Kriza në Ukrainë rrezikon të përshkallëzohet ndjeshëm, pasi Rusia ka paralajmëruar se një ndërhyrje ushtarake e vendeve të NATO-s në portin strategjik të Odesës do të çojë në përplasje të drejtpërdrejtë me Aleancën. Sipas Moskës, po përgatitet një plan për zbarkimin e trupave franko-britanike në jug të Ukrainës, një veprim që Kremlini e cilëson si “kërcënim të menjëhershëm për sigurinë kombëtare”.
“Çdo prani e trupave të NATO-s në Ukrainë, pavarësisht flamurit, shenjave apo mandatit të deklaruar, do të konsiderohet nga Rusia si një kërcënim për sigurinë e saj dhe do të mbartë rrezikun e një përplasjeje të drejtpërdrejtë me të gjithë Aleancën”, deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, në një konferencë për mediat.
Ajo nënvizoi se më 3 dhe 4 prill në Kiev është zhvilluar një takim i nivelit të lartë mes shefave të shtabit të ushtrive të Ukrainës, Francës dhe Britanisë së Madhe. Sipas saj, ky takim ka prodhuar tensione të brendshme në qeverinë ukrainase, pasi nuk u arrit një marrëveshje konkrete për praninë e trupave aleate në terren.
Paralajmërimi i Rusisë vjen në një kohë kur një tjetër tension po rritet mes Ukrainës dhe Kinës. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka pretenduar se dy ushtarë kinezë janë arrestuar në territorin ukrainas, nën dyshimin se kanë luftuar përkrah forcave ruse.
Kina i ka hedhur poshtë këto akuza duke i cilësuar të pabazuara. “Nuk ka asnjë provë për një gjë të tillë,” tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, duke kujtuar se Pekini ka ruajtur një qëndrim neutral ndaj luftës dhe ka propozuar disa herë platforma për negociata paqësore, megjithëse, deri tani, pa dënuar qartë veprimet e Rusisë.