Lajmet

Dosja e Prokurorisë për sulmin në Ibër Lepenc: Të akuzuarit vendosën eksploziv, njëri mblodhi edhe informata për Shërbimin Ushtarak të Serbisë

Published

on

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj vëllezërve Dragisha e Jovan Viqentijeviq, dhe ndaj Igor Dimoviq, të cilët ngarkohen për sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë që ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50, ne fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, kanë vendosur eksploziv në pjesën e kanalit të “Ibër Lepenc”, infrastrukturë publike e cila shërben për furnizimin me ujë të pijshëm dhe nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për prodhim të energjisë elektrike.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshje paraprake, me qëllim të frikësimit serioz të popullsisë së vendit dhe rrezikimit të rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës se Kosovës, e kanë vendosur një sasi të konsiderueshme të eksplozivit që shërben për përdorim ushtarak, (rreth 20 kilogram te llojit Trinitrotoluene “TNI”) në brendësi të kanalit.

Këtë, sipas PSRK-së e kanë bërë përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, duke e pozicionuar në atë mënyrë që të shkaktojë dëmtim serioz të infrastrukturës kritike të furnizimit me ujë dhe me energji elektrike, ku me atë rast të pandehurit përmes ndezjes së një fitili zjarr-përcjellës me ndezje të ngadalshme e kanë aktivizuar lëndën shpërthyese duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm që si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit e kanalit të “Ibër Lepenc”.

E kjo, në aktakuzë thuhet se kishte shkaktuar ndërprerje furnizimi me ujë të pijshëm për qytetarët e disa komunave veriore dhe qendrore te Kosovës, është penguar furnizimi me ujë për KEK-un, si dhe kanë rrezikuar edhe prodhimin e energjisë elektrike në nivel vendi.

Me këto veprime, sipas Prokurorisë, të akuzuarit kanë shkaktuar një rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e popullsisë dhe dëmtimin e infrastrukturës kritike të shtetit, ku në këtë rast të dëmtuarës- Ibër Lepencit i janë shkaktuar dëme materiale në vlerë prej 376 mijë e 774 euro e 70 centë.

Kështu, ata akuzohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” nga neni 122 lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” nga neni 129. par.1 dhe neni 128, par.1, nënpar.1.8 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Kurse, në pikën 2 të aktakuzës, vëllezërit Viqentijeviq akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje. Sipas aktakuzës, nga data e pacaktuar e deri me arrestimin e tyre, në shtëpitë e tyre, njëra në Zubin Potok, dhe tjetra në fshatin Prevllak, të po kësaj komune, gjatë kontrolleve të bëra nga ana e Policisë së Kosovës, u janë gjetur në posedim një sasi e konsiderueshme e armatimit luftarak.

“Si armë të llojit kallashnikov A-47, një numër të granatave të dorës BRM 75 dhe zolla, 500 fishekë 7.9 mm dhe 363 fishekë të kalibrave të ndryshëm, karikator të shumtë të armës AK 47 dhe pjesë te tyre, thika për armë të gjata, karikator pushke, mekanizëm për mbushjen e fishekëve të pushkës së gjuetisë MK-16, pushkë gjuetie, thike me këllëf, radiolidhje të shumta për përdorim ushtarak, maska, uniforma te shumta ushtarake të vendeve të ndryshme si ato të Serbisë, Rusisë dhe te shteteve tjera, helmeta dhe gjësende tjera te kundërligjshme”, përshkruhet në aktakuzë.

Të gjitha këto, thuhet se janë sekuestruar nga Polica në vendin e ngjarjes.

Me këtë, ata ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penlae “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.2 lidhur me par.1 dhe nenin 31 të Kodit Penal.

Në pikën 3 të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Jovan Viqentijeviq nga data e pacaktuar e në vazhdimësi, e deri në momentin e arrestimit të tij, më 1 dhjetor 2024, i pandehuri në cilësinë e të rekrutuarit në Shërbimin Ushtarak të Serbisë, me gradën kolonel, ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që t’i përdorë gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës.

Këto informata, sipas aktakuzës, ka pasur për qëllim t’ua komunikojë Shërbimit informativ Ushtarak të Serbisë, përmes vizitave dhe takimeve që i ka realizuar në Serbi me zyrtarët e saj. Këto informacione dhe dokumente, thuhet se i ka siguruar nga aktiviteti i tij i spiunimit.

