Live

​Ky është fletëvotimi për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Published

on

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka miratuar dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimit që do të përdoret në vendvotimet brenda vendit për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. Fletëvotimi do të jetë në gjuhën shqipe dhe serbe.

Shefi i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, tha se Zyra Ligjore ka konstatuar se fletëvotimi duhet të jetë në gjuhën shqipe dhe gjuhën serbe.

Zyra Ligjore konstaton se fletëvotimi për zgjedhjet e Kuvendit të Kosovës duhet të përdoret në dy gjuhë zyrtare: gjuhën shqipe dhe gjuhën serbe”, tha ai.

Mirëpo, anëtarja e KQZ-së nga komuniteti turk, Mufera Sinik, tha se në Komunën e Prizrenit dhe Mamushës duhet të jetë edhe gjuha turke në fletëvotim.

Kemi qenë dakord se ka me qenë në Prizren edhe gjuha turke. Gjuha turke si gjuha shqipe dhe serbe bashkë në Mamushë dhe Prizren”, tha ajo.

Një kërkesë e tillë nuk u mor parasysh nga anëtarët e KQZ-së, derisa kryesuesi i këtij institucioni, Kreshnik Radoniqi, tha se ndaj këtij vendimi mund të ushtrohet ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Vendimi i KQZ-së vjen pas tërheqjes së shortit për renditjen e subjekteve politike në këtë fletëvotim. Fletëvotimi përmban 24 subjektet politike pjesëmarrëse në këtë proces zgjedhor, prej të cilave 18 parti politike, 3 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.

Në mbledhjen e kaluar, KQZ ka miratuar fletëvotimin për votimin jashtë Kosovës, i cili është i njëjtë si në përmbajtje ashtu edhe në dizajn.

KQZ poashtu mori vendim për miratimin e formulës për përbërjen e Këshillave të Vendvotimeve të rregullta, vendvotimeve me kusht dhe ekipeve të numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025./KP

Continue Reading

Live

Sulejman Kllokoqi: Reçaku

Published

on

By

(Shkëputur nga libri “Me kamerë në shtatë luftëra”, publikuar në vitin 2014 nga Grupi “Koha”)

… Në janar ndodhi kthesa tjetër e madhe, masakra e re në Reçak, dhe aty unë sërish isha protagonist me instinktin tim prej gazetari që dallon ngjarjet e rëndësishme të luftës dhe të politikës, nga ato që shpesh bëhen, për fat të keq, edhe pse janë jo më pak tragjike, vetëm numra dhe rutinë.

Për Reçakun patëm marrë vesh një ditë më herët që në këtë fshat afër qytezës së Shtimjes ka pas luftime  mes policisë dhe UÇK-së. Nga burimet jozyrtare patëm mësuar për vrasjen e një ose edhe më shumë policëve serbë, e supozohej se ka mundur të ketë edhe viktima nga ana e UÇK-së.

Kjo nuk ishte befasi, sepse armëpushimi praktikisht nuk respektohej askund, çdo ditë kishte incidente. Po bëhej e qartë se pas tërheqjes taktike në tetor, Serbia sërish filloi mobilizimet dhe për çdo ditë i shtonte forcat e saj në Kosovë për një ofensivë në muajt e pranverës.

Ne gazetarët e dinim se aty ku ka policë të vrarë serbë, ka gjasa edhe për represalje ndaj popullsisë civile. Ndoshta jo në përmasat e Obrisë së Epërme, por e dija se do të ketë hakmarrje. Në mbrëmje atë ditë unë me disa gazetarë shkova në spitalin e Prishtinës për të verifikuar ngjarjen dhe eventualisht për të kuptuar se sa policë serbë ishin sjellë të vrarë ose të plagosur në spital dhe në morg.

Por, kuptohet, meqë spitali kontrollohej nga serbët, rojet e spitalit nuk patën lënë as të afroheshim, e lëre më të merrnim informata. Me atë rast pamë aty disa makina ambulante të cilat, me gjasë, sillnin viktimat, të vrarët dhe të plagosurit,  por nuk e kishim as idenë se a janë viktimat serbe apo shqiptare, dhe sa ishte numri i tyre.

Sidoqoftë, kureshtja dhe instinkti im prej gazetari nuk më linte rehat. U pata marrë vesh me Visar Kryeziun, që punonte si fotograf për AP,  që të nisemi të nesërmen sa më herët për Shtimje.

