Aktualitet

Dymbëdhjetë të vdekur nga zjarret pyjore në Spanjë, teksa vala e të nxehtit po vazhdon në Evropën Jugore

Published

on

Të paktën 12 persona kanë vdekur dhe gjashtë të tjerë janë lënduar si pasojë e një zjarri pyjor në Spanjën Jugore, ka njoftuar qeveria rajonale e Andaluzisë, raporton BBC.

Rreth 150 zjarrfikës po punojnë për të lokalizuar flakët, të cilat sipas dëshmitarëve u shkaktuan nga këputja e një linje elektrike, përpara se të shpërndaheshin në një zonë pyjore në Los Gallardos të Almerisë. Autoritetet ende nuk e kanë konfirmuar shkakun e zjarrit.

Një valë e zgjatur e të nxehtit me temperatura rreth 40°C ka shkaktuar zjarre të shumta pyjore anembanë Evropës Jugore gjatë kësaj vere. Qindra zjarrfikës po përballen me vatra të mëdha zjarri në Francë, Portugali dhe Spanjë, ku mijëra njerëz janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre.

“Numri i personave që humbën jetën nga zjarri në Los Gallardos ka shkuar në 12, pas konfirmimit të gjashtë viktimave të tjera”, thuhet në deklaratën e qeverisë rajonale të Andaluzisë.

Trupat e disa prej viktimave u gjetën brenda në makina, pasi kishin tentuar t’ u shpëtonin flakëve gjatë kohës që zjarri po përhapej me shpejtësi gjatë natës.

Kreu i qeverisë rajonale, Juanma Moreno, i quajti këto vdekje “një tragjedi”. Përmes një postimi në rrjetin social X, pas njoftimit të bilancit fillestar me gjashtë të vdekur, ai u shpreh: “Zemrat tona janë të rënduara dhe jemi të shkatërruar nga dhimbja”.

Në mes të të lënduarve, një person u dërgua me urgjencë në spital për shkak të thithjes së tymit, ndërsa një tjetër pësoi djegie. Katër persona të tjerë morën ndihmë mjekësore në vendngjarje për djegie të lehta dhe probleme të frymëmarrjes të shkaktuara nga tymi i dëndur.

Zjarri gjithashtu shkaktoi bllokimin e disa rrugëve, ndërsa rreth 1,000 banorë u evakuuan, sipas të dhënave nga shërbimet e emergjencës.

Kryeministri Pedro Sanchez deklaroi në maj se Spanja do të dislokonte këtë vit kapacitetet më të mëdha ndonjëherë për t’iu përgjigjur zjarreve verore, siç raportuan mediat lokale dhe agjencia AFP.

Njësia Ushtarake e Emergjencave e Spanjës (UME), e cila ndërhyn në raste të emergjencave të mëdha, konfirmoi se do t’u bashkohet forcave zjarrfikëse në Los Gallardos.

Në qershor, Spanja shënoi mesataren më të lartë ditore që nga viti 1950, duke regjistruar në disa ditë temperaturat më të larta historike për atë muaj. Në disa pjesë të vendit u parashikuan temperatura deri në 42°C.

Vitin e kaluar, një sipërfaqe rekord prej 393,000 hektarësh u dogj në Spanjë, sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret Pyjore (EFFIS), që është mbi gjashtë herë më shumë se mesatarja spanjolle e periudhës mes viteve 2006 dhe 2024.

Ndryshimet klimatike po rrisin temperaturat globalisht, dhe Evropa është kontinenti që po ngrohet më së shpejti, duke u nxehur dy herë më shpejt se mesatarja globale, sipas shërbimit klimatik Copernicus.

Kjo po sjell valë më të shpeshta të të nxehtit gjatë verës, presion më të madh mbi rezervat e ujit në Evropë dhe zjarre pyjore shumë më intensive.

Viti i kaluar ishte sezoni më i keq i zjarreve për Bashkimin Evropian që nga fillimi i regjistrimit të të dhënave në vitin 2006, ku u dogjën më shumë se 1 milion hektarë në të gjithë BE-në — një sipërfaqe kjo e barabartë me pothuajse gjysmën e territorit të Uellsit.

Përkeqësimi i sezonit të zjarreve në rajonin e Mesdheut është lidhur drejtpërdrejt me ndryshimet klimatike në një studim të veçantë të realizuar nga grupi “World Weather Attribution” në Imperial College London.

Ekspertët paralajmërojnë se zjarret më të shpeshta dhe më të ashpra në mbarë Evropën pritet të vazhdojnë edhe në të ardhmen. /BBC/ /E.A/

 

 

Continue Reading

Vendi

Moti sot

Published

on

By

Moti sot në Kosovë parashihet të jetë i vranët dhe me intervale me diell, njofton Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

Sipas IHMK-së, vranësirat vende-vende mund të sjellin riga lokale shiu.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 2 dhe 5 gradë celsius, ndërsa ato maksimale të ditës parashihen të arrijnë nga 11 deri në 15 gradë celsius. Era do të fryjë nga drejtimi i juglindjes me shpejtësi prej 1 deri në 4 metra për sekondë. /E.A/

Continue Reading

lajme

SHBA ngre akuza ndaj tre operativëve të mbështetur nga Irani për komplote terroriste në Evropë

Published

on

By

Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së (DOJ) ka ngritur akuza penale ndaj tre operativëve të mbështetur nga Irani, të cilët akuzohen për përfshirje në një seri komplotesh terroriste në SHBA dhe Evropë, përfshirë një sulm të dështuar ndaj një baze ushtarake në Mbretërinë e Bashkuar, raporton BBC.

