Lajmet

Edukimi mediatik në Kosovë, nevojë urgjente për përballje me “fake news”

Published

on

Në epokën digjitale, kur informacioni rrjedh në çdo moment përmes platformave sociale dhe mediatike, edukimi mediatik është shndërruar në një nevojë urgjente për të mbrojtur dhe fuqizuar të rinjtë në Kosovë.  Një ndër praktikat më të mira që merret shembull i një kurrikule të suksesshme të edukimit mediatik është Finlanda, që nga vitet e 50-ta, ka ndërtuar një kurrikulum edukativ të tillë që ka bërë edukimin mediatik një shtyllë të qëndrueshme të arsimit të saj.

Në dekadën e fundit, ky vizion ka evoluar në një formë tjetër, duke përqendruar vëmendjen tek “alfabetizimi i inteligjencës artificiale”, një aftësi jetike për qytetarët e sotëm, që përballen me mundësinë dhe rrezikun që sjellin teknologjitë e reja, si dhe për të përdorur ato në mënyrë kritike dhe produktive. Finlanda ka arritur të jetë në krye të shteteve në edukimin mediatik, duke qenë në vendin e parë në Indeksin e Edukimit Mediatik që nga viti 2017.

Ekspertët e edukimit dhe medias e theksojnë se përfshirja e edukimit mediatik në sistemin arsimor të Kosovës është e domosdoshme për të përgatitur brezat e rinj për të jetuar dhe vepruar në një shoqëri ku informatat janë një burim i paanë dhe shpesh i pavërtetë. Kjo është një mundësi për të forcuar aftësitë kritike të të rinjve, për t’i ndihmuar ata të mbrohen nga ndikimet e jashtme dhe të bëhen qytetarë të përgjegjshëm dhe të arsimuar në epokën e informacionit të paanshëm.

Blerta Aliu – Ahmeti, drejtore ekzekutive e “Education Empowerment Initiative” (EEI), argumenton se edukimi mediatik është i domosdoshëm për të zhvilluar njohuri të rëndësishme rreth sigurisë online, mbrojtjes së privatësisë dhe analizimit të informacionit. Ajo vë në dukje që përmes projekteve të tilla si “MediaWise”, është dëshmuar urgjenca për t’i aftësuar të rinjtë të përdorin në mënyrë të shëndetshme dhe të qëlluar mediat digjitale, duke vendosur një balancë midis aktiviteteve online dhe offline.

“Ne, si EEI, kemi zbatuar së fundmi projektin MediaWise me nxënës nga tri vende të rajonit dhe kemi parë nga afër se sa urgjente është nevoja për edukimin e këtyre nxënësve në përdorimin e shëndetshëm të mediave digjitale, si dhe për të gjetur një balancë të qëndrueshme midis aktiviteteve online dhe atyre offline”, është shprehur Aliu – Ahmeti.

Sipas saj, nxënësit duhet të jenë të përgatitur për të mbrojtur veten nga bullizmi kibernetik dhe rreziqet që sjellin lajmet e rreme.

“Është thelbësore që në shkolla të mësojnë si të përdorin këto media në mënyrë të shëndetshme dhe për qëllime pozitive. Përmes edukimit mediatik, nxënësit mund të zhvillojnë njohuri për sigurinë online, mbrojtjen e privatësisë, analizimin e dezinformatave, mbrojtjen nga bullizmi kibernetik dhe shmangien e rreziqeve të lajmeve të rreme”.

Një element tjetër kritik i edukimit mediatik është zhvillimi i aftësive për të analizuar dhe verifikuar përmbajtjen e lajmeve. Sipas EEI, aftësitë për të dalluar informacionin e saktë nga dezinformimi dhe për të marrë vendime të informuara janë thelbësore në shoqërinë e sotme. Nxënësit duhet të mësojnë që të mos i pranojnë lajmet menjëherë si të vërteta, por të bëjnë krahasime me burime të tjera të besueshme.

