Aktualitet

Drejtoresha e “Sami Frashërit”: U kërcënova me jetë, jam e padëshiruar veç pse jam femër

Ndërsa mësimdhënësit ende po e bojkotojnë mësimin.

Published

on

Profesorët në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë kanë vazhduar me ditën e katër të bojkotimit të procesit mësimor, në shenjë pakënaqësie ndaj mënyrës së emërimit të drejtoreshës së re, Fahrije Retkocerit.

Profesorët po e kundërshtojnë emërimin e drejtoreshës duke thënë se është emëruar jashtëligjshëm.

Përderisa Retkoceri në një deklaratë për Ekonomia Online tha se për shkak që është femër është e padëshiruar nga mësimdhënësit. Ajo shtoi se nga ta ka marrë edhe kërcënime me jetë.

“Nuk është e drejtë, nxënësit duhet të kthehen në bankat shkollore, dhe ajo çfarë po ndodh nuk është kompetencë e mësimdhënësve e as e imja, por janë organet kompetente më lartë. Arsyeja përse jam e padëshiruar për ta është se jam femër”.

“Kam pasur takime dhe jam kërcënuar nga ta dhe tash jam larguar nga takimi me ta. Kërcënim që nuk guxon me hy brenda, kjo është salla jonë e shumë kërcënime tjera”, tha ajo.

Tutje, ajo ka apeluar që “mos të manipulohen nxënësit dhe prindërit nga një grup i caktuar, ndërsa zgjidhjen po e bëjnë se bashku ministria e Arsimit dhe komuna e Prishtinës”.

Kundër kolegëve të kësaj shkolle, ka dalë profesoresha e Kimisë, Florie Rusinovci, e cila që nga fillimi i kësaj greve ka mbajtur procesin e mësimit.

Ajo ka thënë se nuk pajtohet me këtë bojkot, teksa ka shtuar se me emërimin e drejtoreshës duhet të merret DKA-ja e jo mësimdhënësit.

“Në këtë formë nuk po pajtohem, nuk është në natyrën tonë dhe ka kush merret me këtë punë dhe çdo humbje e mësimit është humbje kohe, e sidomos për mësimdhënësit. Kush e ka sjellë këtë drejtoreshën këtu edhe mundet ta largojë dhe personalisht nuk mundem të bëjë asgjë e as stafi, pra ajo është ajo zgjedhur nga DKA-ja dhe ata e largojnë, dhe unë pajtohem me këtë vendim të saj”.

“Apeli im është që kolegët e mi të kthehen në mësim dhe mjaftë që një muaj kemi humbur mësimin për një muaj. Nuk ma ka marrë vendin e punës dhe asgjë, dua ta respektojë kontratën e punës, kjo është e tëra”, tha ajo.

Lidhur me këtë bojkot të procesit mësimor, Këshilli i Prindërve në Prishtinë, kanë mbajtur mbledhje në këtë shkollë, të cilët kanë thënë se kërkesat e mësimdhënësve për bojkotimin e mësimit në gjimnazin “Sami Frashëri”, janë të pajustifikueshme.

Continue Reading

Aktualitet

Von Der Leyen: Rusia e ka treguar plotësisht përbuzjen ndaj diplomacisë dhe ligjit

Published

on

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në deklaratën e saj tha se Rusia e ka treguar plotësisht përbuzjen ndaj diplomacisë dhe ligjit ndërkombëtar gjatë muajit të fundit, duke kritikuar sulmet më të mëdha me dronë dhe raketa ndaj Ukrainës.

Ajo veçoi sulmet ruse në Kiev që goditën zyrën e BE-së në kryeqytet, si dhe shkeljet me dronë rusë në Poloni dhe Rumani.

“Këto nuk janë veprimet e dikujt që dëshiron paqe”.

Paketa e 19-të e sanksioneve vjen si përgjigje ndaj kësaj përshkallëzimi nga Putini, shpjegoi Von Der Leyen duke paraqitur elementët kryesorë të asaj që propozohet.

Ajo tha se BE-ja do të kërkojë të shkurtojë të ardhurat e Rusisë nga lëndët djegëse fosile, duke ndaluar importin e LNG-së ruse në tregjet evropiane.

118 anije shtesë nga “flota hije” ruse do të shtohen në listën e sanksioneve, që tani arrin në 560 anije.

Ajo shtoi se kompanitë kryesore të tregtimit të energjisë Rosneft dhe Gazpromneft tani do të jenë nën ndalim të plotë transaksionesh, dhe kompani të tjera do t’i nënshtrohen ngrirjes së aseteve.

“Në tre vjet, të ardhurat e Rusisë nga nafta në Evropë kanë rënë me 90%. Ne tani po e mbyllim këtë kapitull përgjithmonë. Ne po forcojmë luftën tonë kundër shmangies së sanksioneve. Ndërsa taktikat e shmangies bëhen më të sofistikuara, sanksionet tona do të përshtaten për të qëndruar përpara. Për herë të parë, masat tona kufizuese do të godasin platformat e kriptovalutave dhe do të ndalojnë transaksionet në kriptovaluta. Ne po listojmë banka të huaja të lidhura me sistemet alternative të pagesave të Rusisë. Dhe po kufizojmë transaksionet me entitete në zonat ekonomike speciale”, tha Von Der Leyen.