Ashtu edhe bëmë. U nisëm në ora 6. Kur mbërrimë në Shtime, nga ku edhe ndahet rruga lokale për në katundin Reçak, kuptuam se atje vërtetë kishte ndodhur një hata. Pas përleshjes me UÇK-në forcat serbe ishin kthyer dhe kanë masakruar fshatarët, shumë veta. Pas masakrës këto forca kriminele ishin larguar.

Ishte 15 janari dhe koha mbante shumë ftohtë.  Në Shtime nuk qëndruam as 10 minuta. U nisëm menjëherë drejt Reçakut. Rruga ishte e hapur, pa postblloqe dhe shpejt arritëm atje, diku pak para orës 7. Katundin e gjetëm në pikëllim të madh; njerëzit ishin të shokuar. Disa kufoma i pashë edhe në katund, por një plak më tha se hataja më e madhe kishte ndodhë disa qindra metra jashtë fshatit, në një shpat të bregut.

  • Ata që nuk janë larguar nga katundi i kanë zanë dhe i kanë pushkatua me rafal, – tregonte plaku me një zë të hollë që i dridhej pak, por në pamje ishte shumë i qetë.

Gjithnjë jam çuditë me pamjet e qeta të shumë nënave dhe burrave shqiptarë, kur tregojnë për këso ngjarje të hatashme. Mu kujtua edhe ai djaloshi i Obrisë, që po kështu na shoqëroi mua dhe Adamin deri te shpija e Deliajve me koka të prera. Athua më vonë i godit tmerri dhe traumat?

U nisa menjëherë në drejtimin që ma tregoi plaku:

  • Andej i keni kufomat një mbi një.

Edhe rrugës deri te vendi i masakrës në çdo 50 metra hasja kufomat e civilëve të vrarë. E kam regjistruar krejt atë rrugëtim me kamerë, dhe më në fund erdha te ajo pjesë e kodrës ku ishte një si shtrat i thatë i përroskës, ku ishin shumë kufoma. Ashtu të shtrirë dhe në pozita të ndryshme, dukej se ishin njëqind e më shumë, por kanë qenë në atë vend diku rreth pesëdhjetë. E ndjeva një zemërim të fortë dhe urrejtje ndaj kriminelëve, por e përmblodha vetëm dhe u koncentrova vetëm në xhirim. E kisha merak kohën, që sa më parë t’i xhiroja pamjet, dhe që pamjet të jenë sa më cilësore dhe sa më informative. Një kuadër i gjatë në lëvizje që tregon në vazhdimësi “vargun” e kufomave, të mbetur në vend të vdekur, pas rafalëve që i pushkatuan. Pas totalit, fotografova edhe detajet, ku shiheshin më qartë kufomat, të mos thuhet pastaj nga propaganda serbe, se viktimat kanë qenë kukulla dhe krejt kjo masakër inskenim. Asnjë uniformë, vetëm civilë!

Kur i mora pamjet e tmerrit, ideja e parë që kisha ishte që të arrija sa më parë në Prishtinë dhe të siguroja bartjen e xhirimit në Shkup dhe nga atje për në Londër, ku pastaj do të distribuohej dhe transmetohej në të gjitha televizionet botërore.  Deviza e WTN-së për këto raste ishte: Xhiro shpejt, por edhe më shpejt dërgoji xhirimet.

Unë e dija shumë mirë edhe nga  përvoja e Bosnjës, (kujtoni vetëm masakrat e Sarajevës në rrugën Vase Miskina, dhe një tjetër pazarin Merkale, si dhe nga rasti i Prekazit dhe Obrisë), se sa fuqishëm kanë ndikuar raportet mediale për ndërgjegjësimin e opinionit ndërkombëtar.

Pas transmetimit të  pamjeve të krimeve serbe, janë ndërmarrë masat, janë ndëshkuar serbët, janë organizuar konferencat dhe janë bërë intervenimet.

Reçaku ishte krim me më shumë viktima se Obria, patjetër duhet të dërgohet në botë… Prisja se kjo sigurisht që do të prek shumë ndërgjegje dhe do të përshpejtojë intervenimin. Tërë kohën nuk më hiqeshin nga mendja ata njerëz të shastisur  të Reçakut që e kërkonin kokën e humbur të viktimës… E ndieja një shpagim në emër të tyre se kjo kasetë që po e bartja do të jetë një hakmarrja ndaj kriminelëve, se ai do të ndëshkohet.