Edukimi mediatik është përfshirë në kurrikulën arsimore të Kosovës që nga viti 2016, por përvoja ka treguar se zbatimi efektiv i tij ka mbetur sfidues. Sipas Aliu – Ahmetit, mungesa e trajnimeve të mësuesve për të mësuar këtë lëndë është një pengesë kryesore. Trajnimi i mësuesve dhe krijimi i materialeve didaktike të përshtatshme janë hapa të domosdoshëm për të përballuar këtë sfidë dhe për të bërë që edukimi mediatik të ketë një ndikim real në shkolla.

“Për të integruar edukimin mediatik në mënyrë efektive, është e domosdoshme të investohet në trajnimin e mësuesve dhe krijimin e materialeve didaktike të përshtatshme. Kjo do të ndihmonte në tejkalimin e sfidave ekzistuese dhe në përgatitjen e të rinjve për të përdorur mediat në mënyrë të ndërgjegjshme dhe të përgjegjshme”, thotë Aliu – Ahmeti.

Ferid Selimi, dekan i Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, pohon se përballja me teknologjinë e re dhe rrjetet sociale kërkon një edukim të shtuar për të rinjtë. Ai thekson rëndësinë e edukimit mediatik për të zhvilluar një rini të përgatitur dhe të ndërgjegjshme për rreziqet e dezinformimit dhe keqinformimit. Në mendimin e tij, edukimi mediatik është më shumë sesa mësim për të shkruar një artikull; është përgatitje për t’u mbrojtur nga lajmet e pavërteta dhe për të dalluar mes fakteve dhe subjektivizmit.

“Duke pasur parasysh, publikimet e ndryshme, postimet e shpeshta, që bëhen pa ndërhyrje redaktoriale e me teka personale, është e nevojshme që të rinjtë, e sidomos nxënësit e shkollave fillore e të mesme të dinë të ndajnë të vërtetën prej jo të vërtetës, të qëllimshmen nga jo e qëllimshmja, fabrikimin nga realiteti i krijuar, si dhe subjektivitetin nga objektiviteti. Sepse, vetëm në këtë mënyrë, ne mund të llogarisim në një rini të shëndoshë dhe të përgatitur mediatikisht”, është shprehur Selimi.

Selimi gjithashtu thekson rëndësinë e përgatitjes së profesionistëve të mediave që janë të aftë të edukojnë të tjerët për median. Sipas tij, edukimi mediatik mund të integrohet në mënyrë të suksesshme në shkolla përmes universiteteve që ofrojnë programe në media, ku studentët aftësohen për të ndarë informacionin e besueshëm nga ai i pabesueshëm dhe për të mësuar të tjerët për rëndësinë e vërtetësisë në gazetari.

Gazetarja Aferdita Maliqi përmend se edukimi mediatik i ofruar në shkolla i ndihmon të rinjtë të dallojnë burimet e besueshme nga burimet e pabazuara në fakte. Kjo është një mënyrë për të përgatitur qytetarë të informuar dhe të vetëdijshëm në një shoqëri ku informacioni shpesh përhapet pa redaktim profesional dhe me qëllime të ndryshme, duke përfshirë ndikimin politik. Integrimi i edukimit mediatik në kurrikulën shkollore, sipas Maliqit, mund të ndihmojë në krijimin e një kulture të përgjegjshme informimi dhe të një brezi të ri të ndërgjegjshëm.

“Në këtë rast janë disa hapa që duhet bërë institucionet paraprakisht: Përcaktimi i objektivave të qarta të edukimit mediatik, trajnimi i mësuesve dhe përfshirja e tyre në lëndë të ndryshme, sepse edukimi mediatik mund të integrohet jo vetëm si lëndë e veçantë, por edhe si pjesë e lëndëve ekzistuese. Por, në realizim duhet të kemi parasysh sfidat: si p.sh. mungesa e burimeve dhe infrastrukturës, sepse ka disa shkolla që kanë mungesë të teknologjisë bazë. Edukimi mediatik përballet me sfidën e mësimit të nxënësve për t’u përballur me dezinformimin, propagandën, dhe përmbajtjet e dëmshme, andaj kjo kërkon një qasje të kujdesshme për të mos ekspozuar nxënësit në mënyrë të panevojshme ndaj këtyre rreziqeve”, thekson Maliqi.