“Në kuadër te dokumentacioneve, që i pandehuri i ka siguruar gjatë veprimtarisë së tij inkriminuese, janë edhe një dokument i klasifikuar si konfidencial prej 66 faqesh i përpiluar nga KFOR-i, për nevojat e operacioneve të tyre në terren, pastaj ka bërë vëzhgimin e lëvizjeve të ushtarëve amerikanë të KFOR-it, ka fotografuar bazën e Njësive Speciale Policore të Kosovës në Jasenovik që gjendet në Komunën e Zubin Potokut”, përshkruhet tutje në aktakuzë.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri me qëllim të krijimit të një narrative të dëmshme për shtetin e Kosovës në raport me bashkësinë ndërkombëtare, Viqentijeviq përmes një dokumenti të modifikuar, ka tentuar ta paraqes ekzistimin e një organizate fiktive kinse për çlirimin e trojeve shqiptare e quajtur si “Komiteti Kombëtar për Lirimin dhe Mbrojtjen e Trojeve Shqiptare“, duke e shoqëruar me disa fotografi të eprorëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Me këto veprime, Prokuroria në aktakuzë vlerëson se tani i akuzuari seriozisht e ka dëmtuar rendin juridik dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, si dhe ka rrezikuar jetën e zyrtarëve dhe qytetarëve të saj, si dhe ushtarëve te KFOR-it.

Kështu, ai akuzohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Spiunazhi” nga neni 124, par. 5 lidhur me par. 4 dhe nenin 77 të Kodit Penal.

Ndërsa, Igor Dimoviq, në pikën 4 të aktakuzës, akuzohet se nga data e pacaktuar deri më 30 nëntor 2024, rreth orës 6:30 në fshatin Varagë të Zubin Potokut, me konkretisht në shtëpinë e tij, me rastin e kontrollit nga ana e Policisë së Kosovës, i janë gjetur në posedim tre karikatorë, një fishek, një thikë dhe disa unifiroma ushtarake, të cilat janë sekuestruar nga Policia në vendin e ngjarjes.

Me këto veprime, Dimoviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal./BetimipërDrejtësi

Continue Reading

Lajmet

Ndahet nga jeta Salih Zogiani, ruajtësi i anekdotave shqiptare

Published

on

Ndahet nga jeta kultivuesi i anekdotave, gojëdhënave dhe i trashëgimisë burimore shqiptare, Salih Zogiani.

Ai nuk ishte vetëm një autor, por një ruajtës i fjalës së urtë, i humorit dhe i mençurisë popullore, i cili me pasion të jashtëzakonshëm mblodhi dhe botoi thesaret më të çmuara të kulturës sonë.

Librat e tij, të pasur me anekdota dhe gojëdhëna të mrekullueshme, do të mbeten një dëshmi e përjetshme e përkushtimit ndaj traditës shqiptare, duke sjellë buzëqeshje dhe reflektim te lexuesit.

Trashëgimia që la pas nuk do të shuhet kurrë; në çdo faqe të veprave të tij do të jetojë zëri i ngrohtë dhe i dashur i Salih Zogianit, që na kujton kush jemi dhe nga vijmë. Kujtimi i tij i përjetshëm dhe fjala e tij e ëmbël do të mbeten burim frymëzimi për brezat që do të vijnë.

Continue Reading

Lajmet

KPK-ja themelon Komisionin për monitorimin e rasteve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike

Published

on

By

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka themeluar Komisionin mbikëqyrës për monitorimin e rasteve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike, në kuadër të zbatimit të Planit Strategjik të sistemit prokurorial 2025–2027.

Në këtë mbledhje, kryetare e komisionit është zgjedhur Erza Bajrami, ndërsa anëtarë janë emëruar Shkelzen Ibrahimi dhe Besim Kelmendi.

Kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, propozoi Bajramin për kryesuese të këtij komisioni, duke theksuar përvojën e saj në trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe krimit ekonomik.

“Unë e njoh nga afër punën që ka bërë kolegia jonë, zonja Erza Bajrami. Ka qenë pjesë e njësisë për një kohë të gjatë që është marrë në njësinë për hulumtimin e krimit ekonomik dhe korrupsionit në Prishtinë, ku ka trajtuar lëndët e korrupsionit në kuadër të kësaj njësie, dhe është do të thotë e familjarizuar. Nuk do të thotë që edhe të tjerët nuk mund të kenë njohuri të tilla, por konsideroj se kjo mundet me qenë do të thotë edhe kryesuese e këtij komisioni, për shkak se duhet të jetë një anëtar i Këshillit”, është shprehur Gashi.