Derisa po kthehesha në Prishtinë, vozitja me një shpejtësi të kontrolluar, pra ngutesha, por me kujdes që të mos bëjë gabime trafiku dhe të mos bie në sy policisë serbe.  Nuk e lajmërova askënd për masakrën nga frika e përgjimit. Nuk u përgjigjesha telefonatave. Thirra vetëm gruan duke i thënë se kinse kisha dalë herët në qytet për riparimin e makinës dhe tani po pija kafen e mëngjesit.

Kur erdhëm te katundi çaglavica lajmëruam ekipet e WTN dhe AP që rrinin në hotelin Grand, se duhet të takohemi dhe se kemi “dhuratë” për ta. Ata do të kujdesen që xhirimet e mia dhe fotografit e Visarit të dërgohet sa më parë për Shkup.

Vetëm pasi që e dorëzova kasetën dhe u sigurova se ajo do të niset menjëherë për Shkup, u çlirova dhe fillova të sillem si në ditët e zakonshme të mëngjeseve në atë kohë të luftës në Prishtinë. I fillova kontaktet e mëngjesit me kolegët, duke i këmbyer edhe informatat për ngjarjen e Reçakut, por në formën sikur nuk kam qenë atje fare, duke plasuar edhe ndonjë dezinformatë të vogël spekulative. E kisha qëllimin që t’i mashtroja përgjuesit, nëse përgjohesha, sepse pas rastit të Obrisë e dija se do të jam në rrezik edhe më të madh nëse shërbimet sekrete serbe do të kuptonin se kam qenë i pari me xhirime edhe në Reçak. Por, edhe dezinformatat në këto raste mund të janë një lloj hutimi për “ata” që na përgjonin. Sepse unë i thosha bashkëbiseduesve se kam dëgjuar për masakrën jo afër Shtimjes, por nga ana e Kaçanikut. E ata më “demantonin, jo, jo, në Reçak.

Kuptohet se kisha shumë frikë, sepse e dija se pas kësaj do të duhej të tërhiqesha nga puna aktive ose të bëhem sa më i padukshëm.

Por atë mëngjes është dashur që ta luaja lojën deri në fund dhe unë, me Visar Rekën, vendosëm që të ktheheshim gjatë ditës sërish në Reçak, aq më parë se informata për masakrën e kishte marrë dheun dhe pritej që edhe shefi i Misionit të OSBE-së, William Walker, ta vizitojë Reçakun, pak para mesditës.

Dhe, vërtetë, ardhja e Walkerit ia dha atë vulë të fuqishme asaj ngjarjeje tragjike.

Por para se të emitoheshin pamjet e dëshmisë së shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së nga vendi i krimit, televizionet botërore tashmë e kishin bërë kryelajm masakrën, duke e marrë si bazë xhirimet e mia të atij mëngjesi, ndërkaq që gazetat shfrytëzonin fotografitë e Visarit.

Kur  pas luftës ish kolegu im Hys Shkreli  i cili asokohe jetonte në SHBA, erdhi në Kosovë, më pat thënë se pamjet e masakrës së Reçakut që i transmetoi CNN. ABC, NBC dhe televizionet tjera, kanë pasur efekt të jashtëzakonshëm në opinion, dhe sipas reagimeve amerikane, kanë qenë dokumenti më i fuqishëm medial i krimeve të Millosheviqit gjatë tërë luftës në Kosovë. Më kot Serbia pastaj përhapte demantet të bazuara në gënjeshtra se kinse maskara ka qenë inskenim, se të masakruarit nuk kanë qenë civilë por ushtarë të vrarë të UÇK-së, si dhe spekulime të tjera, ndër to edhe se e gjithë ngjarja ka qenë një “montazh i Walkerit” etj.

– Nëse deri në rastin e Reçakut opinioni  në Amerikë ka qenë i ndarë 50 me 50 për qind për intervenimin në Kosovë, pas pamjeve të kësaj masakre ai ndryshoi në favor të intervenimit, – më pat thënë Shkreli…

Continue Reading

Live

27 vjet nga Masakra e Reçakut

Published

on

By

Sot shënohen 27 vjet nga Masakra e Reçakut, një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë, që mbetet plagë e hapur në kujtesën kolektive të vendit.

