Kulturë

Dua Lipa thotë se vendosmëria e saj i solli suksesin

Ajo foli se si ka reflektuar edhe për “dualitetin” e trashëgimisë së saj.

Published

on

Dua Lipa ishte “me të vërtetë këmbëngulëse” për të hyrë në industrinë e muzikës si adoleshente.

Pasi kishte lëvizur mes vendit të origjinës, Kosovës dhe Britanisë së Madhe si fëmijë, këngëtarja përfundimisht u zhvendos në Londër në moshën 15-vjeçare për të përfunduar studimet e saj dhe më pas për të ndjekur një karrierë në muzikë.

Gjatë një interviste në Hay Festival, 27-vjeçarja foli hapur se si vendosmëria dhe këmbëngulja e saj i sollën suksesin.

“Isha mjaft e vendosur”, tha Dua, raporton BBC News. “Nuk e ndjeja se kisha të njëjtat mundësi në muzikë siç kisha në Londër. Unë isha e përkushtuar. Babai im thotë se unë jamë person i vështirë për t’i thënë jo [për diçka]”.

“Isha vërtet këmbëngulëse. Sapo fillova të shkruaj shumë, punova me një producent. Isha 17 vjeç. Më ofruan një marrëveshje botimi por (producenti) Felix më tha të shkoja te një avokat, i cili më tha, ‘mos e firmos atë marrëveshje’ dhe më pas më ndihmuan të futesha në studio”.

Diku tjetër në bisedën live, fituesja e Grammy-t ka reflektuar edhe për “dualitetin” e trashëgimisë së saj.

“Ka qenë gjithmonë ideja se isha nga dy vende në të njëjtën kohë”, shpjegoi ajo. “E kuptova dualitetin e trashëgimisë sime që në moshë të vogël. Njerëzit gjithmonë pyesnin se nga është emri im.

“Isha vërtet krenare për këtë, por kur isha më e re doja që emri im të ishte, le të themi, Hannah – diçka ‘normale’ dhe anglisht”./UBTNews/

Kulturë

Abu Dhabi hap muzeun më të madh të historisë natyrore në Lindjen e Mesme

Published

on

Muzeu i Historisë Natyrore në Abu Dhabi po hap dyert për publikun, duke ofruar një udhëtim nga krijimi i planetit deri te zhvillimi i jetës në Tokë.

Me 35,000 m² hapësirë ekspozuese, ai mbulon po ashtu 13.8 miliardë vjet shkencë, evolucion dhe zbulime, duke e bërë muzeun më të madh të këtij lloji në rajon.

Një nga atraksionet kryesore është “Stan”, fosili 66 milionë vjeçar i një dinosauri, i prezantuar për herë të parë në një skenar beteje me një tjetër dinosaur.

Vizitorët mund të shohin gjithashtu meteoritet Murchison, një nga shkëmbinjtë më primitivë kozmikë, dhe ekspozita mbi historinë natyrore të Gadishullit Arabik, arkeologjinë dhe trashëgiminë kulturore.

Mes 1,500 objekteve të ekspozuara spikasin një rikrijim i një anijeje tregtare nga Epoka e Bronzit dhe “Perla e Abu Dhabit”, perla më e vjetër në botë, e datuar 5800–5600 p.e.s.

Ky muze përfaqëson një destinacion të ri botëror për dashamirët e shkencës, historisë dhe natyrës. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Kulturë

14 vjet pa Sabri Godon, figurë e rrallë e kulturës dhe politikës shqip

Published

on

Sot shënohen 14 vjet nga ndarja nga jeta e Sabri Godos, një prej figurave më të rëndësishme të kulturës, letërsisë dhe politikës shqiptare.

Shkrimtar brilant, publicist dhe politikan me vizion, ai mbetet një nga personalitetet më të vyera që ka formësuar mendimin dhe shtetin shqiptar në dekadat e fundit.

Rrënjë patriotike dhe rinia e trazuar

Godo u lind më 8 gusht 1929 në Delvinë, në një familje me tradita të forta patriotike. Që i ri u rrit në një mjedis ku letërsia, kultura dhe dashuria për atdheun ishin pjesë e jetës së përditshme.

Në adoleshencë iu bashkua luftës antifashiste dhe u dallua në betejat e Brigadës VI në Shqipëri e Jugosllavi, duke u nderuar për trimëri.

Pas çlirimit shërbeu si oficer deri më 1948, por përplasjet me regjimin komunist, akuzat politike dhe ndëshkimet e vazhdueshme e ndoqën për shumë vite. Martesa me një vajzë nga një familje aristokrate dhe lidhjet me intelektualë të persekutuar shpesh e vunë në rrezik burgimi.

Shkrimtari i historisë dhe i njeriut

Pavarësisht presioneve, ai u afirmua si një nga shkrimtarët më të fuqishëm të letërsisë shqiptare.

Romanet e tij historike janë kthyer në pikë referimi të kulturës kombëtare:

Skënderbeu

Ali Pashë Tepelena

Plaku i Butkës

Ujërat e qeta

Koha e njeriut

Udhëtari, e shumë të tjera.

Në veprat e tij, figura monumentale si Skënderbeu dhe Ali Pasha marrin trajtim të ri, të thelluar artistikisht dhe të mbështetur në dokumente. Librat e tij janë ribotuar disa herë dhe janë përkthyer në gjuhë të ndryshme.

