Lajmet

DokuFest feston 25-vjetorin, mbi 220 filma në edicionin jubilar në Prizren

Published

on

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, DokuFest, rikthehet në Prizren për edicionin e tij të 25-të, i cili do të mbahet nga 7 deri më 15 gusht. Në kuadër të festivalit do të shfaqen gjithsej 223 filma, duke e kthyer edhe një herë qytetin historik në qendër të kinemasë dokumentare dhe asaj të filmit të shkurtër.

Sipas organizatorëve, këtë vit janë pranuar 3 mijë e 687 aplikime nga e gjithë bota, ndërsa 104 filma janë përzgjedhur për të garuar në tetë kategori zyrtare. Përzgjedhja përfshin dokumentarë dhe filma të shkurtër që trajtojnë tema bashkëkohore, si dhe një numër premierash botërore.

Tema e këtij edicioni është “Persistent Defiance” (Mosbindje e Vazhdueshme), ndërsa slogani “Show up or it doesn’t count!” (Doku sepse duhet!) vë theksin te konfliktet globale, kriza klimatike dhe ndryshimet shoqërore. Organizatorët theksojnë se festivali vazhdon të mbetet një hapësirë për shprehje të lirë, reflektim dhe debat edhe në kohë sfiduese.

Programi do të përfshijë filma nga Kosova, rajoni dhe vende të ndryshme të botës, në kategori si Balkan Dox, Balkan Shorts, International Feature Dox, International Short Dox, International Shorts, Human Rights Dox dhe Green Dox, krahas programeve të veçanta të kuruara.

Shfaqjet do të mbahen në disa prej hapësirave më të njohura të Prizrenit, përfshirë DokuKino, DokuKino Plato, Art’s Theatre, Teatrin “Bekim Fehmiu” dhe Abi Qarshinë. Ndërkohë, aktivitetet DokuTalks do të zhvillohen në Shkollën e Muzikës, ndërsa programi DokuKids në shkollën “Lidhja e Prizrenit”.

Në kuadër të festivalit do të organizohen edhe programe të veçanta si Spotlight, kushtuar regjisores britanike Sophie Fiennes, Doku Immersive me përvoja të realitetit virtual, DokuKids për fëmijë dhe Short Film Forum, platformë që bashkon kineastë dhe profesionistë të industrisë së filmit nga vende të ndryshme.

Një nga mysafirët më të rëndësishëm të këtij edicioni do të jetë dokumentaristi i njohur britanik Mark Cousins, i cili në Prizren do të prezantojë dy kapituj nga projekti i tij 16-orësh “The Story of Documentary Film”, kushtuar dekadave të viteve 1960 dhe 1980.

Atmosfera e festivalit do të pasurohet edhe me programin muzikor DokuNights, që nis më 12 gusht dhe do të zgjasë katër net me koncerte në skenën Andrra Stage.

Me një program të pasur artistik dhe kulturor, DokuFest shënon 25 vjet aktivitet, duke vazhduar të jetë një nga festivalet më të rëndësishme të filmit në rajon dhe një pikëtakim i kineastëve, profesionistëve dhe adhuruesve të filmit nga e gjithë bota./A.K/

Continue Reading

Vendi

Kurti: Zgjedhja e presidentit është emergjente, moszgjedhja na pamundëson mbrojtjen e krerëve të UÇK-së

Published

on

By

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se zgjedhja e presidentit të ri është një çështje emergjente, pa të cilën Kosova nuk do të mund t’iu ndihmojë katër ish-krerëve të UÇK-së në procesin e apelimit të dënimit të tyre nga Gjykata Speciale në Hagë.

