Lajmet

Dokumenti që trazon Ballkanin

Published

on

Për pikën “a) Bashkimi i Kosovës dhe i Shqipërisë” në letër shkruhen katër rreshta.

Letra e shumëpërfolur e Kryeministrit slloven, Janez Jansha, u publikua gjatë ditës së enjte në mediat sllovene dhe mori jehonë në të gjithë rajonin, pasi përfshin shpërbërjen e një shteti dhe ndryshime kufijsh në Ballkan.

Dokumenti i publikuar, që sipas mediave sllovene është dokument diplomatik jozyrtar, flet për ridefinim të kufijve në Ballkan, konkretisht shpërbërjen e Bosnje-Hercegovinës, aneksimin e Republikës Serbe nga Serbia dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Ky dokument jozyrtar është dërguar nga Kryeministri slloven Janez Jansha në Bruksel, me propozimin për kufij të rinj në shtete.

“Zgjidhje” titullohet dokumenti që Kryeministri slloven u dorëzoi disa personave të përzgjedhur në BE disa muaj më parë. Sipas “Deutsche Welle”, ajo që vijon më tej duket sikur po lexon ndonjë dokument nga Kongresi i Berlinit i vitit 1878, kur Otto von Bismarck, Lord Salisbury dhe Princ Gorçakovi u ulën së bashku përpara hartës së Ballkanit dhe brenda një muaji vendosën me dorë të lirë për fatin e kombeve.

Por në BE askush deri më tani nuk e ka konfirmuar zyrtarisht që Presidenti i Këshillit të Bashkimit Europian, Charles Michel, e ka pranuar një dokument të tillë nga Sllovenia zyrtare.

HALLKAT E DOKUMENTIT

Dokumenti i Kryeministrit Jansha ka katër hallka.

Për pikën “a) Bashkimi i Kosovës dhe i Shqipërisë” në letër shkruhen katër rreshta.

Për pikën “b) Bashkimi i pjesës më të madhe të Republikës Srpska (serbe) me Serbinë” vetëm tre.

Jansha dëshiron të rishikojë edhe konturet e Kroacisë fqinje:

“c) Çështja kombëtare kroate mund të zgjidhet ose duke bashkuar kantonet kryesisht kroate në Bosnjë-Hercegovinë me Kroacinë, ose duke i dhënë ‘pjesës kroate’ të vendit një ‘status të veçantë’ bazuar në modelin e Tirolit të Jugut”, shkruhet në dokumentin jozyrtar.

BASHKIMI KOSOVË-SHQIPËRI

Te pjesa e dokumentit jozyrtar të publikuar, ku flitet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, përmendet se në Kosovë 95% e popullatës dëshirojnë të bashkohen me Shqipërinë dhe se situatë e ngjashme është edhe në Shqipëri.

“Në Kosovë 95 për qind e popullsisë dëshiron të bashkohet me kombin vendas shqiptar të Shqipërisë. Situata është e ngjashme në Shqipëri. Kufiri midis Shqipërisë (një anëtar i NATO-s) dhe Kosovës është praktikisht inekzistent.

Pjesa serbe e Kosovës do të marrë status special – duke ndjekur shembullin e Tirolit të Jugut. Është një provincë autonome në Italinë Veriore, ku shumica e popullsisë është gjermanishtfolëse”, thuhet në dokument.

“SHKRIHET” BOSNJE-HERCEGOVINA

Në propozimin jozyrtar të Kryeministrit slloven se si mund të vendoset “paqja” në Ballkan, kërkohet shkrirja e Bosnje-Hercegovinës si shtet. Vendi që përbëhet nga tri komunitete kryesore (boshnjakët, kroatët dhe serbët) nuk do të ekzistojë më, sipas vizionit të Janshas.

Ndërkohë që kroatët do të bashkohen me Kroacinë dhe Republika Serbe me Serbinë, mbetet një pikëpyetje e madhe se çfarë do të ndodhë me boshnjakët, të cilët sipas propozimit, do të mbeteshin pa shtet.

Boshnjakët përbëjnë gjysmën e popullsisë së vendit. Sipas planit të Janshas, atyre mund t’u jepet “një shtet që funksionon në mënyrë të pavarur” dhe “për të cilin ata duhet të marrin përgjegjësinë e plotë”.

