Lajmet nga UBT

Doli nga shtypi libri “Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari”, i profesorit të UBT-së, Musa Sabedini

Sipas autorit, libri ka ardhur si rezultat i punës shumëvjeçare në gazetari.

Published

on

Profesori i Fakultetit Media dhe Komunikim, Musa Sabedini, ka botuar librin: “Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari”, i cili u dedikohet studentëve të gazetarisë, studiuesve të medias, gazetarëve e hulumtues, redaktorëve të profesionalizuar, hetuesve, prokurorëve e gjyqtarëve me etikë profesionale.

Sipas autorit, libri ka ardhur si rezultat i punës shumëvjeçare në gazetari, e ndërtuar nga përvoja e gjatë edhe gjatë raportimit nga fusha të ndryshme nga tereni, duke përfshirë këtu qindra procese e seanca gjyqësore, edhe të karakterit ndërkombëtar.

“E kam parë të udhës që ky libër të dali në dritë dhe t`i prezantohet studentëve të gazetarisë, ekspertëve dhe studiuesve të kësaj fushe, redaktorëve e kryeredaktorëve të medias së shkruar dhe asaj online, me të vetmin qëllim dhe synim, që të njohim profesionalisht problemin dhe mënyrën e të raportuarit për situatat e ndjeshme e të jashtëzakonshme”, ka thënë profesori Sabedini.

Profesori Musa Sabedini ka theksuar se raportimi për situatat e ndjeshme, pastaj raportimi për krimet dhe dhunën, janë pikat më delikate për secilin gazetarë edhe nëse ai është profesionist i shkathët e me përvojë.

“Të mbulosh një ngjarje me natyrë kriminale dhe të ofrosh para lexuesit dhe publikut të vërtetën, është pak e mundimshme në rrafshin profesional. Është e thjeshtë të raportosh për një konferencë shtypi, për një prezantim të ndonjë politikani apo partie politike, por të raportosh për tërmetet, fushat e mbuluara me gjak, krimin e të gjitha llojeve, të mbledhësh informacionet e sakta nga tereni, të jesh i përgatitur për të gjitha sfidat nuk është e lehtë, përkundrazi ky “sport” donë kulturë, edukatë mediatike, zhbirim të shumë arkivave e njohje të përgjithshme të problemeve”, është shprehur Sabedini.

Profesori, gazetari dhe publicisti i njohur dhe fituesi i disa çmimeve në gazetarinë hulumtuese ka thënë se: “E kam parë të udhës që ky libër të dali në dritë dhe t`i prezantohet studentëve të gazetarisë, ekspertëve dhe studiuesve të kësaj fushe, redaktorëve e kryeredaktorëve të medias së shkruar dhe asaj online, me të vetmin qëllim dhe synim, që të njohim profesionalisht problemin dhe mënyrën e të raportuarit për situatat e ndjeshme e të jashtëzakonshme. Në gazetarinë kosovare qoftë e shkruar, televizive ose online janë vërejtur defekte të shumta dhe ende ka vrima të zeza që duhet urgjentisht të përmirësohen. Ky libër, nuk do të thotë që është i përkryer ose që nuk ka nevojë për prezantime shtesë, por jam i sigurt se për studentët dhe ata që e kryejnë gjatë gjithë jetës këtë profesion delikat, do të kenë mundësi që të jenë të pagabuar gjatë raportimit”.

Gjithnjë sipas autorit nuk është e lehtë asnjëherë që një gazetar, një kronist apo një medium, kudo që ndodhet ai, të raportojë me saktësi në momentet e rënda.

“Gazetari jo gjithherë mund të jetë i disponueshëm ose profesionalisht e psikologjikisht në kryerjen e detyrës, andaj kjo agjendë dhe ky libër iu mundëson ta njihni më afër problemin, ta trajtoni me dinjitet e përgjegjshmëri çfarëdo dukurie jetësore, sociale, ekonomike, politike, kulturore e religjioze. Libri i titulluar: ”Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari”, patjetër që i referohet problemeve në teren që has çdo gazetar. Etika mbetet problemi më delikat i mënyrës së raportimit, sepse jo përherë mediet e kryejnë misionin dhe detyrën me ndershmëri e relevantë”, ka thënë ai.