Më 15 janar 1999, forcat policore serbe, njësitë ushtarake dhe formacionet paramilitare serbe hynë në fshatin Reçak të komunës së Shtimes, ku vranë mizorisht 45 civilë shqiptarë.

Viktimat, u ekzekutuan në rrethana që tronditën opinionin vendor dhe ndërkombëtar.

Masakra u bë e njohur për botën pas reagimit të menjëhershëm të atëhershëm të shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili, pasi pa nga afër trupat e pajetë të civilëve, ngriti alarmin për krime të rënda kundër njerëzimit që po kryheshin ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Reçaku u shndërrua në simbol të vuajtjes dhe sakrificës së popullit të Kosovës, por edhe në një moment kyç që ndikoi në ndërgjegjësimin ndërkombëtar për realitetin e luftës, duke hapur rrugën për zhvillime vendimtare në fundin e saj

Ndryshe, sot në kuadër të kësaj masakre, homazhe do të bëjnë krerët e shtetit si presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Pos tyre, homazhe do të bëjë edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Po ashtu, ora e parë mësimore do t’i kushtohet Masakrës së Reçakut.

Continue Reading

Live

Masakra që ndryshoi historinë e Kosovës

Published

on

By

Po bëhen 27 vjet nga kur një nga masakrat më të rënda në Kosovë, ajo e njohur si Masakra e Reçakut, e cila ndodhi më 15 janar 1999, tronditën ndërgjegjen e botës dhe nxitën reagimin ndërkombëtar.

Masakra që ndodhi në Reçak të Komunës së Shtimes, në qendër të Kosovës, la 45 banorë të fshatit të vrarë dhe masakruar, megjithatë, ende vetëm një person mbetet i shpallur fajtor për pjesëmarrje në këtë masakër, nga gjykatësit e Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK.

Fillimisht, mëngjesin e ftohtë të 15 janarit 1999 rreth orës 6:45 minuta banorët e këtij fshati u zgjuan nga zhurma e artilerisë së rëndë serbe e cila filloi të sulmojë fshatin nga pozicione të ndryshme, ndërsa pas serisë së granatimeve, trupat serbe fillojnë bastisjet nëpër shtëpi, ku banorët tentuan të ikin, por ata tashmë ishin rrethuar.

Continue Reading

Lajmet

Rozeta Hajdari pas seancës gjyqësore: Ndihem krejtësisht e pafajshme sepse është proces tendencioz

Published

on

By

E përditësuar:

Ministrja në detyrë e MINT, Rozeta Hajdari pas seancës gjyqësore për skandalin me Rezervat Shtetërore për të cilën tashmë ka një aktakuzë, ka thënë se ndihet krejtësisht e pafajshme, duke e quajtur procesin si tendencioze nga ana e Prokurorisë.

“Përkundër që ndihem krejtësisht e pafajshme sepse është proces tendencioz duke shkelur çdo procedurë ligjore, duke qenë në kundërshtim me ligjin për rezervat shtetërore dhe ligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar ka iniciuar këtë aktakuzë ndaj meje”, tha ajo.

Ajo madje insiston se kanë vepruar drejtë me çështjen e rezervave shtetërore, por shkelje thotë se po bënë Prokuroria Speciale.

Më e rëndësishmja që dua të theksoj është se qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë të brengosen për konsolidimin e rezervës shtetërore që e kemi rritur në Qeverinë Kurti 2, për shumë fish në kohën më të vështirë kur ishte rezerva shtetërore e pa konsoliduar dhe jo në funksion të përgjigjes ndaj qytetarëve. Në kohën kur kufijtë ishin të mbyllur me shpërthimin e luftës në Ukrainë dhe në kohën më të vështirë, kur nuk kishte eksporte  të produkteve bazike në vendin tonë. Pra, produkteve bazike, jetike për jetesën e qytetarëve tanë. Në këtë kohë të vështirë ne siguruam dhe konsoliduam rezervën shtetërore. ”, tha ajo.

Më tej ka insistuar se do ta dëshmojnë se verpimet e ndëramrra ndaj saj janë të paligjshme.

Unë dhe mbrojtja ime jemi të bindur për këto veprime të paligjshme dhe këtë do ta dëshmojmë deri në fund të këtij procesi”, deklaroi Hajdari.

Por çështjen e Ridvan Muharremit e arsyetoi me atë se gjoja nuk i lejohet të deklarohet për proceset që janë në seancë të mbyllur.

