Drejtori ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj ka thënë se po e shohin një lloj abstenimi të partisë në pushtet, për mos ta marrë pushtetin.
“Ne po shohim një lloj abstenimi të partisë në pushtet, për mos me marrë pushtetin, për me i ikë kësaj përgjegjësie, për mos me marrë Qeverinë”, tha Miftaraj.
Ai tha e nuk ka as përpjekje minimaliste për formimin e Qeverisë, dhe përmendi se edhe institucionet janë jofunksionale për shkak të bllokadës institucionale e cila është krijuar.
“Duke e ditur gjendjen në të cilën gjendet Kosova, do duhej të gjenin një rrugë për të bërë zgjidhje, kur kanë kaluar disa muaj dhe asgjë nuk funksionon. Kemi një Qeveri në detyrë në bazë të vendimit të Gjykatës Supreme në kundërshtim me Kushtetutë dhe ligj, kemi një Kuvend që është jofunksional, kemi institucione të pavarura jofunksionale, kemi 1.5 miliard euro në Kuvendin e Kosovës marrëveshje ndërkombëtare të cilat janë duke pritur, plani i rritjes 882 milionë euro… është një afat 2024-2027. Ne ende nuk e kemi ratifiku këtë marrëveshje”, u shpreh Miftaraj.
Miftaraj tha se nëse kjo marrëveshje ratifikohet tash, mund t’i nxjerrim ndoshta vetëm gjysmën e atyre mjeteve të tjerat kthehen në Bashkimin Evropian.
Lidhur me këtë, Miftaraj theksoi se këto marrëveshje bilaterale kanë mbetur peng për shkak se Kosova nuk ka Kuvend që do të ratifikonte këto marrëveshje, ku inicimi vjen prej Qeverisë. Tha se partnerët ndërkombëtarë vazhdimisht kërkojnë themelimin e Qeverisë./S.K/EO/Betimi për Drejtësi/