interpretuar dhe menaxhuar komunikimin dhe imazhin e institucioneve dhe organizatave.

Kjo e bën programin një mundësi të përshtatshme për të gjithë ata që synojnë të avancojnë profesionalisht në media, gazetari, komunikim strategjik, PR, marketing dhe përmbajtje digjitale.

Përveç mundësisë për të ndjekur një program Master të orientuar drejt zhvillimit profesional, UBT ofron edhe një mbështetje të rëndësishme financiare për studentët. Përmes bursës Engaged Scholarship, studentet që janë pjesë e kësaj fushe përfitojnë 20% zbritje në tarifën e studimeve gjatë gjithë periudhës së programit Master.

Kjo bursë përfaqëson një mundësi konkrete për studentët që duan të investojnë në arsimimin e tyre të avancuar, duke pasur njëkohësisht mbështetje financiare gjatë gjithë rrugëtimit akademik.

Master në Gjuhë, Media dhe Komunikim në UBT është një mundësi për të zgjeruar njohuritë, për të zhvilluar kompetenca profesionale dhe për të ndërtuar bazat e një karriere të suksesshme në një sektor që ndryshon vazhdimisht.

Apliko në programin Gjuhë, Media dhe Komunikim -Master dhe përfito 20% bursë përmes Engaged Scholarship.

Continue Reading

Të kërkuara