Kulturë
Dokumentar mbi ngritjen dhe rënien e aktorit Bill Cosby
Dokumentari nuk ofron përgjigje të lehta.
Published
4 years agoon
By
Betim GashiDokumentari me katër pjesë i regjisorit Kamau Bell “Ne duhet të flasim për Cosby-n” trajton ngritjen dhe rënien e komedianit afrikano-amerikan Bill Cosby nga statusi i nderuar i “Babait të Amerikës” në një të dyshuar për sulm seksual. Regjisori Bell, vetë një komedian dhe drejtues i dokumentarit, i tha Zërit të Amerikës se një numër i madh njerëzish, veçanërisht afrikano-amerikanët, u tronditën kur aktori Cosby, i cili promovonte vlerat familjare dhe edukimin, u akuzua nga dhjetëra gra për sulme seksuale.
Në vitin 2018, aktori dhe komediani Bill Cosby u shpall fajtor për tre akuza për sulm seksual dhe u dënua me 10 vjet burg. Ai u lirua verën e kaluar pasi gjykata e lartë e shtetit të Pensilvanisë hodhi poshtë dënimin e tij për një çështje procedurale. Zoti Cosby i ka mohuar akuzat e dhjetëra grave që thonë se ai i ka droguar dhe përdhunuar.
Komediani Kamau Bell thotë se vendimi për realizimin e dokumentarit “Ne duhet të flasim për Cosby-n” ishte i vështirë për të.
“Si shumë njerëz të tjerë, unë e kisha të vështirë të përpunoja të gjitha këto gjëra”, thotë ai.
Zoti Bell e përshkruan veten si një “fëmijë i familjes Cosby”, një nga shumë fëmijët që u rritën duke shikuar programet e aktorit Bill Cosby. Si komedian, ai thotë se është frymëzuar nga Bill Cosby. Por pas daljes në dritë të akuzave për sulme seksuale, ai thotë se e kishte të vështirë ta thoshte këtë.
“Nuk mund të thoja se Bill Cosby ishte frymëzim për mua. Por, si një afrikano-amerikan i moshës sime, nëse nuk e thoja këtë do të ishte çmenduri! Kështu që fillova të them jam i frymëzuar nga aktori që dikur njihej si Bill Cosby. Kjo ishte një mënyrë për të treguar se e dija që ka shumë lajme jo të mira për aktorin dhe në përgjithësi kjo ishte e pranueshme për njerëzit. Por ky ishte fillimi i përpjekjes sime për t’u përballur me të publikisht”, thotë regjisori Bell.
Dokumentari i regjisorit Kamau Bell ndjek ngritjen meteorike të aktorit Bill Cosby nga një komedian që interpretonte në lokalet e San Franciskos në vitet 1960 në statusin e babait të dashur në serialin me famë ndërkombëtare “The Cosby Show”.
“Ishte seriali numër një në Afrikën e Jugut sepse qeveria e këtij vendi, e kontrolluar nga të bardhët, e shihte atë si të sigurt, si një shfaqje të vlerave të familjeve të bardha. Por banorët autoktonë të Afrikës së Jugut e panë atë si revolucionare, sepse Cosby po u kujtonte atyre Nelson Mandelën. Nipërit në serial, quheshin Winnie dhe Nelson, dhe në të nganjëherë shfaqeshin parulla kundër aparteidit. Dhe gjithashtu, seriali theksonte se afrikano-amerikanët jetonin me krenari, ishin krenar për identitetin e tyre”, thotë ai.
Ndërkohë, akuzuesit e aktorit Bill Cosby, të cilët pranuan të intervistoheshin për dokumentarin e regjisorit Bell, e përshkruajnë atë si një person që i drogoi dhe i përdhunoi ato.
Aktorja Eden Tirl është njëra prej tyre. “Shumë njerëz kishin njohuri mbi veprimet e tij, sepse ju nuk mund të bëni atë që ai bëri nëse nuk keni njerëz të tjerë që ju mbështesin”, thotë ajo.