Paketa do të shtojë kufizime të reja direkte të eksportit për artikujt dhe teknologjitë e përdorura në fushëbetejë, duke ndikuar në 45 kompani në Rusi dhe në vende të treta./S.K/KP/

Continue Reading

Aktualitet

​Komanda e Forcave Tokësore realizoi garën “Ujku Garues 2025”

Published

on

Gara tradicionale “Ujku Garues 2025”, është përmbyllur me sukses, aktivitet ky i cili realizohet nga Komanda e Forcave Tokësore ku marrin pjesë ekipe nga njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Këtë vit, pjesëmarrës ishin 21 ekipe dhe aktiviteti u mbajt në kazermën “Ushtarët e NATO-s” në Istog.

“Garën e ka fituar, Policia Ushtarake e FSK-së, dhe është shpërblyer me vendin e parë. Vendi i dytë i takoi Kompanisë B nga Regjimenti i Parë i Këmbësorisë dhe vendi i tretë shkoi për Kompaninë MB nga Regjimenti i Parë i Këmbësorisë”, njoftoi Forca e Sigurisë së Kosovës.

Gara “Ujku Garues” për herë të parë është mbajtur në vitin 2015 si rezultat i shkëmbimit të përvojave mes nënoficerëve të FSK-së dhe atyre të kontigjentit slloven.

Garën e karakterizon aspekti organizativ, vlerësues, shpirti garues, profesionalizmi dhe angazhimi maksimal i ekipeve./S.K/KP/

Continue Reading

Aktualitet

​Qeveria bart 904 mijë euro për subvencionet e efikasitetit të energjisë

Published

on

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar bartjen e 904 mijë eurove nga pakoja për përballje me krizën energjetike, fonde këto që vijnë nga Bashkimi Evropian, për të përmbyllur disbursimin e subvencioneve në kuadër të Pakos së Mbështetjes Energjetike (IPA 2023).

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, njoftoi se këto mjete do të shërbejnë për disbursimin e subvencioneve për pajisje efiçiente ngrohëse të aprovuara nga Ministria e Ekonomisë, si dhe për trajtimin e listës së pritjes për izolimin e shtëpive nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.

Ministria e Ekonomisë dhe Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë kanë premtuar se do të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për realizimin sa më të shpejtë të këtyre procesve.

Që nga viti 2022, përmes masave të Ministrisë së Ekonomisë dhe mbështetjes së Bashkimit Evropian, janë përkrahur mbi 43 mijë familje dhe biznese në Kosovë me mbi 19.6 milionë euro, duke ulur kostot e energjisë dhe përmirësuar kushtet e jetesës.

Ministria e Ekonomisë falënderoi Bashkimin Evropian për partneritetin e vazhdueshëm dhe mbështetjen që bën të mundur realizimin e këtyre programeve të rëndësishme për qytetarët./S.K/KP/

Continue Reading

Aktualitet

​Edhe një aktakuzë në mungesë për krime lufte

Published

on

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka dorëzuar një aktakuzë në mungesë për krime lufte ndaj të të akuzuarve L.D dhe V.O. në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Sipas njoftimit, të pandehurit akuzohen se gjatë periudhës 1998-1999 në Gjakovë, duke vepruar në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, kanë shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, duke marrë pjesë në vrasje, keqtrajtime, arrestime, vjedhje dhe shkatërrime të pasurisë të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.

Sipas aktakuzës, më 25 dhe 26 mars 1999, në rrugën “Tahir Efendiu”, gjatë një aksioni të forcave policore serbe, ku morën pjesë edhe të pandehurit në cilësinë e zyrtarëve policorë, është vrarë një civil dhe janë keqtrajtuar gjashtë civilë të nacionalitetit shqiptar.

Ekziston dyshimi i bazuar mirë se, të pandehurit, në bashkëkryerje, kishin rrethuar shtëpinë e të dëmtuarit N.K., ku ndodheshin N.K., M.M., S. G., B.G., B.Sh., A.C., dhe Q. Sh., të cilët janë keqtrajtuar fizikisht dhe psikikisht, i kishin detyruar të ngarkojnë në kamionetën e policisë të gjitha materialet ndihmëse që ndodheshin në objektin e shoqatës humanitare “Nënë Tereza”, dhe më pas janë futur me dhunë në një kamion dhe janë dërguar në stacionin policor të Gjakovës.

Ndërsa, në stacionin policor, të dëmtuarit janë ndarë nëpër qeli të ndryshme, ku kanë qëndruar për 24 orë pa ushqim, pa ujë dhe pa ndihmë mjekësore, duke u rrahur dhe maltretuar vazhdimisht nga ana e të pandehurve dhe pjesëtarëve të tjerë të policisë serbe me shufra gome, shqelma dhe grushte.

I arrestuari M.M., në ditën kur është nxjerrë nga qelia, më 26 mars 1999 , ishte gjetur i vrarë në afërsi të urës së Taliqit, në Gjakovë./S.K/KP/

Continue Reading

Të kërkuara