Në të njëjtën mbledhje, KPK shqyrtoi edhe vazhdimin e mandatit të dy anëtarëve të Komisionit për vlerësim të performancës së prokurorëve, Nazan Shero dhe Aleksandër Lumezi.

Kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, tha se nuk ka bazë ligjore për zgjedhjen e anëtarëve të rinj, por vetëm për rikonfirmimin e mandatit të anëtarëve aktualë.

“Nuk kemi bazë që të bëjmë zgjedhjen e anëtarëve të rinj dhe t’ua ndërprejmë atyre mandatin sepse komisioni ekziston sikurse ai në ligjin e vjetër edhe në ligjin e ri. Propozimi im ishte që këtyre dy anëtarëve aktualë që janë në këtë komision t’u vazhdojë dhe t’u rikonfirmohet mandati i tyre me zgjedhjen e anëtares së re të këtij komisioni”, tha ai.

Ndërsa anëtari i KPK-së, Visar Krasniqi, paraqiti kundërshtime duke theksuar nevojën për përbërje të re të komisionit.

“Reforma nuk nënkupton vetëm formën, por edhe përmbajtjen. Mendoj se janë tri baza që duhet të ofrohen në tërësi te komisioni. E para, në bazë të rregullores, propozimet duhet të vijnë nga kryeprokurorët e prokurorive. Në atë kohë, më 23 mars 2023, pas dorëheqjes së Qalajt, është caktuar Aleksandër Lumezi në këtë komision, pa u respektuar që duhet të priten nominimet nga prokuroritë themelore. Kjo është e para. Rregullorja parasheh obligimet e Komisionit që jo vetëm në zyrë të bëjnë vlerësime të performancës, por të dalin edhe në terren, në seanca. Sipas informacioneve që i kam, kjo nuk ka ndodhur”, u shpreh ai. /Ekonomia Online/

 

 

Continue Reading

Lajmet

Komuna e Prishtinës ndalon qarkullimin e mjeteve bujqësore në zonat urbane

Published

on

By

Komuna e Prishtinës ka njxerr një vendim me të cilin ndalohet qarkullimi i të gjitha mjeteve bujqësore në rrugët publike të zonave urbane të Kryeqytetit.

Në kuadër të kësaj urdhërese, si mjete bujqësore që nuk lejohen për qarkullim janë motokultivatorët -multikultivatorët, makineritë e tjera të destinuara për punë bujqësore.

“Policia e Kosovës dhe Inspektorati Kryeqytetit do të ushtrojnë kontrolle të vazhdueshme në terren, ndërsa ndaj çdo shkeljeje do të ndërmerren masa në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin .

Komuna i ka bërë ftesë të gjithë qytetarët që të respektojnë këtë urdhëresë, me qëllim të garantimit të rendit dhe sigurisë në komunikacion.

Continue Reading

Lajmet

Maqedonia e Veriut, 6 vjet pjesë e NATO-s

Published

on

Maqedonia e Veriut sot shënon gjashtë vjet nga anëtarësimi në NATO, pasi në këtë ditë në vitin 2020 u bë anëtarja e 30-të e aleancës. Me këtë, vendi realizoi një nga qëllimet e tij strategjike, i cili është përcaktuar edhe në rezolutën që Kuvendi e miratoi në vitin 1993.

Kuvendi më 11 shkurt 2020 njëzëri ratifikoi Marrëveshjen e Atlantikut të Veriut, pas së cilës, më 20 mars 2020, pasoi edhe nënshkrimi i ratifikimit të protokollit të anëtarësimit në NATO nga ana e presidentit të shtetit.

Maqedonia e Veriut plotësisht e mbështet avancimin e partneritetit strategjik NATO-BE, duke theksuar rëndësinë e forcimit të konsultimeve politike dhe rritjes së bashkëpunimit për çështje me interes të përbashkët. Këto përfshijnë mobilizimin ushtarak, qëndrueshmërinë, ndikimin e ndryshimeve klimatike në siguri, teknologjitë e reja dhe shkatërruese, sigurinë njerëzore, agjendën për gratë, paqen dhe sigurinë, si dhe luftën kundër kërcënimeve kibernetike dhe hibride.

Continue Reading

Të kërkuara