Profesori Musa Sabedini gjithashtu ka thënë në parathënien e librit se: “Libri përbëhet nga shembuj të shumtë, raste konkrete për të gjitha kategoritë e ndjeshme, duke filluar me Kapitullin e parë, që flitet për rastet e vrasjeve, vetëvrasjeve, vrasjet e rënda, veprat penale të të gjitha kategorive, dënimet, armët, shkeljet ligjore, etika gjatë raportimit, vdekjet, tragjeditë, privatësia, lajmet e rrejshme, vrasjet, plagosjet, aksidentet, zjarret, personat me aftësi të kufizuara, të miturit, të sëmurët mentalë, dhunimet, krimet e luftës, raportimet nga gjyqet, raportimi për pandemitë, raportimi për aspektet fetare, trafikimi me qenie njerëzore, prostitucioni, kontrabandimi i migrantëve, raportimi për kronikën e zezë, personat e zhdukur, dhuna në familje, dhunimi, vrasjet e grave shtatzëna, vetëvrasjet, ngacmimi seksual, shantazhi, kanosja, shtrëngimi, detyrimi, hakmarrja, korrupsioni, ryshfeti, skemat piramidale dhe bixhozi, vjedhja, vjedhjet e rënda, grabitja, mjediset konfliktuoze, raportimi për protestat, trazirat, demonstratat, raportimi mbi konfliktet, trazirat sociale, siguria e gazetarëve dhe rreziqet, trazirat e marsit 2004, gjenocidi, sulmet terroriste, rrëmbimet, pengjet, spiunazhi, sabotimi, krimet kundër njerëzimit, pornografia, pedofilia, bigamia, krimet kibernetike”.

Edhe në Kapitullin e dytë autori ka trajtuar dhe analizuar më shumë raportet medie, polici, prokurori dhe gjykatë, pastaj termet juridike, i ndaluar i përkohshëm, i dyshuar, i burgosur, i akuzuar, i dënuar, i dëmtuar, hetimet policore, veprimet policore, kallëzimi penal i policisë, obduksioni i kufomës, ngritja e aktakuzës, raportet media – prokuror, përkufizimet juridike, dilemat e gazetarëve, udhëzues, manual e agjenda për të shkruarit nga gjykatat, avokatët mbrojtës, publiku, i pandehuri, organogrami i gjykatave, roli i Gjykatës së Apelit, Gjykatës Supreme të Kosovës, Gjykatës Kushtetuese, Këshillit Prokurorial të Kosovës, udhëzues praktik për shkrimet për mediet online, TV e Radio, njohja me seancat gjyqësore, trupin gjykues, fjalët përfundimtare gjatë një seance gjyqësore, llojet e aktgjykimeve dhe aktgjykimet e Gjykatës së Apelit.

Kurse në Kapitullin e tretë janë dhënë informacione më koncize për përkufizimet, termet dhe nocionet juridike, veprat penale të terrorizmit, krimeve të rënda si dhe nocionet më shpesh të përdorura në gazetari.

Ndryshe botues i librit është UBT dhe i ka 532 faqe, teksa recensentë të librit janë profesorët Ahmet Maloku dhe Safet Zejnullahu, sipas të cilëve libri është kontribut i rëndësishëm në studimin dhe zhvillimin e shkencës së gazetarisë për studimin e asaj dukurie, si dhe do të shërbejë për si literaturë profesionale për një kohë të gjatë.

Recensenti i parë profesori Ahmet Maloku ka thënë se libri ofron përgjigje për shumë pyetje të teorisë dhe praktikës metodologjike, e cila ka në fokus mediat përballë raportimeve për krimet, dhunën dhe situatat e ndjeshme.

“Libri përfaqëson një nga dorëshkrimet e rralla që trajton këtë lloj përqasjeje shkencore në kuptimin e përcaktimit, studimit dhe kërkimit të fenomenit të raportimeve për krimet, dhunën dhe situatat e ndjeshme, dhe pikërisht për këtë ka vlerën dhe njohjen e tij shumë domethënëse shkencore dhe profesionale”, ka thënë Maloku.

Sipas Malokut vepra shkencore, “Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari” ofron përgjigje për shumë pyetje të teorisë dhe praktikës metodologjike, e cila ka në fokus mediat përballë raportimeve për krimet, dhunën dhe situatat e ndjeshme.”Në këtë mënyrë jepet një kontribut i rëndësishëm në studimin dhe zhvillimin e shkencës së gazetarisë për studimin e asaj dukurie. Libri përfaqëson një nga dorëshkrimet e rralla që trajton këtë lloj përqasjeje shkencore në kuptimin e përcaktimit, studimit dhe kërkimit të fenomenit të raportimeve për krimet, dhunën dhe situatat e ndjeshme, dhe pikërisht për këtë ka vlerën dhe njohjen e tij shumë domethënëse shkencore dhe profesionale. Përveç kësaj, duhet theksuar rëndësia e përmbajtjes, qëndrueshmëria dhe qartësia e gjuhës në të cilën është shkruar vepra, e cila lehtëson përvetësimin e njohurive, jo vetëm për njerëzit nga sektorët e gazetarisë, drejtësisë, viktimologjisë, kriminologjisë, kriminalistikës, mjekësinë ligjore, psikologjisë, psikologjisë forenzike etj., të cilëve ajo fushë u është e afërt shkencërisht dhe profesionalisht, por edhe me publikun më të gjerë”.

