Lajmet

DW: Shqipëri: Protesta me tensione. A mund të sjellë ndryshim?

Published

on

Kryeministri e përjashtoi dorëheqjen, por studentët e vijuan protestën për të tretën ditë radhazi. Në Tiranë mbërritën edhe të rinj nga qytete të tjera të vendit.

Në orën 08:03 të mëngjesit të së enjtes (15.10.2026), pas dy ditësh protestash studentore të shoqëruara me tensione dhe dhunë në rrugët e Tiranës, kryeministri Edi Rama theu heshtjen. Nga godina e djegur e Kolegjit të Europës, vetëm pak metra larg zyrës së tij, Rama publikoi një videomesazh, duke fajësuar opozitën për dhunën dhe shkatërrimet në kryeqytet. “Këto janë duart e një opozite që me maska të verbërish përpara kërkon ta rikthejë Shqipërinë aty ku nuk do të rikthehet kurrë” – deklaroi ai. Por përgjigjja ndaj kërkesës kryesore të protestuesve erdhi më vonë gjatë ditës. Në një deklaratë për agjencinë Reuters, Rama e bëri të qartë se dorëheqje nuk do të ketë.
Kryeministri e përjashtoi dorëheqjen, por studentët e vijojnë protestën dhe në Tiranë mbërritën edhe të rinj nga qytete të tjera të vendit. Protesta ka pasur gjithashtu edhe në qytete të tjera. Protesta u shoqërua me përplasje të dhunshme me policinë, përdorim të gazit lotsjellës dhe zjarre, ndërsa pati të plagosur dhe dëme në ndërtesa e biznese.

Revoltë kundër klasës politike

Në themel të revoltës qëndron pakënaqësia e të rinjve me qeverisjen, vështirësitë ekonomike dhe mungesën e perspektivës për të ardhmen. “Ne nuk kemi ku studiojmë, ne nuk kemi të ardhura, jetojmë me qira, nuk mbulojmë dot shpenzimet tona. Qeveritarët na kanë pirë gjakun me vite dhe nuk ndiejnë përgjegjësi për të gjithë këta njerëz që janë në shesh” – shprehet një studente për DW.
Për Rigels Xhemollarin, nga Qëndresa Qytetare, revolta studentore është e lidhur me pakënaqësitë e shprehura gjatë muajve të lëvizjes “Flamingo Revolution”. “Mungesa e reflektimit të kryeministrit gjatë katër muajve protestë në bulevard dhe tallja e tij me protestuesit. Pastaj arsyet e tjera lidhen me situatën ekonomike, aferat korruptive dhe skandalet e njëpasnjëshme” – shprehet ai për DW.

Por pakënaqësia e studentëve nuk kufizohet vetëm te qeveria. Krahas kërkesës për dorëheqjen e Edi Ramës, në shesh janë dëgjuar thirrje edhe kundër opozitës, ndonëse kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shprehur mbështetjen e tij për protestën.

 A ka një rrugëdalje politike?
Analisti politik Mark Marku, njëherësh dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, e sheh protestën e studentëve si reagimin e një brezi që zgjoi shoqërinë dhe riktheu debatin për ndryshimin. Por ai paralajmëron se dorëheqja e qeverisë dhe zgjedhjet e reja nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht ndryshim politik. “Një veprim politik nuk matet nga qëllimet, por nga rezultati” – shprehet Marku.

Për këtë arsye, ai thekson nevojën që protesta të ketë një platformë dhe një alternativë politike që qytetarët të mund ta votojnë, nëse vendi do të shkonte në zgjedhje. “Protesta nuk votohet” –  thotë analisti.

Ndërsa Xhemollari, e sheh dorëheqjen e kryeministrit si të vetmen mënyrë për t’i dhënë fund revoltës. “Protesta ka vetëm një kërkesë politike, e cila kërkon një zgjidhje politike, dorëheqjen e kryeministrit” – shprehet ai për DW. Sipas aktivistit, pas largimit të Ramës, Presidenti i Republikës duhet të mbledhë partitë politike për krijimin e një qeverie kujdestare me kryeministër apartiak, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve lokale dhe parlamentare në maj të vitit 2027.