“Njerëzit që janë në pozita më të larta i japin përparësi një projekti të suksesshëm më shumë se sa një mjedisi të sigurt, mbështetës dhe efektiv në vendin e punës”, thotë regjisorit Kamau Bell.
Sipas RollingStone.com, pas publikimit të dokumentarit të regjisorit Bell, përfaqësuesi i aktorit Bill Cosby, Andrew Wyatt, e quajti atë një sulmues të imazhit publik të zotit Cosby dhe tha se aktori Bill Cosby ka qenë në “shënjestët të mediave të shumta, të cilat qëllimisht për shumë vite kanë shtrembëruar dhe lënë jashtë të vërtetat”.
Regjisori Bell thotë se ai i mbështet gratë që kanë publikuar historitë e tyre.
“Askush nuk mund të merrej me hendekun e madh mes mendimit që ishte krijuar për figurën e aktorit Bill Cosby dhe sjelljes së tij në jetën reale. Ne kurrë nuk do të kishim trajtuar një hendek kaq të madh më parë, sepse për shumicën e burrave, jo për të gjithë burrat, që u goditën gjatë lëvizjes “MeToo”, askush – asnjëri prej tyre – nuk ishte ikonë kulturore e nivelit ndërkombëtar, ose hero. Më konkretisht, asnjëri prej tyre nuk ishte hero i fëmijërisë së askujt siç ishte Bill Cosby”.
Kamau Bell thotë se dokumentari nuk ofron përgjigje të lehta, por ofron mjaft material për të ndihmuar shikuesit të mësohen se si të përballen me dikë që ka patur një ndikim kaq të madh në jetën e tyre.VOA
You may like
Kulturë
574-vjetori i lindjes së Leonardo da Vinçit
Published
3 hours agoon
April 15, 2026By
UBT News
Sot, më 15 prill, përkujtohet ditëlindja e Leonardo da Vinçit (1452–1519), një nga figurat më të shquara të Rilindjes Evropiane dhe një ndër mendjet më të ndritura në historinë e njerëzimit.
I njohur si polimat, Leonardo da Vinçi shquhej për interesat dhe kontributin e tij në shumë fusha, përfshirë pikturën, skulpturën, arkitekturën, inxhinierinë, shkencën, muzikën, matematikën, anatominë, astronominë dhe botanikën. Ai konsiderohet një nga piktorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, ndërsa shpesh cilësohet edhe si përfaqësuesi më i plotë i idealit të njeriut të Rilindjes.
Veprat e tij artistike dhe studimet shkencore dëshmojnë për një vizion të avancuar për kohën, ndërsa disa prej ideve dhe skicave të tij lidhen me shpikje që do të realizoheshin shekuj më vonë. Leonardo ishte nxënës i Andrea del Verrocchio-s, ku zhvilloi aftësitë e tij artistike dhe u ndikua nga bashkëkohësit e tij, për të krijuar më pas një stil unik dhe novator.
Trashëgimia e Leonardo da Vinçit mbetet e jashtëzakonshme, duke e vendosur atë ndër figurat më të rëndësishme të historisë së artit dhe shkencës, ndërsa ndikimi i tij vazhdon të frymëzojë breza të tërë edhe sot.
Dita Botërore e Artit festohet çdo vit më 15 prill, si një mundësi për të nxitur zhvillimin e artit dhe për të theksuar rëndësinë e tij në jetën e përditshme. Kjo datë shërben si një kujtesë për njerëzit që, përtej ritmit të ngarkuar të jetës, të ndalen dhe të vërejnë bukurinë që i rrethon.
E shpallur nga Shoqata Ndërkombëtare e Artit, kjo ditë lidhet me ditëlindjen e Leonardo da Vinçit, një nga figurat më të shquara të historisë së artit dhe shkencës. Festimi i parë u mbajt në vitin 2012, me pjesëmarrjen e artistëve nga vende të ndryshme të botës përmes ekspozitave, konferencave dhe aktiviteteve muzeale.