Maloku ka vlerësuar se vepra është jashtëzakonisht e dobishme dhe ka aplikimin e saj të gjerë, duke pasur parasysh se, në kushtet moderne të jetesës, çështja e gazetarisë shtrihet pothuajse në të gjitha sferat e jetës.

“Gjithashtu, përmes këtij libri, autori ka treguar një shkallë të lartë njohurish shkencore në fushën e gazetarisë, pastaj në metodologjinë e shkencave shoqërore, por edhe në fushën e drejtësisë, sepse pa një kombinim të tillë të e njohurive nga disa fusha shkencore, nuk do të ishte e mundur të krijohej një vepër shkencore kaq e dobishme dhe e shquar, që do të jepte një kontribut të rëndësishëm në studimin mediave përballë raportimeve për krimet, dhunën dhe situatat e ndjeshme”, ka thënë Maloku.

“Autori Musa Sabedini ka një përvojë të gjatë të punës së drejtpërdrejtë nga raportimi nga terreni, si në kohë pushtimi, në kohë aparteidi në median e Kosovës, në kohë lufte, në kohë të gazetarisë së kontrolluar të pasluftës dhe në epokën e internetit. Këtë përvojë ai e ka përdorur për të mbledhur brenda kopertinave të këtij libri shembuj të panumërt të gabimeve e të shkeljeve etike të bëra në media, qoftë qëllimshëm, qoftë padashtas. Një punë shumë voluminoze e autorit tregon përkushtimin e tij, pikë së pari, për të bërë vetë gazetari profesioniste, por edhe për t’u ndihmuar të tjerëve për ta bërë të njëjtën gjë. Qofshin ata gazetarë fillestarë, qofshin me përvojë”, thuhet në fjalën e recensentit Safet Zejnullahu.

Zejnullahu mendon se ata që do të përfitojnë më së shumti nga ky libër janë studentët, gazetarët e ardhshëm.

“Që në hapat e tyre të parë, ata do të mësojnë qasjen profesionale ndaj secilës përmbajtje gazetareske. Më e rëndësishmja, nga ky libër do të mësojnë atë që besoj e ndihmon më së shumti një gazetar. Do të mësojnë si të mos shkruajnë! Përmbajtja e këtij libri ua mundëson këtë. Në vargun e librave hulumtues të gazetarisë, libri i autorit Musa Sabedini “Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari”, besoj se do të shërbejë si literaturë profesionale për një kohë të gjatë”, ka shtuar Zejnullahu.

Profesori Musa Sabedini ka falënderuar rektorin e UBT-së, Edmond Hajrizin, si dhe të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në forma të ndryshme që ky libër të dalë i kompletuar profesionalisht.

lajme

UBT prezanton dy punime shkencore në Konferencën Ndërkombëtare “AI Horizon” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Published

on

By

UBT po merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore “AI Horizon – A New Era of Creativity and Innovation”, të organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, më 12–13 nëntor 2026, në Tiranë, ku UBT është një nga partnerët e kësaj ngjarjeje të rëndësishme shkencore ndërkombëtare.

Në këtë konferencë, UBT përfaqësohet nga rektori, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Besnik Qehaja, dhe asistenti Elton Boshnjaku, të cilët prezantuan dy punime shkencore që trajtojnë zhvillimet më të fundit në fushat e Internetit të Gjërave (IoT), Qyteteve të Mençura (Smart City), Vizionit Kompjuterik dhe Inteligjencës Artificiale.

Dy punimet shkencore të prezantuara janë: “Mobile Augmented Reality with an LLM Assistant Connected to Live Sensor Data for Remote Learning in a University Campus Digital Twin”

Punimi trajton integrimin e realitetit të shtuar mobil me një asistent të bazuar në modele të mëdha gjuhësore (LLM), të ndërlidhur me të dhëna në kohë reale nga sensorët, duke krijuar mundësi të reja për mësim interaktiv dhe në distancë përmes binjakut digjital të kampusit universitar.

“Secure Protocol Translation and Weather-Referenced Drift Detection for Commercial IoT Devices on Azure IoT Hub: A 4G Node Case Study in a University Smart City”

Ky punim fokusohet në sigurinë dhe ndërveprimin e pajisjeve komerciale IoT, përmes përkthimit të protokolleve të komunikimit dhe zbulimit të devijimeve të të dhënave në raport me kushtet atmosferike, duke u mbështetur në një rast studimor me nyje 4G në kuadër të një Smart City universitar.

