Aktualitet

Dokumentari për myslimanët e lumtur kundërshtohet nga aktivistët

Published

on

Një i ri i përkatësisë etnike ujgure ka hapur një kafene në zemër të qytetit të vjetër historik Kashgar dhe në këtë mënyrë e ka realizuar një ëndërr të tij.

Një grua e re myslimane është zhvendosur nga fshati në qytet për një “pagë më të mirë”, që i ka mundësuar asaj të sigurojë një jetë të rehatshme për familjen e saj.

Një biznesmene ujgure u ofron grave të blejnë fustane nusërie të stilit perëndimor për ditën e martesës së tyre.

Të gjithë këta që u ceken më lartë pretendojnë se janë të kënaqur me jetën e tyre. Me begatitë, lirinë e zgjedhjes dhe mundësitë e shumta. Ata thonë se këto i gëzojnë në Ksinjiang, rajonin e tyre të lindjes në veriperëndim të Kinës.

Kjo është mënyra sesi dokumentari kinez “Përtej Maleve: Jeta në Ksinjiang” paraqet jetën e ujgurëve etnik dhe të pakicave tjera myslimane në rajon.

Ky dokumentar u shfaq në Ambasadën e Kinës në Kazakistan. Aty nuk përmendet me asnjë fjalë shtypja brutale që Kina ushtron ndaj myslimanëve në Ksinjiangut. Në këtë rajon llogaritet se 1 milionë njerëz mbahen në kampe masive të internimit që nga viti 2017.

Dokumentari u transmetua nga Rrjeti Global Televiziv i Kinës, një transmetues shtetëror. Dokumentari u transmetua në anglisht dhe rusisht në përpjekje për paraqitur rrëfimin e Pekinit për Ksinjiangun në audiencat globale.

Përmes këtij prodhimi televiziv, Kina synon të kundërshtojë akuzat e shumta të banorëve të Ksinjiangun të cilët thonë se myslimanët jetojnë në një klimë frike dhe shtypjeje derisa autoritetet shënjestrojnë kulturën, fenë, jetën familjare dhe traditat e tyre.

Në dokumentar paraqiten gjoja mundësitë që qeveria kineze ka krijuar për të rinjtë në mënyrë që të ndjekin ëndrrat e tyre në muzikë, sport, biznes dhe drejtime tjera.

Disa aktivistë të Ksinjiangut i thanë Radios Evropa e Lirë se ky dokumentar është një propagandë e qartë kineze dhe paraqet një shtrembërim të tmerrshëm të realitetit.

Dokumentari flet për një kafene në një ndërtesë të vjetër dykatëshe në qytetin e Kashgarit.

Pronari i këtij biznesi, Mardan Ablimit e përshkruan vetën si një “djalë i sinqert i Kashgarit” që ka një ëndërr të madhe.

Ablimit thotë se ideja e tij ishte që të ofrojë një përzierje të historisë dhe kulturës së komunitetit të tij me elementet moderne.

Kafetë që shet ai thotë të jenë një “përzierje e përkryer e kafesë perëndimore dhe bimëve lokale”.

Ablimit e quan kafenë e tij një “version miniaturë të Kashgarit” ku “brezi i vjetër po provon gjëra të reja” dhe të rinjtë si ai “po ndjekin ëndrrat e tyre”.

Sipas tij, njerëzit në këtë qytet po përqafojnë ndryshimin dhe po lënë pas mënyrën e vjetër të të menduarit.

Por, është e vështirë të verifikosh historinë e suksesit të Ablimit në një biznes që ai thotë se është falë historisë, kulturës dhe traditave të komunitetit të tij.

Realiteti është ndryshe.

Qeveria kineze ka mbyllur qendrat kulturore të myslimanëve Ksinjiang, ka dëmtuar ose rrafshuar mijëra xhami dhe objekte historike myslimane dhe ka burgosur liderë të komunitetit.

Në shumë zona myslimanëve u është ndaluar të hyjnë në xhami derisa të mbushin 18 vjeç. Mijëra të tjerë janë burgosur për shkak të lutjeve islamike, apo edhe shënimit të festave tradicionale.

Aktivistët thonë se autoritetet po bëjnë “shpërlarje të trurit” për shumë fëmijë myslimanë të cilët janë vendosur në konvikte të shkollave të veçanta.