Arti shfaqet në forma të ndryshme, si muzika, piktura, skulptura, vallëzimi, letërsia dhe kinemaja, duke u bërë një mjet i fuqishëm për shprehjen e emocioneve dhe ideve. Ai nxit kuriozitetin, krijon dialog dhe ndihmon në kuptimin e botës përmes perspektivave të ndryshme.
Dita Botërore e Artit synon gjithashtu të mbështesë artistët dhe të inkurajojë shprehjen e lirë, duke e konsideruar artin një element thelbësor për zhvillimin kulturor dhe shoqëror.
Një koncert i veçantë, i dedikuar krijimtarisë së grave kompozitore, do të mbahet më 15 prill në Sallën e Ateliesë së Pallatit të Rinisë në Prishtinë, nga ora 19:00.
Ky aktivitet artistik do të interpretohet nga artiste gra, duke sjellë në skenë një kombinim të veçantë talentesh: mezzosopranoja Fiona Shabani, flautistja Entela Demi dhe pianistja Denita Dedushaj.
Programi i koncertit do të ofrojë një rrugëtim muzikor në kohë përmes veprave të kompozitoreve të njohura ndërkombëtarisht si Cécile Chaminade, Fanny Mendelssohn, Ethel Smyth, Amy Beach dhe Sofia Gubaidulina.
Përveç repertorit botëror, koncerti do të përfshijë edhe krijimtari shqiptare, duke prezantuar veprat e kompozitoreve Pranvera Badivuku, Ina Kosturi dhe Dafina Zeqiri Nushi. Ky koncert synon të vërë në pah kontributin dhe rolin e grave në muzikën klasike, si në arenën ndërkombëtare, ashtu edhe në atë vendore.
Kulturë
Biblioteka Kombëtare do të promovojë në Belgjikë veprën “Ydriz Basha i Novosejt”
Published
20 hours agoon
April 14, 2026By
UBT News
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, më 27 prill, do të promovojë botimin shumëvëllimësh “Ydriz Basha i Novosejt” në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Belgjikë, në prani të komunitetit shqiptar.
Ky aktivitet synon të rrisë ndërgjegjësimin e komunitetit shqiptar dhe të publikut të gjerë për rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike, si dhe të promovojë veprën dhe kontributin e Ydriz Bashës – një figurë me rol të veçantë në çështjen e Kosovës dhe në procesin e ndërtimit të shtetit.
Botimi shumëvëllimësh është pjesë e kolanës së veçantë “Kujtesa e Kosovës”, e cila sjell në fokus vlera të rëndësishme të historisë dhe identitetit kombëtar.
Kosova ndalon importin e deleve dhe dhive nga Shqipëria për shkak të sëmundjes PPR
Trump befason me deklaratën për fituesin në Hungari: Péter Magyar është një njeri i mirë
Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për të akuzuarit e sulmit në Banjskë
LDK me Kryesi të re: Abdixhiku prezanton ekipin e “riorganizimit të thellë”
DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 15 prill, në vitet nëntëdhjetë
Policia e Kosovës shqipton mbi 2 mijë tiketa trafiku brenda 24 orëve
Sekuestrohen armë dhe municion në fshatin Vajnik të Skenderajt
Bie lehtë çmimi i naftës në Kosovë: Sot 2 centë më lirë se dje
Shënohen disa raste të dhunës në familje: Podujevë, Rahovec dhe Mitrovicë
Të kërkuara
-
Lajmet2 months agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet3 months agoStudentët e UBT-së në vizitë studimore në Presidencën e Republikës së Kosovës
-
Lajmet2 months agoPërfundon seanca e sotme në Hagë për pengim të drejtësisë
-
Aktualitet2 months agoZPS: 437 incidente të ndalimit