Kurti theksoi se vendi ka nevojë të menjëhershme për një strategji shtetërore e kombëtare, e cila duhet të trajohet gjatë këtij muaji dhe jo vitin e ardhshëm. Sipas tij, nëse deri në mesnatë nuk zgjidhet presidenti, Kosova rrezikon të mbetet me muaj të tërë pa institucione funksionale për shkak të shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Moszgjedhja e Presidentit na çon drejtpërdrejt në zgjedhje. Por jo vetëm kjo, ajo na kufizon edhe mundësinë që të merremi me strategjinë shtetërore dhe me çështjen e apelit. Pa President, Kosova rrezikon të mbetet pa institucione funksionale”, u shpreh Kurti. /E.A/

Continue Reading

Aktualitet

PDK kërkon nënshkrimet e opozitës dhe shumicës për seancë të jashtëzakonshme për Specialen

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve të deputetëve për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme, me qëllim votimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Gjatë një konference për media, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, bëri të ditur se deri më tani janë siguruar 29 nënshkrime – 22 nga grupi parlamentar i PDK-së dhe 7 nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme sipas Rregullores së Kuvendit nevojiten së paku 40 nënshkrime.

Hamza konfirmoi se i kanë dërguar ftesë zyrtare kryetares së Kuvendit dhe u kanë kërkuar mbështetje me nënshkrime deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lëvizjes Vetëvendosje si dhe komuniteteve joshumicë joserbe.

“PDK-ja po pret dhe po kërkon që të thirret seanca në mënyrë që të aprovohet Ligji për Dhomat e Specializuara. Iu kemi dërguar ftesë të gjithë deputetëve të VV-së, LDK-së dhe komuniteteve joshumicë joserbe që të na japin nënshkrimet, meqë kërkojmë me ngulm që ky ligj të miratohet”, deklaroi Hamza. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Mblidhet grupi parlamentar i LVV-së, pritet caktimi i seancës për presidentin

Published

on

By

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje pritet të mblidhet sot në orën 14:00, mëson Ekonomia Online nga burimet e saj brenda këtij subjekti politik.

Mbledhja e parlamentarëve të shumicës vjen në një moment të tensionuar politik, kur Kuvendi i Kosovës ende nuk ka caktuar një orar zyrtar për mbajtjen e seancës plenare.

Sot është afati i fundit kushtetues për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Nëse deputetët dështojnë të zgjedhin presidentin e ri deri në mesnatë, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

UBT ofron 20% bursë studimi për Masterin në Shkenca dhe Teknologji të Ushqimit

Published

on

By

Në një kohë kur siguria ushqimore përbën një nga sfidat më kryesore globale, UBT ka hapur aplikimet për programin Master në Shkenca dhe Teknologji të Ushqimit, duke ofruar 20% bursë studimi përmes skemës “Engaged Scholarship” për të gjithë kohëzgjatjen e studimeve.

Bursa vlen për një sere profesionistësh të fushës, përfshirë teknologët e ushqimit, nutricionistët, infermierët, kontrollorët e cilësisë, inspektorët ushqimorë dhe laborantët ushqimorë.

Programi është i ndërtuar sipas standardeve të universiteteve më të avancuara evropiane dhe synon përgatitjen e kuadrove udhëheqëse për tregun e punës. Përmes punës praktike në laboratorë modernë, studentët trajnohen në kontrollin e cilësisë, inxhinierinë e përpunimit, kiminë e mikrobiologjinë ushqimore, si dhe zhvillimin e produkteve inovative në përputhje me legjislacionin dhe normat ndërkombëtare.

Përveç komponentës teoretike dhe praktike, ky program vë fokus të veçantë te kërkimi shkencor dhe zgjidhja e problemeve reale me të cilat përballet industria ushqimore sot. Studentët aftësohen për të analizuar parametrat dietikë, për të optimizuar linjat e prodhimit industrial me eficiencë energjetike dhe për të garantuar qëndrueshmëri mjedisore në çdo fazë të përpunimit të ushqimit.

Gjithashtu, mjedisi interaktiv, stafi akademik me përvojë ndërkombëtare dhe rrjeti i gjerë i partneriteteve u mundësojnë studentëve përfitimin e kompetencave të nevojshme për pozita drejtuese e ekzekutive në sektorin publik dhe privat, si dhe për vazhdimin e studimeve të doktoraturës.

Për më shumë informata mbi aplikimin dhe përfitimin e bursës prej 20%, të gjithë të interesuarit mund të drejtohen pranë hapësirave të UBT-së apo faqeve zyrtare të këtij institucioni.

Continue Reading

Të kërkuara