Nëse boshnjakët nuk dëshirojnë, atëherë nuk kanë pse të hyjnë në Europë: “Ata mund të votojnë në një referendum për një të ardhme në BE ose jo në BE apo Turqi. Boshnjakët myslimanë janë përkohësisht në favor të anëtarësimit në BE.

Por nëse kaosi vazhdon dhe me rritjen e ndikimit të Turqisë dhe islamizmit radikal, situata mund të përkeqësohet në dekadën e ardhshme në mënyrë drastike”, shkruan Jansha. Sipas tij, “tani për tani për këto ide duhet heshtur derisa për planin të bihet dakord me vendimmarrësit në rajon dhe në bashkësinë ndërkombëtare”.

SHBA-ja reagon rreth rikthimit të idesë së ndryshimit të kufijve

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kundërshtojnë shpërbërjen e Bosnje e Hercegovinës, aneksimin e Republikës Serbe nga Serbia dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Pyetjes së mediumit slloven “24UR” rreth këtij dokumenti dhe përmbajtjes së tij iu përgjigj Ambasada e SHBA-së në atë vend.

Ata thanë se Shtetet e Bashkuara vlerësojnë shumë partneritetin afatgjatë me Bosnje-Hercegovinën dhe se e mbështesin sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, i cili është i pranuar në Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit.

“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj qëllimit të përbashkët të një Bosnje e Hercegovine demokratike, gjithëpërfshirëse dhe të prosperuar në rrugën drejt integrimit euro-atlantik”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës. Aty gjithashtu theksohet se Shtetet e Bashkuara janë një mbështetëse e fortë e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor që kërkojnë anëtarësim në organizatat euro-atlantike.

“Ne jemi të bindur se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron në BE. Procesi i zgjerimit promovon paqen, stabilitetin dhe prosperitetin afatgjatë në të gjithë rajonin”, thuhet në përgjigje.

SHBA njihet për qëndrimet e saj kundër ndryshimit të kufijve, për të cilat është rënë dakord me shumë mund në marrëveshje ndërkombëtare. Një prej zonave më të “nxehta” të diskutimit të këtyre temave ka qenë historikisht Ballkani, ku përveç ndryshimeve të kufijve përgjatë historisë, po kërkohen sërish ndryshime të tjera kryesisht nga serbët, herë me mënyra diplomatike, herë me provokime mediatike dhe herë me propozime në takime ndërkombëtare.

Reagimi i SHBA-së ka qenë gjithnjë kundër përpjekjeve të tilla dhe pro ruajtjes së stabilitetit shumetnik në një rajon që ka nevojë për shumë bashkëpunim dhe tolerancë.

Konceptet kundërshtare që përçajnë më shumë rajonin (Nga DW)

Prej tridhjetë vitesh në Ballkan vendet përballen me njëri-tjetrin me dy koncepte kundërshtare. Sipas njërit, që është mbisundues, kufijtë mbeten të paprekur dhe çdo vend zhvillon strukturat e veta demokratike në të cilat kanë vend edhe pakicat etnike.

Sipas konceptit tjetër, për të cilin përgjithësisht nuk flitet, kufijtë duhen vendosur sipas kritereve etnike dhe sunduesit përkatës mund ta qeverisin familjen e tyre kombëtare pa i shqetësuar askush. Nëse shtetet janë “etnikisht të pastra” nuk ka më vend për “kaosin” me të drejtat e pakicave, institucionet apo proceset demokratike të votimit.

Sllovenia merr Presidencën e Këshillit të BE-së më 1 korrik dhe siç është zakon, Kryeministri Jansha skicoi në dhjetor në Bruksel prioritetet e tij. Ballkani është në fokus të tyre. Jansha është mjaft i lidhur me Viktor Orbanin, homologun e tij në Hungarinë fqinje.

