Në Kampusin Inovativ të UBT-së ku u mbajt forumi akadaemik me temën “Nga Çlirimi te Lidershipi: Edukimi i Gjeneratës së Ardhshme përmes Partneritetit Kosovë–SHBA”. Në këtë ngjarje, me një fjalim u paraqit profesori në Universitetin “Johns Hopkins” SAIS dhe eksperti i politikës së jashtme amerikane, Edward P. Joseph, i cili u fokusua në sigurinë rajonale, rrugëtimin historik të Kosovës dhe sfidat aktuale gjeopolitike.
Profesor Joseph, i cili ka një përvojë të gjatë me zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, ndau me audiencën kujtimet e tij nga viti 1999, periudhë kur shërbente si menaxher i kampit të refugjatëve kosovarë në Fort Dix të SHBA-së. Përmes një fotografie të asaj kohe, ai pasqyroi transformimin që ka pësuar vendi që nga periudha e luftës.
“Konfuci ka thënë se një fotografi vlen sa një mijë fjalë. Kjo fotografi këtu është e vitit 1999. Ata janë refugjatët kosovarë. Kjo është shkrepur në Fort Dix, ku unë shërbeja si menaxher i atij kampi refugjatësh. Ishte një periudhë vërtet e jashtëzakonshme intensive dhe jashtëzakonisht e vështirë për fëmijët dhe prindërit e tyre, shumë prej të cilëve, natyrisht, kishin ende të afërm këtu në Kosovë. Prandaj, dikush si unë ka një vlerësim dhe mirëkuptim shumë të thellë për gjithçka që ka kaluar Kosova,” u shpreh Joseph.
Në pjesën e fjalimit që ndërlidhej me sigurinë rajonale dhe arkitekturën e mbrojtjes, profesori amerikan vuri në dukje rëndësinë e aleancës veri-atlantike në rajon, si dhe sfidat diplomatike që lidhen me integrimin ndërkombëtar të Kosovës.
Profesor Joseph vuri në dukje se roli i NATO-s ka qenë vendimtar jo vetëm për sigurimin e lirisë së Kosovës, por mbetet shtyllë thelbësore edhe për stabilitetin afatgjatë të të gjithë Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, ai sqaroi se procesi i integrimit dhe anëtarësimit të vendit në organizatat kryesore ndërkombëtare po bllokohet nga pengesa të jashtme politike dhe diplomatike në arenën globale.
Në përmbyllje të fjalës së tij, Profesor Edward P. Joseph vlerësoi progresin në fushën e arsimit të lartë dhe infrastrukturën akademike të krijuar nga UBT.
“Dua të falënderoj Rektorin Hajrizi për nderin që më bëri duke më pritur në këtë objekt, dhe dua t’ju përgëzoj për këtë universitet të jashtëzakonshëm që keni ngritur. Mendoj se të gjithë këtu duhet t’u japim atyre një duartrokitje të ngrohtë,” përfundoi Joseph. /E.A/