Në vitin 2018, Shqipëria u përfshi nga protesta masive studentore, të përqendruara kryesisht te problemet e arsimit të lartë. Tetë vjet më vonë, studentët janë rikthyer në rrugë, këtë herë duke kërkuar ndryshim politik.

Continue Reading

Lajmet

Rama për protestat: Motra dhe vëllezër, durim! Durim, se edhe kjo do të kalojë

Published

on

 

Kryeministri shqiptar, Edi Rama përmes një video i ka bërë thirrje qytetarëve për durim dhe qëndresë përballë protestave të shoqëruara me akte dhune, duke kundërshtuar çdo ide për të bërë lëshime në këmbim të qetësisë.

“Motra dhe vëllezër, durim! Durim, se edhe kjo do të kalojë! Durim, se pasi kjo të kalojë do të dalim, siç kemi dalë nga sprovat e tjera, më të fortë dhe më të vetëdijshëm për sfidën e përbashkët që kemi përpara”, tha Rama.

Kryeministri theksoi që përparimi i Shqipërisë dhe i Tiranës është rezultat i punës këmbëngulëse dhe jo i rastësisë.

“Mos harroni se e kemi sjellë Shqipërinë deri këtu, e kemi sjellë Tiranën deri këtu, dhe këtë nuk e ka sjellë as koha, nuk e kanë sjellë as rrethanat apo rastësia. Këtë e ka sjellë një punë këmbëngulëse për të ecur përpara. Dhe kush thotë ‘le të përkulemi përballë dhunës për pak qetësi’, gabon. Gabon, sepse të përkulesh përballë dhunës për pak qetësi, do të thotë ta humbësh qetësinë dhe ta humbësh rrugën për një kohë të gjatë. Ka qenë Shqipëria e përkulur përballë dhunës për pak qetësi dhe e dimë të gjithë se nuk ka arritur asgjë”, ka thënë Rama.

Burimi: Kosovapress

Continue Reading

Lajmet

Miratimi i Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave, BE: Kosova një hap para drejt anëtarësimit në SEPA

Published

on

Bashkimi Evropian në Kosovë ka reaguar pas miratimit të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave në lexim të dytë nga Kuvendi i Kosovës.

Në njoftimin e BE-së thuhet se me këtë Kosova shënon një hap para drejt anëtarësimit në SEPA.

“Me miratimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave në lexim të dytë nga Kuvendi dje, Kosova ka bërë një hap tjetër drejt anëtarësimit në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) dhe integrimit gradual në Tregun e Përbashkët të BE-së”, tha Ambasadori i BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel.

“Ky është një lajm i mirë! Pasi Kosova të anëtarësohet në SEPA, pagesat dhe transferet e parave drejt dhe nga vendet e zonës SEPA do të bëhen më të lehta, më të shpejta dhe më të lira, duke u kursyer bizneseve dhe qytetarëve kohë dhe para”.

Burimi: Ekonomia Online

 

Continue Reading

Lajmet

Sulmon nënën – arrestohet

Published

on

 

Një person ka sulmuar nënën e tij në Lipjan.

Sipas Policisë së Kosovës, “është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar-me probleme psikike, pasi që kishte sulmuar fizikisht nënën e tij”.

Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Continue Reading

Lajmet

Narkotikë në oborrin e QKUK

Published

on

 

Pas hapësirave rreth shkollave, droga po gjen shtrirje edhe në hapësirat rreth institucioneve të tjera, si ato shëndetësore, për shembull. Një rast i tillë është regjistruar në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që gjatë kontrollit i janë gjetur dhe sekuestruar 24.8 gramë substancë narkotike e llojit kokainë, 1.3 gramë substancë narkotike e llojit marihuanë dhe 1100€. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, njoftoi Policia.

Continue Reading

Të kërkuara