Nga ana tjetër, Naile Dema, anëtare e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, nënvizon se edukimi mediatik është thelbësor për të fuqizuar të rinjtë përballë lajmeve të rreme. Ajo vë në theks se të rinjtë dhe të moshuarit janë grupet më të prekura nga dezinformimi dhe thekson rëndësinë e futjes së lëndës së edukimit mediatik si obligative në shkolla.

“Kategori më të prekura nga lajmet e rreme, sipas disa hulumtimeve, janë të rinjtë dhe të moshuarit. Kjo nuk përjashton asnjë moshë tjetër, por këto dy grupe janë më të cenueshme ndaj keqinformimit. Prandaj, ne si AGK, si dhe përmes Forumit për Integritetin e Informacionit në bashkëpunim me NDI, kemi dy vite që lobojmë aktivisht për ta futur edukimin mediatik si lëndë obligative, sepse fuqizon jashtëzakonisht të rinjtë”, potencon Dema.

Dema thekson se edukimi mediatik është i një rëndësie të veçantë për të rinjtë, duke i ndihmuar ata të dallojnë lajmet e besueshme. Sipas saj, në Kosovë niveli i edukimit mediatik është shumë i ulët dhe shoqëria është e ndikuar politikisht.

“Edukimi mediatik luan rol krucial te të rinjtë për të verifikuar lajmet e besueshme. Në Kosovë, niveli i edukimit mediatik është shumë i ulët dhe shoqëria është mjaft e ndikuar politikisht. Në kohë fushate shtrohet pyetja nëse edukimi mediatik është i domosdoshëm. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të rinjtë ta kenë këtë njohuri që nga baza. Sa herë i pyesim të rinjtë se cilat janë burimet e para të informacionit, ato rezultojnë të jenë rrjetet sociale”, ka shtuar Dema.

Ekspertët janë të një mendimi se edukimi mediatik nuk është vetëm një nevojë arsimore, por një domosdoshmëri për të siguruar që të rinjtë në Kosovë të jenë të përgatitur për të përballuar sfidat e epokës digjitale.

Kjo kërkon përkushtim në trajnimin e mësuesve, përfshirjen e edukimit mediatik në të gjitha nivelet arsimore dhe ngritjen e ndërgjegjësimit për rolin e medieve në shoqëri. Vetëm në këtë mënyrë Kosova mund të shpresojë për një të ardhme ku të rinjtë janë të aftë të verifikojnë, analizojnë dhe ndajnë informacione me përgjegjësi dhe ndërgjegjësim. Dhe vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtohet një shoqëri ku çdo individ është një qytetar aktiv, kritik dhe i vetëdijshëm!

Artikull i shkruar nga Driton Hyseni

lajme

UBT nesër organizon bashkëbisedim me Ministrin Ejup Maqedonci për mundësitë e angazhimit të studentëve në industrinë e mbrojtjes

Published

on

By

UBT do të organizojë më 23 qershor 2026, nga ora 14:00, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik, në Lipjan, (Biblioteka), një bashkëbisedim me Ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, lidhur me mundësitë e angazhimit profesional të studentëve në fabrikën e parë të municionit në Kosovë.

Ky takim synon të informojë studentët dhe të rinjtë për projektin strategjik të industrisë së mbrojtjes, i cili pritet të fillojë prodhimin gjatë këtij viti dhe që konsiderohet një hap i rëndësishëm në ngritjen e kapaciteteve prodhuese dhe teknologjike të vendit.

Gjatë aktivitetit, Ministri Maqedonci do të prezantojë mundësitë konkrete të angazhimit profesional për studentët dhe të diplomuarit në fusha të ndryshme teknike dhe inxhinierike, duke përfshirë inxhinierinë mekanike, elektroteknike/elektrike, metalurgjike, kimike, hidraulike, si dhe profile të tjera të ngjashme.

Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të diskutojnë nga afër për rëndësinë e zhvillimit të industrisë së mbrojtjes në Kosovë, rolin e të rinjve në këtë proces, si dhe perspektivat për zhvillim profesional dhe avancim teknologjik në kuadër të këtij projekti.