Sipas aktakuzës së bërë publike nga autoritetet amerikane, agjentët iranianë orkestruan një plan sulmi në bazën ushtarake ajrore “RAF Fairford” në Gloucestershire të Mbretërisë së Bashkuar, ku janë të vendosura forcat e armatosura amerikane. Të akuzuarit janë shtetasi iranian Mohsen Mohajeri, shtetasi irakian Mohammad Ali al-Hassani dhe shtetasi me dy shtetësi (iraniane-irakiane) Mohammad Baqer Saad Dawood al-Saadi. Unë prej tyre akuzohet se ka komunikuar me kontaktet e tij në Mbretërinë e Bashkuar nga një burg në Nju Jork, ku po pret gjykimin për akuza të mëparshme, ndërsa dy të tjerët kanë vepruar nga Irani.

Në deklaratën e Departamentit të Drejtësisë thuhet se triot i ngarkohet përgjegjësia për planifikimin e sulmeve në Evropë nën emrin e një grupi fiktiv me pseudonimin “Harakat Ashab al-Yamin al-Islamiya” (HAYI). Nga 18 sulmet terroriste në Evropë për të cilat ky grup mori përgjegjësinë gjatë pranverës së këtij viti, shtatë prej tyre ndodhën në Britani, përfshirë zjarrvënie, përdorim eksplozivi dhe sulmin me thikë ndaj dy burrave çifutë në Londër.

Drejtori i FBI-së, Kash Patel, deklaroi se kjo aktakuzë dëshmon vendosmërinë e Iranit për të kryer sulme terroriste në Evropë dhe SHBA, duke shtuar se të akuzuarit ishin të përfshirë në afërsi të 20 përpjekjeve për sulme në mbështetje të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) dhe milicisë irakiane Kataib Hezbollah.

Sa i përket ngjarjes në bazën ajrore britanike, hetimet tregojnë se në gusht dhe shtator al-Hassani kishte paguar bashkëpunëtorë në Britani për të kryer vëzhgime dhe për të siguruar logjistikën, përfshirë blerjen e furgonave, fuçive me lëndë djegëse dhe lëndëve kimike për shpërthim. Më 27 shtator, tre furgona të dyshimtë u pikasën nga një fermer lokal afër bazës “RAF Fairford”, gjë që çoi në ndërhyrjen e policisë dhe arrestimin e shtatë personave në Britani.

Teherani zyrtar i ka mohuar kategorikisht akuzat për përfshirje në incidentin e bazës ushtarake britanike. /BBC/

 

Continue Reading

lajme

Kuvendi i Kosovës mblidhet nesër në seancë të jashtëzakonshme për Raportin e Progresit

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër një seancë të jashtëzakonshme, e cila është caktuar të nisë në orën 13:00.

Në qendër të këtij takimi të jashtëzakonshëm të deputetëve do të jetë debati parlamentar lidhur me Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, dokument ky që i është dorëzuar zyrtarisht institucioneve të Kosovës para pak ditësh.

Përfaqësuesit e popullit pritet të diskutojnë gjetjet kryesore, të arriturat dhe sfidat e evidentuara nga Bashkimi Evropian sa i përket përmbushjes së reformave dhe standardeve evropiane në vend. /E.A/

Continue Reading

Aktualitet

Shkon në 12 numri i të vdekurve nga aksidenti në Bullgari

Published

on

By

Të paktën 12 persona kanë humbur jetën dhe 46 të tjerë janë lënduar si pasojë e dy aksidenteve të rënda zinxhirore të ndodhura mëngjesin e sotëm në autostradën që lidh kryeqytetin e Bullgarisë, Sofjen, me qytetin bregdetar të Burgasit.

Ministrja e Shëndetësisë, Katya Ivkova, bëri me dije se 10 persona ndërruan jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa dy të tjerë nuk u mbijetuan plagëve gjatë transportimit për në spital.

Përplasja e fuqishme, e cila ndodhi rreth orës 07:00, përfshiu 86 automjete dhe kamionë të rëndë në të dyja drejtimet e autostradës, duke detyruar autoritetet të bllokojnë tërësisht qarkullimin. Sipas vlerësimeve të para të policisë, shkak për tragjedinë dyshohet të jenë bërë mjegulla e dendur, lagështia në rrugë dhe shpejtësia e papërshtatshme.

Tragjedia ka tronditur udhëheqjen shtetërore në Sofje. Kryeministri Rumen Radev ndërpreu takimin me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për të inspektuar vendin e ngjarjes, ndërsa presidentja Iliana Yotova u kthye me urgjencë nga Forumi i Paqes në Paris. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara