OpenAI, krijuesi i ChatGPT, ka mundur Grok-in e Elon Musk-ut në finalen e një turneu për të shpallur lojtarin më të mirë të shahut me inteligjencë artificiale (AI).
Historikisht, kompanitë teknologjike shpesh kanë përdorur shahun për të vlerësuar përparimin dhe aftësitë e një kompjuteri, me makinat moderne të shahut që janë praktikisht të pamposhtura edhe nga lojtarët më të mirë njerëzorë, raporton BBC.
Por kjo garë nuk përfshinte kompjuterë të dizajnuar posaçërisht për shah ai u zhvillua mes programeve të AI që janë krijuar për përdorim të përditshëm.
Modeli o3 i OpenAI doli fitues pa humbje në turne dhe mundi në finale modelin Grok 4 të xAI, duke shtuar tensionin në rivalitetin në vazhdim mes dy kompanive. Musk dhe Sam Altman, të dy bashkëthemelues të OpenAI, pretendojnë se modelet e tyre të fundit janë më të zgjuarat në botë.
Modeli Gemini i Google mori vendin e tretë në turne, pasi mundi një model tjetër të OpenAI.
Megjithatë, këto AI, edhe pse të talentuara në shumë detyra të përditshme, janë ende duke u përmirësuar në shah – me Grok që bëri disa gabime gjatë ndeshjeve të fundit, përfshirë humbjen e herë pas hershme të mbretëreshës së tij.
“Derisa arriti në gjysmëfinale, dukej sikur asgjë nuk do ta ndalë Grok 4 drejt fitimit të ngjarjes”, tha Pedro Pinhata, një gazetar i Chess.com, në mbulimin e tij.
“Pavarësisht disa momenteve të dobësisë, AI e X dukej larg më e fortë si lojtar shahu… Por iluzioni u shemb në ditën e fundit të turneut”.
Ai tha se loja “e pakonceptueshme” dhe “gabimet” e Grok i mundësuan o3 që të merrte një sërë fitoreve të bindshme.
“Grok bëri shumë gabime në këto ndeshje, por OpenAI jo”, tha mjeshtri i madh i shahut Hikaru Nakamura gjatë transmetimit të tij live në finalen.
Para finales së të enjtes, Musk kishte thënë në një postim në X se suksesi paraprak i xAI-së në turne ishte një “efekt anësor” dhe se ata “nuk kanë shpenzuar pothuajse aspak përpjekje për shah”.