Pekini gjithashtu ka dërguar më shumë se 1 milionë nëpunës civilë nga shumica e popullsisë kineze për të jetuar me familjet myslimane në Ksinjiang si pjesë e përpjekjes së asimilimit si dhe për të monitoruar lëvizjet dhe kontaktet e tyre.

Komiteti për Liritë Fetare Ndërkombëtare në SHBA në një raport të lëshuar më 28 prill 2020 tha se “individët dërgohen në kampe për shkak të mjekrave të gjata, refuzimit të alkoholit ose për shkak të sjelljeve tjera që autoritetet gjykojnë se janë shenja të ekstremizmi fetar”.

“Mirënjohëse për punën e re”

Një pjesë e madhe e dokumentarit kinez u kushtohet grave të reja myslimane, të cilat paraqiten sikur kanë sfiduar stereotipet e komunitetit të tyre dhe bëjnë një jetë moderne.

Në dokumentar paraqitet një e re myslimane, Zileyhan Eysa, e cila ka gjetur një punë në një fabrikë në pjesën veriore relativisht të pasur të Ksinjiangut.

Ajo fiton rreth 600 dollarë në muaj, të mjaftueshme për jetën e saj në qytet dhe për të mbajtur familjen e saj të varfër, në një fshat të quajtur Kuqa.

Nga paratë që dërgon Eysa në shtëpi, nëna e saj, Tursungul Rejep, shfaqet në dokumentar duke paguar faturat e saj mjekësore ndërsa babai i saj është në gjendje të blejë një makinë.

“Unë jam mirënjohëse ndaj fabrikës ku punoj”, thotë Eysa.

Ajo ka “mësuar shumë gjëra të reja” në qytet, sipas dokumentarit, dhe nuk e ka ndërmend të kthehet në fshatin e saj, si dhe nuk planifikon të martohet së shpejti.

Në familjet tradicionale ujgure, martesat zakonisht rregullohen nga prindërit. Por familja e Eysa “do të pranojë këdo që ajo zgjedh të martohet”, thotë babai i saj.

Eysa, sikurse të gjithë të rinjtë tjerë në këtë dokumentar, flet gjuhën mandarin.

Dokumentari paraqet anëtarët e familjes së saj, të veshur jashtëzakonisht mirë, duke biseduar mes vete plot gëzim.

Prodhimi i rrjetit shtetëror kinez paraqet një grua tjetër myslimane, Samira Arkin, që thuhet se ka thyer traditat e komunitetit të saj dhe “ka dhënë një shembull për shumë të rinjë të tjerë”.

Arkin ka në pronësi një dyqan në Kashgar dhe ndihmon gratë myslimane të zgjedhin rrobat për martesën e tyre.

Arkin thotë se në vitin 2010, në martesën e saj kishte zgjedhur të veshë një fustan të stilit perëndimor, pavarësisht dyshimeve nga të afërmit e saj.

Ashtu si shumë të tjerë në dokumentar, ajo nuk e përmend asnjë fjalë siç janë: myslimanë, islam apo ujgur. Ajo thotë se ka qenë e pakënaqur kur ka parë gratë që “mbulonin fytyrat e tyre” dhe që nuk kishin të drejtë të dilnin të vetme jashtë shtëpisë. Protesten e saj, ajo thotë se e ktheu në biznes dhe kështu e hapi dyqanin e saj.

Kina e ka ndaluar grave mbulesën islamike si një shenjë e ekstremizmit fetar. Legjislacioni është i formuluar në mënyrë të paqartë. Pekini i ka shpallur joligjor edhe disa emra islamikë dhe “shenja të tjera të ekstremizmit” të paspecifikuara.

Disa gra myslimane kanë raportuar se janë ngacmuar nga policia për shkak të veshjeve të tyre.

Janë detyruar të flasin?

Është e pamundur të zbulohet nëse Arkin, Eysa, Rejep dhe të tjerët që janë paraqitur dokumentar po flisnin me bindjen e tyre apo ishin detyruar nga autoritetet të thoshin ato gjëra.

Njerëzit janë të detyruar të “ndjekin urdhrat” nga Partia Komuniste, thotë Qairat Baitolla, një aktivist nga Ksinjiangu që jeton në Kazakistan.

“Nëse ata refuzojnë, përballen me burgim madje edhe qëllohen për vdekje”, thotë Baitolla.

