Vendi

“Edukimi për të Gjithë”- People in Need prezanton projektin e organizuar në gjashtë komuna

Nga shkollat e gjashtë komunave janë trajnuar mbi 250 mësimdhënës.

Published

on

Në Prishtinë, Gjilan, Graçanicë, Lipjan, Fushë Kosovë e Obiliq për dy vjet është organizuar projekti “Edukimi për të Gjithë”. Projekti i organizuar nga “People in Need”, ka pasur për qëllim përmbushjen të drejtave arsimore të fëmijëve dhe adoleshentëve me nevoja të veçanta nga komunitetet e cenueshme në Kosovë. Nga shkollat e gjashtë komunave janë trajnuar mbi 250 mësimdhënës.

Menaxherja e projektit, Njomza Emini ka prezantuar të dhënat e vlerësimit të këtij projekti të financuar nga Bashkimi Evropian dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës Çeke.

“Objektiva kryesore e këtij projekti ka qenë përmbushja e të drejtave të fëmijëve me nevoja të veçanta dhe adoleshentëve të komuniteteve të cenueshme… Qëllimi i vlerësimit ka qenë të vlerësoj impaktin apo ndikimin dhe qëndrueshmërinë e ndërhyrjes së projektit, si dhe të ofroj rekomandime për palët e interesuara në të ardhmen. Vlerësimi ka përfshirë të gjithë komponentët e projektit dhe me fokus ka qenë ndikimi i arritjeve dhe mësimet e dala prej këtij projekti”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se 56 praktikantë kanë ofruar shërbime, ku 91 për qind e prindërve e shohin punën e praktikantëve si kontribut për një edukim të mirë të fëmijëve të tyre.

“Qysh në fillim të projektit e kemi bërë ngritjen e kapaciteteve të dy organizatave tona lokale, ku kemi ofruar trajnim për trajnerët dhe trajnerët janë certifikuar për të ofruar trajnime për mësimdhënësit. Trajnerët e trajnuar kanë ofruar trajnime në tetë shkolla përfituese, përkatësisht gjashtë komuna dhe në total 259 mësimdhënës i kemi trajnuar deri më tani të ndarë në 22 grupe. Afërsisht 70 për qind e mësimdhënësve vlerësuan pesë modulet e trajnimet, pse i kanë vlerësuar? Sepse modulet i kanë përmbajtur temat që mësimdhënësit ballafaqohen me fëmijët me nevoja të veçanta. 94 për qind e mësimdhënësve e kanë rekomanduar trajnimin për mësimdhënësit e tjerë. Dhe 58 për qind e mësimdhënësve i zbatojnë njohuritë që i kanë marrë gjatë trajnimit”, ka treguar ajo.

Në prezantimin e këtij projekti, udhëheqësi i Zyrës në Kosovë të “People in Need”, Ramadan Berisha tha se ky projekt i cili ka zgjatur 30 muaj, ka pasur rol të rëndësishëm te mësimdhënësit, fëmijët e prindërit.

“Ka qenë një projekti i cili nuk ka zgjatur edhe shumë në aspektet e limiteve kohore, por besoj që do ta shihni edhe vet se ka pasur një ndikim sado pak pozitiv gjatë këtyre 30 muajve. Një falënderim i veçantë shkon te përpiluesit e projektit është “Autizmi flet” dhe “Ideas Partnership”, ka thënë ai.

E udhëheqësja e divizionit për arsimin e fëmijëve me nevoja të veçanta në MAShTI, Luljeta Kabashi theksoi se kanë hartuar dokumentet që përkrahin arsimin gjithëpërfshirës.

“Përfshirja e fëmijëve me nevoja të veçanta në shkolla të rregullta është një qasje shumëdimensionale, bashkimi i profesionistëve, ngritja e kapaciteteve profesionale në shkolla, tash projekti e ka bërë një hap që deri më tani nuk ka qenë shumë i njohur… Fëmijët me nevoja të veçanta kërkojnë qasje individuale, është shumë e rëndësishme që qasja të jetë individuale dhe arritjet me qenë duke u bazuar në potencialin e tyre. Në vitin 2022, MAShTI e ka shpallur vitin për personat me nevoja të veçanta dhe ne jemi duke punuar jashtëzakonisht shumë me krejt kapacitetet që i kemi”, u shpreh Kabashi.

Drejtori i organizatës “The Ideas Partnership”, Arbon Osmani tha se në kuadër të projektit kanë pasur të angazhuar praktikantë në fushat e logopedisë, psikologjisë dhe pedagogjisë. Sipas tij, praktikantët kanë dhënë kontribut për fëmijët me nevojat e veçanta.

Organizata “People in Need”, e zbatoi këtë projekt me organizatat “The Ideas Partnership” dhe “Autizmi Flet”, nga janari i vitit 2020 deri në qershor të këtij viti.

Continue Reading

Aktualitet

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi pranohet anëtar në Akademinë Evropiane të Shkencave (EurASc)

Published

on

Themeluesi dhe Presidenti i UBT-së, Rektori, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, është pranuar si anëtar në Akademinë Evropiane të Shkencave (European Academy of Sciences – EurASc).

European Academy of Sciences (EurASc) është një nga akademitë më prestigjioze në Evropë, që bashkon shkencëtarë dhe studiues të shquar nga e gjithë bota, me qëllim promovimin e ekselencës shkencore dhe teknologjike për të adresuar sfidat më të mëdha globale. Anëtarët e saj janë emra të njohur që kanë dhënë kontribute të mëdha në fushat përkatëse, përfshirë shumë fitues të çmimeve ndërkombëtare dhe nobelistë.

