Rastet e raportuara nxisin shqetësim për sigurinë e ujit dhe sistemet e ventilimit. Katër persona kanë ndërruar jetë në Nju Jork prej sëmundjes Legionella, ndërsa 17 të tjerë janë hospitalizuar, njoftuan dje autoritetet shëndetësore.
Që nga fillimi i shpërthimit, në fund të korrikut, dhjetëra persona janë prekur nga kjo sëmundje në pjesën qendrore të Harlem-it.
Zyrtarët shëndetësorë thanë se bakteri që shkakton Legionnaire’s disease është zbuluar në 12 sistemet e kondicionimit në 10 ndërtesa, disa prej të cilave administrohen nga organet komunale, duke përfshirë një spital dhe një klinikë shëndetësore riprodhuese. Të gjithë këta sisteme janë pastruar.
Legionella është një lloj pneumonie e rëndë e shkaktuar nga një baktere që zhvillohet në ujë të ngrohtë dhe përhapet përmes sistemit të kondicionimit të ndërtesave. Komisionerja e Shëndetit të qytetit të Nju Jorkut, Dr. Michelle Morse, deklaroi se numri i rasteve të reja në Harlem-in qendror ka filluar të ulet, çka tregon se burimi i bakterit është tashmë nën kontroll, shkruan ABC News.
Informacion mjekësor dhe epidemiologjik
Sëmundja përhapet përmes inhalimit të spërklave ujorë (aerosol) që përmbajnë bakterin Legionella pneumophila, zakonisht nga kullat e kondicionimit, banjot, jacuzzi apo rubinetat e papastruar. Nuk transmetohet nga njeriu tek njeriu.
Simptomat janë: kollë, ethe, dhimbje muskujsh, dhimbje koke, marrje fryme të vështirësuar. Një formë më e lehtë, e quajtur “Pontiac fever”, shkakton simptoma gripale dhe zakonisht kalon vetë pa nevojë për trajtim (The Times of India; ECDC).
Personat mbi 50 vjeç, duhanpirësit, ata me sëmundje kronike të mushkërive apo me sistem imunitar të dobësuar janë më të rrezikuar për forma të rënda.
Trajtimi bëhet me antibiotikë, si makrolidet (p.sh. azitromicina) ose fluoroquinolone, janë efektivë nëse ndërhyhet herët. Shkalla e mortalitetit është rreth 10% në përgjithësi, por mund të arrijë deri në 25% tek pacientët spitalorë ose ata me imunitet të dobësuar.
Legionella shfaqet verës e vjeshtës, kur temperaturat e ujit e përdorimi i sistemeve të kondicionimit rriten. Raste sporadike mund të ndodhin gjatë gjithë vitit.
Në BE, sipas ECDC, rreth 75% e rasteve regjistrohen në Itali, Francë, Spanjë dhe Gjermani. Në SHBA, CDC vlerëson se rastet reale janë shumë më të larta se ato të raportuara zyrtarisht (ECDC; CDC).
Kujdes!
▪ Kontrolloni dhe mirëmbani rregullisht sistemet e kondicionimit dhe ngrohjes së ujit.
▪ Mos përdorni jacuzzi apo dushe publike nëse nuk jeni të sigurt për higjienën.
▪ Personat në grupet me rrezik të lartë duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm gjatë verës dhe të kërkojnë kujdes mjekësor nëse shfaqin simptoma të ngjashme me pneumoni.