UBT vazhdon të krijojë ura bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, industrisë dhe studentëve, duke ofruar mundësi konkrete për zhvillim profesional dhe përfshirje në projekte me rëndësi strategjike për vendin.

Continue Reading

Vendi

Rektori Edmond Hajrizi priti në takim Alaa Garad, nga Stirling Centre në Mbretërinë e Bashkuar

Published

on

By

UBT mirëpriti në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik një delegacion nga Stirling Centre for Strategic Learning and Innovation, nga Mbretëria e Bashkuar, të kryesuar nga Alaa Garad – Kryetar i Bordit Këshillëdhënës.

Delegacioni u prit nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, me ç’rast u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e zhvillimit profesional, ngritjes së kapaciteteve institucionale dhe shkëmbimit të praktikave të mira në sigurimin e cilësisë.

Palët theksuan rëndësinë e partneriteteve ndërkombëtare dhe zhvillimit të iniciativave të përbashkëta që kontribuojnë në avancimin akademik dhe institucional.

Continue Reading

lajme

Rektori Hajrizi priti në takim delegacionin e Institutit Yunus Emre në Kosovë

Published

on

By

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mirëpriti në takim një delegacion nga Instituti Yunus Emre në Kosovë, të kryesuar nga drejtori Ramazan Yılmaz.

Në këtë takim u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet UBT-së dhe Institutit Yunus Emre në fushën e gjuhës, kulturës dhe arsimit, me fokus të veçantë në gjuhën turke, zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta akademike dhe kulturore, si dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik.

Gjatë takimit, u theksua roli i Institutit të Gjuhëve të Huaja në UBT, i cili synon të zgjerojë gamën e trajnimeve dhe certifikimeve profesionale në gjuhë të ndryshme për studentët dhe qytetarët e Kosovës. Në këtë drejtim, bashkëpunimi me Institutin Yunus Emre pritet të kontribuojë në avancimin e ofertës për mësimin dhe certifikimin e gjuhës turke.

Palët shqyrtuan mundësinë e organizimit të kurseve të gjuhës turke, punëtorive tematike, ligjëratave të hapura dhe aktiviteteve kulturore, të cilat do t’u mundësonin studentëve të njihen më nga afër me gjuhën, traditën dhe kulturën turke.

Ky bashkëpunim synon të kontribuojë në pasurimin e ofertës akademike dhe ndërkombëtare të UBT-së, duke krijuar ura të reja komunikimi dhe bashkëpunimi me institucione partnere nga Turqia.

Continue Reading

Lajmet

PZAP refuzon ankesat për rinumërim, KQZ pret afatin për ankim në Gjykatën Supreme

Published

on

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se do të presë përfundimin e të gjitha procedurave ankimore para shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Kjo vjen pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar ankesat e paraqitura nga kandidatët për deputetë, Bekim Haxhiu nga PDK-ja dhe Qëndrim Kryeziu nga LDK-ja, të cilët kishin kërkuar rinumërim të votave.

Sipas vendimit të PZAP-it, ankesat janë vlerësuar si të pabazuara dhe nuk është urdhëruar rinumërim shtesë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar se institucioni është njoftuar me vendimet, por ka theksuar se palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën Supreme brenda afatit ligjor prej 48 orësh.

Sipas KQZ-së, vetëm pas plotfuqishmërisë së vendimeve do të vlerësohet nëse ekzistojnë obligime konkrete për zbatim nga ana e institucionit. Nëse nuk do të ketë vendime të tjera që ndikojnë në proces, atëherë KQZ do të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.

Kujtojmë se Bekim Haxhiu kishte kërkuar rinumërim të plotë të votave të kandidatëve të PDK-së, duke argumentuar se gjatë rinumërimeve të deritanishme janë evidentuar mospërputhje në numërim dhe se diferencat e ngushta mes kandidatëve mund të ndikojnë në renditjen përfundimtare. Megjithatë, PZAP nuk e ka mbështetur këtë kërkesë. /A.K/

 

Continue Reading

Të kërkuara