Kulturë

Doli nga shtypi libri “Modaliteti në gjuhësi” – Një kontribut i ri shkencor i Vjosa Hamitit në fushën e gjuhësisë shqiptare

Published

on

Këto ditë ka dalë nga shtypi libri më i ri me titull “Modaliteti në gjuhësi”, me autore Vjosa Hamiti, botuar nga Botimet XHAD në Prishtinë. Vepra është produkt i një pune shumëvjeçare kërkimore dhe përfaqëson një trajtesë të thelluar për një nga nocionet më komplekse dhe më pak të eksploruara në gjuhësinë shqiptare: modalitetin.
Ky është libri i dytë i autores, pas botimit në vitin 2019 të disertacionit të saj në gjuhën gjermane: “Epistemische Modalität – die Äußerungsmöglichkeiten im Deutschen und ihre Äquivalente im Albanischen” – (Modaliteti epistemik – Mundësitë e shprehjes në gjermanisht dhe ekuivalentet e tyre në shqip), publikuar nga shtëpia prestigjioze Harrassowitz Verlag në Gjermani.
Në qendër të librit më të ri qëndron modaliteti – një koncept i cili, në shkencat gjuhësore, lidhet me mënyrën se si folësi shpreh qëndrimin e tij ndaj përmbajtjes së një thënieje. Por për Vjosa Hamitin, modaliteti është shumë më tepër sesa një kategori gramatikore: ai është një dritare drejt mënyrës se si njeriu koncepton botën, një pasqyrë e të mundshmes dhe të pamundshmes, e domosdoshmes dhe e rastësishmes.
Një vështrim ndërdisiplinor
Libri nuk kufizohet vetëm në analizën gramatikore të modalitetit, por ofron një trajtim të gjerë ndërdisiplinor, që përfshin aspekte semantike, pragmatike, filozofike dhe diskursive. Ky përqasje e bën librin një ndër kontribuesit më origjinalë në fushën e gjuhësisë shqipe, duke bashkuar gjuhën e dijes me dijen e gjuhës, në një tekst të qartë dhe të kuptueshëm për lexuesin e interesuar.
Përmbajtja dhe struktura e librit
Struktura e librit përfshin pesë kapituj që pasqyrojnë zhvillimin logjik dhe tematik të çështjes:
Kapitulli I – Hyrje në teorinë e modalitetit, me lidhje të ngushta me filozofinë dhe logjikën modale.
Kapitulli II – Modaliteti në komunikimin e përditshëm dhe në kontekste mësimore apo përkthimore.
Kapitulli III – Analizë krahasimtare e mënyrave të shprehjes së modalitetit në gjuhën shqipe dhe gjermane.
Kapitulli IV – Roli i foljeve modale në ndërtimin morfosintaksor dhe semantik të dy gjuhëve.
Kapitulli V – Aplikim i analizës në një korpus letrar, duke e konkretizuar qasjen teorike në përmbajtje artistike.
Libri vlerëson foljet modale si elementë kyç që ndërtojnë kuptimin, përçojnë qëndrime, dhe hapin rrugë drejt botëve të mundshme.
Nga magjistratura në Prishtinë, te doktorata në Vjenë
Rrugëtimi akademik i autores në këtë fushë nisi me studimet e magjistraturës në Universitetin e Prishtinës, për të vijuar me studimet doktorale në Universitetin e Vjenës, nën udhëheqjen e prof. Peter Ernst. Disertacioni i saj u vlerësua me notën më të lartë, “summa cum laude”, dhe mori vlerësime të posaçme nga figura të njohura akademike, si prof. Peter Bartl, i cili e përshkroi punimin si “një dorëshkrim i jashtëzakonshëm për nga pastërtia gjuhësore dhe trajtimi shkencor”.
Një ndihmesë origjinale në shqip
Në një fushë ku mungojnë botime të specializuara në gjuhën shqipe, “Modaliteti në gjuhësi” vjen si një ndihmesë origjinale dhe e domosdoshme për studiuesit, studentët, përkthyesit, mësuesit e gjuhës dhe të gjithë ata që interesohen për ndërlidhjen mes gjuhës dhe mendimit.
Duke konsideruar modalitetin si “zërin e brendshëm të folësit”, Vjosa Hamiti na udhëheq në një analizë të thelluar ku ndërthuren gramatika, filozofia e gjuhës dhe diskursi. Vepra përfaqëson një pikë referimi të rëndësishme në gjuhësinë shqiptare bashkëkohore, dhe një gur themeli për studimet e mëtejme në këtë fushë komplekse.
Libri “Modaliteti në gjuhësi” i Vjosa Hamitit është tashmë i qasshëm në libraritë në Kosovë dhe pritet së shpejti të jetë në dispozicion edhe online për lexuesit shqiptarë në diasporë.

Kulturë

Dokumentari për dhomat bosh të fëmijëve të vrarë në shkolla nominohet për Oscar

Published

on

By

Një dokumentar i shkurtër, i nominuar për Çmimin Oscar, po prek publikun me një qasje të pazakontë dhe thellësisht emocionale ndaj një prej plagëve më të mëdha të shoqërisë amerikane  të shtënave në shkolla. All the Empty Rooms sjell në qendër jo skenat e krimit apo debatet politike, por dhomat e gjumit të fëmijëve që nuk janë më.