Orbani financon mediat e djathta, që raportojnë pro Kryeministrit Jansha në Slloveni dhe përmes Lubjanës, bën të njëjtën gjë në Maqedoninë e Veriut, ish-Kryeministrit të së cilës, Nikola Gruevskit, i cili është dënuar për korrupsion, Hungaria i ka dhënë azil. Ishte Orbani ai që instaloi të besuarin e tij Oliver Varhelyi si Komisionerin e ri të Zgjerimit të BE-së. Në këtë funksion hungarezi merret kryesisht me mundësitë e pranimit të Serbisë fqinje në BE.

Në këtë rrjet, nisma të tilla dhe “non-papers” (dokumente jozyrtare) nuk bien më në vesh të shurdhër. Por Jansha nuk ka gjasa që t’i çojë në Bruksel vërtet përpara ëndrrat e miqve të tij hungarezë dhe serbë. Kreu i qeverisë sllovene nuk gëzon më asnjë simpati që nga prezantimi i tij i fundit para Parlamentit Europian.

Kur eurodeputetët i kërkuan t’u përgjigjej pyetjeve për lirinë e medias në Slloveni, ai këmbënguli që të shfaqte një film dhe kur Parlamenti nuk e pranoi këtë, Jansha thjesht shkëputi lidhjen e internetit.

Ashtu sikurse në rastin e komisionerit hungarez Varhelyi, i cili në Bruksel është kryesisht i mënjanuar, strukturat komplekse të BE-së e bëjnë gjithashtu të mundur neutralizimin e Presidencës sllovene të Këshillit. (DW)

Lajmet

LVV bojkoton seancën për çmimin e naftës, opozita kritikon mungesën e pushtetit në Kuvend

Published

on

By

Derisa në Kuvend po vazhdon seanca e jashtëzakonshme për çmimin e naftës, as kryeministri, asnjë ministër e asnjë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje nuk është paraqitur në sallë.

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, kritikoi ashpër këtë bojkot, duke thënë se për një çështje kaq të rëndësishme për qytetarët, pushteti ka zgjedhur të mos marrë pjesë. Ajo ironizoi me situatën duke u shprehur: “Mos kanë harru me zbrit prej xhipave të zi”.

Përmes një rezolute, LDK-ja po kërkon uljen e përkohshme të akcizës për naftën nga 36 centë për litër në 20 centë deri në stabilizimin e çmimeve, uljen e TVSH-së për karburantet nga 18 në 8 për qind, si dhe subvencionimin e naftës për sektorët më të ndjeshëm si bujqësia, transporti publik dhe prodhuesit vendorë.

Ermal Sadiku nga LDK-ja u shpreh i dëshpëruar me sallën e zbrazët, duke theksuar se deputetët e LVV-së dhe ata të Listës Serbe janë të vetmit që po mungojnë.

Ai sqaroi se kërkesa për uljen e TVSH-së është teknikisht e realizueshme dhe nuk e dëmton buxhetin, pasi rritja e çmimeve e ka rritur automatikisht edhe grumbullimin e taksave. Sadiku përfundoi duke ironizuar se, nëse pushteti zgjedh të flasë me popullin vetëm përmes Facebook-ut e televizionit, atëherë Parlamenti mund të mbyllet plotësisht.

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një 48-vjeçar në Gjakovë, Policia i sekuestron mbi 5 kilogramë marihuanë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për trafikim me narkotikë gjatë një aksioni të suksesshëm të realizuar këtë të premte në Gjakovë.

Operacioni është udhëhequr nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me njësitet kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, të cilët rreth orës 14:40 kanë ndaluar për kontroll një veturë me targa të huaja.

Sipas komunikatës zyrtare, automjeti drejtohej nga i dyshuari me inicialet A.B., i lindur në vitin 1978, tek i cili gjatë kontrollit në pjesën e ulëseve të pasme janë gjetur dhjetë paketime të mbushura me substancë narkotike të llojit marihuanë.

Pesha e përgjithshme e drogës së sekuestruar është 5 kilogramë e 413 gramë, ndërsa në cilësinë e provave materiale Policia ka konfiskuar edhe veturën dhe dy telefonat mobil që i përkisnin të dyshuarit.

Pas arrestimit, personi i dyshuar është shoqëruar për intervistim në stacionin policor, ku me vendim të prokurorit të shtetit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Ky aksion vjen si pjesë e planeve taktike të Policisë së Kosovës për luftimin e trafikut të drogës dhe krimit të organizuar në vend, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë nga drejtoritë përkatëse.