Continue Reading

Vendi

Takimet me LDK e PDK, Kurti: Nuk priten zgjedhje të reja

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ka konstatuar gatishmëri për zgjedhjen e presidentit, por se bashkëpunimi mes LVV dhe LDK nuk garanton automatikisht përfundimin e këtij procesi.

Sipas Kurtit, të dy partitë politike disponojnë 81 vota, dhe nga ky numër mund të bjerë vetëm një deputet, por jo më pak se 80. Ai ka vlerësuar takimet me Abdixhikun dhe me Bedri Hamza nga PDK-ja si konstruktive dhe me përmbajtje pozitive.

“Zellë për zgjedhje të reja nuk shoh as te LDK, as te PDK, dhe kjo më jep shpresë që nuk do të ketë zgjedhje të reja,” tha kryeministri.

Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka konsideruar takimin mbi dyorësh me Kurtin si konstruktiv dhe me përmbajtje të qartë. Ai ka shtuar se për zgjedhjen e presidentit nevojitet një marrëveshje klasike mes partive ose konsensus mbi një kandidat të vetëm, dhe se LDK nuk ka plan të hyjë në qeveri./Kosovapress/

 

Continue Reading

Vendi

Kurti takon Përfaqësuesin e UNDP-së, rikonfirmohet bashkëpunimi strategjik

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Përfaqësuesin e Përhershëm të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Nuno Queirós.

Perfaqwsuesi Queirós e uroi Kryeministrin Kurti për mandatin e tij të ri dhe kabinetin qeveritar.

Ndërkaq, Kryeministri Kurti falënderoi Queirós për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe UNDP-së, duke theksuar se UNDP mbetet një partner strategjik në forcimin e institucioneve dhe në zbatimin e reformave me rezultate konkrete për qytetarët.

Në takim u rikonfirmua gatishmëria për bashkëpunim në fusha me prioriet si lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit, mbrojtja e trashëgimisë kulturore, dokumentimi dhe adresimi i krimeve të luftës, mbrojtja e mjedisit dhe tranzicioni i gjelbër, si dhe reforma në arsim dhe ngritja e kapaciteteve institucionale.

Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e reformës në prokurimin publik, me fokus në rritjen e transparencës, digjitalizimin e proceseve dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës kundër keqpërdorimit të fondeve publike.

Ai bëri me dije se qeveria do të vazhdojë me miratimin e strategjisë anti-korrupsion dhe ligjit për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Të dy palët theksuan se bashkëpunimi i deritanishëm ka dhënë rezultate të prekshme dhe shprehën përkushtimin për ta thelluar më tej partneritetin në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe forcimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.

 

Continue Reading

Vendi

Dialogu Kosovë-Serbi nën udhëheqjen e Konjufcës

Published

on

By

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, priti sot Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, ku diskutuan mbi zhvillimet e fundit në dialog dhe mënyrën e avancimit të tij.

Gjatë takimit, Konjufca informoi  Sørensen se nga tani procesi i dialogut do të udhëhiqet nga ai personalisht, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. U shkëmbyen pikëpamje mbi momentumin aktual të dialogut dhe parimet që mund të sigurojnë një proces më efektiv dhe të qëndrueshëm.

Konjufca theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar që dialogun ta shohë si mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, si dy shtete sovrane në rrugën e tyre drejt integrimit evropian.

Konjufca dhe Sørensen u pajtuan mbi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian për një dialog konstruktiv dhe të rezultateve konkrete.

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu dhe ambasadori britanik diskutojnë zgjedhjen e Presidentit

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ku biseduan mbi marrëdhëniet e mes dy vendeve, zhvillimet aktuale institucionale dhe proceset lidhur me Presidencën.

Gjatë takimit, Kryetarja Haxhiu shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, veçanërisht në faza kyçe të zhvillimit të saj, duke theksuar progresin e arritur në konstituimin e institucioneve dhe në kalimin e fazave të rëndësishme.

Ambasadori Hargreaves e përgëzoi Kryetaren Haxhiu për zgjedhjen në detyrë dhe vlerësoi përparimin e shpejtë të Kuvendit në miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe buxhetit për vitin 2026. Ai gjithashtu diskutoi me Kryetaren për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe shprehu pritshmëri për bashkëpunim të ngushtë mes parlamenteve të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Në këtë takim u ritheksua nga të dy palët gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve, duke përfshirë edhe intensifikimin e shkëmbimeve parlamentare që lidhen me institucionet e larta të shtetit.

Continue Reading

Të kërkuara