Ju sot jeni larguar nga seanca sepse është e mbyllur dhe nuk më lejohet asgjë të deklarohem te ju në lidhje me proceset që janë në seancë të mbyllur” , tha Hajdari.


Seanca e shqyrtimit fillestar për korrupsion në rastin e “Rezervave shtetërore” ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe ndaj Irfan Lipovicës, Hafiz Garës e Ridvan Muharremit është mbyllur për publikun.

Në seancën e mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjyqtari Avni Syla kërkoi nga prokurori dhe mbrojtësit e të akuzuarve që të paraqesin qëndrimet e tyre lidhur me atë nëse kjo seancë duhet të mbahet e hapur apo e mbyllur për publikun.

Prokurori special Valdet Gashi, duke u përgjigjur kërkesës së gjykatës për çështjen e hapjes ose mbylljes së seancës, tha se qëndrimi i prokurorisë është që shqyrtimi gjyqësor të mbahet i hapur, përveç rasteve kur gjatë tij diskutohet për pjesë të cilat janë cilësuar si çështje sekrete nga ana e prokurorisë dhe janë përfshirë në aktakuzë. Ai shtoi se, sipas tij, palët mund të koordinohen në mënyrë që të bëhet një ndarje e qartë se cilat pjesë të seancës duhet të jenë të hapura dhe cilat të mbyllura.

“Sa i përket çështjes të cilën e ngritët ju, ne mendojmë se shqyrtimi gjyqësor duhet të jetë i hapur, me përjashtim të situatave kur diskutohet gjatë shqyrtimit gjyqësor për pjesët të cilat janë konsideruar si çështje sekrete nga ana e prokurorisë dhe janë paraqitur në aktakuzë. Besoj se mund të koordinohemi që të bëjmë një ndarje të tillë se kur duhet të jenë seancat e hapura dhe kur të mbyllura”, tha ai.

Avokati i Rozeta Hajdarit, Florent Latifja, u shpreh se nuk pajtohet as me hetimin, as me aktakuzën e prokurorisë dhe as me qëndrimin e prokurorit special lidhur me kërkesën e gjykatës për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor të hapur apo të mbyllur.

Ai theksoi se në këtë çështje ka shumë materiale që përbëjnë sekret shtetëror, për të cilat, sipas tij, as avokatët mbrojtës, as bashkëpunëtorët e prokurorit dhe as policët hetues nuk kanë pasur dhe nuk kanë të drejtë qasjeje.

“Përpos që nuk jam pajtuar as me hetimin e as aktakuzën e kësaj prokurorie, nuk po pajtohem as me qëndrimin e prokurorit special sa i përket kërkesës së gjykatës për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor të hapur apo të mbyllur. Siç e dëgjova edhe vetë, këtu kemi të bëjmë me shumë raste me sekret shtetërorë, për të cilin asnjë nga ne avokatët, asnjë nga bashkëpunëtorët e prokurorit, asnjë nga policët hetues nuk kanë pasur të drejtë dhe nuk kanë të drejtë as sot të kenë qasje në ato dokumente, besoj duke e përfshirë edhe kryetarin e trupit gjykues edhe prokurorin special, për çka kolegu Feim Malaj ka marrë një përgjigje nga institucioni relevant për këtë çështje, siç është AMIK, të cilët kanë theksuar se ne si mbrojtës, por edhe personat e tjerë të cilët nuk kanë certifikatë të sigurisë, për të pasur qasje në informacionet e klasifikuara në sekret, nuk kemi të drejtë as t’i shohim e as t’i prekim ato dokumente. Mund ta bëjmë vetëm nëse ato dokumente janë të deklasifikuara. Këto dokumente që quhen sekret kanë kaluar së paku në duar të 20 personave që nuk kanë pasur certifikata të sigurisë dhe prandaj dëshirojnë që të mbajnë sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe se me këtë, siç e kanë pasur edhe mediat shumicën e dokumentacionit, po tentohet që të na jepet edhe neve e të bëhemi pjesë e një procesi të paligjshëm që ngërthen edhe pasoja penale. Propozoj që e njëjta të mbahet e mbyllur”.

Mbrojtësi i Irfan Lipovicës, avokati Florim Malaj, tha se prokuroria është e njoftuar që nga fundi i korrikut dhe gushti i vitit 2025 për procedurat ligjore që duhet të ndiqen para se palët të kenë qasje në dokumente të klasifikuara.