 

Continue Reading

Lajmet

Dënohet me 24 vjet burgim Valon Aliu për vrasjen e ish-bashkëshortes në QPS-në e Ferizajt

Published

on

By

Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me 24 vjet burgim të akuzuarin Valon Aliu, duke e shpallur fajtor për vrasjen e rëndë të ish-bashkëjetueses së tij, E.C., ngjarje kjo që ndodhi në prill të vitit 2024 brenda Qendrës për Punë Sociale.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtarja Fitore Krivanjeva-Daci, Aliu u dënua për tri vepra penale: vrasje e rëndë, armëmbajtje pa leje dhe kanosje, ku në dënimin final do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 12 prilli 2024.

Ngjarja tragjike erdhi pas një fjalosjeje të shkurtër brenda zyrave të QPS-së, ku i akuzuari nxori armën dhe qëlloi viktimën fillimisht në kraharor, ndërsa plagosi në krah edhe vëllanë e saj.

Megjithëse viktima tentoi të largohej, Aliu e qëlloi përsëri në gjoks dhe në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme në vendin e ngjarjes.

Pas vrasjes, ai kishte kanosur edhe një zyrtare të institucionit duke ia vendosur pistoletën në ballë me kërcënimin se do ta qëllonte edhe atë.

Palët e përfshira në proces kanë afat prej 30 ditësh për ankesë në Gjykatën e Apelit, ndërsa Aliu do të qëndrojë në paraburgim deri në plotfuqishmërinë e këtij vendimi.

Continue Reading

Lajmet

Përplasje në Kuvend për naftën: LDK kërkon uljen e akcizës, LVV e cilëson propozim populist

Published

on

By

Seanca e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës këtë të premte është shoqëruar me një debate të ashpra mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) lidhur me çmimin e naftës. Përmes një rezolute, opozita ka kërkuar ndërhyrje emergjente në politika fiskale për të lehtësuar barrën e qytetarëve, ndërsa pushteti e ka refuzuar këtë nismë.

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka paralajmëruar se rritja e kostos së karburanteve po rrezikon të thellojë krizën sociale në vend. Ajo theksoi se nafta është çmim bazë që dikton zinxhirin e shtrenjtimeve në çdo sektor.

“Nafta është çmim bazë i ekonomisë dhe çdo rritje e saj përkthehet automatikisht në rritje të çmimeve të produkteve bazike, shërbimeve, transportit dhe ndërtimit. Qeveria nuk duhet të qëndrojë si spektatore në një kohë kur qytetarët përballen me rritje të kostos së jetesës,” deklaroi Lushaku-Sadriu.

Rezoluta e LDK-së propozon tri masa konkrete: Uljen e akcizës nga 36 në 20 centë për litër; Uljen e TVSH-së për karburante nga 18% në 8%; Subvencionimin e naftës për bujqit, transportin publik dhe prodhuesit vendorë.

Në anën tjetër, deputetja e LVV-së, Rozeta Hajdari, e ka kundërshtuar ashpër këtë kërkesë, duke argumentuar se ulja e të hyrave publike do të dëmtonte buxhetin e shtetit dhe financimin e sektorëve kyç si arsimi dhe shëndetësia.

“Ne si Grup Parlamentar me qeverisjen tonë kemi ndërhyrë aty ku duhet, kemi formalizuar tregun e naftës, kemi evituar kostot e panevojshme dhe kemi rritur transparencën. Këto masa janë efekt real dhe afatgjatë,” tha Hajdari, duke e quajtur propozimin e opozitës si ekonomikisht të papërgjegjshëm.

Hajdari shtoi se rritja e çmimeve është pasojë e krizave gjeopolitike globale dhe se masat e propozuara nga LDK-ja nuk garantojnë një ulje reale të çmimit në pompë për konsumatorët fundorë. Debati po vazhdon me akuza të ndërsjella, ku opozita kërkon veprim të menjëhershëm, ndërsa pozita mbron stabilitetin buxhetor.

 

Continue Reading

Të kërkuara