Filmi ndjek gazetarin e njohur të CBS, Steve Hartman, dhe fotografin Lou Bopp, teksa vizitojnë dhe fotografojnë dhomat e katër fëmijëve të vrarë në sulme me armë në shkolla amerikane. Për 34 minuta, kamera ndalet te detajet e vogla: arushë lodrash, byzylykë miqësie, shënime me dorë në pasqyra, libra shkollorë, rroba të palara në shportë. Prania e mungesës është e padurueshme.

Hartman, i njohur për reportazhe me tone shprese dhe humanizmi, thotë se me kalimin e viteve e ndjeu se publiku po bëhej gjithnjë e më i mpirë ndaj lajmeve për të shtëna në shkolla. “Amerika po kalonte nga një tragjedi te tjetra gjithnjë e më shpejt,” shprehet ai në film. Kjo e shtyu të kërkonte një formë tjetër rrëfimi, një që i detyron njerëzit të ndalen.

Regjisori Joshua Seftel thekson se filmi është ndërtuar me kujdes për të shmangur polarizimin politik. Madje, fjala “armë” nuk përdoret asnjëherë. “Dërgimi i fëmijëve në shkollë pa frikë nuk është çështje politike,” thotë ai. “Është një ndjenjë universale.”

Pjesëmarrja e familjeve është zemra e dokumentarit. Jada Scruggs, nëna e 9-vjeçares Hallie, tregon se projekti u dha mundësinë të flasin për vajzën e tyre jo vetëm si viktimë, por si fëmijë plot jetë, energji dhe ëndrra. Fotografitë e realizuara nga Bopp u botuan në libra dhe iu dhuruan familjeve si kujtim i përhershëm.

Në një kohë kur lajmet për dhunën shpesh kalojnë si tituj të shpejtë, All the Empty Rooms zgjedh heshtjen dhe intimitetin. Ai nuk kërkon sensacion, por reflektim. Nuk ofron përgjigje politike, por një përballje emocionale me boshllëkun që lë pas humbja.

I nominuar për Oscar në kategorinë e dokumentarit të shkurtër, filmi po konsiderohet si një nga veprat më prekëse të vitit, një dëshmi se arti dhe kinemaja mund të krijojnë hapësirë për empati atje ku shoqëria rrezikon të bëhet e pandjeshme./Theguardian/

Continue Reading

Kulturë

Luvri me drejtues të ri pas grabitjes së stolive mbretërore

Published

on

By

Muzeu i Luvrit ka emëruar një drejtor të ri pas krizës së shkaktuar nga grabitja e stolive të kurorës franceze në tetor.

Historiani i artit Christophe Leribault do të marrë drejtimin e muzeut më të madh në botë, duke zëvendësuar Laurence des Cars, e cila dha dorëheqjen pas ngjarjes. Emërimi u konfirmua nga qeveria franceze.

Grabitja, e kryer brenda pak minutash, çoi në vjedhjen e stolive me vlerë rreth 88 milionë euro dhe nxori në pah mangësi serioze në siguri. Edhe pse disa të dyshuar janë arrestuar, objektet e vjedhura ende nuk janë rikuperuar.

Continue Reading

Kulturë

Filharmonia e Kosovës shënon debutimin e saj në Vjenë

Published

on

By

Dje në qytetin e muzikës, Vjenë, Orkestra Harkore e Filharmonisë së Kosovës u prezantua me sukses, nën drejtimin e dirigjentit Edon Ramadani.

Koncerti, i organizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Austri, u mbajt në Sallën e Madhe të Haus der Industrie, duke shënuar një moment historik – prezantimin e parë të Filharmonisë së Kosovës në kryeqytetin austriak.

Programi i mbrëmjes përfshiu vepra nga Felix Mendelssohn, Drinor Zymberi dhe Valton Beqiri, si dhe interpretimet mbresëlënëse të sopranove Arta Jashari dhe Zana Abazi – Ramadani.

Publiku e priti me entuziazëm këtë mbrëmje të veçantë, e cila u realizua në kuadër të 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke dëshmuar fuqinë e kulturës si urë lidhëse mes dy vendeve.

Continue Reading

Kulturë

Komedia “Thashethemet” vjen së shpejti në Teatrin e Qytetit “Hadi Shehu”

Published

on

By

Së shpejti, Teatri i Qytetit “Hadi Shehu” do të ngrejë siparin për shfaqjen e re “Thashethemet”, një komedi e bazuar në veprën e njohur të Neil Simon.

Shfaqja sjell në skenë situata që të gjithë i njohim, pasi të gjithë jemi hasur me thashetheme të paktën një herë në jetë. Me humor dhe ritëm të shpejtë, aktorët eksplorojnë fuqinë dhe pasojat e fjalëve që qarkullojnë nga njëri tek tjetri, duke krijuar momente qesharake, por edhe reflektuese për audiencën.

Në rolet kryesore do të shohim Arbies Komoni, Altina Kusari, Besfort Berberi, Edmund Hafizademi, Edi Gjakova, Elida Shasivari, Ulera Pylla, Vlora Dervishi dhe Ylber Mehmeti, të cilët premtojnë të sjellin energji, dinamizëm dhe situata të papritura në skenë.

Premiera e “Thashethemeve” pritet të mbahet shumë shpejt, dhe publiku ftohet të bëhet pjesë e një komedie që premton të sjellë të qeshura, emocione dhe argëtim pa fund.

Mos i besoni çdo fjale… por merrni pjesë dhe shihni si shpalosen thashethemet në skenë!

Continue Reading

Të kërkuara