Aktualitet

Erë e fortë deri në 90 km në orë në Milano, shemben pemë dhe çati

Nga era e fortë ka rënë edhe një pjesë e çatisë së Stacionit Qendror.

Published

on

Moti i keq në Itali me erëra të forta deri në 90 km në orë ka shkaktuar dëme, duke rrëzuar pemë dhe çati dhe dhjetëra të lënduar. Një burrë dhe një grua kanë mbetur të plagosur rëndë për shkak të rrëzimit të një peme në Milano, teksa ishin duke ecur në Piazza della Libertà. Ata u dërguan me urgjencë në spital, ndërkohë që 64-vjeçari është në gjendje të rëndë, kurse 66-vjeçarja është plagosur me trauma në shpinë dhe në gju.

Nga era e fortë ka rënë edhe një pjesë e çatisë së Stacionit Qendror.

Sipas ekipit të Zjarrfikësve italianë janë raportuar dhjetëra të lënduar lehtë pas rënies së disa pemëve në makina, ndërsa një 35-vjeçar ra në kantierin ku punonte. Mediat italiane raportojnë edhe për një fermer të lënduar për shkak se u godit nga dy pemë.

Një pemë ra mu përpara hyrjes së një shkolle në via Carlo Pisacane 9, duke kërkuar ndërhyrjen e një ekipi zjarrfikësish që po vlerësojnë evakuimin e institutit.

Era shkuli gjithashtu flamujt e Italisë, Lombardisë dhe Bashkimit Evropian të vendosur mbi hyrjen e Këshillit të Qarkut në rrugën Filzi.

Bashkia e Milanos ka vendosur të mbyllë hyrjet në parqet publike “dhe fton popullatën që të mos përdorë zonat me pemë, të cilat nuk janë të rrethuara për tërë ditën”. E njëjta masë edhe në Monza, ku administrata bashkiake ka vendosur të mbyllë parkun dhe dy varrezat e qytetit.

Continue Reading

Vendi

Eksperiencë nga praktika në UBT: Vlerësimi i pronave në procesin e shpronësimit

Published

on

By

Në kuadër të lëndës Real Estate Appraisal 1 me Prof. Dr. Visar Hoxha, studentët e UBT patën mundësinë të ndjekin një ligjëratë të veçantë nga eksperte e industrisë Albana Shala Bunjaku.

Aktualisht Drejtoreshë e Zyrës për Administrimin e Pronës Publike, ish-Drejtoreshë e Departamentit të Tatimit në Pronë dhe Kryesuese e Këshillit Mbikëqyrës për Licencimin e Vlerësuesve të Pasurive të Paluajtshme në Kosovë, ajo ndau përvojën e saj mbi metodologjitë e vlerësimit të pronave në rastet e shpronësimit.

Ligjërata solli perspektivë praktike mbi proceset reale të vlerësimit, sfidat institucionale dhe rëndësinë e një qasjeje profesionale dhe të standardizuar në vendimmarrje.

Ky bashkëpunim me ekspertë të industrisë fuqizon lidhjen mes teorisë dhe praktikës, duke përgatitur studentët për sfidat reale të tregut të pasurive të paluajtshme.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Profesori ndërkombëtar në UBT: Ligjëratë mbi ndërtesat me emetime zero

Published

on

By

UBT pati kënaqësinë të mirëpresë profesorin Luca Finocchiaro nga Norwegian University of Science and Technology (NTNU), i cili mbajti një ligjëratë të veçantë mbi konceptin e Zero Emission Buildings (ZEB) në kuadër të lëndës Sustainable Architecture të Prof. Dr. Visar Hoxha.

Me një profil ndërkombëtar që përfshin studime në Itali dhe Skoci, si dhe përvojë akademike e kërkimore në NTNU Norvegji, Prof. Dr. Finocchiaro ndau me studentët njohuritë më të fundit mbi dizajnin bioklimatik, analizat parametrike dhe integrimin e klimës në projektimin arkitektonik.