Më 1974, për shkak të akuzave për “devijim nga realizmi”, u përjashtua nga Lidhja e Shkrimtarëve, kaloi 11 vjet në internim e riedukim.

Ai ishte edhe autor qindra shkrimesh publicistike, sidomos për revistën satirike “Hosteni”.

Angazhimi politik – “Babai i Kushtetutës”

Pas rënies së diktaturës, Sabri Godo u bë një prej figurave kyçe të tranzicionit demokratik. Më 10 janar 1990, ai themeloi Partinë Republikane dhe e drejtoi për tetë vjet. U zgjodh deputet dhe udhëhoqi Komisionin e Politikës së Jashtme.

Puna e tij më e rëndësishme politike mbetet hartimi i Kushtetutës s 1998, ku si bashkëkryetar i komisionit kushtetues luajti rol vendimtar.

Për këtë arsye, kujtohet si “Babai i Kushtetutës”. Dedikimi i tij për çështjen kombëtare ishte i pandalshëm: për Kosovën, Çamërinë, shqiptarët në Maqedoni e Luginën e Preshevës. Kontributi i tij u vlerësua gjerësisht nga personalitetet e të gjitha trevave shqiptare.

Vlerësime dhe nderime

Pas ndarjes nga jeta, Sabri Godo u nderua me tituj dhe dekorata të rëndësishme:

Urdhrin e Skënderbeut (nga Presidenti Bujar Nishani, 2012)

Titullin “Commendator” (nga Presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano, 2012)

Shpalljen e Zisë Kombëtare (4 dhjetor 2011)

Një bust pranë Kuvendit të Shqipërisë (10 maj 2013)

Sabri Godo ndërroi jetë më 3 dhjetor 2011, pas një beteje me tumor në mushkëri. U përcoll me nderime shtetërore dhe me respektin e mijëra qytetarëve, kolegëve dhe figurave të jetës publike. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Kulturë

50 histori që frymëzojnë – festivali “Art Without Limit” ndriçon shpresën

Published

on

Festival, i dedikuar personave me nevoja të veçanta, ka hapur edicionin e gjashtë në kinemanë “Armata” me 50 filma nga e gjithë bota.

Rrëfimi kryesor sivjet është dokumentari i shkurtër “Sara”, që sjell historinë frymëzuese të futbollistes së re Sara Bulliqi, e cila ka lindur pa njërën dorë dhe sfidat i ka shndërruar në forcë.

Organizatorët theksojnë se festivali mbetet i përkushtuar te temat e aftësive të kufizuara dhe fuqizimit përmes artit.

Drejtoresha Ganimete Sava dhe drejtori artistik Burim Haliti theksuan rëndësinë e krijimit të filmave që tregojnë histori të tilla.

Programi treditor përfshin filma dokumentarë, dramë e animacion, ekspozitën “XR: Interaction without Limits” dhe ngjarjen përmbyllëse “Gratë që thyejnë kufizimet përmes artit”.

Festivali mbyllet më 3 dhjetor – Ditën Ndërkombëtare të Personave me Nevoja të Veçanta – me ceremoninë e çmimeve.

Në juri marrin pjesë edhe producentët danezë Kim Magnusson dhe Rebecca Pruzan, si dhe aktorja Igballe Qena. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Kulturë

Botohen veprat e Xhemail Mustafës, një jetë e përkushtuar për dijen dhe atdheun

Published

on

Në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë u promovua kompleti i veprave të Xhemail Mustafës (1953-2000) në pesë vëllime, botuar nga PEN-Qendra e Kosovës.

Ky komplet përfshin veprat: “Një lutje për Prishtinën”, “Mrekullia e shkrimit”, “Metafora e absurdit”, “Trumfi i mendjes” dhe “Iluzionet e politikës”, dhe është përgatitur nën kujdesin e bashkëpunëtorit të tij, Ibrahim Berisha.

Gjatë promovimit u diskutua për jetën dhe veprën e intelektualit Xhemail Mustafa, njohur si njeri i letrave, ndër iniciatorët dhe themeluesit e LDK-së, bashkëpunëtor i Presidentit Ibrahim Rugova, i cili u vra para shtëpisë së tij në Prishtinë para 25 vitesh.

Në panelin diskutues morën pjesë ish-Presidenti Fatmir Sejdiu, gazetari Avni Spahiu, profesori Sali Bashota, Ibrahim Berisha dhe Muhamet Hamiti, të cilët vlerësuan lart kontributin intelektual dhe veprimtarinë atdhetare të Mustafës.

Ibrahim Berisha theksoi se vepra e Xhemail Mustafës spikat për autenticitet, thellësi përmbajtësore dhe stil të qartë. Prof. Sali Bashota vuri në dukje rëndësinë e veprës “Një lutje për Prishtinën”, si një nga veprat më të rëndësishme për sfidat që ka përjetuar vendi.

Po ashtu, gazetari Avni Spahiu dhe profesori Muhamet Hamiti theksuan se vepra e Mustafës duhet të lexohet dhe rilexohet, duke reflektuar dimensionin e gjerë të krijimtarisë së tij intelektuale.

Përndryshe, Xhemail Mustafa ishte gazetar, publicist dhe këshilltar politik, një nga figurat më të shquara intelektuale shqiptare në Kosovë, dhe një ndër penat më të fuqishme të LDK-së. Ai u vra më 23 nëntor 2000 pranë banesës së tij në Prishtinë. /A.Z/Foto: Besnik Hamiti/UBT News/

 

Continue Reading

Të kërkuara