Ky është një vlerësim i rëndësishëm ndërkombëtar që njeh kontributin e jashtëzakonshëm të Prof. Hajrizit në fushën e arsimit të lartë, kërkimit shkencor, inovacionit dhe politikëbërjes në nivel rajonal dhe evropian.

“Pjesëmarrja ime si anëtar në Akademinë Evropiane të Shkencave është një vlerësim personal, por mbi të gjitha është një njohje për punën dhe përkushtimin afatgjatë të UBT-së në ndërtimin e një ekosistemi akademik dhe shkencor në përputhje me standardet evropiane. Ky është një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të rolit të Kosovës në hartën ndërkombëtare të dijes dhe inovacionit”, tha Rektori Hajrizi.

Akademia Evropiane e Shkencave (EurASc), në publikimin e saj në rrjetet sociale, ka vlerësuar lart kontributin e Prof. Dr. Edmond Hajrizi për përvojën e tij mbi dydekadëshe në ndërthurjen e akademisë me ekosistemet e inovacionit dhe zhvillimit ekonomik.

Nën udhëheqjen e tij strategjike dhe vizionare, UBT është konsoliduar si një nga institucionet më të avancuara të arsimit të lartë në Evropën Juglindore, duke u shndërruar në një qendër të rëndësishme për zhvillimin e inovacionit, teknologjisë dhe sipërmarrjes.

Si pjesë e angazhimeve të tij profesionale, Prof. Hajrizi ka udhëhequr me sukses dhjetëra projekte të financuara nga Bashkimi Evropian, si dhe ka kontribuar si këshilltar për institucione prestigjioze ndërkombëtare, duke promovuar transformimin digjital, prodhimin inteligjent dhe arsimin e orientuar drejt së ardhmes.

Ky pranim përfaqëson jo vetëm një sukses personal për Rektorin Hajrizi, por një arritje të rëndësishme për UBT-në dhe Kosovën në tërësi. Ai dëshmon se përkushtimi ndaj inovacionit, cilësisë akademike dhe vizionit global mund të sjellë njohje ndërkombëtare dhe ta vendosë Kosovën në hartën e qendrave të rëndësishme të dijes dhe teknologjisë.

Continue Reading

Bota

​Policia u del në ndihmë 5 shtetasve që rrezikonin të mbyteshin në Durrës

Published

on

Shërbimet e Njësisë Policore Detare u kanë dalë në ndihmë pesë shtetasve që kërkonin ndihmë, pasi gomonia e tyre rrezikonte të fundosej për shkak të erërave të forta në afërsi të Gjirit të Durrësit.

Menjëherë pas konstatimit, efektivët e Njësisë, me mjete lundruese, ndërhynë në kohë dhe bënë të mundur nxjerrjen në breg të qytetarëve, të cilët ndodheshin në gjendje të mirë shëndetësore.

Policia fton qytetarët apo turistët që ndodhet në vështirësi dhe kanë nevojë për ndihmë të kontaktojnë menjëherë Shërbimet e Njësisë Policore Detare.

Continue Reading

Aktualitet

​Gjendet pa shenja jete një 63-vjeçar në Jezerc

Published

on

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në një vilë private në Jezerc është gjetur pa shenja jete një person.

Kanun Veseli nga policia rajonale e Ferizajt, ka thënë se personi i moshës 63-vjeçare është gjetur pa shenja jete rreth orës 11:00, në garazh pranë veturës së tij.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësiti i hetimeve rajonale dhe ekipi i forenzikës. Vdekjen e ka konstatuar ekipi mjekësor i Qendrës Emergjente në Ferizaj”, ka thënë ai.

Prokurori i shtetit është njoftuar për rastin dhe ka udhëzuar që të ndërmerren të gjitha veprimet hetimore të nevojshme, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion. Rasti po hetohet nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Ferizaj.

Continue Reading

Aktualitet

​Fluksi në pikat e kalimit kufitar, pritjet më të mëdha te Dheu i Bardhë

Published

on

Në disa nga pikat e kalimit kufitar vazhdon të ketë pritje të gjata në të dyja anët e kufirit. Sipas gjendjes së orës 20:09, pritjet më të gjata janë në hyrje të pikës kufitare Dheu i Bardhë me kolona deri në një kilometër në hyrje dhe pritjet deri në pesëdhjetë minuta, ndërsa në dalje të kësaj pike kufitare kolona është 600 metra e gjatë dhe pritjet e qytetarëve zgjasin deri një orë e gjysmë.

Pritje ka edhe në pikën kufitare Muçibabë, ku kolona e automjeteve në dalje të kësaj pike kufitare është 700 metra, me pritjet e qytetarëve gjashtëdhjetë minuta, teksa në hyrje kolona e automjeteve është 700 metra e gjatë dhe pritjet janë gjashtëdhjetë minuta.

Kolona ka edhe në Bërnjak, ku në hyrje të kësaj pike të kalimit kufitar kolona është pesëdhjetë metra e gjatë, me pritjet që variojnë nga dhjetë deri në pesëmbëdhjetë minuta, ndërsa në dalje nuk ka kolona dhe pritjet janë nga dhjetë deri në pesëmbëdhjetë minuta.

Në pikat e tjera të kalimeve kufitare nuk ka kolona dhe pritjet janë kryesisht nga tre deri në pesëmbëdhjetë minuta, njofton Qendra kombëtare për menaxhim kufitar.

Continue Reading

Të kërkuara