Lajm në zhvillim:
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka konfirmuar pranimin e amendamenteve kushtetuese të dërguara nga Presidentja Vjosa Osmani, të cilat synojnë që kreu i shtetit të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët.
Përmes një njoftimi, Haxhiu u shpreh se ky ndryshim është i domosdoshëm për të siguruar stabilitet afatgjatë. Sipas saj, zgjedhja e Presidentit nga populli do t’i jepte fund bllokadave politike që shpesh kanë paralizuar vendin.
“Në këtë mënyrë eliminohen ngërçet që po e pengojnë funksionimin e institucioneve dhe që po e pamundësojnë stabilitetin e tyre,” shkruan Haxhiu.
Për këtë ndryshim Haxhiu është në linjë me Presidenten Osmani, duke u bërë thirrje deputetëve të Kuvendit që t’i mbështesin këto ndryshime kushtetuese.
Osmani në orët e fundit si Presidente: Procedon amendamentet që ia kthejnë votën popullit
Në orët e fundit të mandatit të saj në krye të shtetit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndërmarrë një hap vendimtar që synon ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së kreut të shtetit. Përmes një njoftimi zyrtar, ajo bëri të ditur se ka proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese që mundësojnë zgjedhjen e Presidentit drejtpërdrejt nga vota e qytetarëve.
Sipas Osmanit, ky vendim vjen si rrjedhojë e bllokadave të vazhdueshme politike që kanë shoqëruar proceset e kaluara zgjedhore në Kuvend. Ajo sqaroi se këto amendamente ishin hartuar fillimisht nga Komisioni për Amendamentimin e Kushtetutës që në vitin 2011, por kishin mbetur pa u jetësuar.

“Duke parë dështimet e njëpasnjëshme në zgjedhjen e Presidentes/it, sapo kam proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të Presidentes/it,” u shpreh Osmani, duke u bërë thirrje të gjitha subjekteve politike që t’i lënë anash interesat partiake dhe t’i votojnë këto ndryshime.
Ky veprim i Osmanit shihet si një përpjekje për të shmangur krizat institucionale dhe për të rritur legjitimitetin e postit të lartë shtetëror.