Përmes këtyre dy prezantimeve, përfaqësuesit e UBT-së sollën para komunitetit shkencor ndërkombëtar rezultate kërkimore dhe qasje inovative që ndërlidhin inteligjencën artificiale, sensorët inteligjentë, realitetin e shtuar dhe infrastrukturën e qyteteve të mençura.

Pjesëmarrja e UBT-së në këtë konferencë, krahas prezantimit të rezultateve shkencore, përfaqëson edhe një mundësi të rëndësishme për zgjerimin e bashkëpunimit me institucionet akademike dhe kërkimore, shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e projekteve inovative.

UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin e tij ndaj kërkimit shkencor, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke kontribuar aktivisht në zhvillimin dhe zbatimin e teknologjive të së ardhmes.

Continue Reading

Lajmet

Leonardo da Vinci sjell frymën e Rilindjes në UBT – ekspozitë që ndërthur artin, shkencën dhe inovacionin

Published

on

By

Kampusi Shkencor Inovativ dhe Teknologjik i UBT-së është bërë nikoqir i një ekspozite të veçantë kushtuar njërit prej mendjeve më të jashtëzakonshme në historinë njerëzore, Leonardo da Vincit.

Përmes kësaj ekspozite, studentët, stafi akademik dhe vizitorët kanë mundësi të njihen më nga afër me botën krijuese të Da Vincit, idetë e tij revolucionare dhe projektet që dëshmojnë gjenialitetin e tij në fusha të ndryshme, nga arti e anatomia, deri te inxhinieria dhe teknologjia.

E organizuar në kuadër të edicionit të XXVI të Javës së Gjuhës Italiane në Botë, me temën “Gjuhë e mirësjelljes, gjuhë gjeniale: të ideosh, të projektosh, të krijosh me italisht”, ekspozita sjell në vëmendje rëndësinë e gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë italiane në zhvillimin e mendimit krijues dhe shkencor.

Ky aktivitet është realizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Italisë në Prishtinë dhe përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të nxitur kureshtjen intelektuale, kreativitetin dhe frymën inovative te gjeneratat e reja.

Përmes kësaj ekspozite, UBT sjell në kampusin e tij trashëgiminë e një figure që vazhdon të frymëzojë botën, duke dëshmuar se idetë e mëdha nuk njohin kohë dhe se arti, shkenca dhe teknologjia janë pjesë e së njëjtës gjuhë: gjuhës së inovacionit.

 

 

 

Continue Reading

Vendi

Profesoresha Lisjeta Thaqi Jashari mban ligjërata për inteligjencën artificiale në Universitetin e Salentos

Published

on

By

Profesoresha e gjuhës angleze në UBT, Lisjeta Thaqi Jashari, po qëndron për një vizitë akademike në Universitetin e Salentos në Lecce të Italisë, ku po zhvillon ligjërata dhe takime profesionale me kolegë të universitetit pritës.

Në qendër të ligjëratave të saj janë metodat bashkëkohore të mësimdhënies së diferencuar me mbështetjen e inteligjencës artificiale. Profesoresha e UBT-së po trajton mënyrat se si mësimdhënësit mund t’i shfrytëzojnë këto teknologji inovative për t’ua përshtatur materialet dhe aktivitetet mësimore studentëve me nivele të ndryshme të njohurive.

Gjatë kësaj vizite akademike po zhvillohen edhe takime që synojnë shkëmbimin e përvojave mbi përdorimin e teknologjisë në arsim, si dhe hapjen e rrugëve për bashkëpunime të reja akademike.

Continue Reading

Lajmet

Fakulteti i Psikologjisë organizon bashkëbisedim për parandalimin e dhunës dhe rolin e shërbimeve psikologjike

Published

on

By

Fakulteti i Psikologjisë në UBT ka organizuar një bashkëbisedim me studentët e vitit të parë lidhur me trajtimin e dhunës, parandalimin e saj dhe rolin e shërbimeve psikologjike në shoqëri.

Aktiviteti i udhëhequr nga ligjëruesja Violeta Zefi bëri bashkë Zana Hamiti Asllanin nga Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë, Kadri Gashin nga Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime, si dhe Dekanen e Fakultetit të Psikologjisë Denis Celcima dhe ligjëruesen Elona Krasniqi.

Të nxitur nga ngjarjet e fundit në vend, pjesëmarrësit u përqendruan te rreziku i përsëritjes së rasteve të dhunës dhe nevoja për një qasje të koordinuar institucionale.

Vëmendje e veçantë gjatë diskutimit i u kushtua edukimit, risocializimit dhe mbështetjes psikologjike për burrat dhe djemtë kryerës të dhunës, si element kyç për parandalimin e këtij fenomeni.

Continue Reading

Të kërkuara