Ai theksoi se, sipas tij, minimizimi apo “relaksimi” i klasifikimit nuk e ndryshon statusin juridik të dokumentit dhe se e gjithë dosja në këtë rast është e klasifikuar, e jo vetëm pjesë të saj.

“Prokuroria nga data 31.07.2025 dhe data 21.08.2025 është e njoftuar lidhur me procedurat të cilat ligji i parasheh para se të ketë ose të kemi qasje në dokumente të klasifikuara. Minimizimi apo relaksimi nuk e ndryshon statusin juridik të dokumentit të klasifikimit. E tërë dosja është e klasifikuar, nuk kemi të bëjmë me fjalë apo fjali. Ne si juristë duhet të kemi kujdes kur veç kemi informata të pranuara zyrtarisht nga Agjencioni për Mbrojtjen e Informacionit, për të cilin Ligji për Mbrojtjen e Informacioneve të Klasifikuara sqaron se ky ligj zbatohet nga të gjitha institucionet publike që ushtrojnë kompetenca ekzekutive, legjislative, gjyqësore për personat fizikë dhe juridikë. Duke pasur parasysh këtë ligj, gjykatës i propozoj që ta obligojë prokurorin special që të iniciojë procedurën e prokurorisë për deklasifikim të dosjes së rezervave, pastaj të vendosë për seancën që të mbahet e hapur apo e mbyllur”.

Avokati i Hafiz Garës, Nazim Mehmeti, bëri të ditur se mbrojtja ka pranuar një aktakuzë të redaktuar në disa pjesë dhe ngriti çështjen e ligjshmërisë së dokumenteve që konsiderohen sekrete. Ai kërkoi nga gjykata që si çështje kryesore të vlerësojë nëse informacioni i klasifikuar ka qenë i ligjshëm apo jo, në mënyrë që, sipas tij, të mundësohet hyrja në këtë çështje dhe zhvillimi i seancës së hapur, duke theksuar se kjo është në interes të palëve që ai përfaqëson.

“E kemi pranuar të redaktuar aktakuzën në disa pjesë. Unë si avokat mbrojtës për ligjshmërinë e dokumentit i cili konsiderohet sekret kërkoj nga gjykata dhe i propozoj gjyqtarit si çështje kryesore të marrë një mendim dhe të bëjë një vlerësim se a ka qenë i ligjshëm apo jo ky informacion sekret. Andaj, pasi që jemi para një dileme që është unë si avokat mbrojtës për ligjshmërinë e dokumentit i cili konsiderohet sekret, kërkoj nga gjykata dhe propozoj gjykatës si çështje kryesore të marrë një mendim dhe të bëjë një vlerësim se a ka qenë apo nuk ka qenë i ligjshëm ky informacion sekret për të na mundësuar që ne të hyjmë në këtë çështje, që të shkojmë në seancë të hapur për shkak se është në interes të palëve tona”, tha ai.

Avokati i Ridvan Muharremit, Muhamet Halimi, tha se nuk do të deklarohet lidhur me çështjen e publicitetit të seancës dhe se ia lë vendimmarrjen gjykatës.

“Sa i përket çështjes së publicitetit, unë nuk do të deklarohem, do t’ju lë juve që të vendosni”, tha ai.

Gjyqtari Avni Syla, pas dëgjimit të qëndrimeve të të gjitha palëve, tha se gjykata ka vendosur që seanca e shqyrtimit fillestar të mbahet e mbyllur për publikun, duke konstatuar se janë përmbushur kushtet ligjore për këtë, për shkak të nevojës për ruajtjen e konfidencialitetit dhe informacionit që mund të rrezikohej nga publiku, si dhe për mbrojtjen e dëshmitarëve në këtë çështje.

“Konstatoj që janë përmbushur kushtet ligjore nga dispozita e lartcekur që kemi të bëjmë me rastin konkret me ruajtjen e konfidencialitetit dhe informacionit që do të rrezikohet nga publiku, si dhe mbrojtjen e dëshmitarëve në këtë çështje”, tha ai.


Në Gjykatën Themelorë në Prishtinë ka arritur ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ndaj të cilës pritet të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar për korrupsion në rastin e “Rezervave shtetërore”.

Në këtë rast të akuzuar janë edhe Irfan Lipovicës, Hafiz Garës e Ridvan Muharremit.

Katër të akuzuarit janë të pranishëm në sallën e seancës gjyqësore.

Continue Reading

Të kërkuara