Ligjërata u fokusua në mënyrat se si ndërtesat mund të arrijnë performancë mjedisore përmes zgjidhjeve pasive, duke kontribuar drejt një të ardhmeje të qëndrueshme dhe me emetime zero.

Ky aktivitet dëshmon përkushtimin e UBT për të sjellë ekspertizë ndërkombëtare dhe për të ndërlidhur studentët me zhvillimet më të avancuara në arkitekturën e qëndrueshme.

Continue Reading

Live

Trump: SHBA-ja do të marrë uraniumin e Iranit “në një formë a tjetër”

Published

on

By

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se SHBA-ja synon të marrë rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit, duke paralajmëruar se kjo mund të ndodhë edhe “në një formë shumë më armiqësore” nëse negociatat dështojnë.

Trump ka pretenduar më herët se Irani ishte “pajtuar për gjithçka” në kuadër të bisedimeve me SHBA-në, përfshirë bashkëpunimin për largimin e uraniumit të pasuruar nga territori iranian dhe transferimin e tij drejt SHBA-së.

Në një intervistë për CBS, ai ka mohuar mundësinë e përdorimit të trupave amerikane në terren për këtë qëllim. “Jo. Jo trupa”, ka deklaruar ai, duke shtuar se procesi do të realizohej në bashkëpunim me palën iraniane, në rast të arritjes së një marrëveshjeje.

“Do ta marrim së bashku sepse deri atëherë do të kemi një marrëveshje dhe nuk ka nevojë për luftë kur ka marrëveshje”, është shprehur Trump.

Më vonë, gjatë një tubimi në Arizona, ai ka përsëritur qëndrimin e tij, duke përmendur edhe atë që e quajti “pluhur bërthamor”. Sipas tij, SHBA-ja do të marrë “të gjithë pluhurin bërthamor”, term që ai e përdori për t’iu referuar uraniumit të pasuruar, ndonëse kjo shprehje nuk njihet në terminologjinë e industrisë bërthamore.

Nga ana tjetër, një zyrtar i lartë iranian ka hedhur poshtë deklaratat e Trumpit, duke mohuar se Irani ka pranuar të dërgojë rezervat e uraniumit në SHBA. Ai gjithashtu ka kundërshtuar pretendimin se Irani do të ndalë pasurimin e uraniumit, duke theksuar se vendi “kurrë nuk do të pranojë përjashtim nga e drejta ndërkombëtare”.

Continue Reading

Lajmet

Inspektorati i Punës kryen 72 inspektime për 48 orë, ndalon 34 punime

Published

on

By

Inspektorati Qendror i Punës ka zhvilluar 72 inspektime brenda 48 orëve të fundit në vende pune, me fokus të veçantë në sektorët me rrezikshmëri të lartë.

Sipas njoftimit zyrtar, nga këto inspektime janë shqiptuar 34 masa për ndalim të punimeve, janë lëshuar dy leje për punë, ndërsa janë evidentuar 22 vërejtje dhe 16 raste pa parregullsi.

Inspektimet janë shpërndarë në disa komuna: 13 në Ferizaj dhe Mitrovicë, 12 në Prishtinë, Gjilan dhe Lipjan, si dhe 10 në Fushë-Kosovë.

Ky aksion i përbashkët i Ministrisë së Punës dhe Inspektoratit ka nisur të enjten, me synim rritjen e nivelit të sigurisë dhe shëndetit në vendet e punës. Fokus i veçantë i inspektimeve mbetet sektori i ndërtimtarisë.

Ndërmarrja e këtij aksioni vjen pas një serie aksidentesh në vendin e punës. Vetëm të mërkurën u raportua për vdekjen e një punëtori, duke e çuar në tetë numrin e viktimave në vendin e punës.

Ministri i Punës, Andin Hoti, ka bërë të ditur se inspektimet do të zhvillohen në dy ndërrime, me orar të zgjatur dhe edhe gjatë ditëve të festave.

Sipas vendimit të tij, aksioni i inspektimeve do të zgjasë për 15 ditë.

Continue Reading

Të kërkuara